Dy Vjet pas vizitës të Presidentit Bush në Tiranë - Ky editorial është botuar më 10 Qershor 2007 DHJETË MILIONË SHQIPTARË JANË ME XHORXH W. BUSH Nga Elida Buçpapaj
E Mërkurë, 06.10.2009, 06:53pm (GMT+1)
Të gjithë fqinjët do të kishin dashur të ishin si shqiptarët. Andaj ende dhe sot nuk kanë pushur
së dëshiruari që t'i pushtojnë shqiptarët. Por nuk ia kanë arritur dot sepse shqiptarët i kanë rrënjët të shtrira në trojet e tyre. Pastaj ata kanë besuar se, po t'i pushtonin këto troje, atëherë do të bëheshin si shqiptarët. Trojet tona të përhapur në të gjithë Ballkanin. Të gjitha Perandoritë Romake, Bizantine, Otomane u janë sulur këtyre trojeve. Edhe Italia ka qenë e tunduar prej trojeve shqiptare, Greqia edhe sot e kësaj dite nuk i rresht planet e fshehta përpirëse, ndërsa Serbia vazhdon të mbeteti si lubi.
Gjatë shekullit të shkuar armiqësore ndaj shqiptarëve ka qenë edhe Europa plakë me aleancat që sollën të dyja Luftërat Botërore të cilat ishin shfarosëse për vetë kontinentin e vjetër. Vetëm Amerika ishte pro shqiptarëve. Prej Amerikës të Uillsonit deri tek Amerika e Xhorxh W.Bushit, e përtej. Prej Amerikës e cila u bë streha e ngrohtë dhe shtëpia për emigracionin shqiptar që fillon qysh nga fundi i Shekullit XIX e deri tek Amerika e Klintonit dhe Xhorxh W. Bushit që i doli në krahë Kosovës dhe u bë streha dhe vatra e ngrohtë për emigracionin e shqiptarëve gjatë tranzicionit dhe vitit të mbrapshtë 1997.
Shqiptarët e kanë në zemër Amerikën e madhe, e cila në krye të shtetit të vet vë burra të mëdhenj, më të mëdhenjtë e kombit, siç është edhe Xhorxh W. Bush. Shqiptarët e kanë në shpirt Amerikën e Xhefersonit, Linkolnit, Ruzveltit, Eizenhauerit, Reganit, Xhorxh H.W.Bush-it, Clintonit dhe Xhorxh W.Bushit, sepse kjo Amerikë i ka dalë në krah si askush, kur fqinjët dhe kur Europa plakë kishte për zemër aleancat e vjetra që kanë prodhuar luftërat shfarosëse, të cilat ishin turpi i vlerave të humanizmit europian krijuar prej baballarëve të
Europës.
Dhjetë milionë shqiptarët që jetojnë nëpër vatrat e tyre nëpër gjashtë shtete të Ballkanit dhe dhjetë milionë shqiptarët që jetojnë në diasporën shqiptare duke filluar prej SHBA, janë me Amerikën e vlerave, me Amerikën e vlerave të lirisë, me Amerikën e Xhorxh W.Bushit. Sepse Amerika e vlerave humaniste iu është gjendur në krah shqiptarëve, njërit prej kombeve më të lashta të Europës, i cili është ndodhur në prag të rrezikut shfarosës nga fqinjët ashtu edhe në prag të rrezikut çidentifikues prej njërës nga diktaturat më mizore të Europës Lindore, mbetjet e së cilës sot çkërrmitin dhëmbët prej marazit kur shohin se si dhjetë milionë shqiptarë kanë dalë të presin Xhorxh W. Bushin, Presidentin e 43-të të SHBA. Nëpër televizionet e paguara nga mafia ata tregojnë dhëmbët e krimbur ndaj dhjetë milionë shqiptarëve që kanë dalë të presin sot Xhorxh W.Bushin, tregojnë dhëmbët e krimbura ndaj parapërgatitjeve që kanë bërë dhjetë milionë shqiptarët për vizitën e Xhorxh W.Bushit në metropolin e tyre, në kryeqytetin e shqiptarëve. Këto mbetje të ish-diktaturës janë jashtëqitja e kombit shqiptar.
Në fund të fundit mikpritja është një nga vlerat e identitetit shqiptar. Andaj kombi shqiptar i gjithi ka dalë të presë sot Xhorxh W.Bushin, Presidentin e SHBA që u ka dalë në krah shqiptarëve, jo për arsye të racës apo të fesë, siç bën sot Rusia me Serbinë, jo për arsye ortodokse, të ultraortodoksizmit, por për arsye humaniste, për arsye liridashëse, për hir të lirisë dhe demokracisë, paçka se pjesa më e madhe e kombit shqiptar i takon fesë myslimane. Edhe për këtë arsye i mbështet Amerika e Xhorxh W.Bushit shqiptarët.
Sepse SHBA janë i vetmi vend në botë, ku fetë, racat dhe etnitë janë të barabarta. Amerika e Xhorxh W.Bushit ka vënë në krye të politikës të jashtme një Afrikano-Amerikane, Madam Kondoliza Rajs. Amerika e Bill Clintoni-t kish vënë në krye të politikës të jashtme të parën grua, Madam Medlin Ollbrajt, që kishte emigruar me prindërit kur Europa Lindore u pushtua nga fara e keqe e diktaturave komuniste, trashëgimtarët e së cilës sot nëpër televizionet mafioze të Tiranës kërcasin dhëmbët e prishur kur dhjetë milionë shqiptarët e Ballkanit, nga Shqipëria, shteti londinez i shqiptarëve, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës kanë dalë dhe e presin Xhorxh W.Bushin, Presidentin e SHBA, që u ka dalë në krah shqiptarëve, që i ka dalë në krah Kosovës, që iu ka dalë në krah shqiptarëve të Maqedonisë, që iu ka dalë në krah vlerave të lirisë dhe demokracisë, jo për arsye ortodokse, por për arsye njerëzore, sepse demokracia në radhë të parë është respekt ndaj vlerave universale të njeriut, respekt ndaj vullnetit të kombeve për të përqafuar lirinë dhe shtetin e së drejtës.
Dhjetë milionë shqiptarë nga Shqipëria Londineze, nga Kosova, nga Maqedonia, nga Lugina e
Preshevës, Mali i Zi kanë dalë sot dhe presin burrin e parë të SHBA- shtetit më të madh kampion të vlerave të lirisë dhe demokracisë. Sepse jemi koshientë se, pa praninë e këtij vendi të madh, fati i shqiptarëve në Ballkan do të kishte marrë të tatëpjetën. Sepse pavarësia e Kosovës dhe integrimi në NATO i Shqipërisë dhe Maqedonisë do të ishte në pikëpyetje, dhe Ballkani do të rrezikonte të mbetej edhe sot e kësaj dite, kur kemi hyrë në shekullin XXI, i njohur me konotacionin e vjetër si "Fuçi Baruti" - nëse Amerika e Xhorxh W. Bushit nuk do të ishte në krye të këtij procesi liribërës.
Prandaj dhjetë milionë shqiptarët e Ballkanit apo Europës Juglindore sot kanë dalë të presin Presidentin e SHBA, Xhorxh W. Bush-in. Këtë pritje e bëjnë në mënyrë spontane, e bëjnë me zemër në dorë, e bëjnë sepse duan ta bëjnë, e bëjnë me vullnetin e tyre. Dhjetë milionë shqiptarët vijnë në Tiranë të presin Xhorxh W.Bush-in. Janë aty. Edhe kur s'janë. Janë me shpirt e zemër. Siç jam edhe unë. Që e kam peng se nuk jam sot në Tiranë. Por që prapë jam. Jam aty me Xhorxh W.Bush-in. Sepse pa SHBA ne sot si komb do të ishim të humbur, do të ishim të defaktorizuar, siç na mbajtën pushtuesit dhe diktatura komuniste, do të ishim të paintegruar siç duan të na mbajnë sot atavizmat e mbetjeve të diktaturës, që duan të na mbajnë jashtë NATO-s, ashtu siç do të ishte e humbur edhe Kosova nga lubitë e ultranacionalizmit ortodoks, përbindëshit të lirisë.
Dhjetë milionë shqiptarë janë me Xhorxh.W.Bush-in, edhe si shtetas të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, edhe si qytetarë të Ballkanit, edhe si qytetarë të Europës, edhe si qytetarë të globit, edhe si qytarë liridashës, por edhe si luftëtarë në mbrojtje të lirisë deri në përhapjen e demokracisë në të gjithë botën. Dhjetë milionë shqiptarë me Xhorxh W.Bush-in, kryetarin e shtetit më demokratik të botës ku të gjitha fetë, etnitë dhe racat jetojnë në mënyrë të barabartë. Prandaj dhjetë milionë shqiptarët sot janë duke e pritur Xhorxh W.Bush-in. Kudoqofshin, me zemër janë aty.
Elida Buçpapaj
|