VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KUSHTI I BE PËR INTEGRITETIN TERRITORIAL TË KOSOVËS Nga SHABAN MURATI E Hënë, 10.15.2012, 03:00pm (GMT1) ![]()
Kushti i vendosur Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Kosovës
është një avancim më i ashpër në pozicionin e Brukselit ndaj Serbisë. Jo
rastësisht ai ndërmerret pas ardhjes në fuqi në Beograd të një garniture të re qeveritare
nacionaliste, të përbërë nga ish-funksionarë të regjimit të Sllobodan
Millosheviçit, ku edhe presidenti i ri, edhe kryeministri i ri, kanë hyrë në
politikë nga proteksioni i ish-diktatorit serb. Kushti është i rëndësishëm,
sepse i bën të qartë Beogradit se respektimi i integritetit territorial të
Kosovës do të jetë një element esencial i procesit të integrimit të Serbisë në
BE. Ai ka përmbajtje më të thellë se sa thjesht një kundërshtim i ndarjes së
Kosovës, siç po përpiqen të vetëngushëllohen disa qarqe në Beograd.
Interpretimi dhe pasojat diplomatike e juridike shkojnë më tej se kaq. Kjo do
të thotë se BE si organizatë nuk e njeh Kosovën si pjesë të integritetit
territorial të Serbisë, siç pretendon çdo ditë qeveria dhe diplomacia serbe.
Kjo do të thotë se BE e klasifikon dhe e njeh Kosovën si integritet territorial
i një shteti tjetër, të cilin Serbia duhet ta respektojë. Kjo do të thotë se BE
nuk pranon dhe hedh poshtë çdo rivendikim të Serbisë ndaj territorit dhe të
drejtës së sovranitetit të shtetit të Kosovës mbi gjithë territorin e vendit.
Kjo do të thotë se Bashkimi Europian është kundër çdo lloj provokimi, propozimi
apo ideje për ndarjen e Kosovës dhe prishjen e kufijve ekzistues mes Serbisë
dhe Kosovës, gjë për të cilën po flet pothuajse çdo ditë kryeministri Ivica
Daçiç, duke rinxjerrë nga arkivat e pluhurosura serbe planin e ndarjes së
Kosovës, që shtronin në tavolinat diplomatike Millosheviçi dhe Drashkoviçi në
vitin 1999.
Në realitet kemi një ashpërsim të qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë dhe kjo duhet
konsideruar si një hap dhe zhvillim tepër pozitiv, sepse kjo është gjuha me të
cilën mund të dëgjojnë në Beograd. Tani, që atje erdhi në fuqi një garniturë
edhe politikisht, edhe ideologjikisht, edhe publikisht nacionaliste, askush në
Bruksel nuk mund të fshihet më pas justifikimit se duhen inkurajuar forcat
proeuropiane në Beograd, duke u sjellë sikur nuk shihen implikimi dhe politika
zyrtare e provokimit të trazirave në veriun e Kosovës.
Kushti i ri i Komisionit Europian ndaj Serbisë është në të njëjtën kohë shumë
pozitiv, sepse ndihmon për të apdejtuar dhe kalibruar më mirë politikën dhe
diplomacinë kosovare. Ai jep një mesazh kthjellues për qeverinë, për
diplomacinë, për politikën dhe për opinionin kosovar. BE i thotë qartë disa
forcave dhe individëve të politikës në Prishtinë se Kosova nuk ndahet, se
kufijtë e saj nuk ndryshohen dhe se as nuk mund të mendohet një i ashtuquajtur
shkëmbim territoresh. Është një mesazh tepër i nevojshëm dhe shumë aktual, për
të sjellë në vete disa mendje politike në Kosovë, të cilat nuk dihet se për
çfarë arsyesh kanë nisur të bien në dashuri me planet serbe të ndarjes së Kosovës,
të ndryshimit të kufijve dhe të shkëmbimit të territoreve. Nuk është e qartë se
për çfarë arsye po qarkullojnë në Prishtinë ide për plane A e për planë B, të
cilat të befasojnë me koincidencën e promovimit të tyre në të njëjtën kohë me
promovimin, që i bëhet në Beograd ideve kundërshqiptare. Sepse nuk mund të mos
habisin ide të ashtuquajtura realiste, që bëjnë thirrje për shkëmbimin e Veriut
të Kosovës me Luginën e Preshevës apo për pranimin e strukturave paralele në
veriun e Kosovës, në një kohë kur BE dhe grupi drejtues ndërkombëtar për
Kosovën, dhe shtete të veçanta si SHBA, Gjermania, etj. Kanë këmbëngulur fort
dhe i kanë vënë kushtin Serbisë që t'i prishë sa më shpejt ato struktura dhe të
ndërpresë menjëherë financimin e tyre.
Nuk mund të mos ndjesh kënaqësi për hapat dhe qëndrimet e Komisionit Europian,
i cili mbron parimet e të drejtave të popujve dhe të marrëdhënieve demokratike
ndërkombëtare dhe shpesh herë është më i avancuar në mbrojtjen e interesave
shqiptare se disa mendje të errësuara në Prishtinë, që vuajnë nga mania e
ekzibicionizmit, për hatër të të cilit janë gati të kalërojnë ide
kundërshqiptare. Politika në Prishtinë do të bënte mirë të vlerësonte dhe të
nxirrte disa mësime nga ky hap progresiv i BE ndaj Kosovës, se sa të rrijë të kërkojë
gjilpërën në kashtë, nëse është shpejt apo ngadalë me studimin e fizibilitetit
për MSA. Nuk duhet harruar se për Kosovën sanksionimi i pavarësisë dhe i
integritetit territorial është më i rëndësishëm se sa studimi i fizibilitetit. Kushti i ri i vendosur nga BE ndaj Serbisë ka një rëndësi të veçantë për pozitën diplomatike ndërkombëtare të Kosovës, sepse vjen si kusht i BE dhe i 27 shteteve, që e përbëjnë atë. Dihet se pesë shtete të BE nuk e kanë njohur ende Kosovën, por tani ato pesë shtete bashkohen me vendimin dhe qëndrimin e përbashkët të BE lidhur me Kosovën, duke i kërkuar Serbisë që të respektojë integritetin territorial të Kosovës. Unanimiteti i miratimit të këtij formulimi përbën një element të ri dhe një zhvillim pozitiv, për të cilën duhen përshëndetur si shtetet anëtare, që e kanë njohur Kosovën, ashtu dhe shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur atë. Diplomacia e Kosovës ka fituar një argument të ri në betejat e saj të përditshme për zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të vet. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |