VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Replikë me Paskal Milon KLITHMA E HIENAVE Nga RESHAT KRIPA E Mërkurë, 07.04.2012, 05:48pm (GMT1) Duke biseduar me një mikun tim për problemet e kohës së sotme ai më tha: - Kombet e tjera të botës baltën e bëjnë njeri kurse ne shqiptarët njeriun e bëjmë baltë. Kjo shprehje më tërhoqi vëmendjen. A thua të ishte e vërtetë? A thua shqiptarët të kishin rënë aq poshtë sa të arrinin në këtë gjendje? Ia kundërshtova mendimin mikut tim dhe fillova t'i argumentoj virtytet e shqiptarit. Ai më vështroi me bishtin e syrit dhe më tha me një zë ku shprehej një dhimbje e thellë: - Kjo shprehje vlen për "Njerëzit e rinj të komunizmit". Dhe më zgjati një gazetë të përditëshme. E mora dhe i hodha një vështrim. Në krye të faqes së parë kishte një titull bombastik: "Ndizet debati për historinë, Berisha glorifikon Abaz Kupin, Paskal Milo e konsideron si kriminel dhe bashkëpuntor të pushtuesve". Në faqen e dytë lexova intervistën e zotit Milo dhe opinionet e disa politikanëve e historianëve të majtë, ndërsa në faqen e tretë opinionet e historianëve dhe politkanëve të djathtë. Shprehja që më tha miku para se të më jepte gazetën filloi të më vinte rrotull nëpër mendje. Më shfaqeshin këta "njerëz të rinj", në kohën e dikltaturës, kur çirreshin dhe ngjireshin duke mallkuar imperialistët anglo-amerikanë dhe hymnizuar perëndinë e re të tyre, kryediktatorin. Më kujtoheshin gjithashtu në ditët e para të përmbysjes së madhe kur, si m... pas këpucëve, i ngjiteshin pas Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj për të përfituar ndonjë copë nga torta e madhe e fitores. Të ngratët! Donin edhe ata të ëmbëlsoheshin sado pak sepse boll ishin "helnuar" nga britmat e tyre prej korbash të zinj. Në ato çaste m'u kujtuan dy vargje të shkruara nga një poet i tyre i vjetër, emrin e të cilit e mban ende biblioteka e një qyteti kryesor në Shqipëri: "Sa shpejt bre burra kthyet nga Qabeja, Ne dogjëm duert, ju vrap n'gështenja!" Këto vargje ia thashë mikut tim që po më vështronte me vëmendje. Ai buzëqeshi dhe m'u përgjigj me dy vargje të tjera nga i madhi Noli: "Dhe Feridi faqe ndërron, Dje na shante, sot na mbron!" Iu ktheva përsëri intervistës dhe e rilexova: Pyetje: Zoti Milo, cili është mendimi juaj për figurat e ricikluara nga Berisha, siç janë Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Bahri Omari, Kryezinjtë e të tjerë? Përgjigje: Disa prej atyre që përmendët ju janë bashkëpunëtorë të okupatorit italian dhe gjerman. Disa nga këta emra që propozon Berisha i kanë duart të lyera me gjakun e popuillit deri në fyt. Pa lloogaritur këtu Ahmet Zogun, i cili përveç akuzës për vrasjet e Bajram Currit, Avni Rustemit etj. Ka shitur tek jugosllavët edhe Shën Naunin. Dhe pa llogaritur faktin tjetër se ai bëri pakt me jugosllavët për kalimin e Shqipërisë brenda shtetit jugosllav. Prandaj, Berisha bënë mirë të mos harxhojë broncin për monumente të tilla, sepse brezat do ta shesin atë për skrap. Ndërsa Abaz Kupi është një tradhtar tipik që ka bashkëpubuar me okupatorin. Në këtë çast m'u kujtua një fjalë e urtë popullore që thotë "Këta ta lenë dobiçin në derë!" Ky "historian mëndjehollë" vazhdon me lloj-lloj mbroçkullash se gjoja paska dokumenta që vërtetokan që Abaz Kupit i qenka ndërprerë ndihma e aleatëve britanikë. Oh, Zot i madh! Nuk do ta besoja kurrë që një historian dhe për më tepër një kryetar partie, ndonse në zgjedhjet e zhvilluara nuk ka mundur të arrijë kurrë të marrë më shumë se 1% të votave të popullit, ta ulë kaq poshtë prestigjin e tij prej intelektuali. A mund të pranohet falsifikimi i provave nga një që e quan veten intelektual? Miku im që më qëndronte gjithmonë pranë i kuptoi mendimet e mia dhe më tha: - Intelektuali i komunizmit, pjellë e sistemit që e lindi dhe e formoi. U ktheva në shtëpi dhe hapa librat që më ndodhen në etazher. Nuk jam historian por ruaj disa libra dhe dokumenta që rastësisht më bien në duar. Lexoj dhe bëj krahasimet: - Historiani komunist shkruan se Mbreti Zog paska vrarë Bajram Currin, Avni Rustemin e të tjerë. Sa është numri i intelektualëve të vrarëve nga ky mbret? Nuk i kalon as dhjetë. Me gjithë dyshimin që kam po e marr këtë shifër si të vërtetë. Po regjimi i "udhëheqësit të dashur" të historianit dhe politikanit sa intelektualë të mirëfilltë vrau? Shkoni në Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe do të shikoni se kjo shifër i kalon të 3000 vetat. Fotografitë e një pjese të tyre i keni ende në lulishten e vëllezërve Frashëri, zoti historian. Po e lë në dorën tuaj ta bëni krahasimin Lexoj më poshtë dhe ndalem atje ku ai shkruan se mbreti i paska falur jugosllavëve Shën Naunin dhe paska bërë pakt me ta për ta bërë Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë. Çuditërisht sot nuk m'u ndakan këto fjalët e urta. "Thoma sa nuk ta kam thënë, moj dobiç madhe!" Këtë gjë bën edhe kllouni ynë. Ai ngatërron Mbretin Zog me babanë e tij shpirtëror që donte ta bënte Shqipërinë një republikë të shtatë të Jugosllavisë, ndaj i fali asaj edhe krahinën martire të Kosovës. Mirë me mbretin po me Abaz Kupin, çfarë patët, more karafil? A nuk ishte ai i pari që organizoi rezistencën e popullit shqiptar më 7 prill 1939 në Durrës? A kishte ndonjë komunist në atë rezistencë? Sado të gërmoni në arkiva nuk keni për të gjetur asnjë. U munduat të trajtoni si të tillë Mujo Ulqinakun por harruat që edhe ai ishte një kapter i ushtrisë mbretërore. A nuk ishte Abaz Kupi ai që u bashkua me Frontin Nacionalçlirimtar në Konferencën e Pezës, pasi i besoi parullës tuaj demagogjike "Pa dallim feje, krahine dhe ideje" dhe vazhdoi të luftonte, së bashku me ju dhe forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar, kundër okupatorëve italianë deri në Konferencën e Mukjes dhe ishin pikërisht gjerarkët tuaj ata që e prishën këtë marëveshje historike pa u tharë ende boja e saj. Vazhdoj leximin e intervistës: Pyetje: A është e vërtetë se komunistët e kanë dënuar me vdekje Abaz Kupin, në listën e tyre? Përgjigje: E kanë kërkuar që të sillej në Shqipëri për të dalë para gjyqit për ato që kishte bërë. Pse t'u lidh goja, more bilbil gjyzar? Ku e keni ligjëratën tuaj të shquar? Përse nuk flet për atë kërkesë të qeverisë komuniste? Mos u mërzitni, ju ndihmoj unë për të. Ne, nacionalistët, kemi kurajon t'i themi gjërat hapur. Nuk jemi si ju, të pabesë, që veproni në prapaskenë. Një nga këto është edhe ajo që në rradhët e misioneve të huaja kishte edhe socialistë të atyre vendeve prej nga vinin. Një nga këta ishte edhe zoti J. E. Jacobs, funksionar për shërbimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara. Në një letër miqësore drejtuar Zeusit shqiptar, që mban datën 5 korrik 1945, ai shkruan: I dashuri, Gjeneral-Kolonel Hoxha, Tue iu referue bisedimit tonë