*** Të gjithë shqiptarët e Kosovës duan të kenë paqe dhe bashkëpunim
ndërshtetëror me Serbinë, por vetëm (kur të krijohen kushtet normale,
ligjore dhe kushtetuese) mbi bazën e reciprocitetit si dy shtete të barabarta,
të pavarura dhe sovrane. Kjo do të ishte esenca dhe kuptimi përmbajtësor
i përfundimit të çdo traktati a marrëveshjeje paqësore me Serbinë.
Mirëpo çështja është tejet e ndërlikuar (se si të arrihet një paqe e
tillë e ndërsjellë serbo-shqiptare), kur Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës,
por sipas Kushtetutës së saj të vitit 2006, Kosovën e konsideron "pjesë
territoriale të saj"!
Pikërisht mbi këtë "bazë juridike kushtetuese", Serbia qe 13 vite
ka pushtuar pjesën veriore të Kosovës, ku serbët e atjeshëm, të mbështetur nga
Beogradi, nuk njohin institucionet legjitime, legale dhe kushtetuese të
Kosovës.
- Logjikisht, derisa Serbia ushqen ambicie dhe pretendime territoriale
ndaj Kosovës, si dhe nuk e heq këtë "klauzolë kushtetuese" nga kushtetuta e saj
në fuqi, qeveria, as parlamenti, asnjë parti politike (pozitë apo
opozitë) nuk kanë asnjë të drejtë morale, ligjore dhe kushtetuese, që të lidhin
ndonjë traktat a marrëveshje paqësore me Serbinë. Këtë fakt, do të duhej ta
mbajnë parasysh, edhe presidentja Atifete Jahjaga, edhe kryeministri Hashim
Thaçi, si dhe zëvendëskryeministri i tij (juristi) Hajredin Kuçi.
Fundja, edhe sikur Serbia të njihte Kosovën, edhe sikur Beogradi zyrtar,
të pranonte ofertën e Hajredin Kuçit për lidhjen e ndonjë "traktati
paqësor" ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova nuk mund të jetë palë nënshkruese
e atij traktati derisa nuk njihet nga ana e Organizatës së Kombeve të
Bashkuara. Ky është problemi i pakapërcyeshëm juridik ndërkombëtar, që hëpërhë
Kosovës "ia lidh duart", të lidhë dhe të nëshkruajë traktate ndërkombëtare me
ndonjë shtet tjetër të bashkësisë ndërkombëtare.
Fantazma "paqja e përjetshme" e Hajredin Kuçit!?
Pavarësisht nga dëshirat dhe nga objektivat e politikës iluzioniste të qeverisë
së kryeministrit Hashim Thaçi dhe të zëvendëskryeministrit të tij, Hajredin
Kuqi, që në vjeshtën e këtij viti, të lidhin ndonjë "traktat paqësor" me
përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, Kosova si shtet i ri, nuk e
gëzon një të drejtë të tillë, sepse sipas së drejtës ndërkombëtare, Kosova nuk
mund të lidhë asnjë traktat dhe, asnjë marrëveshje juridike
ndërkombëtare me Serbinë, sepse ende nuk është anëtare e Konventës së
Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969), duke qenë se ende
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk e njeh subjektivitetin
juridik ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, edhe pse atë e kanë njohur 91
shtete të bashkësisë ndërkombëtare.
Ky është problemi juridik ndërkombëtar, mirëpo ish-profesori i së drejtë
ndërkombëtare, ministri i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministri i qeverisë së
Kosovës, Hajredin Kuçi e ka anashkaluar atë, duke deklaruar të kundërtën,
duke u mbështetur në gjendjen faktike se " Kosova i ka kaluar dy faza,
fazën e mbijetesës që ka ardhur me lirinë e Kosovës dhe fazën e pavarësisë që ka
ardhur me 17 shkurt 2008. Kosova duhet të fitojë paqen e përjetshme, harmoninë
me qytetarët e vendit dhe paqen e përjetshme me fqinjët. Dhe po e them kështu
jo me i harruar armiqësitë e të kaluarës, por me krijua paqe për gjeneratat që
do të vijnë. Dhe çdo vend në botë pas një konflikti ndërshtetëror përfundon me
një traktat të paqes dhe vetëm atëherë ka kuptim paqja e përhershme".
(www.kosovapress.com/08/08/2012).
Shpërfillja dhe injorimi i së drejtës ndërkombëtare nga politika fiktive e
qeverisë së Kosovës , nuk sjell "paqen e përjetshme" të
"arkitektit" të saj, Hajredin Kuçi, sepse deri më sot në historinë e së
drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, nuk figuron
ndonjë shembull i dokumentuar i ndonjë "paqeje të përjetshme", apo i ndonjë
lufte a konflikti të përjetshëm , sepse sipas materializmit dialektik shkencor,
nuk ekziston asgjë e përjetshme dhe, asgjë absolute, por relative dhe e
ndryshueshme sipas ligjeve të natyrës.
Cila është baza juridike ndërkombëtare e "traktatit të përjetshëm paqësor" e
Hajredin Kuçit?
Kjo është pyetja thelbësore, cila kërkon përgjigje të kualifikuar nga
juristët e së drejtës ndërkombëtare në Prishtinë, në mënyrë që t'ia bëjnë të
qartë zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se, Kosova nuk ka të
drejtë të jetë palë e asnjë traktati ndërkombëtar qoftë dypalësh, qoftë
shumëpalësh ngase ende Organizata e Kombeve të Bashkauara nuk e ka njohur
cilësinë e subjektivitetit të saj juridik ndërkombëtar sipas Kartës së Kombeve
të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, edhe pse Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë opinion e saj pozitiv se pavarësia e
Kosovës nuk është në kolizion me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Baza juridike e "traktatit paqësor", të deklaruar nga hajredin Kuçi, de fakto
dhe de jure, do të ishte kjo: - Së pari, Kosova duhet të jetë anëtare e Kombeve
të Bashkuara; së dyti, të jetë anëtare-palë nënshkruese e Konventës së
Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969); së treti, pasi Serbia ta ketë njohur
Republikën e Kosovës; së katërti, pasi Kosova t'i ketë të zgjidhura të të
gjitha çështjet kontestuese me Serbinë kolonialiste, duke zbatuar edhe
parimin postliminium, sepse pas përfundimit të luftës, në Kosovë, ende
mungojnë mbi 1800 persona të zhdukur; së katërti, pasi Serbia t'i ketë paguar
reparacionit e luftës për të gjitha dëmet e shkaktuara në Kosovë; së pesti,
pasi Serbia t'i ketë tërhequr të gjitha strukturat kiriminele paralele
nga pjesa veriore e Kosovës.
Në kuptim të ngushtë (Kosovë Serbi) , kjo do të duhej të ishte ecuria
metodologjike e pajtimit paqësor me Serbinë, kurse në kuptim të
gjerë dhe të drejtë, pasi ajo t'ua njihte të drejtën e vetëvendosjes Preshevës,
Bujanocit dhe Medvegjës së Shqipërisë etnike. Mirëpo, duke
qenë se këto territore etnike shqiptare hëpërhë janë skairfikuar nga Kosova dhe
nga Shqipëria, duke u pajtuar me statusin e tyre vasal kolnialist nën Serbi,
hajredinë pashëve të Kosovës dhe salih sulltanëve të Shqipërisë, nuk u ka
ngel tjetër veç të "ngushëllohen" me vetën e tyre, duke shpikur ndonjë
"traktat paqësor", që të gjejnë gjuhë të përbashkët me kolonialistët
hegjemonë të Serbisë, duke u përqëndruar në devizën e turpshme dhe
absurde të vetëkënaqësisë politike, thënçin paqësore "daj shto dash"!
E, "shumë dert i thellë" për shqiptarët e kolonizuar të Preshevës,
të Bujaniocit dhe të Medvegjës!!!