Tre
kongresistë amerikanë kanë nisur një fushatë
diplomatike për njohjen e Kosovës nëpër
botë.
Miku i njohur i shqiptarëve në Kongresin
amerikan, Eliot Engel në bashkëpunim me dy kolegë të
tij i kanë shkruar letra kryetarëve të 25 shteteve të
botës duke u kërkuar që të njohin pavarësinë
e shtetit të ri.
Kopjet
e letrave iu dërguan në mënyrë ekskluzive gazetës
shqiptaro-amerikane "Illyria" në New York.
Engel, i cili
prej vitesh është bashkëkryetar i kaukusit të
shqiptarëve në Kongresin amerikan ka qenë avokat i
hershëm i të drejtave të shqiptarëve në
Ballkan dhe në veçanti është përqendruar
në kauzën e Kosovës duke filluar që nga fundi i
viteve 1980. Në atë kohë Kosova ishte pothuajse e
panjohur në Washington dhe një vizitë e aktivistit dhe
biznesmenit Harry Bajraktari në zyrën e kongresistit bëri
që Engel të fillojë të interesohet për këtë
çështje.
Sot,
gati çerekshekulli më vonë bashkëpunimi mes të
dyve vazhdon ndërsa Kosova nuk është më një
krahinë e shtypur dhe e persekutuar por një shtet i lirë
dhe i pavarur.
Dy kongresistët e tjerë që i janë
bashkangjitur Engelit në këtë përçapje
diplomatike janë Robert Wexler dhe Alcee L Hastings. Të tre
ata kanë nënshkruar letrat e dërguara në të
cilat argumentohet realiteti i ri në Ballkan dhe kërkohet
njohja e Kosovës.
Të
tre këta politikanë nuk janë anëtarë të
zakonshëm të Kongresit. Engel është kryetar i
Nënkomitetit për Hemisferën Perëndimore; Robert
Wexler është kryetar i Komitetit për Europën;
ndërsa Alcee L Hastings është kryetar i Komisionit për
Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.
Tre kongresistët
janë gjithashtu përfaqësues të zonave që
kanë votues me origjinë nga vendet kryetarëve të
të cilëve u është dërguar letër.
Vendet,
kryetarët e të cilave kanë marrë letrat nuk janë
radhitur përkrah Serbisë në çështjen e
Kosovës, por janë thjesht të pavendosura, të
painformuara sa duhet, apo të pa interesuara për të
marrë ndonjë anë lidhur me këtë çështje.
"Njohja
e pavarësisë së Kosovës do të shtonte
qendrueshmërinë në Ballkan si dhe do të ishte një
vendim i mençur strategjikisht dhe i drejtë ligjërisht",
thuhet ndër të tjera në letrën e tyre.
Ndërmjet
25 shteteve kryetarët e të cilëve kanë marrë
letra janë edhe Meksika, Ekuadori, Salvadori, Guatemala, Haiti,
Republika Domenikane, Xhamajka, Kili etj.
Letra i njofton
kryetarët e shteteve për njohjen e Kosovës nga 60
vende (letra është dërguar përpara njohjes nga
Jordania), pranimin e saj nga FMN dhe Banka Botërore dhe punën
e bërë nga Nobelisti për Paqen, Martti Ahtisaari për
të gjetur zgjidhjen e qendrueshme për një konflikt të
vështirë.
Letra
citon fjalët e ministrit të Jashtëm Skënder
Hyseni në Këshillin e Sigurimit se "në Kosovën
e re nuk duhet të ketë vend për dhunë dhe
urrejtje" dhe se "institucionet e Kosovës janë të
përkushtuara për të ndërtuar një demokraci
multietnike në paqe me fqinjët e saj dhe që i ndihmon
bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë së rajonit".
Kosova
e shpalli pavarësinë në 17 shkurt 2008. Qysh atëhere
është njohur nga 61 vende, ndër to edhe SHBA, 22
anëtare të BE-së dhe Japonia. Kundërshtimi i një
fuqie si ajo e Rusisë dhe i diplomacisë aktive serbe kanë
bërë që njohja nëpër botë të
kthehet në një nga sfidat më të vështira të
shtetit të ri. Ky kontribut i kongresistëve amerikanë,
i nxitur nga komuniteti shqiptar në SHBA është i
nevojshëm dhe meriton duartrokitje. Ndonëse vendimi për
njohjen bazohet në interesat kombëtare të vendit
përkatës, nganjëherë e vetmja pengesë mbetet
ngecje burokratike apo pritja për ta përdor si një
mjet shkëmbimi në marrëdhëniet me vendet që
përkrahin Kosovën si SHBA etj.
(Illyria - New York)