VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
GREVA E URISË, MEDIA DHE TË PËRNDJEKURIT POLITIKË Nga RESHAT KRIPA E Mërkurë, 10.31.2012, 09:53am (GMT1)
Unë nuk dua të hy në hollësira të tjera të biografisë së tyre të së kaluarës
apo së tashmes, pasi kjo është një zgjedhje e vetë grevistëve, por dua të
përqëndrohem në një aspekt, aspak korrekt, të realitetit të sotëm. Që të quhesh
një shoqatë duhet të kesh një statut dhe një program të caktuar që i paraqitet
gjykatës së rrethit e cila e miraton. Duhet gjithashtu që për çdo ndryshim të
ndodhur me vendim të një kuvendi apo ku e di unë se çfarë, të legjitimohet
përsëri në gjykatën e rrethit. Një status të tillë e ka edhe shoqata ku unë bëj
pjesë, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Ftoj
përfaqësuesit e medias të vijnë në zyrat e shoqatës tonë dhe do të gjejnë të
gjithë dokumentacionin e nevojshëm (Aktet e themelimit të shoqatës në vitin
1995, proces-verbalet e gjashtë kuvendeve kombëtare të zhvilluara, miratimet e
tyre në gjykatën e Tiranës, listat e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë Kombëtare,
regjistrat e anëtarve të hedhura në kompjuter, librezat e anëtarsisë dhe të
tjera). Një gjë e tillë ka bërë që shoqata e jonë të pranohet në gjirin e
Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me
qendër në Berlin dhe me kryetar kroatin Jure Knezovic dhe sekretar gjermanin
Guenther Rudolph, shoqatë që për çdo vit zhvillon kuvendet e saj, njeri prej të
cilëve në vendin tonë në vititn 2009. A e kanë një status të tillë
organizatorët e grevës së zhvilluar? Unë deklaroj se jo. Atëherë përse
etiketohen si kryetarë shoqate të përndjekurish? Kjo është një fyerje që u
bëhet të përndjekurve politikë. Të drejtën e grevës e ka çdo individ, por të
mos flitet si përfaqësues të një shtrese të caktuar, pasi ata nuk e
përfaqësojnë atë. Për më tepër edhe mediat që i paraqesin si të tillë nuk
tregojnë etikën gazetareske që duhet të ketë. Unë mendoj se mediat duhet të
zgjedhin persona me integritet dhe të besueshëm për të paraqitur në programet e
tyre objektivat që kanë. Dalja në ekran e atyre që nuk e kanë këtë integritet
dhe paraqitja e tyre si të zgjedhur nga ndonjë forum, kur nuk janë të tillë, e
bën këtë media të pabesueshme. Spekullimi me të vërtetën është një turp. Për
fat të keq, një gjë e tillë ndodhi në grevën e porsa përfunduar. Tani le të
kthehemi te greva. Fillimi i saj në një çast fare të papërshtatshëm për vendin,
kur pritej vendimi i Komisionit Europian për dhënien e statusit të vendit
kandidat për në BE Shqipërisë, me dashje ose jo, tregon se qëllimi i saj ishte
pengimi me çdo mjet i arritjes së këtij qëllimi të madh. Këtij synimi të
mbrapshtë i shtohet më tepër edhe vërshimi i paparë i liderve kryesorë të së
majtës dhe i disa forcave të djathta të sapoformuara drejt ngritjes në qiell të
karakterit të kësaj greve. Kjo gjë bëri që ky hymnizim të mbërrinte deri në
SHBA ku disa personalitete, natyrisht të keqinformuar, të bashkoheshin me korin
e majtë. Një gjë e tillë vërtetohet edhe me faktin se përse pas vendimit të
Komisionit Europian këta liderë e braktisën grevën dhe zëdhënësve të grevës u
duhesh të bënin disa herë thirrje për mbështetje nga shoqëri civile, madje edhe
nga Partia Socialiste. Kush e mbështeti praktikisht këtë grevë? Ishin pikërisht
leva të partive të majta si disa përfaqësues të sindikatave apo të shoqërive
civile të tyre. Si në ambjentet e grevës ashtu edhe në ato "manifestimet" e
trumbetuara nuk numëroheshin më shumë se 20-30 persona, ku midis tyre të
përndjekurit politikë pothuajse nuk shquheshin fare. Përse nuk e mbështetën të
përndjekurit grevën? Sepse në të nuk gjetën veten e tyre. Ky ishte realiteti i
kësaj greve. Të analizojmë tani kërkesën kryesore të grevistëve, zbatimin e
ligjit Nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve
politikë të regjimit komunist", të ndryshuar. Dua t'i pyes hartuesit e kësaj
kërkese: Në cilën pikë është shkelur ky ligj? Në zbatimin e afatit kohor, do të
përgjigjen ata. Por unë në asnjë nga nenet e këtij ligji nuk shoh një afat
kohor të përcaktuar për zbatimin e tij. Unë di se në ligj është përcaktuar
vetëm se ai do të paguhet me tetë këste, pa përcaktuar kohën e zbatimit të çdo
kësti. Logjika e do të pranojmë se afati i fundit i shpërndarjes së
dëmshpërblimit është viti 2017. Atëherë për deri sa ky afat nuk ka përfunduar
përse duhej të zhvillohej kjo grevë, madje të arrihej edhe deri në masa
ekstreme? Më vjen me të vërtetë keq për disa ish të burgosur politikë të
vërtetë, të cilët i njoh mirë, të futur në atë grevë të gabuar dhe në një çast
të gabuar. Në fund të fundit, në rast se nuk ishin dakord me këtë formulim të
ligjit, përse nuk protestuan në vitin 2007 kur ai u miratua? Tani le të flasim
edhe për menxhimin që i bëri qeveria kësaj greve. Mendoj se ai nuk ishte i
drejtë. Ajo ra në grackën e përgatitur nga organizatorët e grevës dhe
zëdhënësit e saj dhe u kthye në një shkëmbim batutash jokorrekte midis tyre.
Ditët e fundit Kryeministri deklaroi se ligji do të zbatohej një për një, se
dëmshpërblimi do të përfundonte pikërisht në vitin 2017, se në ligj do të
bëheshin edhe përmirësime dhe shtesa të tjera. Kjo është një gjë e mirë të
cilën shoqata e jonë e ka kërkuar prej kohësh. A nuk do të kishte qenë më mirë
që këto deklarata t'u ishin bërë të ditura grevistëve qysh në ditët e para të
saj? A nuk do të kishte qenë më mirë që një përfaqësues, për shembull, i
Ministrisë së Financave, t'u kishte bërë të ditur atyre të dhënat mbi përfitimet
në privatizime e të tjera, që më vonë u publikuan nëpërmjet organeve të medias? Unë do t'i sugjeroja Qeverisë Demokratike se mundësia për të dëmshpërblyer të
burgosurit politikë që janë gjallë, nuk është e pamundur të zgjidhet. Më lejoni
të riparaqes të dhënat e mëposhtme: Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave
të burgosur politikë të mbetur gjallë janë 2400 persona. Atëherë le të bëjmë
llogaritë. Në rast se për një të dënuar marrim mesatarisht 10 vjet burg, duke
zbritur 2 vite që janë paguar, atëherë mbeten: Personalisht mendoj se
çështja e dëmshpërblimit duhet të jetë çështja e fundit që duhet realizuar dhe
ky nuk është vetëm mendimi im. Ai është mendimi i të gjithë të përndjekurve
politikë të vërtetë. Kur u ngritëm kundra komunizmit, nuk u ngritëm duke
menduar se një ditë do të dëmshpërbleheshim për këtë sakrificë. Ne u ngritëm për
parimet tona, për idealin tonë dhe ideali ynë nuk ishte dëmshpërblimi por liria
dhe demokracia. Në kundërshtim me ne, ish-komunistët që u burgosën nuk u
ngritën kundër komunizmit, por kundër rivalëve të tyre për pushtet që, po të
kishin fituar, do të ishte i njejtë me atë të diktatorit Enver Hoxha. Ndaj për
ta çështja kryesore është dëmshpërblimi financiar dhe jo përmbysja e
mentalitetit komunist.. Ne jemi kundra çdo shfaqje të mentalitetit komunist në
jetën e përditshme, gjë që e hasim në çdo hap që bëjmë. Ne kemi kërkuar,
kërkojmë dhe do të kërkojmë vazhdimisht zhdukjen e këtyre pasojave të
rrezikshme për vendin, gjë që ka tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve të
larta të vendeve më të zhvilluara të botës. Kërkojmë zbatimin sa më parë të
rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2006. Kërkojmë dënimin ligjor të diktatorit Enver Hoxha. Kërkojmë ligjin e lustracionit për të gjithë bashkëpuntorët e sigurimit dhe organeve të tjera të diktaturës. Kërkojmë rishikimin e historisë së vendit tonë dhe përpilimin e teksteve të reja shkollore të mbushura deri më sot me propagandën komuniste. Kërkojmë ngritjen e muzeve nëpër qëndrat kryesore të përndjekjes si në Tepelenë, Burrel dhe Spaç. Kërkojmë ndërtimin sa më parë të memorialit të viktimave të komunizmit në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Së fundi kërkojmë ngritjen dhe financimin e një komisioni shtetëror për gjetjen dhe rivarrosjen e martirëve të rënë në luftën kundër komnuizmit. Ky është qëllimi ynë kryesor dhe për këtë do të luftojmë dhe shpresojmë se do të gjejë zgjidhje vetëm në një qeveri të djathtë demokratike. RESHAT KRIPA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |