Editorial: Zhvillimet e vendit në pritje të zhvillimeve socialiste
E Enjte, 08.27.2009, 10:16am (GMT+1)
Voal-online Rreth dy muaj pas 28 Qershorit koha duket të ketë qenë e mjaftueshme për të gjithë zgjedhësit dhe subjektet zgjedhore që të bënin leximin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve parlamentare. Mbi bazën e këtyre leximeve çdo faktor politik nxjerr përfundimet përkatëse lidhur me epërsitë, dobësitë e manifestuara, lidhur me meritat dhe përgjegjësitë si dhe sa janë arritur rezultatet e parashikuara. Analizat e thella, racionale, me sa më pak emocione bëjnë të mundur që të përmirësohen platformat ekzistuese, të ndërtohen platforma të reja, strategji të reja për vitet e ardhshme të bërjes qeverisje apo të bërjes opozitë. Partia Socialiste është ndër partitë me elektorat më të madh dhe më të qëndrueshëm në spektrin pluralist të Shqipërisë. Njëkohësisht është partia që ka lidhjet më të ngushta me të shkuarën. Është e domosdoshme, si për fatin e këtij formacioni, si për fatin e demokracisë në Shqipëri, që Partia Socialiste të bëjë një shkëputje sa më të madhe, sa më të ndjeshme dhe sa më konkrete e sa më të plotë nga e shkuara. Këtë hap Partia Socialiste ka shansin ta bëjë edhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm të saj, që mbahet në këto ditë fundgushti. Nga analizat e thella e të përgjegjëshme, nga vendimet largpamëse që do të marrë kjo parti në kongresin e saj, do të varet shumë perspektiva e anëtarësisë dhe elektoratit të Partisë Socialiste, por edhe zhvillimeve të afërta dhe të largëta të vendit, drejt stabilitetit më të fortë, drejt progresit më të qenësishëm dhe drejt integrimeve sa më të shpejta perëndimore e globale. Prandaj nga kjo parti pritet që të shikojë jo vetëm interesat e saj, por të shikojë mbi të gjitha interesat e vendit dhe interesat e kombit, të cilat janë në një fazë shumë vendimtare historike. Zhvillimet në Partinë Socialiste, për të cilat shumëçka do të varet edhe nga ky kongres, do të pasqyrohen drejtpërdrejt dhe ndjeshëm në punën e Kuvendit të Shqipërisë dhe të të gjitha institucioneve që dalin prej këtij Kuvendi, do të pasqyrohen në të njëjtën masë dhe cilësi edhe në zhvillimet e gjithë jetës së vendit. Prandaj pritet që zhvillimet në këtë parti të jenë zhvillime sa më pozitive, sa më konstruktive dhe sa më ndikuese në konsolidimin e arritjeve të vendit, në përballjen e sfidave kombëtare dhe në përparimin e gjithanshëm të demokracisë. Gjithsesi, nga pozicionimi politik me të cilin do të dalë Partia Socialiste nga ky kongres do të varet shumë shkalla e suksesit të mëtejshëm ose mossukesit të vendit dhe të kombit.
www.voal-online.ch
|