VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
TË MOS TURBULLOHET POLITIKA AMERIKANE NDAJ KOMBIT SHQIPTAR Nga FRANK SHKRELI E Martë, 11.13.2012, 07:44am (GMT1)
Është e natyrshme dhe detyrë civile që ne shqiptaro-amerikanët, qofshim republikanë ose demokratë të përkrahim, të kontribojmë dhe të bëjmë fushatë për kandidatin e partisë që i përkasim. Por besoj se si komunitet, në nivel kombëtar të politikës amerikane, nuk duhet të tregohemi të njëanshëm, pasi në atë nivel përpilohet politika e jashtëme dhe si rrjedhim edhe politika amerikane karshi kombit shqiptar. Dhe këjo politikë, megjithë debatet diskutimet shpesh të ashpëra dhe kritikat, më në fund, në interes të sigurimit kombëtar amerikan përkrahet nga të dy partitë.
Para dhe pas zgjedhjeve amerikane për president javën që kaloi, një numër
komentuesish dhe analistësh sidomos në Kosovë, por edhe në Shqipëri, edhe anembanë trojeve shqiptare, përfshirë edhe diasporën, madje edhe këtu në Amerikë,
''hodhën votën'' e tyre dhe bënë thirrje në mënyrë të njëanëshme që --
komuniteti shqiptaro-amerikan -- në garën për president të përkrahte
Presidentin Obama dhe kandidatët demokratë në përgjithësi, me arsyetimin se
kinse presidenti Obama dhe Partia e tij Demokrate na qenkan të vetmit përkrahës
të Kosovës dhe të interesave të kombit shqiptar në përgjithësi.
Është e vërtetë se nën-presidenti Xho Bajden dhe Sekretarja e Shtetit Hillari
Klinton (që për vizitën historike të sajë në Tiranë dhe Prishtinë shkrova një
artikull pak më parë), janë njohës të mirë të çështjeve shqiptare dhe përkrahës
të të drejtave të shqiptarëve dhe dy shteteve shqiptare në Ballkan. Por
Presidenti Barak Obama nuk i mori këta në kabinetin e tij katër vjetë më parë vetëm
e vetëm se ishin njohës të çeshtjeve shqiptare. Dyshoj shumë nëse kandidati
Barak Obama, katër vjetë më parë, dinte gjë në lidhje me Shqipërinë e
shqiptarët ose për problemet e Kosovës. Edhe po të dinte gjë në atë kohë, jam i
sigurt se njohuritë e tija duhet të kenë qenë të influencuara nga komuniteti
nacionalist serb në Çikago të shtetit Illinois me në krye ish-governatorin
Blagojeviç, tani në burg i akuzuar për përpjekjet e tija për të ''shitur''
karrigën e ish-senatorit Barak Obama, kur ky u zgjodh president.
Sidoqoftë, administrata e Presidentit Obama ka vazhduar politikën e favorshme
amerikane, të përkrahur historikisht nga të dy partitë kryesore të këtij vendi,
karshi Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo nuk mund të ndodhte ndryshe dhe nuk është
aspak në dyshim. Por ajo që më habiti ishte euforia e papërmbajtur dhe e
njëanshme me ketë rast nga analistë e komentues në lidhje me zgjedhjet e fundit
në Amerikë. Edhe kandidati republikan për president Mit Romni, siç vuri në dukje edhe Ruben Avxhiu në një artikull të gazetës Illyria në Nju Jork, ka një histori personale me shqiptarët në Amerikë dhe gjatë fushatës zhvilloi kontakte të shumëta me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ruben Avxhiu pasqyroi si asnjë komentues ose analist tjetër rolin dhe pjesëmarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në zgjedhjet e fundit, në mënyrë të balancuar, duke pasqyruar përkrahjen e komunitetit si për presidentin Obama ashtu edhe për kandidatin republikan guvernatorin Romni, pasi të dy kishin përkrahje në komunitet dhe kjo është tradicionale por për më tepër e doemosdoshme, një fakt ky që kominuteti e di shumë mirë. Ajo që më habiti ishte euforia e papërmbajtur dhe e njëanshme me ketë rast nga disa analistë e komentues në trojet shqiptare në Ballkan në lidhje me zgjedhjet e fundit në Amerikë, duke e cilësuar fitoren e presidentit Obama si të preferueshme për interesat shqiptare. Madje kishte raste ku fitorja e presidentit Obama në Amerikë u interpretua si një shënjë e fitoreve të ardhëshme nga forcat e majta në Shqipëri. Çfarë absurditeti! Politika e majtë e presidentit Obama, në qoftë se mund të quhet e tillë nuk ka aspak të bëjë me lëvizjet e majta kudo, e aq më pak në Shqipëri e Kosovë, pasi Obama i "majtë'' sot, mund të bëhet Obama i qendrës nesër, siç pat bërë ish-presidenti Bill Klinton në mandatin e tij të dytë.
Veteranët e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të mirinformuarit e dinë se
përkrahja për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe në të gjitha
trojet shqiptare gjatë viteve, nuk ishte dhe nuk është karakteristikë e
politikës së një partie ose e një kandidati amerikan, por gëzonte dhe gëzon
mbështetje nga të dy partitë kryesore politike dhe përfaqsuesit e tyre në
Kongres, në Senat dhe në degën ekzekutive të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Kjo është arritur me punë, djersë dhe harxhime të mëdha nga komuniteti
shqiptaro-amerikan gjatë dekadave dhe është një thesar që duhet të ruhet dhe të
kultivohet.
Duke filluar nga vitet '70 dhe '80, por edhe më heret, komuniteti
shqiptaro-amerikan ka punuar në mbështetje të çështjet kombëtare me përfaqsues
republikanë e demokratë, duke e ditur se ishte e nevojshme ndihma e të dy
partive politike. Ndër përkrahësit e të drejtave të shqiptarëve gjatë dekadave
janë dalluar një numër kongresistësh, senatorësh, guvernatorësh dhe politikanë
të tjerë federalë të të dy partive. Mjafton të përmendim vetëm disa prej tyre, sa për ilustrim. Senatori
Robert Dole, republikan; senatori Claiborne Pell demokrat; kongresisti Elliot
Engel, demokrat; kongresisti Ben Gilman, republikan; Tom Lantosh, demokrat,
William Brumfield, republikan, kongresisti me origjinë arbëreshe, Joe
Dioguardi, republikan, e shumë e shumë të tjerë. Zëri i tyre, pa dallim partie,
trumbetonte në sallat e Kongresit amerikan gjatë sesioneve të komisioneve të ndryshme
në mbështetje të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Lista do të ishte tepër e
gjatë për t'i përmendur të gjithë, por firmat e këtyre ligjvenësve dhe shumë
kolegëve të tyre demokratë e republikanë gjënden në rezolutat e shumëta në
përkrahje të shqiptarëve, të miratuara nga Kongresi amerikan, në letra e apele
drejtuar presidentëve të Amerikës dhe udhëheqësve botërorë, Stejt Departmentit,
Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të drejtave të njeriut dhe njerëzve të
interesuar anë e mbanë botës.
Kështuqë, të nderuar komentues dhe analistë shqiptarë kudo, mosi turbulloni
ujërat e politikës historikisht pro-shqiptare amerikane, nga të dy partitë e
këtij vendi, duke u munduar të paraqisni njërin kandidat ose njërën parti më të
favorshme karshi interesave shqiptare, sepse nuk është e vërtetë. Një gjë e
tillë rrezikon interesat afatgjatë të kombit shqiptar, miqësinë
shqiptaro-amerikane dhe kënaqë armiqët e tij në rajon dhe gjetiu. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |