VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Ese BASHKIM GJYRIQI, NJË LARGIM I HESHTUR QË NUK E MORËN KRONIKAT Nga SKËNDER BUÇPAPAJ E Premte, 08.24.2012, 07:48am (GMT1)
Fare pak më lart kullës malësore të Bashkimit ndodheshin edhe blirët e Kolgecajve, më vonë blirët e Bajram Currit. Ishin një mrekulli i vërtetë e natyrës, jo vetëm të rrallë, por edhe të papërsëritshëm. Në çdo stinë ata i jepnin hije, hijeshi e madhështi qytetit. Aty liheshin të gjitha takimet me miqtë nga anët e anëve, aty shkrepeshin gati qind për qind të të gjitha fotografive që mbaheshin kujtim për jetë. Aty drejtoheshin së pari e së fundmi kamerat e fotoreporterëve dhe të kineastëve ngado që vinin. Në vitet Shtatëdhjetë, në kohën kur po ndërtohej Hidrocentrali i Fierzës, nga transformimet që ndodhen në qytetin Bajram Curri, të parët që e pësuan, ishin blirët. Pa ata, njëherë e mirë, qyteti do të mbetej pa identitet. Dhe, sado që u rrit, as në kulmin e lulëzimit të tij, qyteti i Bajram Currit asnjëherë nuk arriti të ketë shtrirjen e fshatit Kolgecaj, ku ai zuri vend, asnjëherë nuk arriti të sfidojë bukuritë e këtij fshati në rrëzë të Malit të Hekurave, pranë pyjeve të gështenjave dhe jo larg njërës prej nyjave të rrjedhës së Valbonës. Fatin e blirëve e pati edhe kulla malësore ku u lind dhe u rrit Bashkimi. Me motrën, prindërit, nusen tiranase dhe fëmijët e tij Bashkimi u vendos në një apartament me tri dhoma e një guzhinë, diku pranë hotelit "Ndërtuesi", tek zona e quajtur Lloçi.
Bashkimi kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte emëruar shef i
muzikës në Shtëpinë e Kulturës të rrethit. Ishte kompozitor, instrumentist - në
fizarmonikë dhe piano, ishte orkestrues (aranzhues), ishte drejtues orkestre,
organizator i festivaleve dhe veprimtarive të tjera krahinore, ishte
mësimdhënës i muzikës në shkollën e qytetit, drejtues i rretheve muzikore
jashtëshkollore, pjesëmarrës nëpër juritë e ndryshme etj.. Ishte një talent i
njohur dhe i respektuar nga nxënësit, kolegët vendës, por edhe nga profesorët
dhe kolegët që vinin nga Tirana apo Shkodra. Pa zmadhuar gjë, mund të them se më shumë se nëntëdhjetë për qind e repertorit të këtyre ansambleve tropojane do të merrej nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve, do të luhej nga artistët më të mëdhenj të Shqipërisë, prej tyre do të frymëzoheshin Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Agron Aliaj etj.. Kostumet tropojane do të zbukuronin trupën profesioniste të këtij ansambli. Pjesët muzikore orekstrale tropojane do të ishin bazë e krijimeve të hatashme të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, sidomos atyre shkodranë si Tish Daija, Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj.. Ariet muzikore mbi këngët popullore tropojane do të bëheshin pjesë e repertorit të artistëve tanë të operas. Dhe njeriu i parë me të cilin këshilloheshin në Tropojë krijuesit nga kryeqyteti ishte pikërisht Bashkimi. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre repertorëve kishin në zanafillë sidomos krijimtarinë e Bashkimit dhe të kolegëve të tij më të vonë tropojanë. Nuk do të arinte të kishte këngë në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion, por pati në veprimtari të tjera qendrore, lëvroi këngën për fëmijë dhe arriti të marrë edhe çmime në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, ku madje, siç kujtojnë edhe sot në Tropojë, çmimin e parë e shkëmbeu me një piano për Shtëpinë e Kulturës në Bajram Curri. Bashkimi do të kishte edhe një rol episodik në filmin "Rrugë të bardha" me skenar të Vath Koreshit e regji të Viktor Gjikës, ku një nga rolet kryesore e luante tropojani Sali Doçi, aktor me talent të veçantë, por të ndërprerë nga sëmundja e rëndë dhe pastaj nga vdekja.
Liceu artistik "Jordan Misja" në Tiranë, liceu artistik "Prenk
Jakova" në Shkodër, shkollat e tjera muzikore në vend, Instituti i Lartë i
Arteve (sot Akademia) do të vërshoheshin sidomos që nga vitet Shtatëdhjetë prej
talenteve të reja tropojane. Ata ishin nxënës të Bashkimit, ishin pjesëmarrës
të rretheve jashtëshkollore, ishin të zbuluar nga Bashkimi, sepse tek ai
paraqiteshin së pari të gjithë ata që mendonin se, po t'iu jepte sigurinë
Bashkimi, ata do të kishin sukses në konkurrimet. Duke parë tek Bashkimi
njeriun e drejtë dhe plotësisht të besueshëm, prindërit i dërgonin tek ai
fëmijët e tyre pa ngurimin më të vogël dhe me kënaqësinë më të madhe. Këta të
gjithë sot kanë zënë vend në jetë, jo pak prej tyre duke u shquar në skenat
kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Miku im i vjetër, Bashkim Gjyriqi, duket se më së shpeshti nuk ka munguar në pikëtakimet me fatin. Dhe anasjelltas. Do të ishte, pra, i përmbushur si krijues, do të ishte i përmbushur edhe si familjar. Do të përballonte me burrëri, në fillim të viteve Tetëdhjetë, vdekjen e prindërve njëri pas tjetrit brenda dy ditësh, pastaj vdekjen aksidentale të djalit të madh. Dhe do t'iu përkushtohej me sukses të plotë rritjes dhe shkollimit të fëmijëve, sekush prej tyre më i talentuar, kryesisht në muzikë, se tjetri. Pastaj do të përjetonte ardhjen në jetë të nipave dhe të mbesave dhe rolin gjithnjë në rritje të babait e të gjyshit. Në kushtet kur vajzat do të ndërtonin jetën e tyre e të familjeve të tyre jashtë vendit, kur Shqipëria do të lëkundej me rrënjë e më degë anembanë, Bashkimi prej disa vitesh do të vendosej me shtëpi në kryeqytet. Kështu do të shkëputej nga veprimtaria aktive krijuese dhe do të merrej me mbarëvajtjen e familjes amë e të familjeve të reja. Pa i shkëputur asnjëherë lidhjet me Tropojën dhe me miqtë, të afërmit e kolegët, të shpërndarë tashmë, pikë e pesë, gjithandej rruzullit tokësor. Pastaj do të pajtohej edhe me jetën e pensionistit, të orareve të kafeve me shokët në shtëpi apo nëpër lokalet e kryeqytetit. Dhe do të parapëlqente rolin e ri të të qenit në qendër të gëzimeve të panumërta familjare. "Lumturia iu përket atyre që i mjaftojnë vetvetes, atyre që kanë botë të pasur vetjake," thoshte dikur Aristoteli. "...Njeriu i pajisur me botë të pasur shpirtërore, shtonte Schopenhaueri, është i ngjashëm me dhomën e ndritshme, të ngrohtë dhe të gëzuar të përgatitur për Krishtlindje në mes të borës dhe akullit të natës së dhjetorit." Pa mbetur jashtë atmosferës së xhunglës rrethuese, aq të rrëmujëshme e plot me të papritura shpeshherë nga më rrënqethëset, Bashkimi parapëlqente të jetë larg bujës e zhurmës, larg mediave, larg kronikave. Me Bashkimin jemi njohur në rininë tonë të hershme, prej atëherë jemi miq, pa i shkëputur asnjëherë komunikimet. Madje, edhe udhëtimin e fundit që e kam bërë në Tropojë, nëpër Grykën e Dragobisë, në verën e vitit 1995, pra plot shtatëmbëdhjetë vjet më parë, deri tek kroi i Fushës së Gjesë, ku edhe kemi drekuar, e kemi bërë bashkë. Ndërsa vitet e fundit i kishim shpeshtuar ato nëpërmjet rrjetit "fb". Aty edhe kemi sjellë kujtimet tona, kemi diskutuar e kemi debatuar. Nga të gjithë miqtë realë dhe nga të gjithë miqtë virtualë, Bashkimi ishte më i kënaquri ose, të paktën, ndër më të kënaqurit me jetën. Informacione që merrja nga mediat, qoftë edhe ato sociale, i verifikoja më së miri pikërisht në bisedat me Bashkimin. Ndodhte që unë këmbëngulja, në kërkim të argumenteve më bindëse, dhe atëherë Bashkimi më kthehej: "Skënder, jam Bashkimi." Ose: "Ej, Skënder, po flet me mua." Ngulmonte të përbetohesha se, sa të shkoj në Tiranë, do të shkoj tek shtëpia e tij. Dhe, shpesh, kur i dilja në bisedë, më përgjigjej: "Skënder, je në Tiranë? Ke ardhur në Tiranë?"
Kënaqësitë e gëzimet i ndante tashmë edhe me miqtë e "fb". Dhe kur,
kohë më parë, njoftonte se ishte bërë gjysh për të satën herë, atij i pëlqente
tek i shkruaja: "Bashkim je një patriark i vërtetë, por je një patriark
modern. Je gjysh dhe do të bëhesh stërgjysh e katërgjysh." Dhe gjithnjë e
më shumë, Bashkimi do të mësohej e do ta përkryente rolin e tij në pult, duke
komunikuar në Skype e në "fb" dhe duke shpërndarë këshillat e babait
e të gjyshit, të mikut e të kolegut më me përvojë, të dashamirit të çiltër e të
besueshëm e të mirëpritur.
Bashkimi ishte ndër më aktivët në "fb", postonte pjesë muzikore
kryevepra klasike e të modernitetit, i shoqëronte me komente. Bënte komente pa
përtuar në postimet e miqve, të gjitha ishin profesionale, të gjitha hapnin
horizont tek bashkëbiseduesit në fushën e muzikës. Pa dyshim, largimi i
Bashkimit është një humbje edhe për miqtë e "fb".
Në komunikimet tona në "fb" Bashkimit i pëlqente të sillte kujtimet
tona të dikurshme. Kënaqej pa masë kur i flisja për imtësi të atyre kohëve.
Sidomos në ekspeditat foklorike që kemi bërë në zona të ndryshme të Tropojës,
ne e kalonim rrugën duke luajtur me rima. Gjenim rima sa më të vështira dhe ua
kalonim radhën shokëve. Kur gjenim rima befasuese, atëherë i pari që
shpërthente në të qeshura të fuqishme, ishte Bashkimi. Kështu bënte edhe kur ia
kujtoja pas dhjetëra vitesh.
Një ndër hobet e Bashkimit ishte edhe peshkimi. Grepin e peshkimit e merrte me
vete edhe në udhëtime. Kur punoja në Babinë, por sidomos kur punoja në
kabinetin pedagogjik më merrte për peshkim në Valbonë, sipër Urës së
Kolgecajve. Ai peshkonte trofta dhe unë i bëja rima. Kur nuk kishte sukses,
edhe rimat ishin të varfëra. Kur kishte sukses, rimat ishin të larmishme. Të
gatuara në një tepsi të madhe për një familje aq të madhe dhe për mikun e
shtëpisë, troftat e Valbonës ishin një mrekulli nga më të papërsëritshmet. I PAHARRUAR NGA MIQTË DHE KOLEGËT
"Nuk ka shok më të keq për njeriun se shpirti. Të lë në baltë kur më së
paku e pret," shkruante në ngushëllimin e vet për Bashkimin një mik.
Bashkimi nuk e mbajti dot fjalën. Nuk shkoi dot në Festën e Tropojës që mbahej
pas pak ditësh në Valbonën piktoreske. Dhe largimi i tij do të përjetohej rëndë
edhe nga kjo simbolikë. "Më gozhdoi e më hidhëroi pamase vdekja e papritur e Bashkim Gjyriqit që e kam njohur tash 50 vjet. Kemi punuar së bashku në Shtëpinë e Kulturës e më vonë në Drejtorinë Kulturore të Tropojës. Ai e njihte mirë kulturën dhe artin. Ishte kompozitor me arritje cilësore. Njeri i çiltër dhe fisnik. Për të është e nevojshme të shkruhet shumë më tepër. Ngushëllime familjes dhe gjithë të afërmëve të Bashkim Gjyriqit," shkruante ish kolegu e ish shefi i Bashkimit, Marash Mëhilli, në ngushëllimin e tij. Ndërsa Ramiz Lushaj, Drejtor i Qendrës së Studimeve Amerikano-Britanike, shprehej në mënyrë poetike: "Iku kaq shpejt e papritun Bashkimi i qytetit te Alpeve, i kangës tropojane, i brezave artistë tue na lanë dhimbje e mos-harresë. JETOI ME EMNIN E VET, KRIJOI EMNIN E VET, E LA EMNIN E VET. Si për koincidencë para 23 orësh iu nis një foto me rrugën drejt Qytetit të Alpeve - atje ku lindi, aty ku do i bahen homazhe, te vendi i prehjes së përjetshme. Së fundit një like e bani për Shqipërinë Etnike, një vlerësim mirënjohjeje për Fatime Sokolin, një falmeshendete me Lulzim Logun për të marrë pjesë në "Festa e Tropojës" e promovim të librit të vajzës, Naidës. Në një festival kombëtar të fëmijëve në Shkodër e fitoi çmimin e parë me kangën e tij, po dikush i pushtetshëm iu lut t'ia linte radha-vendin një tjetri... dhe i premtoi t'i bante ndere. Çka lypi i miri Bashkim: një piano për Tropojën... Sot kanga e vallja tropojane janë në piedestal të kohës: aty e ka emrin e vendin e vet edhe Bashkim Gjyriqi, që kurrë nuk kërkoi lavdi veçse qetësi, krenari, miqësi. Po e përcjellim me lotë dhe do të vijë me kangë. Në vendlindje po e ban rrugëtimin e fundit... të qoftë i lehtë dheu i tokës ku u rrite e të rriti, të qofte i përjetshëm kujtimi e vepra, t'u ndrittë emni në breza të gjakut, të pragut, të Malësisë së Mirë, të Veriut Shqiptar, të Shqipërisë Etnike!"
"Ngushëllime të thella familjarëve të mikut tonë të paharruar. Bashkim
Gjyriqi ishe një artist dhe një mik i mirë. Kafen e mbrame me të e kam pirë
vetëm para pak javësh. Do t'më mungojë," shkruante poeti Jaho Margjeka. Tropoja ka nxjerrë plot Artistë të Popullit, Artistë të Merituar, Mjeshtra të Mëdhenj e të tjerë artistë me tituj të lartë. Në mesin e tyre, ndonëse pa asnjë titull apo dekoratë, qëndron shumë lart Bashkimi Gjyriqi, pa rolin e të cilit nuk mund të kuptohet jeta kulturore e Tropojës për disa dhjetëvjeçarë. © Pesëvjetori i vizitës së Presidenti amerikan në Shqipëri XHORXH W BUSHI NË TURIN EUROPIAN HISTORIK TË KOSOVËS Veta e parë LETËR ZOTIT PËR BARDHYL AJETIN! Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (shkruar më 4 qershor 2005) SHQIPËRIA POSTKOMUNISTE DREJT PRESIDENTIT TË GJASHTË Nga SKËNDER BUÒªPAPAJ Nga SKËNDER BUÇPAPAJ DOBIA KRYESORE E KATASTROFAVE NATYRORE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ DY FJALË PARA PROTESTËS SË PRITSHME TË VETËVENDOSJES Nga SKËNDER BUÇPAPAJ Nga SKËNDER BUÇPAPAJ HAVELI QË E PATËM, HAVELI QË NUK E PATËM SINOPSIS STINORIT TË SIVJETËM TË ZJARREVE PRESIDENTI BILL KLINTON ËSHTË NJERIU QË MORI VENDIMIN EPOKAL PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS Ribotohet me rastin e 65 vjetorit të lindjes së presidentit të 42-të të SHBA ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR GJUHËN SHQIPE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ DISA IDE PËR ORGANIZIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE NË ZVICËR Nga SKËNDER BUÇPAPAJ INSTRUMENTI I VETËM ËSHTË PUNA MË SHUMË SE OPOZITË INSTINKTIVE, KOSOVËS I DUHET NJË OPOZITË ME STRATEGJI Nga SKËNDER BUÇPAPAJ REVOLUCIONE APO RRËSHQITJE SITUATE URIMET EVROPIANE NDOSHTA NUK DO TË VIJNË FORCËN E OPOZITËS NUK E BËJNË NUMRAT Nuk e bën as dobësia e shumicës qeverisëse POETIKA E DHIMBJES NË NJË ROMAN TË RI Romani "Imazh" i Zef Mulajt Nga SKËNDER BUÇPAPAJ Nga SKËNDER BUÇPAPAJ A ËSHTË E PËRGATITUR LIDHJA DEMOKRATIKE PËR TA QEVERISUR KOSOVËN? 21 JANARI DHE INTELEKTUALËT LAKEJ KUVENDI I RI: TIPOLOGJI, KAAKTERIZIME, PROGNOZA Nga SKËNDER BUÇPAPAJ PËRSHPIRTNI NAZMI LUKAJT, MIKUT DHE KOLEGUT 21 JANARI NË RADARIN E JASHTËM MEDIATIK Nga SKËNDER BUÇPAPAJ NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËS BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKAND ROJA TË SOVRANITETIT Zotër shtëpie Nga SKËNDER BUÇPAPAJ PDK DHE LDK SHTRATIN ENDE TË NXEHTË KOLLITJET E STALINIT... ...nesër në "tri komunat heroike" Nga SKËNDER BUÇPAPAJ MARTY & THAÇI, THE PRECEDENT & SUBSEQUENT TË DUAN, PA TË QORTOJNË (Letër e mbyllur partive) Nga SKËNDER BUÇPAPAJ UKË RUGOVA DHE QYTETARIA E DINASTIVE NË DEMOKRACI SIMBOL I LUFTËS SË KOSOVËS ËSHTË SHTËPIA E JASHARAJVE, NUK ËSHTË "SHTËPIA E VERDHË" EVROPA NË ANËN E HUMBËSVE TË LUFTËS SË KOSOVËS MINUS NEXHATI, PLUS ALBINI, BARAS ÇKA? POLITIKËN MUND TA NDRYSHOSH VETËM DUKE MARRË PJESË NË POLITIKË SHKRIRJA E MEDIAVE NË PUSHTETIN POLITIK
Sot mbushen plot 17 vjet nga dalja për herë të parë në satelit e Radiotelevizionit Shqiptar NGASJET E PERSONALIZIMIT TË HISTORISË GREQIA DHE SHQIPËRIA, GREKËT DHE SHQIPTARËT PDK DHE LDK SHAHEN... DERI PAS ZGJEDHJEVE AKSESI I KOSOVËS NË DOSJET E SPIUNËVE TË SAJ SINDROMI I THESARIT TË ALI PASHË TEPELENËS SI E KAPI GREQINË EMPATI E MBRAPSHTË E SOCIALISTËVE ME DEMOKRATËT
SHQIPTARIZMI NË KONTEKSTIN E EVROATLANTIZMIT DHE GLOBALIZMIT
VIZIONI YNË EVROPIAN I RIBASHKIMIT SHQIPTAR Nga SKËNDER BUÇPAPAJ HAMENDJET PARAZGJEDHORE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ NUK KAM MALL PËR FUSHATAT E DORËHEQJEVE, LARG QOFSHIN FUSHATAT E DORËHEQJEVE A DO TË VAZHDOJË NJOHJET EDHE GJATË DIALOGUT?
MBYLLJA ME NDER E MISIONEVE NDËRKOMBËTARE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ Nga SKËNDER BUÇPAPAJ NË Ç'RRUGË KA HYRË PROCESI I NJOHJEVE NË LDK ASGJË E RE, ASGJË E RE NË LDK HISTORIA NUK ËSHTË E PARTIVE, PARTITË JANË PJESË E HISTORISË
E NGRIRË KOSOVA NUK MUND TË HYJË NË BISEDIME TË REJA Nga SKËNDER BUÇPAPAJ PA ZBARDHJEN E HISTORISË DISIDENCA SHQIPTARE NUK DO TA FITOJË QYTETARINË PËR INAT TË KOSOVËS, SERBIA ËSHTË GATI TË BËJË ÇFARËDO HARAKIRI Nga SKËNDER BUÇPAPAJ LERENI KOSOVËN SHËNDOSH, NËSE E DONI SHËNDOSH BALLKANIN, EVROPËN... KOSOVA DHE NJOHJET - GJEOPOLITIKA TJETËR MË TEPËR SE NJË GJETJE FORMULE, NJË THYERJE TABUJE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ AS REVANSHISTË, AS TË REVANSHUAR Nga SKËNDER BUÇPAPAJ VERIU I KOSOVËS, FUSHËBETEJA E FUNDIT?
NË HORIZONTE ENDE ASNJË RRETHANË OPTIMALE PËR BISEDIME
MARRËDHËNIET ME NDËRKOMBËTARËT SHPREHIN AFTËSINË SHTETËRORE TË KOSOVËS © SKËNDER BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |