VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
UNË JAM PRIFTI ORTODOKS I KOMBIT SHQIPTAR! Nga AT NIKOLLA MARKU E Martë, 08.14.2012, 11:16am (GMT1)
At Nikolla Marku është arsimuar dhe veshur si prift nga Kisha Ortodokse e
Maqedonisë, kishë që është patriarkanë më vete, duke injoruar tërësisht
influencat e kishës greke si dhe patriarkanën e Stambollit, ku këtë të fundit,
kryepeshkopi Fan Noli e quante djalli vetë.
Mbas pushtimit të drejtimit të kishës nga Janullatosi me prapavijë Ylli Popën
dhe Ramiz Alinë, ku ky i fundit e bëri Shqipërinë katrahurë intrigash si brenda
kombit ashtu dhe brenda partisë së tij komuniste diktatoriale, ne u detyruam që
të vendosemi në Kishën Shën Maria, kala Elbasan, me vullnetin e besimtarëve
ortodoksë, por dhe të simpatizantëve të besimit kristian, duke siguruar në
mënyrë të ligjshme një vendim gjykate në qershor 1996, me numër 2634, si
subjekt kulti, po me të njëjtin emër që i vendosi Fan Noli i pavdekshëm.
Sa për godinën brenda territorit të kishës, ajo ka qenë Shkolla e parë Normale
e Elbasanit dhe sot është në varësi të Ministrisë së Arsimit si shkollë. Ne nuk
përfitojmë asnjë të ardhur nga kjo shkollë dhe nuk kemi kërkuar kurrë asnjë
shpërblim. Mund të verifikohet nga kushdo tek Drejtoria e Arsimit Elbasan.
Për sa i takon restaurimit nga ana e Janullatosit, është mirë të mos flitet,
sepse vetëm disa suvatime u meremetuan dhe faturat shkuan dhjetëfish më të
larta. Janullatosi kërkoi që Shkollën Normale të Elbasanit ta kthente në një
fole të rrezikshme pseudomurgjish në shërbim të qeverisë vorio-epirote, të
bekuar nga ai vetë dhe të çmendurit e "Agimit të artë" që u shfaqën tani.
Çuditemi si shteti bën sehir kur një i huaj flet brenda territorit për
tjetërsim të atdheut tonë. Deputeti i "Agimit të artë" duhej dëbuar në mënyrën
më shembullore, bashkë me fantazmën e Hitlerit nga pas dhe Janullatosin që e
takoi në mënyrë të fshehtë. Siç
duket, organet kompetente janë me leje pushimesh në plazhet speciale të
Greqisë.
Për sa u takon njohjeve, ne nuk mund t'i deklarojmë ato, sepse Krishti ka
thënë: "Mos ua jep margaritarët derrave, sepse ata do t'i shqyejnë nga babëzia
e tyre". Sigurojmë besimtarët ortodoksë shqiptarë se, njohjet dhe lidhjet tona
janë në të gjithë globin, si nga lobet shqiptare nëpër botë, ashtu dhe nga
kisha të fuqishme, që nga SHBA, Izraeli, Polonia etj. Neve nuk na njeh vetëm
kisha serbe dhe ajo greke, dhe, me pozitën që mbajnë ndaj kombit shqiptar, as
që duam të na njohin.
Ne ekzistojmë si kishë për bukuri në atdheun tonë, së bashku me të gjitha
kishat ortodokse shqiptare kudo që ndodhen në Shqipëri dhe diasporë, apo
Maqedoni e Kosovë. Çdo prift shqiptar, kudo që shërben, gëzon respektin dhe
dashurinë tonë, pavarësisht nga ky moment i përkohshëm i padrejtësisë me në
krye Janullatosin dhe disa priftërinj grekë, të cilët i ka sjellë me qëllim që
dhe pas tij të jetë po një grek i misionit "˜Vorio-Epir' në kishën e Shqipërisë.
Për sa i takon Komitetit të kulteve, vlen të theksojmë se ky Komitet është një
organizëm delikat dhe për respekt të besimeve të tjera, nuk duam të bëjmë
koment, por do të ishte i drejtë një injorim nga ana e tyre kundrejt
Janullatosit për shumë arsye të cilat lidhen me veprimtarinë e tij shoviniste
greke në Shqipëri. Për dijeni të anëtarëve të këtij Komiteti, ne disponojmë të
dhëna të besueshme mbi lidhjet e Janullatosit me qeverinë-fantazmë
"Vorio-Epir", dhe persona të shërbimeve sekrete që punojnë kundër Shqipërisë.
Të dhëna me foto dhe video.
Në lidhje me marrëveshjen e përmendur në shkrim, me qeverinë "˜Berisha', duam të
themi se Sinodi i shenjtë ka në përbërje një raport në favor të priftërinjve
grekë, dhe ky raport e bën të pavlefshme atë marrëveshje për shkak të statutit,
i cili përcakton qartë dhe përbërjen e Sinodit. Ai nen i Kushtetutës u bë qëllimisht i tillë, nen për të cilin i ndjeri Sabri
Godo, - një mik i shquar i kishës ortodokse të Nolit, - do të më deklaronte se
ishte penduar, por ishte vonë. Në tekstin e kësaj marrëveshjeje, që duket se do
të përdoret nga Janullatosi për përçarje dhe grindje ndërmjet vetë shqiptarëve,
do të ishte e udhës të shkruhej qartë dhe për të drejtën e kontrollit nga ana e
shtetit të veprimtarisë, si fetare ashtu dhe atë financiare. Nga kjo
marrëveshje qeverisë i lind e drejta të mbrojë besimin ortodoks shqiptar nga
shovinizmi i çdo ngjyre, si dhe të respektojë statutet bazë, ku në rastin tonë
thuhet qartë se, kryepeshkopi duhet të jetë prej gjaku, gjuhe dhe kombësie
shqiptare. Mesha jonë është meshë për atdheun dhe pavarësinë, prandaj kërkojmë
që shteti të mos dalë kundër shtetasve të tij kur ata kanë të drejtë. Mesha do
të mbahet dhe flamuri shqiptar do të valëvitet në Katedralen Ngjallja e
Krishtit Tiranë, më 28 Nëntor 2012, pa shovinistët grekë aty brenda. Ortodoksia
shqiptare ka një kontribut dhe heronj në ndërtimin e pavarësisë dhe forcimin e
shtetit shqiptar, një kontribut që nuk mund të njolloset nga veprimet
shoviniste greke të Janullatosit dhe sahanlëpirësve që i bëjnë fresk. Po të
jetë e nevojshme, ne mund t'ia kthejmë mbrapa financat për ndërtimin e
katedrales Anastas Janullatosit, duke shprehur njëkohësisht respekt të plotë
për arkitektin, projektuesin dhe punonjësit që punuan aty.
Për ta mbyllur këtë përgjigje, kërkojmë që, Janullatos të përgjigjet publikisht
për disa pyetje thelbësore:
Për besimtarët ortodoksë, por dhe për kombin tonë, duam të deklarojmë se kisha
Shën Maria Elbasan ka një staf modest por të përgjegjshëm, për t'iu përgjigjur
çdo ceremonie. Të ardhurat tona financiare dhe tepër modeste, janë në dritën e
diellit për çdo kureshtar. Ne nuk udhëtojmë me helikopterë apo të drejtojmë
biznese dhe banka siç bën Janullatos me disa bashkëpunëtorë, sepse misioni ynë
normal, dhe jo pseudo, është t'i shërbejmë atdheut dhe kombit shqiptar, sepse
është detyrim i qenësishëm për çdo shqiptar. Ne jemi të thjeshtë dhe të dashur,
ashtu si misioni i Zotit tonë Jezu Krisht. Askush nga profetët dhe dishepujt
nuk jetoi në luks dhe intriga; ata ishin të thjeshtë dhe dhurues të dashurisë
hyjnore. Në luks të padrejtë jetojnë vetëm bashkëpunëtorët e djallit, i cili
është gënjeshtar, ziliqar dhe i pangopur. Mesha për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 2012, do të mbahet, ashtu siç hyri Krishti në Jerusalem në tempullin e Zotit. Besojmë që qeveria nuk do të shndërrohet në një "˜Pons Pilat'. AT NIKOLLA MARKU
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |