VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"RILINDJE SHQIPTARE" APO "RIPËRTËRITJE E SOCIALDEMOKRACISË"

Nga PËRPARIM KABO


E Martë, 05.15.2012, 05:42pm (GMT1)

 

Partia Socialiste e Shqipërisë ka shpalosur programin e quajtur "Rilindje Shqiptare" i cili po udhëton falë tavolinave të ekspertëve, në një gjeografi vendore e rajonale në hapësirat shqipfolëse. Do të ishte me vend të zbërthenim në substancë këtë formulim programor. Termi rilindje është shumë pretendues, por se ka mbi vete edhe një mision disi të diskutueshëm. Nuk është e motivuar në asnjë aspekt, institucional apo demokratik, të paragjykosh realitetin 20-vjeçar në Shqipëri deri në atë pikë, sa të artikulosh një rilindje. Në aspektin institucional, kështu nënçmohet ajo që quhet "vijimësi institucionale". Asgjë nuk mund dhe nuk duhet të fillojë nga pika zero, si një rilindje. Duhet gjykuar me qetësi çfarë është bërë dhe si është bërë deri më sot. Në këndvështrimin e një demokracie funksionale, korrigjimet lidhen jo me mangësitë e një apo dy mandateve politike që drejton Partia Demokratike, por me të gjithë periudhën dhe faktorët e pas vitit 1990 në Shqipëri. Pika referuese është ajo, (që në hyrje të këtij procesi reformues të shoqërisë shqiptare, e cila po linte pas një periudhë drejtimi dhe organizmi autoritarist diktatorial), përcaktimi i Komisionit të Venecias: "Demokracia përmes ligjit". I gjithë ky proces i një "(ri)lindjeje të re", nuk qenkërka thjesht e jetës dhe aktivitetit në Shqipëri, por shqiptare. Duke besuar se gjithçka është drejtpeshuar nga hartuesit do duhet të arsyetokemi se e artikuluar kështu, u dashka të pranojmë që PS ka marrë përsipër të shtrijë rilindjen në hapësirat (gjithë)shqiptare, si do të ishte fjala vjen një spital në Preshevë apo një Universitet shqip në Mal të Zi, apo diçka tjetër për shqiptarët e Maqedonisë.

I mirëkuptuar edhe në dritëhijet e formulimit, në ngarkesën propagandistike dhe imazhiste, i gjithë ky korpus dokumentar që konsiderohet si "program rilindje" i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka fillimisht nevojë të trupëzohet si një program socialdemokrat. Ai duhet homologuar me tezat dhe teoritë e kësaj force politike në rang europian dhe global. Ndryshe gjithçka do të tingëllonte si një "këngë lokale" që nuk ka dimensione, objektiva dhe mekanizma të matshëm të së majtës dhe shkollave të saj akademike, të cilat realizojnë studime të plota dhe afatgjatë. Shkurt, PS përpara se të tregojë se çfarë do të bëjë me vendin apo me faktorin shqiptar është e nevojshme të shprehet se çfarë do të bëjë me veten, si strukturë dhe me afrimin e programit me socialdemokracinë globale. E majta në botë, qysh nga fundi i viteve 90-të të shekullit XX, ka artikuluar tezën e "Rrugës së Tretë". Ishte lidershipi demokratik në SHBA që në Konferencën e vitit 1996 shtroi si detyrë argumentimin e një fillimi të ri në politikë, si një marrëveshje suksesplotë në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Kjo politikë u quajt: "Progresivizmi i Ri".(Është e qartë që termi progresivizëm, nuk është identik me rilindje, pra bëhet fjalë për rritjen e ritmit të zhvillimit). Ky progresivizëm vjen si përgjigje ndaj problematikës globale si: Industrializmi dhe urbanizimi, globalizmi në të gjitha aspektet, ekonomike, kulturore dhe institucionale, raportet me teknologjinë (si mëton Hannah Arend, tashmë është kaluar nga raporti njeri-teknologji, në marrëdhënien komplekse teknologji rruzulli tokësor), ngrohja globale etj. Në aspektin social "gurë qoshe" për "Progresivizmin e Ri" konsiderohen: Mundësitë e barabarta, ose si edhe e formulon Anthony Giddens,( ish-këshilltar i Tony Blair dhe Gordon Brawn, autori i librit "Rruga e tretë dhe ripërtëritja e socialdemokracisë"); "Të gjithëpërfshirë në mundësinë e vetëndryshimit", rritja e përgjegjësisë personale bazuar në parimin: "Me të drejtat vijnë përgjegjësitë". Ky "Progresivizëm i Ri" njihet ndryshe si "Rruga e Tretë", term që bën dallimin nga e djathta "neoliberale e tregut" e laissez fair, bazuar tek idetë e Nobelistit Milton Fridman, mentor i Margaret Thecer dhe Ronald Regan. Por që dallon gjithashtu, edhe nga e majta tradicionale e cila konsideronte si "bad guys", kapitalistët, tregjet, korporatat e mëdha, të pasurit apo SHBA-në në ambiciet e saja imperiale.


