Udhëheqës botërorë dhe delegatë nga të pakën 53 vende do të mblidhen këtë javë në qytetin Brasilia të Brazilit ku do të marrin pjesë në mbledhjen vjetore të organizatës ndërkombëtare ''Partneriteti për Qeverisje të Hapur'' dhe transparente. Kjo lëvizje është një iniciativë ndërkombëtare për të inkurajuar qeveritë e ndryshme që të praktikojnë transparencën në shpenzimet qeveritare, pjesëmarrjen e publikut në punët e qeverisë si edhe nënvijon të drejtën e publikut për të qenë i informuar mbi veprimet qeveritare. Sipas njoftimit të organizatës ''Partneriteti për Qeverisje të Hapur'' kundër korrupsionit, mbi 5000 delegatë do të mblidhen për dy ditë -- të Martën dhe të Mërkurën -- për të biseduar mbi mjetet dhe teknologjitë e reja që do të vihen në dispozicion për të ndihmuar qeveritë e ndryshme anembanë botës, të zgjidhin problemet shekullore të (mungesës së) qeverisjes transparente dhe korrupsionit dhe për të bërë të mundur realizimin e rezultateve konkrete për shtetasit e tyre.
Në radhët e delegatëve, sipas njoftimit, përfshihen përfaqësues të organizatave civile, tregtare dhe qeveritare, të cilët do të ndajnë përvojat e vendeve të tyre, duke paraqitur shembuj konkret se si transparenca mund të shpëtojë jetën e njerëzve, se si ajo mund të nxisë rritjen ekonomike dhe të luftojë korrupsionin e shumëpërhapur anembanë botës. Vendet pjesëmarëse do të paraqesin planet e tyre të veprimit drejt një transparence më të madhe duke sjellë qeveritë dhe qytetarët më afër njëri tjetrit. Sipas mediave të ndryshme pritet që, ndër të tjerë udhëheqës të lartë, në këtë mbledhje ndërkombëtare të marrë pjesë Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton, si edhe dhjetëra ministra të lartë nga e gjithë bota.
Ministri Brazilian i kontrollit të shtetit, Jorge Hage tha se rëndësia e këtij takimi të nivelit të lartë është se ''Kjo mbledhje do të konsolidojë të gjitha nismat e ''Patneritetit për Qeverisje të Hapur'', pasi këjo është një iniciativë me pjesëmarrje vullnetare, e jo si një detyrim traktatesh ndërkombëtare ose konventash të detyruara, siç është Konventa Anti-Korrupsion e Kombeve të Bashkuara.'' Ai tha se vendet pjesëmarrëse i kanë paraqitur tanimë planet e veprimit ose angazhimet e tyre të reja në lidhje me transparencën qeveritare si dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar mbi veprimtaritë qeveritare, për vitin që vjen.
Sekretarja Amerikane e Shtetit, duke njoftuar pjesëmarrjen e saj në këtë takim tha se "Për Shtetet e Bashkuara, lufta kundër korrupsionit anë e mbanë botës është një prioritet i lartë''. Ajo shtoi duke thënë se "Ne jemi të interesuar në pakësimin e varfërisë dhe në nxitjen e rritjes ekonomike, në krjimin e një sigurie, begatie dhe paqeje më të madhe në mbarë botën. Ne e dimë'', tha Sekretarja Amerikane e Shtetit "se korrupsioni dhe mungesa e transparencës është si një kancer që prekë dhe dëmton rëndë besimin që populli duhet të ketë në qeverinë e vet. Korrupsioni i zë frymën lirisë ekonomike dhe përpinë fondet që duhej të shpenzoheshin për shërbime kritike të publikut.''
Jo se në Amerikë nuk ka korrupsion, sepse edhe këtu ka korrupsion, madje edhe në nivele të larta të shtetit e të firmave të mëdha. Por ajo që e dallon këtë vend, është fakti se jo vetëm që ka angazhime serioze në nivele vendore, shtetërore dhe federale për të luftuar ketë fenomen të zi për këtë vend dhe për çdo shoqëri tjetër kudo në botë. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara janë në krye të përpjekjeve ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin e formave të ndryshme anë e mbanë botës. Këto përpjekje kundër korrupsionit në mbarë botën, ndërmirren kryesisht për arsye të dëshirës për të krijuar një botë më të sigurt, të begatë dhe në paqë, por ka edhe motive ekonomike, pasi firmat e ndryshme amerikane nuk do të shkojnë e të investojnë në një shoqëri ku zyrtarët e niveleve të ndryshme qeveritare përfitojnë nga pozitat e tyre për t'u pasuruar në kurriz të popullit.
Edhe në Shqipëri e në Kosovë por edhe në të githa trevat shqiptare, vazhdimisht është shfaqur shqetsim nga vendorët dhe nga ndërkombëtarët mbi përkeqësimin e korrupsionit në të gjitha nivelet e shoqërisë. Qytetarët e thjeshtë shqiptarë kudo janë të mendimit se përveç qeverisë, korrupsion ka edhe në gjykata, në partitë politike e bile edhe në spitale, shkolla e universitete. Si rrjedhim, këjo sëmundje e quajtur korrupsion, duhet të luftohet nga të gjithë. Në Kosovë, presidentja Jahjaga inauguroi kohët e fundit Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, veprimtaria dhe efikasiteti i të cilit mbetet për tu parë.
Por një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se sipas fjalëve të presidentit Obama, gjatë një vizite në Afrikë kohë më parë, në lidhje me këtë subjekt, "Asnjë vend nuk mund të krijojë pasuri, nëqoftse udhëheqsit e tij shfrytëzojnë ekonominë për pasurimin e vetvetes....Njerëzit kudo duhet të kenë të drejtë të krijojnë një tregëti, ose të arsimohen pa u detyruar të paguajnë ryshfet. Ne kemi përgjegjësinë që të mbështesim ata që veprojnë në mënyrë të përgjegjëshme dhe të izolojmë ata që nuk veprojnë në këtë mënyrë....''
Korrupsioni është pjesë e natyrës njerëzore, pa marrë parayshë se në cilin vend jetojmë. Por ndryshimi nga një vend në tjetërin, është niveli i gatishmërisë për të luftuar këtë fenomen në të gjitha veprimtaritë e jetës shoqërore. Mbledhja e nivelit të lartë kundër korrupsionit, që po mbahet këtë javë në Brazil, pritet që sadopak të sjellë në vëmendjen publike ndaj problemit të korrupsionit dhe në të njëjtën kohë të forcojë bashkpunimin ndërkombëtar dhe partneritetin midis grupeve dhe organizatave të ndryshme civile, jo-qeveritare nga të gjitha anët e botës në luftën kundër korrupsionit.