Voal-online
-Premtimet e Aleancës për Ndryshim në fushatën zgjedhore përqëndroheshin
thuajse absolutisht në përmirësimin e infrastrukturës, konkretisht në bërjen e
Shqipërisë me infrastrukturë. Në thelb ky vend vazhdon të përdorë
infrastrukturën kombëtare të trashëguar nga koha e Zogut dhe nga periudha e
Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në sferën energjitike dhe të ujërave vazhdon të
përdorë infrastrukturën kombëtare të trashëguar nga koha e monizmit. Prandaj
thuhet me shumë të drejtë se rruga Durrës-Kukës-Morinë, posaçërisht segmenti
Rubik-Kalimash, në mënyrë të veçantë tuneli i Thirrës, shënojnë revolucion në
infrastrukturën shqiptare. Infrastruktura e brendshme dihet sa është vendimtare
për integrimin e vendit në infrastrukturën e kontinentit dhe në atë globale,
pra në vetvete infrastruktura është integrim perëndimor dhe global i Shqipërisë
dhe i shqiptarëve. Qeveria gjatëkatër
viteve të mandatit të saj tregoi bindshëm përkushtimin, vullnetin e përkushtimit
ndaj infrastrukturës. Prandaj ajo ishte bindëse në fushatën zgjedhore në atë
masë sa të fitonte besimin për një mandat të ri qeverisës. Shqipëria është i
vetmi vend pa infrastrukturë të mjaftueshme në rajonin e gadishullit. Nëse do
të ishte pjesë e një rajoni tjetër, do të ishte investuar me përqëndrim nga të
gjitha vendet fqinje që edhe Shqipëria të jetë kompatibile në rrafshin
infrastrukturor. Por Evropës Juglindore, rajonit ku ndodhen shqiptarët në
atdheun e tyre, mjerisht quhet Ballkan dhe ende vazhdon të konsiderohet
Ballkan. Prandaj shqiptarët vetë duhet ta nxitin me çdo mjet e me çdo mundësi
ndërtimin e një infrastrukture sa më moderne për ta çuar përpara vendin dhe
rajonin e për t'ia dhënë Shqipërisë e vetes, pra shqiptarëve atë rol që iu
takon, por që nuk e marrin, ngaqë ende nuk e kanë vetëdijën e duhur. Puna e
qeverisë se re mbetet e qartë, në kushtet dhe rrethanat lejuese ajo pritet të
përmbushë premtimin zgjedhor për të cilin mori votën e 28 qershorit 2009.