të pasun para disa javësh të shkuara mbi çështjen e kthimit të kriminelëve të luftës shqiptarë, dëshëroj t'ju njoftoj se letra me datë 22 qershor 1945 e Ministrit të Drejtësisë, drejtue Komitetit Ndërkombëtar të Luftës në Londër, i asht dërgue atij komiteti. Në mbështetje të listës së 43 kriminelëve të luftës të pretenduar, që asht pregatitur më datë 23 shkurt 1945, atë listë e kisha me vete në Caserta, në udhëtimin e fundit ku u bisedue kjo çështje.Me gjithë se nuk mund t'ju siguroj se çfarë masa do të merren, unë mund të them se autoritetet në Caserta janë duke e investigue këtë çështje dhe mundësisht në një kohë të shkurtër mund të mirret ndonjë masë. Me respekt, i dashuri Gjeneral-Kolonel. Jam fort i sinqert i juej. Besoj se lexuesit e kuptojnë se kush ishte zoti Jacobs. Megjithatë le ta lemë atë dhe të vazhdojmë se si rrodhën ngjarjet e mëposhtme. Sado që u mundua legata shqiptare në Romë të merrte informata mbi këta "kriminelë lufte" nuk ia arriti qëllimit. Në një relacion që Zv/ministri i jashtëm Mihal Prifti i dërgon Legatës Shqiptare në Paris, midis të tjerave shkruhet: Legata prej Rome na njofton se është në pamundësi të bëjë relacionin mbasi i mungojnë informatat (Viti 1952, Dosja 95/1, Fleta 14/8) Gjithashtu në një letër që Mihal Prifti i drejton Ministrisë së Drejtësisë shkruhet: Sikurse është në dijeninë tuaj kjo Ministri kërkoi nga Qeveria franceze, dorëzimin e Abaz Kupit si kriminel lufte. Në përgjigje të kërkesës sonë, Qeveria Franceze deklaroi se për dorëzimin e tij në bazë të ligjit francez datë 10 mars 1927, nevojiten këto dokumenta: 1. Lista e krimeve që ka kryer 2. Mandat arrestimi ose në mungesë, kopjen e dënimit të gjyqit 3. Origjinalin, ose kopjen autentike të librave gjyqësorë mbi të cilat bazohet kërkesa e Qeverisë Shqiptare (K. RN. S. L. K.2 1.4.1952) Natyrisht që Qeveria Shqiptare nuk mundi kurrë t'i siguroj këto dokumenta pasi nuk i dispononte. Atëherë ajo kërkoi vizë në Ambasadën Franceze për të dërguar në Paris dy të ashtuquajtur dëshmitarë, Xhavit Qesen dhe Riza Caushani, që gjoja do të dëshmonin për krimet e Abaz Kupit, vizë që iu mohua nga ana e Ambasadës. Gjyqi i zhvilluar në Paris për dënimin e kriminelëve të luftës sipas një letre që i dërguari me punë i Shqipërisë në Paris, Nesti Saraçi, i shkruan Ministrisë së Jashtme se: Për Bazi Canen nuk është folur asgjë. Ndërsa në një radiogram tjetër të Ambasadës Shqiptare në Paris me NR. Prot. 375, datë 8.12.1952, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, shkruhet: Gjyqi i tradhëtarëve internacinal do të rifilloj në muajin janar 1953. Do të bëhet vetëm pesë ditë dhe nuk do të ketë shahitë. Materasso na tha përsa i përket Abaz Kupit, ai nuk do të dalë fare në skenë. Llambi (Viti 1952, Dosja Nr. 98/1, Fleta 37) Ja pra kush është e vërteta për Abaz Kupin dhe aktivitetin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mos u mundoni më kot të errësoni aktivitetin e nacionalistëve shqiptarë. Ju jeni tashmë vetëm hije të asaj të kaluare të zezë që fati e dënoi të kalonte vendi ynë. Klithmat e hienave nuk mund të mbulojnë zërat tanë të fortë, zërat tanë të lirë që gjëmuan edhe në ato kohëra të errëta kur ishit fuqiplotë, megjithatë nuk ia arritët të na zhdukni. Ne sot jemi fitimtarë. Mos gënjeni, pasi gënjeshtra i ka këmbët të shkurtëra. Ndaj heshtni! RESHAT KRIPA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |