Editorial: Pjesëmarrja e lartë në votime rritje e besimit tek demokracia
E Martë, 06.30.2009, 07:48am (GMT+1)
Voal-online Pjesëmarrja e qytetarëve në votimet e 28 qershorit 2009, për përbërjen e re parlamentare të Shqipërisë, shënoi një rritje të konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Kjo ishte një nga cilësitë që u përshëndet nga miqtë tanë perëndimorë. Procesi zgjedhor i sivjetshëm pati kështu një ndikim real në afrimin e politikës me popullin, të klasës politike me elektoratin, të politikanëve me qytetarët, të vendit me shoqërinë, të shtetit me individin. Ky afrim shënon ngushtimin e distancës mes palëve dhe kjo gjithnjë ka rezultat rritjen e besimit te demokracia. Në këtë drejtim, pa dyshim, procesi zgjedhor që i parapriu 28 qershorit përbën një hap të mirëfilltë të demokracisë në Shqipëri. Pjesëmarrja e shtuar në votime u shoqërua me qetësinë dhe rregullin që mbretëroi gjatë gjithë ditës së votimeve. Dhe kjo u pasua me pritjen e qytetëruar që po iu bëhet rezultateve nga ana e qytetarëve. Gjithkush duhet ta pranojë se në Shqipëri kemi një shoqëri demokratike, nga e cila politika në përgjithësi, çdo politikan në veçanti ka çfarë të mësojë. Vetëm mbi bazën e kësaj bindjeje politika mund të shndërrohet në shërbëtore të popullit, qeverisjet mund të shndërrohen në shërbyese të shoqërisë. Ky zhvillim do të shënonte kapërcimin e tranzicionit dhe kalimin e vendit në një stad të ri. Dhe ky stad do të kishte shpërblim anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtyre zgjedhjeve përbën hapin më vendimtar për shkëputjen e plotë dhe vendimtare të Shqipërisë nga tranzicioni. Në këtë mënyrë, data e pranimit në Bashkimin Evropian do të vinte nga dita në ditë, sepse nga dita në ditë Shqipëria do të dëshmonte se e meriton tashmë anëtarësimin në këtë organizëm. Ky është një konkluzion të cilit nuk mund t'i shmanget askush. Dhe është e domosdoshme që Shqipëria të vazhdojë të ecë në këtë rrugë. Një Shqipëri që jep zgjedhje si këto të 28 qershorit gjithsesi paralajmëron një Shqipëri të një realiteti të ri, të një realiteti me një fytyrë të re, për çfarë kemi luftuar të gjithë shqiptarët, për çfarë kanë luftuar të gjithë miqtë tanë. Shqiptarët dëshmuan tejet bindshëm se janë anëtarë të merituar të NATO-s, aleancës më të madhe ushtarakopolitike të botës. Shqiptarët dëshmuan se janë kandidatë absolutisht seriozë për t'u pranuar në Bashkimin Evropian. Nisur nga shembulli që ata treguan është e qartë se ky anëtarësim do të ishte vetëm çështje procedurash, ndaj të cilave, natyrisht duhet treguar durim dhe ngulmim në të ardhmen.
www.voal-online.ch
|