VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
IKJA E VEHBI SKËNDERIT Nga AGIM SHEHU, shkrimtar, Gjenevë E Shtunë, 08.20.2011, 07:37pm (GMT1) Vanë ditë që poeti Vehbi Skënderi s'është më. Po flë në dheun e huaj në Zvicër të cilën e këndoi me fisnikëri si «Atdhe të dytë». Dhe Zvicra i hapi vënd për në gjumin e përjetshëm. I persekutuar në diktaturë dhe i harruar në "˜demokraci', ai nuk bëri kurrë gjyq për asgjë. Siç e njihja gjatë nga afër, ai qe harmoni e karakterit të fortë dhe e shpirtit të butë. Së fundi, çdo gjë e përcolli me qetësinë dhe gjykimin e Sokratit të lashtë: «Tani unë zgjodha udhën e vdekjes, ju - të jetës. Zoti do na gjykojë se cila është më e drejtë»! Ai kish habi e pikëllim më tepër nga heshtja e shoqërisë në "˜demokraci' se nga mundimet që i dha shteti komunist. Nuk e thoshte, por kjo i lexohej në heshtjet e papritura të tij gjatë bisedës. I "˜konsumonte' ato diku larg, dhe kthehej prapë në bisedën e afërt, shpesh duke të kërkuar falje me një nënqeshje të përmbajtur si nga një "˜faj' që s'e kish në dorë. Një ditë mes bisede më tha: «Heshtja është më dëmprurëse se sharja ashtu si lagështia të vret më shumë se shiu. Te heshtja kundërshtarët e ziliqarët fshihen të padukshëm brënda saj. Janë mjeshtra». Veja nga Gjenevë në Bazel ta takoja. Shtëpia e pastër dhe e thjeshtë, me një qetësi thua i shërbente një shpirti në ikje, të jepte ndjesinë e një tempulli, gjithësesi njerëzor. Me vajzën, Elidën dhe dhëndërin, Skënder Buçpapaj, poetë e publicistë të talentuar përbënin një shtëpi arti në mërgim. Sa takoheshim, Vehbiun e mbulonte në tërë qënien një gëzim i çiltër fëmie. U moshua shumë e u thinj, dhe mbeti megjithatë poet i hollë pasi kish lindur poet që fëmijë. Vargjet bie fjala për hënën apo nipin, çuditërisht të freskëta e të pabesueshme për atë moshë, ruajnë lirizmin e lëndinave me lule e dele. Ledhatonte nipin e mosha i kalonte te fëminia dhe atij. Kalonim në biseda të tjera. Foli si me vete: «Sidoqoftë, këtu mësuam saktë se ç'viganë kanë qënë rilindasit dhe atdhetarët e tjerë që në mërgim të detyruar përballonin tërë këtë mall e dhimbje për vëndlindjen»! Nisnim gjykimet e ditës: Me Shqipërinë historia bëri shartimin më të pamëshirshëm në ndërimin e regjimeve: mbi format më të egra të komunizmit mbinë format më të egra të kapitalizmit. E bënë që diktatura të hakmerrej me popullin: "˜donit liri të shkëputeshit mga unë !? Merreni, përpëlituni me të aq sa të keni mall për mua'!..Pastaj Vehbiu e qetësonte bisedën: «Gjersa poetët shkruajnë për popullin, dhimbja e tyre s'është asgjë para dhimbjes së tij...»! Ngrinte qetësisht gotën të më nxiste të pija pak. Dora i dridhej lehtë e më erdhi keq. «Pimë nga brenga, ku është gota...» më citoi nga Pushkini. Sa e vuri në buzë për vete dhe shtoi: «Si është ai amaneti i Dostojevskit - As në varreza nuk dua të jem pranë shkrimtarëve që më nxinë jetën!..- Shkoi diku larg në kujtime dhe u kthye menjëherë. Qarkullonim fjalën nga të gjitha anët, kryesisht në vëndlindje. Po i bënte një rishikim gjithë krijimtarisë së tij poetike. «Është si me lëmenjtë e grurit në fshat - shtonte me humor - ka grurë, ka dhe byk që duhet mënjanuar. Të tillë na e paska bërë shpirtin Perëndia, me tërë trazirat e kohës ku njeriu lind e rritet. Sidoqoftë koha mbetet gjykatëse e saktë për çdo gjë». E pyesja si kish mbetur kaq lirik në poezi, e ma kthente menjëherë se veç të tjerave, është dhe mjedisi i qetë e human që të jep një shtet fisnik si Zvicra. Kujtonte veçanërisht me pikëllim e keqardhje sesi kolegu shkrimtar i afërt me Komitetin Qendror, pas mbarimit të një dënimi i bllokoi një kërkesë dashamirësish për "˜krijimtari të lirë': «Si mund të bëhet shkrimtari bishë për kolegun»!.. Tani jetonte mërgimin jo për jetë të bukur po për çlodhje të vërtetë lirie të cilën nuk ia dha vëndi i tij. («Fitimtarët-fitimtarë./ Të mundurit-të mundur...» tha saktë që në fillim dashamirësi i tij, poeti Bardhyl Londo). Më tingëlloi tepër tronditëse kur pëshpëriti me vete vargjet e Kutelit të persekutuar të cilin e dhuronte aq shumë, i persekutuar gjer në vdekje nga Kryesia e Lidhjes: «Më i lumtur jam i fjetur/ se sa i mërguar...Po të vdes në dhè të huaj/ - shortë mërgimtari/- të ma bëni varrin tim/ ku do bje së pari!/ E një grusht nga toka jonë/- baltë nga balt' e vetë/- të ma sillni e ta vini/ mbi zemrën e shkretë». Në ikje na përcillte gjer te oborri, thua po i ikte një pjesë nga shpirti që nuk do ta takonte më... Ai u varros në dheun e huaj. Mediat shqiptare dhe bota e shkrimtarëve në tërësi heshtën, edhe pse kolegu dha një pasuri të shquar arti që, në mos për jetën, t'i flitej për vdekjen. Sidoqoftë ai pushon asnjanës për gjithëçka. U vë veshin vetëm mërmërimës së fijeve të barit që do lindin mbi trupin e tij, ushqyer nga "˜dheu i huaj'. Ai u buzëqesh rrënjëve të imëta të atij bari pasi ngjyrën dhe fërfëritjen do ta ketë si bari i vëndlindjes.© AGIM SHEHU, shkrimtar, Gjenevë
AGIM SHEHU, shkrimtar, Gjenevë
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |