VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

I SHTYPURI SHTYP
Nga REDAN BUSHATI

E Shtunë, 07.21.2012, 06:05pm (GMT1)



« Klika e natës dhe e turpit nxjer për ditë ''gazeta'' të ra, të paguara nga arka e Shtetit. Mendimi i klikës sodomite dhe hajdute është, duke botuar shumë gazeta, t'i japë botës besimin që ka një shtyp të gjerë në Shqipëri dhe që ky shtyp, shtypi i tërë pothuaj, mban anën e kabinetit që çqeveris Shqipërinë. » - këto janë dy fjalitë hyrëse të artikullit ''Nga tryeza e kryetarit'', nëntitulli ''Klika e natës dhe e turpit'' e mendjendriturit Faik Konitza, të botuar më 31 mars 1923 në gazetën ''Dielli''. Dhe sot pas 89 vjetësh, artikulli i Konicës është tejet aktual, veçan hyrja e tij, ku me dy fjali, si rrallëkush, jep panoramën dhe fatin e shtypit shqiptar: dje, sot, me gjasë dhe nesër, nëse larot e pendës do të shtohen dhe nëse populli shqiptar, pavarësisht se e kupton lojën e pushtetit-shtet, zgjedh të mjaftohet me kapërdimjen e saj mbytëse.

Në të njëjtin artikull, po nëntitulli ''Larot e pendës'', mes të tjerash poligloti shqiptar thekson « ... larot e pendës kanë një shesh të lirë, mbushin xhepat, dhe kënaqin instinktin e skllavit, i cili kërkon kurdoherë të fëlliqë dhe të shajë gjërat më të lartëra... ». A s'po bëjnë vallë këtë, me përpikëri dhe angazhim të jashtëzakonshëm, një ''industri'' e madhe mediatike në Shqipëri?! Pa më tregoni pakëz, për të më bindur, emrat e kujt media kanë mbetur pa u skllavëruar dhe gazetarët e cilës së përditshme shqiptare pa shërbyer si laro të pendës! Në ndërgjegjen time, përgjigjja për numrin e medias nuk i kalon gishtërinjtë e njërës dorë; ndërsa për gazetarët nuk di ç'të them, di veç se në ka profesion në vendin tonë më të nëpërkëmbur e të pambrojtur financiarisht e fizikisht është: gazetaria.

Pyetjet, përgjigjet e sakta (të drejta) të së cilës japin edhe tablon e gjendjes së medias në vendin tonë, janë: a) Si financohet media në Shqipëri? (Sot ''industria e medias'' është një nga sektorët me humbje ekonomike, por që çuditërisht asnjë media nuk falimenton!); b) Kush e financon median shqiptare? dhe c) Nëse kjo e fundit, media, ashtu siç rëndom përflitet, financohet nga njerëz të pushtetit apo të lidhur ngushtësisht me të, mafiozë të lidhur me shtetin, pronarë që kërkojnë favorizimin e bizneseve të tjera të tyre etj., atëherë pyetja që shtrohet është ''Si mund të besohet në një media të lirë dhe të pavarur, nëse ajo është e kapur nga interesa meskine dhe klane mafioze?''

Media shqiptare është një pushtet me fuqi të papërgjegjshme, ku secili mund të thotë ç'të dojë dhe të nxjerrë llum nga goja, sepse asgjë s'e ndalon, pengon apo penalizon atë. Nga ana tjetër, shtypi shqiptar, pavarësisht përmirësimeve të pjesshme, nuk i përgjigjet ritmit dhe nevojave të zhvillimeve globaleve, të diktuara edhe mbi trupin e Shqipërisë. Shtypi shqiptar është kthyer në një monopol, i cili menaxhohet nga faktorë të ndryshëm me dhe në pushtet, që derdhin të holla për mbajtjen në këmbë (fuqi) të grupit të tyre mediatik.

Rasti i gazetës « Tema » është një shembull sesi fytyra e baltosur e një pushteti rrënon një gazetë nga themelet, edhe pse ajo vazhdon të mbahet, së paku në dukje, me sakrifica të mëdha, por tirazhi i së cilës është fare pak i ndjeshëm. Duke mos mjaftuar vështirësitë e daljes së saj në treg, kjo gazetë ndeshet në vështirësi të herëpashershme edhe me daljen e saj në internet nga sulmet e hackerave apo vullnetarprishësve, që presin ''dekorata'' nga pushteti. Vetë botuesi i saj, Mero Baze, në studimin e Sokol Ballës ''Fjala e lirë, sfidë Europiane'', në faqen 54, mes të tjerash deklaron « Duke më ndëshkuar mua me të gjitha metodat, fizike, financiare dhe familjare, ai (Sali Berisha) ka kërkuar të kalojë një mesazh frike në median shqiptare ». Një rast i fundit, por jo i vetëm, është edhe mënyra mbytëse e kërcënuese, ku inspektorët e kontrollit tatimor plot krekosje, trokasin në dyert e gazetës « Shqiptarja.com ». Inspektorët, kryesisht njerëz të aftë të pushtetit në vjeljen e kujt të mundin në Shqipëri, nuk kishin se nga të shkonin tjetër, por drejt e në dyert e një gazete, e cila akoma s'ka mbushur vitin e parë të botimit ndërkaq gazeta të tjera që merren me libër shtëpie të atij e këtij dhe çfarë lajthitjesh e gënjeshtrat botojnë, nuk njohin uniformat e tatimorëve prej vitesh, edhe pse kanë shumë e shumë kohë në treg. Kjo nuk do të thotë aspak se një media nuk duhet t'i nënshtrohet kontrollit fiskal, porse është e çuditshme sesi sapo një biznes ndodhet në hapat e parë të tij, inspektorët mbijnë si kërpudhat mbas shiut. Të ishte për ndonjë të huaj, do të thuhej: hajt. Por ne, që e njohim çdo pëllëmbë të Shqipërisë, e dimë se ato inspektorë janë të dërguarit e pushtetit për të mbyllur gojën e atyre pak mediave të lira në vend. Turp!

Kulmi i absurdit dhe ironisë qëndron tek TVSH-ja, - lavire që epshëm i jepet epshit me çdo pushtet në Shqipëri, - siç thotë po Faik Konica në artikullin e lartpërmendur « ...nevojat dhe idealet e Popullit lëftohen me financa të shtrydhura nga gjaku i Popullit! », secili prej nesh është taksapagues i rregullt apo i detyruar për të qenë i tillë i Radio Televizionit Publik Shqiptar. Dhe ç'na shfaq çdo ditë TVSH-ja jonë e dashur, veçse ''orgjitë'' e larove të pendës me eprorët e tyre pushtetar?!

Një ndër gazetarët e shquar amerikan të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Edward R. Morrow është shprehur « Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe ». Por, harrojeni se do të arrini deri këtu: shpirti i këtij populli do të ngrihet si uragan ditën më të bukur tuajën, që t'ju hedhë në greminën, që ju vetë po ia hapni atij. Andaj, shporruni o të mjerë, që po i pini çdo ditë e më tepër, pa njohur ngopje, gjakun popullit shqiptar! Shkarrashkruani sa të mundni në gazeta, libra historirash apo edhe krijoni me kurvërinë tuaj një histori krejt të re të kombit shqiptar, duke ju mësuar brezave të pavërteta, e si rrjedhojë duke rritur gjithnjë e më shumë lule të vyshkura. Po gajle mos kini, një ditë babëzia juaj do të ndalet, e kjo s'ka pikë dyshimi.   

Siç u përbalt At Gjergj Fishta për mbi 45 vjet me radhë, ashtu po bëni edhe ju sot me mjaft intelektualë dhe njerëz të lartë shqiptarë. Po harruat, me (pa) dashje, se epilogu i nënës suaj parti ishte i trishtë sot babai juaj shpirtëror, Enver Hoxha, përbuzet me përçmim nga e gjithë populli shqiptar, kështu do të ndodhë nesër edhe me ju brenda ndërgjegjes së fëmijëve tanë. Ju që shkruani kodra mbas bregut, faqe të tëra gazetash e librash me të pavërteta, duke iu mbushur mendjen shqiptarëve me lulëzime ekonomike imagjinare e me të tjera përralla si këto, në Hadin e memories intelektuale shqiptare do të përfundoni. Zullumqarë!

Në fund, kurajë për median e shtypin e lirë e të pavarur shqiptar. E si për t'ju ndihur, sadopak më tej në veprimtarinë tuaj, po e mbyll me eruditin shqiptar, Faik Konica, ku mes të tjerash në një letërkëmbim me një funksionarë të lartë austriak, shkruan « Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë rëndësinë e pasjes së shumë lexuesve, por unë kuptoj atë të pasjes së lexuesve të mirë, të pakët në numër ndofta, por të mençur, të aftë për të kuptuar dhe përhapur atë që kanë kuptuar ».


REDAN BUSHATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.