VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DY BURRA NDËR BURRA TË DHEUT KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN (KKSHA) NDERON TONI BLER DHE RIÇARD HOLBRUK Nga FRANK SHKRELI*
E Mërkurë, 09.14.2011, 08:36pm (GMT1) Si çdo vit edhe sivjet, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) organizon, me rastin e 15-vjetorit të themelimit të tij, darkën madhështore të përvjetëshme me 23 Shtator, në sallën e madhe Gotham Hall në Nju Jork, për të nderuar me Çmimin prestigjioz ''Duartë e Shpresës'', ish-Kryeministrin britanik, Toni Bler për kontributin e tij historik që dha për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. KKSHA gjithashtu do të nderojë këtë vit edhe ish-ambasadorin Riçard Holbruk, post mortem, diplomatin amerikan dhe të dërguarin e posaçëm të Amerikës në Ballkan --për angazhimin e tij të pashoqtë dhe për përpjekjet e tija të palodhëshme për të sjellë paqë e siguri për popujt e Ballkanit. Një mik tjetër i shqiptarëve, Ambasadori Frank Uisner do të pranojë Çmimin ''Arritjet e Jetës'', në emër të ambasadorit Holbruk, i cili papritmas ndërroi jetë vitin që kaloi. Gjatë darkës vjetore të KKSHA-s, do të përkujtohet edhe 20-vjetori i rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Shqipërisë. Për hollësi shikoni ( www.naac.org)Ish-Kryeministri Bler dhe ish-ambasadori Hollbruk i bashkohen një liste prestigjioze udhëheqësish të lartë amerikanë dhe evropianë, që Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka nderuar gjatë 15 viteve të kaluara, përfshirë Presidentin Klinton, Sekretarët e Shtetit Xhejms Bejker dhe Madeleine Olbrajt, Senatorin Robert Dole, Ndihmës Sekretarin e Shtetit James Rubin, Kryetarin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, Gjeneralin Wesli Klark, Ambasadorin Frank Wisner, Kongresmenin Eliot Engël, Presidentin Martii Ahtisaari, e të tjerë. Për shqiptarët, ish-Kryeministri Bler është heroi i dytë pas ish-Presidentit Bill Klinton, e të cilët shpesh konsideroheshin si arkitektët binjakë në përpjekjet e tyre -- për të ndaluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës nga forcat brutale serbe -- përpjekje këto që më në fund çuan në bombardimin e Serbisë nga forcat e NATO-s, 12 vjetë më parë. Kryeministri Bler ishte shtylla përkrahëse e NATO-s dhe zëdhënsi kryesor në Evropë, i cili ngulte këmbë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë përbënte një kauzë morale për intervenim ushtarak, me qëllim për të dëmtuar ''makinën ushtarake vrasëse të Millosheviçit'' dhe më në fund për të detyruar forcat e tija kriminele të tërhiqeshin nga Kosova. Ai ishte i vendosur që misjoni i NATO-s për çlirimin e Kosovës të përfundonte me sukses, duke thënë se '' Brezi im mendonte se në Evropë nuk do të shikonim kurrë më krime të tilla që po ndodhnin në Kosovë, prandaj objektivi dhe vullneti ynë është absolut dhe i përgjithëshëm që misjoni i NATO-s të dalë me sukses'', pasi sipas tij, ajo që po ndodhte në Kosovë mund të thuhet se "˜'ishte gjenocidi racial i paparë në Evropë ç'prej Luftës së Dytë Botërore''. Zoti Bler, si asnjë udhëheqës tjetër evropian shprehte indinjatën dhe zemërimin moral ndajë krimeve që forcat ushtarake e policore të Millosheviçit po bënin mbi popullësinë civile të pafajshme të shqiptarëve të Kosovës. Megjithëse ishte i vetëdijshëm se 80% e shpenzimeve të luftës në Kosovë mbuloheshin nga Shtetet e Bashkuara, Zoti Bler ishte forca kryesore morale në Evropë, që përkrahte kauzën e shqiptarëve të Kosovës. Në një mesazh drejtuar në atë kohë oficerëve ushtarakë anë e mbanë Evropës, Kryeministri Bler u tha se ''Lufta e juaj është e drejtë, për një kauzë të drejtë.'' Në fillim të tragjedisë nëKosovë, Kryeministri Bler, në një deklaratë para parlamentit britanik shprehu qendrimin e tij dhe të vendit të tij duke thënë se "ne duhet të veprojmë menjëherë që të shpëtojmë mijëra burra, gra e fëmijë të pafajshëm nga një katastrofë e menjëhershme, nga vdekja, nga barbarizmat dhe nga spastrimi etnik i një diktature brutale. Ne nuk kemi alternativë tjetër.....", tha ai. Ka vërejtës dhe komentues që edhe sot mendojnë se pa ndihmën e Zotit Bler -- sidomos pa përpjekjet e tij për të bindur aletatët e tjerë evropianë të Aleancës së Atlantikut në favor të ndërhyrjes ushtarake-- ndoshta nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s në Kosovë, me 1999, që siç dihet më në fund detyroi tërheqjen efektive të të gjitha forcave të Millosheviçit nga Kosova dhe bëri të mundur vendosjen afatgjatë të një force ndërkombëtare në Kosovë, që më në fund çoi në pavarërsinë që gëzon sot Kosova. Në fjalimin e tij me rastin e njoftimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Beligradit, Kryeministri i atëhershëm Bler iu drejtuar kombit të tij duke thenë se "Ne i kemi mundësitë tu ndihmojmë atyre (shqiptarëve) të sigurojnë drejtësinë. Dhe e kemi për detyrë që të bejmë çmos që të fitojë drejtësia". Zoti Bler e pat përfunduar fjalimin e tij duke thënë se "i kemi vendosur vetes një objektiv të qartë, dhe të jeni të sigurtë, se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona deri në realizimin e këtij objektivi." Si kryedipomati i Presidentit Clinton për Ballkanin, Ambasadori Holbruk kryesoi negociatat me 1988 për një marrëveshje me Slobodan Milosheviçin për tërheqjen e forcave terroriste serbe nga Kosova, ku kishin ndërmarrë fushatën e spastrimit etnik me qellim për të shpërngulur shqiptarët nga trojet e tyre shekullore dhe si përfundim, për të lejuar vendosjen e pranisë së vërejtësve ndërkombëtarë në Kosovë. Pasi që Milosheviçi nuk zbatoi këte marrëveshje, ishte Riçard Holbruk, ai i cili në emër të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s i dorëzoi ultimatumin Milosheviçit, me të cilin i kërkohej Serbisë që të terhiqte menjëherë forcat e sajë nga Kosova ose të ballafaqohej me fuqinë e sulmeve ajrore të Organizatës së Atlantikut Verior, NATO. Ambasadori Holbruk do të mbahet mend nga e gjithë Kosova dhe mbarë kombi si një mik dhe përkrahës i vërtetë. Prandaj, është me vend që KKSHA po nderon atë në mirënjohje për rolin e gjithanshëm dhe kontributin e tij për mbijetesën e shqiptarëve të Kosovës, për lirinë e tyre si edhe për një të ardhme më të mirë, në një shtet të lirë e të pavarur për ta, dhe një të ardhme më të ndritur për mbarë kombin shqiptar. Darka e KKSHA-s, javën që vjen, do të kujtojë gjithashtu edhe 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës, një ngjarje këjo me rëndësi në jetën e dy kombeve tona dhe një datë e veçantë për komunitetin shqiptaro-amerikan, për realizimin e së cilës punoi shumë diaspora shqiptare në Amerikë, të cilës edhe ish-Ndihmësi Amerikan i Shtetit, Rejmond Sajtz -- me rastin e nënshkrimit të memorandumit të lidhjes së marrëdhënjeve diplomatike, --(ku isha edhe unë i pranishëm me një numër bashkatdhetarësh), Prillin e vitit 1991, në fjalimin e rastit, ia njohi rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në këtë drejtim duke thënë, ''Unë dëshiroj të falenderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur realizimin e kësaj dite. Ndër këta, sot në këte dhomë, janë shumë Amerikanë me origjinë shqiptare të cilët kanë kontribuar jashtzakonisht shumë, me kohë e përpjekje, për të vendosur marrëdhënje të reja midis dy vendeve tona''. *Frank Shkreli ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe ishte anëtar i delegacionit të parë diplomaik amerikan në Shqipëri në Prill/Mars 1991. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |