| VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
|
PËRVJETORI I RRËZIMIT TË BUSTIT TË ENVER HOXHËS Nga FRANK SHKRELI E Hënë, 02.20.2012, 08:24am (GMT1)
Edhe sot e kësaj dite nuk më dalin nga mendja fotot dhe filmi që pasqyronin dhe dokumentonin pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve në sheshin para bustit në Tiranë, si dhe aktiviteti i policisë gjatë asaj proteste, duke shtënë në ajër, dhe duke shpërndarë gaz lotsjellës kundër turmës. Por skena më e tmershme vizive m'u duk se ishte vënia në veprim dhe ngacmimi i qenve kundër protestuesve. Enver Hoxha dhe regjimi i tij kishin shumë ''armiq'' të mbrendshëm dhe të jashtëm. Por viktimat e tij ishin ''armiqtë e mbrendshëm'', armiqtë e klasës, mijëra prej të cilëve u vranë, e shumë prej tyre vdiqën në rrjetin e gjërë të kampeve të punës e të përqëndrimit anembanë Shqipërisë. Ndërkohë, ai nuk kursente as aleatët e tij, ish-ndihmësa, diplomatë e ushtarakë, si edhe anëtarë të Partisë Komuniste, shumë prej të cilëve gjithashtu u vranë ose vdiqën edhe ata nëpër kampe të përqëndrimit. Përvjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës është gjithashtu një ditë që duhet mbajtur mend dhe përkujtuar si rrëzimi i bustit të një diktatori që i kishte shpallur luftë popullit të vet, si rrëzimi i një monumenti vrasjesh të njerëzve të pafajshëm, si rrëzimi edhe i një ideje që përfaqësonte diktatorin dhe regjimin, i cili për pothuaj 50 vjet përdori dhunën shtetërore, për të kryer krime kundër njerëzimit dhe më në fund, të konsiderohet si rrëzimi simbolik i regjimit komunist që monopolizonte tmerrin dhe dhunën mbi jetën politike e shoqërore të Shqipërisë. Por, në të njëjtën kohë, në këtë përvjetor të rëndësishëm historik, le të mbahen mend e të kujtohen jo vetëm tmerret dhe krimet e këtij sistemi, por edhe viktimat (të gjallë e të vdekur) të regjimit komunist, ata të cilët me kurajon dhe trimërinë e tyre të pashoqe njerëzore e civile dhe me besimin e tyre të fortë në të vërtetën dhe në dinjitetin njerëzor, qëndruan barrikadë kundër një ndërmarrjeje kriminale të një klike komuniste, për pothuaj një gjysëm shekulli. Nga hallet e travajët e jetës së sotëme post-komuniste si edhe nga lufta politike për pushtet, jo vetëm që duket se sikur brutaliteti i komunizmit dhe i regjimit hoxhist është harruar, por fatkeqësisht nostalgjikët e atij sistemi, me libra e botime të ndryshme përpiqen të bindin brezin e sotëm dhe të ardhshëm duke e paraqitur atë sistem gjithnjë si zgjidhjen e problemeve të kohës, megjithë koston njerëzore dhe materiale. Prandaj është e nevojshme që në këtë përvjetor të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, dhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të fillojë një debat që në vend ku ishte busti i diktatorit, të ndërtohet një monument i viktimave të filozofisë dhe politikës komuniste, e cila kishte premtuar të zhdukte dallimet klasore, por që në të vërtetë zhduku fizikisht klasa të tëra njerëzish të pafajshëm, fatkeqësisht përfshirë edhe ajkën intelektuale të kombit shqiptar. Ndërtimi i një monumenti viktimave të komunizmit në Shqipëri, jo vetëm që do të nderonte ata për vuajtjet dhe sakrificat e tyre, por do t'u kujtonte përgjithmonë brezave të ardhshëm heroizmat e këtyre dëshmorëve të denjë të kombit shqiptar dhe do të përbënte një testament moral, politik dhe patriotik në këtë përvjetor, se jo vetëm që busti i Enver Hoxhës nuk ekziston më, por edhe hija e tij është zhdukur nga jeta politike dhe shoqërore e vendit. Një monument i viktimave të komunizmit në Tiranë, do të shprehte, njëherazi, edhe vullnetin serioz politik e shoqëror, mbarëkombëtar -- se si komb liridashës, shqiptarët nuk do të lejojnë që një sistem si komunizmi, ose një sistem i ngjashëm me komunizmin, të kërcënojë dhe të rrezikojë kurrë më kombin shqiptar. |
||||
| Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. | ||||