Tek administrata e Bill Clinton-it dhe ajo e Barak Obamës, "Rruga e Tretë" targetoi si objektiva disiplinën fiskale, reformimin në kujdesin shëndetësor (ligji Obama për sigurimin shëndetësor u realizua mes debatesh, por u bë) investime në shkollim dhe në trajnim. (Nuk e di nëse PS ka programuar se sa do ta shpjerë % në GDP për arsimin dhe shëndetësinë dhe se si do t'i sigurojë të ardhurat. Kancelaria gjermane Merkel u premtoi studentëve që shpërthyen para dy vjetësh në manifestime, se në vitin 2014 do ta shpjerë shifrën e investimeve për arsimin në 7% të GDP-s). Në programin e së majtës, si "Rrugë e tretë" janë të përfshira skemat e punës dhe të mirëqenies, programet për rigjallërimin urban, qëndrimi në një linjë të fortë ndaj krimit, nocione të qarta për ndërhyrje aktive në realitetet ndërkombëtare. Në pamfletin e tij të vitit 1998 me titull "Familja dhe Krimi", Tony Blair e vuri theksin tek kjo problematikë e mprehtë dhe mjaft shqetësuese. Gjykoj se, edhe në Shqipëri kemi një realitet preokupant. Në shumë aspekte krimi e ka dëmtuar mjaft rëndë rendin civil, sigurinë, jetën e qetë, të lirë e normale të komunitetit. Social Demokratët holandezë e pranuan "Rrugën e Tretë" por Wim Koku formuloi shqetësimin e tij se: "Njerëzit duhet të mbrohen nga qeveria me politika, por duhet të marrin edhe përgjegjësitë e tyre". Është e njohur teza e socialdemokracisë moderne se "Qeveria është përgjigje" dhe jo "Qeveria është armike", si edhe artikulohet nga e djathta ithtare e tregut, i cili duhet sipas saj të marri komandën. Ky lloj kujdesi i qeverisë, në këndvështrimin socialdemokrat nuk do të duhet kurrsesi të krijojë sindromin e të qenit nën kujdestari, e shoqëruar me pritshmërinë, inaktivitetin dhe qarjen e vazhdueshme për ndihmë, asistencë dhe mbështetje. Një qeveri në shërbim të interesit publik nuk duhet të reket dhe të mbesë tek kujdesi asistencial, por se të hartojë dhe vërë në jetë politika sociale në strukturën e brezë moshave dhe problematikave përkatëse, ose si edhe i quante socialdemokrati i shquar suedez Olaf Palme, "Projektet e Jetës."


Masimo Dalema i së majtës italiane e lidh funksionimin e "Rrugës së Tretë" me kulturën (jo në kuptimin artistik, por si kulturë demokratike dhe civile, si dhe kulturizim që shërben për aftësimin e të qenit kompetitiv në treg dhe në ndërtimin e karrierës) kur shprehet se: "Kultura është forma më e rëndësishme e përfshirjes sociale, unë mendoj se ne duhet të investojmë në kulturë". Ky arsyetim i Dalemës është më afër pikërëndesave të shoqërisë shqiptare të tranzicionit. Ka një dikotomi jo harmonike tek ne, për shkak se demokracia si kuptim institucional dhe sendërtim strukturor, nuk ka bashkëudhëtuar me demokracinë si kulturë dhe mentalitet. Antropologjia jonë me fatin e keq të mungesës së shoqërisë borgjeze dhe kapërcimet nga feudalizmi në komunizëm e prej tij në sistemin demokratik është e destinuar që t'i nënshtrohet një ndryshimi të thellë kulturor. Largimi nga autoritarizmi përmes reformimit është i kushtëzuar në suksesin apo mos suksesin e vet, nga kuptimi dhe ushtrimi i demokracisë edhe si kulturë njerëzore e institucionale (krijimi i antropo-institucionalizmit si një investim i gjatë domosdoshmërisht në tre breza antropologjik, në një masë së paku mbi 50% e popullsisë. Nëse është 60% ose 70% atëherë shoqëria mirëfunksionon), krijimi i edukatës për bindjen ligjore dhe edukatës administrative. Krijimin e moralit të bashkëjetesës në një shoqëri të pluralizmit kulturor dhe politik e ushqyer nga toleranca dhe respektimi i vetëdijshëm i normave civile. Krijimi i kulturës së lirive dhe të drejtave të njeriut, në mënyrë që të funksionojë ajo që John Lock-u e quante: "Marrëveshja e besimit", e cila prishet kur nuk respektohet e drejta e jetës, e pronës dhe liria e shprehjes. Mozaiku i problemeve të demokracisë shqiptare nuk është i tillë që me një program të njëanshëm dhe përjashtues në bashkëpunimin me forcat/forcën e tjera/tjetër politike, të kurohet realiteti duke realizuar në kohën optimale ndryshimet e domosdoshme që lejojnë ecurinë falë strategjive kombëtare. E gjithë kjo në përputhje me realitetin ku mandati politik i cilës do force është gjithnjë më i shkurtër se kohëzgjatja e cikleve, qofshin ata antropologjike, ekonomike, sociale apo institucionale e ligjore! Entuziazmi në besimin, se ndryshimet vijnë menjëherë falë dëshirës dhe vullnetit, në rastin më të mirë janë alkimizëm politik, në rastin e një sinqeriteti të munguar janë hipokrizi në etikë dhe demagogji në raportin me të vërtetën.


"Rruga e tretë" dhe jo "përtej së majtës dhe të djathtës", (si edhe kemi pasur rastin të dëgjojmë në "pazarin e fjalëve dhe parullave" në vendin tonë) sugjeron:
"Kombinimin e solidaritetit social me dinamizmin ekonomik". Tregjet, - shkruajnë në broshurën e tyre të përbashkët Tony Blair dhe Gerhard Schreder, - duhet të plotësohen dhe përmirësohen nga aksioni politik dhe jo të goditen prej tyre". Duke ndjekur me vëmendje aksionin prezantues të "Rilindjes Shqiptare" personalisht nuk kam gjetur një artikulim bindës dhe integral në lidhje me tregjet dhe menaxhimin e tyre ndryshe nga politikat e sotme të partisë në pushtet. Është me interes të dimë se si do të menaxhohen më mirë tregjet financiare e monetare dhe se si do të shëndoshen financat publike? Si do të ulet borxhi i jashtëm dhe deficiti buxhetor, se si do të rregullohet hap pas hapi deficiti tregtar. Nëse nuk ka strategji konkrete dhe plane veprimi të kombinuara për këta lloj tregjesh është e pamundur që të mbahen premtimet e shpallura në programin e afishuar të "Partisë Socialiste". Banka Botërore mëton me forcë se vendet me të ardhura të ulëta duhet ta kenë borxhin jo 60%, por më të ulët, madje nën 50% të GDP-s, sepse rritja ekonomike që shkon krahas me rritjen e borxhit është ecje në një "fushë të minuar". E gjithë kjo, po qe se nuk është e zgjidhur në më shumë se një skenar, brenda programit afatmesëm dhe afatgjatë tregon se cilado qoftë forca politike, nuk është ende gati të drejtojë pushtetin e qeverisjes. Mbetet pezull dhe duhet provuar nëse "taksimi progresiv" do të funksionojë si "shkopi i alkimistit" në kushtet kur biznesi vendas nuk është se ka shëndet monetar të qëndrueshëm sa kohë që deflacioni është evident dhe kreditë e këqija po rriten pa u ndalur në këta vitet e fundit dhe fuqia konsumatore po shkon në rënie.


Duke pranuar ekonominë e tregut dhe globalizmin e tregjeve, Socialdemokracia e sotme jep një formulim të ri për "Drejtësinë Sociale". Blair dhe Schreder shprehen se drejtësia sociale duhet parë ndryshe, jo si barazi në të ardhura sepse dëmtohet krijimtaria, diversiteti dhe realizimi." Drejtësia sociale shihet sot në shpenzimet publike dhe mirëmenaxhimin e tyre, tek impakti i taksimit sipas parimit "jam i taksuar duhet të jem i përfaqësuar", konkurrenca e ndershme në treg dhe mbrojtja e tij nga bizneset informale si dhe nga arroganca e monopoleve dhe oligopoleve. Nuk e di se kur do vijë ajo kohë që njerëzit tek ne, të kenë ndjeshmëri për "Ligjin për Buxhetin" dhe për adresimin si shërbime publike të taksave të mbledhura, qoftë nga pushteti lokal, qoftë nga ai qendror. Kultura e munguar e përgjegjësisë së taksapaguesit është një minusi me rrënjë historike. Anashkalimet në krijimin e kësaj mënyre sjellje, nga të gjitha partitë politike, pavarësisht nga ngjyrimi apo spektri është tregues se ende politika nuk është pjekur dhe kulturuar që ta njohë veten, thjeshtë si "shërbenjëse publike" dhe jo si poseduese pushteti. Të edukosh publikun me ndjenjën e përgjegjësisë do të thotë ta shëndoshësh demokracinë edhe si një instrument kontrollues. Të drejtat duhen parë si përgjegjësi e dyanshme e individit dhe komunitetit nga njëra anë dhe shtetit e institucioneve nga ana e tyre. Sipas "Rrugës së Tretë" shteti as nuk dobësohet dhe as nuk dehumanizohet. Ai e rrit prezencën e tij duke u fokusuar tek cilësia e shërbimeve publike. Institucionet e specializuara, shoqëria civile, sindikatat dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm duhet të kontrollojnë në çdo hap performancën e qeverisë, me qëllim që të mos lejohet që shteti të mos bëjë "laissez faire" me ligjin. Nuk e di se si me programin e vet PS do të sigurojë punësimin dhe rritjen ekonomike në kushtet e deficitit të gjerë. Borxhet qeveritare duhet të vijnë duke u ulur dhe jo duke u rritur, ndryshe i bie "të këndohet në të thatë". Norberto Bobbio në librin e tij "Left and Right"(Cambridge 1996) shkruan: "Të jesh në të majtë është të jesh i shqetësuar për reduktimin e pabarazisë dhe shumë më i definuar në ndjekjen e drejtësisë sociale. Të tjera vlera të së majtës janë "kooperimi social" dhe mbrojtja e vulnerabëlëve që është rezultat i këtij shqetësimi. "Akademikët socialdemokrat gjerman Christian Krell dhe Simon Vaut, në kuadrin e orientimit social të politikave ekonomike, përcaktojnë si kushte: LIRINË-DREJTËSINË-SOLIDARITETIN. Ato konsiderohen me vlefshmëri të njëjtë, por se edhe me një varësi të dyfishtë sepse ato mbështesin dhe ndihmojnë në ndërtimin e njëra-tjetrës. Liria sipas tyre është të jetuarit në një jetë ku secili vetëvendos, ç'ka nënkupton në radhë të parë të "jesh i lirë nga arbitrariteti" që vjen për shkak të ndërhyrjes së shtetit apo shoqërisë me këtë mënyrë arrogante sjelljeje.


A ka arbitraritet në shoqërinë shqiptare?! Do duhej të ishe më shumë se miop, të thoje se nuk ka! Por se si duhet kuruar një gjendje e tillë preokupuese, këtë nuk po e gjejmë në programet e suksesit dhe në ato të rilindjes. Vetëm një dimension të marrim në konsideratë. Kthimin dhe kompensimin e pronave që është edhe një nga 12 prioritetet në procesin e marrjes së Statusit Kandidatë për në BE. Kujdes ligjor deri në detaje për formalizmin e pronave informale dhe braktisja e pronarit të ligjshëm është një realitet ku arbitrariteti hapur del ndesh me aksiomën, që vjen qysh nga lashtësia se "prona është 9/10 ligj dhe 1/10 aset. Vetëm në çështjen e pronës, personalisht jam në një mendje se ka vend për termin "rilindje shqiptare", pasi këtu unë llogaris edhe pronat e shqiptarëve të Çamërisë. Liria reale realizohet vetëm kur kushtet sociale dhe ekonomike janë në vendin e tyre të duhur dhe funksionojnë. Për realizmin e saj duhen ca kushte që nuk se i dëgjojmë të artikulohen, si: Ekonomi funksionale,(liria që të realizohet ka faturë monetare), liri politike reale(dhe jo pazare partish), shoqëri civile që siguron oponencën civile(dhe jo eksponentë të saj që pa mbaruar shkollat shpallen udhëheqësa dhe pa "çelur vezët" tek OJF-ja, "kapërcejnë gardhin" tek partitë politike) dhe besueshmëri të publikut tek policia dhe gjykatat.(Tek kjo pika e fundit "ne jemi shumë shumë mirë" sepse fillon gjyqi për 26 të vrarë në Gërdec dhe mbaron pas 4 vjetësh për prishje prone.) Drejtësia, sipas socialdemokracisë së sotme, duhet bazuar jo thjesht në barazinë para ligjit (edhe kjo ende çalon tek ne, si dhe programi në udhëtim për tek njerëzit i PS nuk është se tregon se si dhe me ç'mjete do ta shëndoshi situatën). Për socialdemokracinë, njerëzit duhet të jenë të barabartë në dinjitetin njerëzor duke ju dhënë mundësi të njëjta ndryshimi e zhvillimi me qëllim pjesëmarrjen në sigurimin shoqëror, pavarësisht nga origjina familjare, sociale, prona apo gjinia. Socialdemokracia moderne e vë theksin në atë që liria reale të varet nga realizmi pozitiv i të drejtave civile dhe lirive të njeriut. Solidariteti sipas së "majtës gjermane" është vullneti i njerëzve të qëndrojnë pranë dhe të ndihmojnë njëri tjetrin. Social demokrati Johannes Rau e konsideron solidaritetin si "llaçi që e mbanë shoqërinë të bashkuar". Bazuar në këtë analizë dhe referuar burimeve politike dhe akademike mundësia për të gjykuar se ç'përfaqëson programi ambicioz i Partisë Socialiste është real.


E majta në Shqipëri është jokoherente. Rreth "Partisë Socialiste" vërtiten disa formacione të majta që kanë vetëm një qëllim, të "kafshojnë diçka nga pushteti". Sa për programet e tyre, idetë apo strategjitë, as që bëhet fjalë. E gjithë kjo pamje e sjell dekorin të tillë që PS duket si një "pemë e vetmuar" në djerrinën politike. Sipas motit konjuktural të politikës së ditës dhe interesit, gjallon nën hijen e saj një vegjetacion i ulët që të kujton varietetet e shumta të kërpudhave të pyllit.

PËRPARIM KABO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.