VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
VOA TERHEQ GJITHNJË NOBELISTËT Nga FRANK SHKRELI E Djelë, 09.23.2012, 08:32am (GMT1) ![]()
Junta ushtarake birmaneze e mbajti atë në arrest shtëpiak për pothuaj 15 vjet, dhe si përfundim ajo nuk u lejua të vinte në Shtetet e Bashkuara më 2008 që të mirrte Medaljen e Artë të Kongresit për punën e saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtje të demokracisë. Zonja Suu Kyi i bashkohet një liste impresive liderësh botërorë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, si Uinston Çurçilli, Martin Luter Kingu, Papa Gjon Pali i Dytë e të tjerë, të cilët, gjatë historisë janë nderuar me ''Medaljën e Artë të Kongresit Amerikan'', dhe me Çmimin Nobel për Paqë.
Normalisht, unë nuk do të merresha me vizitën e Zonjës Suu Kyi në Uashington,
por ajo që më tërhoqi vëmendjen në artikullin e gazetës së kryeqytetit amerikan
Uashington Post dhe mediave të tjera amerikane ishte fakti se Zonja Suu Kyi,
menjëherë pas takimit të parë në Uashington me Sekretaren e Shtetit Hillary
Klinton, dhe para takimeve të tjera me rëndësi diplomatike, ajo kishte shprehur
dëshirën të vizitonte Zërin e Amerikës.
Komentet dhe intervistat e sajë gjatë vizitës së saj në kryeqendrën e Zërit të
Amerikës në Uashington, më kujtuan vizitat që bënin në Zërin e Amerikës gjatë
Luftës së Ftohtë dhe pas rënies së Murit të Berlinit, mbrojtës dhe aktivistë të
të drejtave të njeriut dhe personalitete me famë botërore, për të shprehur
falenderimet e tyre për kontributin e VOAs në fushën e të drejtave të njeriut
dhe në mbrojtje të të përsekutuarve nga regjimet shtypëse komuniste dhe
fashisto-ushtarake, si regjimi ushtarak i Birmanisë. Zonja Suu Kyi kishte
shprehur dëshirën të vizitonte -- jo gazetat me zë të kryeqytetit amerikan,
Uashington Post, Uashington Tajms ose ndonjë rrjet të njohur televiziv amerikan
-- por Zërin e Amerikës, në këtë 70-vjetor të ekzistencës së kësaj radioje me
famë botërore. Në Kryeqendrën e VOAs, ajo u prit nga Drejtori i Zërit të
Amerikës Dejvid Ensor dhe zyrtarë të tjerë të lartë transmetimeve ndërkombëtare
të Amerikës. Zoti Ensor, duke e përshëndetur vizitoren e famëshme tha se ''Është
një nder i jashtzakonshëm që ne na viziton një personalitet kaq i dalluar'',
dhe e siguroi fituesen birmaneze të Çmimit Nobel se ''Zëri i Amerikës do të
vazhdojë të ushtrojë llojin e gazetarisë që e ka bërë Zërin e Amerikës
stacionin më popullor ndërkombëtar të lajmeve në Birmani.'' Gjatë takimit me Zonjën Suu Kyi, bashkshortja e ish-presidentit Bush, Laura Bush tha se ''tranzicioni në Birmani si dhe tranzicionet e mëparshme, nga diktatura në demokraci -- në Evropën Lindore dhe në Afrikën e Jugut -- tregojnë se historia ka marrë një drejtim shpresëdhënës''. E pyetur nga Zëri i Amerikës se cili ishte mesaxhi i saj për vendet e tjera në kushte të njëjta si atdheu i saj, ajo u përgjigj duke thënë se ''pikëspari nuk duhet të hiqet dorë nga shpresa....por në të njëjtën kohë nuk është mjaft të shpresosh, duhet të punosh për të realizuar shpresat'', tha ajo. Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës, fituesja e Çmimit Nobel dhe e Medaljes së Artë të Kongresit Amerikan, Zonja Suu Kyi tha se e konsideron këtë përvjetor si një ditëlindje të një miku, ''sepse Zëri i Amerikës dhe stacione të tjera të transmetimeve ndërkombëtare ishin miqtë që qëndruan pranë meje gjatë viteve të gjata të arrestit shtëpiak''. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |