VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NDERIME IBRAHIM RUGOVËS Nga FRANK SHKRELI E Mërkurë, 12.05.2012, 08:05am (GMT1) ![]()
Unë si njeri i thjeshtë -- preferoj që në 100-vjetorin e Pavarësisë së
Shqipërisë dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, të kujtoj dhe të flas për një
njeri që me të vërtetë ka merita, Presidentin e parë historik të Dardanisë
antike, Dr. Ibrahim Rugovën, prijësin e madh të kombit shqiptar -- për
kontributet e tija dhe rolin që ai ka luajtur në historinë moderne kombëtare.
Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe themeluesi i diplomacisë së Kosovës,
filloi veprimtarinë e tij diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në
vitin 1989, me qëllim që të siguronte përkrahje nga ky vend për shqiptarët e
shumëvuajtur të Kosovës dardane. Ai nuk mburrej me retorikë boshe, siç thotë më
poshtë edhe ish-kryeministri britanik Toni Blerpor, por kishte vizione të qarta
për një të ardhëme më të mirë për kombin e vet. Që në fillim, ai u vu në krye
të lëvizjes për pavarësi duke thënë se "zgjidhja më e mirë është Kosova e
pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë nën një administrim civil
ndërkombëtar, si fazë kalimtare". Ashtu edhe ndodhi. Ai gjithashtu ç'prej
fillimit, kishte deklaruar ''miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe
popullit amerikan'', pasi ishte i betuar që të bënte aq sa kishte mundësi për
rrugën që duhej të ndjekin shqiptarët e Kosovës dhe kombi shqiptar në
përgjithësi, për të zënë vendin ku i takon dhe ku e ka caktuar vet i Madhi Zot,
dmth, në radhën e kombeve të përparuara perëndimore.
Ai besonte në miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara, si një mjet që do të
çonte kombin shqiptar drejtë integrimit me botën perëndimore. Sa ishte gjallë,
ai udhëhoqi popullin e vet gjatë një periudhe jashtzakonisht të vështirë, gjë
që e bëri atë simbol krenarie në radhët e bashkatdhetarëve të tij -- mbrenda dhe
jashtë trojeve shqiptare -- për veprimtarinë patriotike si edhe të njohur anë e
mbanë botës për diplomacinë e tij shumë vjeçare, vajtje-ardhje, ndërkohë që
vizitonte Washingtonin dhe kryeqytetet evropiane për të takuar udhëheqsit më të
lartë të botës përendimore. Këjo në përpjekje për të çliruar popullin e vet nga
zgjedha serbe dhe për të realizuar ëndrrën e përbashkët të të gjithë
shqiptarëve: Pavarësinë e Kosovës. Këjo ndërmarrje ose aktivitet diplomatik nga
ana e tij, nuk ishte aspak më i vogël se sa përpjekjet e rilindasve të cilët
shpallën Pavarësinë Kombëtare me 28 Nëntor, 1912 në Vlorë.
Ibrahim Rugova ishte një përfaqësues ndryshe, i cili i bindur dhe i vendosur për
rrugën që duhej ndjekur dhe për objektivin që duhej të realizonin shqiptarët e
Kosovës, si pjesë e pa ndarë e kombit shqiptar, me personalitetin e tij të urtë
dhe plot durim, i shpjegoi një bote skeptike përdhunimet dhe padrejtësitë
historike ndaj kombit shqiptar. Ai e tregoi veten si një avokat i palodhëshëm i
forcimit të lidhjeve natyrale të kombit shqiptar me Perëndimin, e sidomos me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë festimeve me rastin e 100-vjetorit, me të drejtë u fol për rolin që
Amerika ka luajtur në konsolidimin e pavarësisë si edhe për miqësinë që
ekziston midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. Udhëheqsit shqiptarë shprehën
mirënjohjen ndaj përkrahjes amerikane për Pavarësinë e Shqipërisë në fillim të
shekullit të kaluar dhe për çlirimin e Kosovës, që më në fund çoi në pavarësinë
që gëzon sot Kosova, por edhe për rolin në konsolidimin e demokracisë në
Shqipëri dhe në Kosovë, këto 20 vitet e fundit. Ibrahim Rugova ishte njëri ndër
arkitektët, e pse të mos themi krye-arkitekti modern i këtyre marrëdhënjeve.
Atëherë, nëqoftse në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, marrëdhënjet
amerikano-shqiptare janë të rëndësishme, ashtu siç mendojnë shumë vërejtës të
mbrendshëm dhe të jashtëm, një pjesë e kredisë për zhvillimin e mirë të këtyre
marrëdhënjeve gjatë njëzet e sa vjetëve të fundit, duhet t'i shkojë Presidentit
Rugova.
Kur Ibrahim Rugova bënte thirrje për ''Miqësi të përherëshme me Shtetet e
Bashkuara të Amerikës'' dhe kur ai përfundonte çdo fjalim me thënjen ''God
Bless America'', ''Zoti e Bekoftë Amerikën'', shumë nga kritikët e tij atëherë
dhe sot nuk e kishin kuptuar rëndësinë afat gjatë të mesazhit të Ibrahim
Rugovës, për marrëdhënjet e ngushta amerikano-shqiptare. Merita tjetër që i duhet njohur Ibrahim Rugovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare është se ai besonte se kombi shqiptar duhet të ndërtojë bazën e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të cilët 100-vjetë më parë, shpallën pavarësinë kombëtare, dhe jo mbi një trashëgimi regjimesh e përfaqsuesish të idelogjive të huaja, sllavo-aziatike. Ai ishte udhëheqsi i parë shqiptar ç'prej rilindasve, që më në fund i këtheu sytë e mendjen nga Perendimi dhe jo drejtë Moskës, Beogradit, Athinës ose Pekinit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë.
Me një kulturë dhe qytetërim njerëzor plotë urtësi, të bazuar në traditat dhe
vlerat më të mira të fisit të Arbërit, si dhe në vlerat humane të njerëzimit,
Ibrahim Rugova ishte i palëkundur në qëndrimin e tij, siç ishte dhe shumica e
rilindasve, se e ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë në integrimin e tyre në
radhët e kombeve të përparuara të Perëndimit. Për këto dhe shumë merita të
tjera pra, duhet që me krenari të përkujtojmë Presidentin e parë të Kosovës në
këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |