Në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, kujtojmë njërin prej
protagonistëve kryesorë të një Shqipërie të pavarur, atdhe i të gjithë atyre që
e konsiderojnë veten mbesa të Teutës dhe stërnipa të Gjergj
Kastriotit-Skendërbe -- Isa Boletinin nga Mitrovica. Një figurë ndër më të
ndriturat e kombit shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj
Gurakuqit me shokë, i cili gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në
pushkë, në mbrojtje të Atdheut.
Isa Boletini u tradhtua nga diplomatët francezë dhe pas një qëndrese të
fortë, u vra në tradhti nga xhandarët malazezë së bashku më të afërmit e
familjes së tij, Janarin e vitit 1916. Për fat të keq të saj dhe të kombit,
familja e Isa Boletinit nuk pau dritë dielli as më vonë. Anëtarët e familjes Boletini
të vrarë, të burgosur e të përsekutuar janë me dyzina. Gjithsejt, sipas një
deklarate dhënë një gazete shqiptare, një nip i Isa Boletinit, thotë se nga
familja e tij janë vrarë ose ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë janë dënuar
me vite të tëra në internim dhe burgjet komuniste. I vrau serbi e malazezi, dhe
i burgosi jugosllavi, por për faqe të zezë të komunistëve shqiptarë, mbi
familjen e Isa Boletinit sikur të mos kishte vuajtur mjaft, regjimi komunist i
Enver Hoxhës, ushtroi një kalvar të vërtetë duke burgos, duke internuar dhe
duke vrarë anëtarët më të afërm të familjes Boletini, siç duket për
''shpërblim'' që për një gjysëm shekulli Isa Boletini dhe familja e tij bënë
vetëm e vetëm, që "˜'Shqipënia të ishte mirë''. T'a kujtojmë pra dhe të nderojmë
Isë Boletinin, i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij personale dhe
familjare, e bëri të nderueshëm kombin shqiptar.
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi që të përshkruhen ngjarjet historike dhe roli
i pazevendsueshëm që luajti Isa Boletini për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë
dhe të kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar kundër përdhunimeve
historike ndaj shqiptarëve nga fqinjtë e përkrahur nga fuqitë e mëdha të kohës,
pasi një gjë e tillë do të kërkonte më shumë kohë dhe hapësirë. Deshta vetëm të
nënvijoj disa vlera fisnore të kombit shqiptar, nderin e burrërinë -- por mbi
të gjitha atdhedashurinë -- të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qënjen
e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shënjët e patriotëve dhe
herojve kombit si Isa Boletini, e të cilët shqiptarëve u dhuruan një Atdhe.
Isa Boletinit, Perëndia i kishte falur shumë dhunti të çmueshme. Mund të thuhet
se ai, për kohën kur jetonte, kombinonte vetitë e dy udhëheqësve modern
shqiptarë cilësitë dalluese diplomatike të Dr. Ibrahim Rugovës me aftësitë
legjendare ushtarake të Adem Jasharit. Ai arrijti të luaj, në mënyrë të plotë e
të përsosur rolin e një diplomati duke vizituar qendrat e diplomacisë së kohës
dhe duke u takuar me përfaqsues të fuqive të mëdha të cilat kishin në dorë
fatin e Shqipërisë. Isa Boletini ishte anëtar i delegacionit shqiptar të
kryesuar nga Ismail Qemali, që në Mars të vitit 1913 shkoi në Londër për të
kërkuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për shtetin e posa formuar shqiptar.
Aubrey Herbert, një diplomat anglez i asaj kohe me përvojë ballkanike, kishte
lidhje të ngushta me Shqiptarët, por veçanërisht me Isa Boletinin i cili, sipas
tij, ''kalonte orë të tëra në shtëpinë time'' gjatë qendrimit të tij në Londër
-- shkruan në kujtimet e tija se '' Shqiptarët që erdhën në Angli lanë një
përshtypje të shkëlqyer''. Ai e përshkruan Isa Boletinin si "më të pashmin dhe
më i shprehuri i delegacionit'', duke shtuar se megjithëse Boletini ''ishte i
pa shkollë, ai gëzonte një reputacion që e dallonte atë për kurajon dhe
trimërinë për të cilat ishte i njohur. Veprat e tija ishin madhështore dhe
arratisjet e tija nga serbët dhe turqit ishin këthyer në legjendë.'' Gjatë
takimit me përfaqsuesin e lartë britanik, Z. Lloyd George, sipas Aubrey
Herbert, Isa Boletini iu drejtua përkëthyesit të delegacionit shqiptar, Tonin
Prekës duke i thënë: "Thuaji atij, (Lloyd George) se unë jam malësor,
ashtu si është ai, dhe se unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi
atyre që vuajnë." Dhe me shprehinë që e dallonte Boletinin, ai vazhdoi, "E
thuaji, që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Fushë Kosovën me eshtrat e
serbëve, sepse ne Shqipëtarët kemi vuajtur shumë për të harruar."
Kur Isa Boletini nuk ishte në zyrat e diplomacisë evropiane, ku përpiqej të
bindëte Londrën zyrtare dhe kancelaritë e tjera evropiane që të ndalonin
ndarjen e tokave shqiptare, ai gjëndej në front të luftës për çlirimin, për
lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kundër forcave osmane dhe serbo-malazeze.
Jo vetëm me fjalë dhe me vepra, por edhe me veshën tradicionale dhe me qeleshe
të bardhë në kokë, Isa Boletini ishte, si të thuash me fjalorin e ditëve të
sotëme, një reklamë në përpjekje për të bërë sa më të njohur para syve të botës
vlerat, kulturën dhe traditën e vjetër të kombit shqiptar.
Si Adem Jashari, edhe Isa Boletini e lidhi jetën e vet dhe të familjes së
tij më në fund duke sakrifikuar çdo gjë -- por mbi të gjitha familjen e tij --
për fatin e Atdheut. Ai nuk e bëri këtë as për ambicje, as për nam, as për
ndonjë kolltuk, as për dobi të miqve ose të farefisit por vetëm e vetëm se me
zemër e me shpirt i kishte kushtuar jetën dhe qenjen e tij interesave të
Atdheut dhe të kombit. Këtë ai më së miri e ka shprehur vet duke thënë: "˜'Unë
nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për
lirinë e popullit tim. Në është Evropa se nuk do të zgjidhë drejtë çështjen e
kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurr, dhe për këtë,
faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, derisa të
çlirohemi.'' Dhe përsëri ai citohet të ketë thënë se, "Unë kam ngrit krye
për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë
mirë Shqypnia!"
Kujtimi më i mirë i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, në këtë përvjetor,
do të ishte që e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan të ndërtohet mbi themelet e
këtyre vlerave, për të cilat luftoi dhe dha jetën Isa Boletini. Pasi ata me
luftën e tyre për liri e pavarësi, u përpoqën që të plotësonin porositë e
Gjergj Kastriotit-Skëndërbe, për një Shqipëri të bashkuar, si një dëshmi e
denjë këjo e dinjitetit kombëtar. Kombi shqiptar ka kaluar nepër një periudhë
të zezë dhe shumë të vështirë të komunizmit, që tronditi themelet e traditës së
shëndoshë shoqërore dhe morale të shqiptarit, pikërisht ato tradita me të cilat
Isa Boletini mburrej para botës.
Ndërsa kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të
errët të historisë së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së
patriotëve si Isa Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe
brezat e ardhëshëm të shqiptarëve. Këjo për më tepër, sepse shqiptarët sot
gjënden përballë kushteve të reja kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe të
nevojave të natyrshme të cilat kërkojnë plotësimin e tyre.
Le të jetë ky një përvjetor që të frymëzohet nga objekivat e larta të
vëllazërimit shqiptar, për të cilat luftoi dhe sakrifikoi Isa Boletini dhe
familja e tij. Dhe në të njëjtën kohë, të pyesim nëse herojtë si Isa Boletini
-- të cilët sakrifikuan aq shumë për lirinë e kombit shqiptar-- në rrethanat e
sotëme, do të ishin të kënaqur me status quonë në trojet shqiptare. A thua do
të ishin të kënaqur për sakrificat e mëdha"”personale dhe familjare -- që ata
kanë bërë, ashtuqë "Shqipënia të jetë mirë''?