Editorial: Proceset shqiptare janë të pandalshme
E Djelë, 08.23.2009, 04:08pm (GMT+1)
Voal-online -Proceset shqiptare nuk mund të mbahen vendnumëro, nuk mund të vonohen, nuk mund të ndalen, nuk mund të kthehen mbrapa. Ato janë të pasfidueshme. Nuk mund të sfidohet shndërrimi i Shqipërisë përherë e më shumë në një faktor të rëndësishëm euroatlantik. Nuk mund të sfidohet konsolidimi dhe forcimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Nuk mund të sfidohet afirmimi i shqiptarëve të Maqedonisë si pjesa më vitale e popullsisë së këtij vendi. Nuk mund të sfidohet zgjidhja e drejtë e çështjes së Luginës së Preshevës. Nuk mund të sfidohen kërkesat e shqiptarëve të Malit të Zi. Nuk mund të sfidohet asnjë përbërës i realitetit shqiptar kudo që ndodhet ai në hapësirën tonë kombëtare në Evropën Juglindore. Këtë e dinë mirë miqtë tanë, partnerët tanë, të gjithë faktorët e paqes dhe të përparimit në botë. E dinë mirë edhe ata faktorë që, mjerisht, nuk përfshihen në nocionet e mësipërme. Proceset shqiptare janë pjesë e domosdoshme e proceseve integruese evropiane, perëndimore dhe globale. Prandaj përparimi i tyre është jetik për të gjitha proceset pozitive konstruktive në shkallë rajoni, kontinentit, në shkallë perëndimi e më gjerë. Përpjekjet e mafiave ballkanike për t'i sfiduar proceset shqiptare do të shndërrohen në bumerangë për ato vetë dhe për të gjithë përkrahësit e tyre. Nuk mund të ketë infrastukturë të garantuar të proceseve integruese bashkëkohore e perspektive pa përfshirjen e proceseve shqiptare në këtë infrastrukturë, pa suksesin e proceseve shqiptare. Nuk mund të ketë baraspesha të garantuara në gadishull, kontinent e përtej pa ecurinë e suksesshme të proceseve shqiptare në tërësinë e tyre dhe në cilindo përbërës të veçantë të tyre. Do të ishte çmenduri e pandreqshme, do të ishte dritëshkurtësi e pashembullt që fqinjët e shqiptarëve apo ata që iu shkojnë atyre pas avazit të tyre të vazhdonin të guxonin që, për inerci të së kaluarës së gadishullit tonë, të pengonin proceset shqiptare. Këto përpjekje të tyre do t'i ngjallnin fantazmat e dikurshme të cilave ua panë sherrin edhe ata që nuk ishin të përzier drejtpërdrejt a tërthor në intrigat ballkanike. Dhe do të sillnin kthime tejet të kushtueshme në përvoja të shkuara tashmë gjerësisht aq rëndë të përjetuara. Kush nga fqinjët tanë ua do të mirën zhvillimeve të veta, duhet të heqë dorë nga çdo synim, nga çdo përpjekje për të mbajtur vendnumëro, për të vonuar, për të ndalur, për të kthyer mbrapa proceset shqiptare. Ta kuptojnë më në fund se proceset shqiptare janë të pasfidueshme.
www.voal-online.ch
|