"Një shtëpi e ndarë dhe e përçarë kundër vetvetes nuk mund të qendrojë në
këmbë. Një komb i copëtuar nuk mund të jetojë, ai duhet të luftojë për bashkim
ose të vdesë.'' Harold Nikëlson
Kohët e fundit u promovua në Londër libri "Lindja e Shqipërisë'' në gjuhën
angleze nga autorja Nikola Gaj, botuar nga Shtëpia Botuese "˜'IB Tauris''.
"Lindja e Shqipërisë", trajton me saktësi shkencore "˜'Çështjen Shqiptare'', e
cila edhe pas 100-vjet pavarësi mbetet një plagë e hapur për të gjithë
shqiptarët, por edhe me pasoja të rënda për rajonin dhe komunitetin
ndërkombëtar.
Në librin e saj, autorja Nikola Gaj ve në dukje se marrveshjet midis
fuqive të mëdha aleate, në kurriz të shqiptarëve dhe përsa i përkiste fatit të
Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk kishin asnjë ndjenjë ose bazë
morale duke venë në këtë mënyrë vazhdimisht në dyshim pavarësinë e shtetit të
ri shqiptar. Ajo shkruan se si të mëdhejtë e Evropës në fillim të
shekullit të kaluar, coptuan Shqipërinë duke shpërblyer fqinjtë me më shumë se
gjysmën e kombit shqiptar.
Libri është përqendruar kryesisht në rolin e politikës
britanike por edhe të fuqive të të tjera evropiane si dhe mbi
politikën e Uashingtonit zyrtar pas vitit 1917 ndaj çështjes shqiptare, duke u
bazuar në burime të dorës së parë në arkivat britanike, amerikane e të
tjera.
Thelbi i librit është se politika e hapët, diplomacia dhe intrigat e ulëta të
fuqive të mëdha evropiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në fillim të
shekullit të kaluar, ishin, jo vetëm në përputhje me ta, por edhe aq armiqësore
dhe anti-shqiptare, sa ishin edhe politikat ekspansioniste të fqinjëve të saj
në Ballkan. Prandaj si rezultat i kësaj politike dhe diplomacie të fuqive të
mëdha evropiane dhe fqinjëve grabitës, Shqipëria ka sot kufijtë që ka një
padrejtësi prej një shekulli në kurriz të kombit shqiptar dhe si e tillë, heret
ose vonë -- më mirë heret se vonë kërkon një zgjidhje të përhershme dhe
përfundimtare.
Nikola Gaj, në librin e saj shkruan për formimin e shtetit shqiptar pas
përmbysjes së Perandorisë Osmane, por mbi të gjitha, ajo përqendrohet duke
përshkruar në hollësi se pse trojet shqiptare u ndanë copa copa midis vendeve
fqinje, duke rrezikuar në këtë mënyrë vet ekzistencën e kombit
shqiptar. Ajo lidhë ngjarjet ndërkombtare të kohës me rrethanat e
mbrendshme shqiptare duke mbuluar me fakte e dokumentacion një histori që
fillon nga luftërat ballkanike dhe që përfshinë episode shqiptare dhe
ndërkombëtare, -- por edhe ngjarjetnë vendet fqinje duke filluar nga
konferencat e Londrës e deri tek Konferenca e Paqës në Paris dhe krijimit të
Ligës së Kombeve. Në librin prej 338 faqesh, tetë kapitujsh dhe një mori
fusnotash, bibliografi të pasur si edhe harta e fotografi personalitetesh
shqiptare dhe të huaj të asaj periudhe, Nikola Gaj, shpjegon se pse dhe si u
arrijtë më në fund pavarësia e Shqipërisë, bazuar në idetë që mbizotëronin në
atë
kohë mbi etnicitetin dhe identitetin kombëtar, por që më së miri u përcaktua me
frazën e presidentit të atëhershëm amerikan Woodrow Wilson, si
"Vetvendosje kombëtare'', për kombet e vogëla.
Nikola Gaj e fillon librin duke shkruar për shfaqjen e nacionalizmit shqiptar
bazuar në gjuhën e folur në trojet shqiptare dhe mbi përpjekjet e patriotëve
shqiptarë që identiteti shqiptar të pranohej nga fuqitë e mëdha të kohës, me qëllim
që të ndalohej dhënja e tokave shqiptare shteteve fqinje. Ajo flet për
diskutimet, në radhët e përfaqsuesve të fuqive të mëdha, për të përcaktuar se
çdo të thoshte ëmëri "Shqipëri'', si edhe mbi pranimin e gjuhës dhe etnicitetit
si baza për krijimin e shtetit të ri. Ajo në librin e saj nënvijon
gjithashtu vështirsitë me të cilat përballeshin shtetet e vogëla, në këtë rast
Shqipëria, sidomos kur nuk gëzojnë përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe.
Për më tepër, ajo shkruan në hollësi mbi arsyet dhe ndërlikimet e
vendimit që morën fuqitë e mëdha për të anulluar pavarësinë e Shqipërisë dhe
për të copëtuar tokat shqiptare duke ua dhënë Serbisë, Greqisë dhe
Italisë. Njërin prej kapitujve, autorja Gaj ia kushton Konferencës së
Paqës në Paris dhe se si "parimi i vet-vendosjes'' nuk ishte paraparë që të
zbatohej në rastin e Shqipërisë dhe flet për përpjekjet e Presidentit amerikan
Wilson, përballë kundërshtimeve ndaj qendrimit të tij -- për të rivendosur një
zgjidhje për pavarësinë e Shqipërisë, të bazuar në parimin e etnicitetit e që
kundërshtohej vendosmërisht nga fqinjtë e Shqipërisë dhe mbështetsit e tyre
evropianë dhe Rusia.
Autorja shkruan se Presidenti Wilson përballej me presione të shumta nga fuqitë
evropiane përsa i përkiste Shqipërisë. Madje edhe ndihmësit e tij e
këshilluan Wilsonin që të tregonte më shumë mirëkuptim ndaj qendrimeve të
evropianëve për "çështjen shqiptare'', kryesisht për shqetsimet dhe interesat
amerikane në lidhje me situatën në zonën e Adriatikut dhe në Ballkan. Por,
Presidenti Wilson hodhi poshtë edhe këshillat e ndihmësve të tij dhe mbeti i
vendosur në bindjen e tij se Shqipëria nuk duhej përdorur si një gur shahu.
Duke u këthyer nga Konferenca e Paqës për në Shtetet e Bashkuara, Wilsoni i
dërgon një telegram Sekretarit të Shtetit Robert Lansing, i cili pas largimit
të Wilsonit kryesonte delegacionin amerikan në Konferencën e Paqës, e në të
cilin presidenti amerikan i shkruante:
"Deshta që para se të largohem tu shpreh ju dhe kolegëve të tjerë, interesimin
tim të thellë mbi fatin dhe të drejtat e Shqipërisë. Kam frikë se në mesin e
shumë çështjeve të tjera që mund të duken më të rëndësishme, të anashkaloni ose
të mos përfillni këto të drejta. U lutem shumë që ju të jeni jashtzakonisht të
kujdesshëm në lidhje me këto të drejta (të Shqipërisë''.
Më pastaj, në pjesën tjetër të librit, ajo shkruan për arsyet që
patriotët shqiptarë hoqën dorë nga varësia e tyre në fuqitë e mëdha duke
përdorur, sipas saj, mjetet diplomatike dhe ushtarake ndaj kundështarëve të
shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Autorja nënvijon taktikat që përdorën
shqiptarët, kryesisht nepërmjet organizatave ndërkombëtare, që më në fund të
siguronin pavarësinë e tyre, megjithëse sipas saj, ata ishin të detyruar të
moderonin kërkesat e tyre kombëtare me qëllim që të siguronin përkrahjen
ndërkombëtare për mbijetimin e shtetit të ri.
Ky libër i bazuar në dokumentacion të dorës së parë, është një kontribut
jashtzakonisht i vlefshëm në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë. Pasi
thuhet se historia është ajo që e tashmja dëshiron të mësoj për të
kaluarën, atëherë libri, "Lindja e Shqipërisë'' e autores Nikola Gaj,
duhet të lexohet doemoshmerisht nga shqiptarët por sidomos nga të huajt, të
cilët kanë nevojë të mësojnë se si dhe pse kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër
në Evropë e ndoshta në botë -- që sot e kësaj dite -- mbetet i ndarë e i
copëtuar në një gjysëm dyzinë shtetesh fqinje rreth e përqark shtetit
amë.
Botimi i këtij libri në këtë 100-vjetor, eshtë doemosdo një kontribut ndaj së
vërtetës, por është edhe si një kujtesë se megjithë arrritjet e shqiptarëve
gjatë shekullit të kaluar, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës, prapëseprapë
kombi shqiptar nuk është ende ai që duhet të jetë -- një, dhe i bashkuar --
ashtu si e donin dhe e ëndërronin Rilindasit e Lidhjes së Prizrenit, për
ndryshe rrezikon shfarosje.