Editorial: Beogradi nuk e merr vesh gjuhën e lutjeve, por vetëm gjuhën e detyrimit
E Hënë, 05.11.2009, 11:51am (GMT+1)
Voal-online Gjendja që Serbia ka krijuar në marrëdhëniet me Kosovën, mund të karakterizohet ndërhyrje tipike flagrante në punët e brendshme të vendit fqinj jugor, si në terrenin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm të këtij vendi. Kjo dëshmon më tej se Beogradi është në thelb ai i para dhjetë vjetëve dhe i para njëzet vjetëve. Bashkësia ndërkombëtare ka prova të gjalla dhe të freskëta të kësaj periudhe se Beogradi nuk e merr vesh gjuhën e lutjeve, por e merr vesh vetëm gjuhën e detyrimit. Vetëm kështu, vetëm nëpërmjet gjuhës së detyrimit, Beogradi do ta hiqte përfundimisht mendjen nga Kosova dhe do të merrej me veten e tij, pra do të hiqte dorë nga çdo përzierje në punët e brendshme të Kosovës. Stabiliteti i Kosovës do t'i sillte stabilitet edhe Serbisë, do ta përmirësonte klimën e marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe në mbarë rajonin e Evropës Juglindore. Një Serbi e rrezikshme për Kosovën nuk mund të jetë Serbi e parrezikshme për Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë dhe vendet e tjera fqinje të drejtpërdrejta të saj, nuk mund të ishte e parrezikshme as për vendet e tjera rajonale në Gadishullin Ilirik. Kjo përvojë është mësuar sidomos nga luftërat e viteve 1990, të shkaktuara dhe të kryera nga Serbia, si dhe nga gjenja konfliktuale që ka mbajtur Serbia e viteve 2000 kundër pjesës më të madhe të fqinjve të saj të drejtpërdrejtë e atyre rajonalë. Serbia nuk mund të vazhdojë të injektohet me kreditë e huaja dhe, nga ana tjetër, të investojë për shkatërrimin e funksionimit të brendshëm e ndërkombëtar të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare është e domosdoshme që t'ia bëjë këtë të qartë Beogradit jo nëpërmjet fjalëve por nëpërmjet veprimeve konkrete. As millosheviçizmi, as neomillosheviçizmi, as çfarëdo ndërthurjesh apo kombinimesh midis këtyre në politikën e Beogradit nuk sjellin asgjë të re, por thellojnë reminishencat e së vjetrës, prej së cilës duket se Beogradi nuk ka prirjen as dëshirën për t'u shkëputur. Ka fakte të përditshme dhe tepër bindëse se Beogradi edhe marrëdhëniet me palët e treta i ndërton në dëm të Kosovës, çka përbën precedent tejet të dënueshëm në praktikën e marrëdhënieve të tilla. Është koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë se Beogradi është larg së emancipuari në marrëdhëniet me fqinjët. Sjellja e tij ndaj Kosovës e freskon këtë kujtesë në çdo çast.
www.voal-online.ch
|