VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

A DO TË KALOHET PROVIMI EVROPIAN PËR TRE MUAJ?
Nga SHKËLZEN LUSHAJ

E Shtunë, 12.15.2012, 08:24am (GMT1)





Një ditë pasi BE bëri pranimin e Çmimit Nobel për Paqe, me ç'gjë u mbars me detyra të reja morale, rastësisht ose jo, dha për Maqedoninë një vendim që nuk është në asnjë pikë dhe germë të tij minues dhe shkurajues - një "jo" pozitive, sado absurde që tingëllon, që nuk e largon tutje vendin, por e afron drejt mundësive të reja të anëtarësimit. Vendimi konsensual i ministrave të Jashtëm të BE-së, për të shoqëruar mosdhënien e datës për negociata aderuese me një shans dhe një afat konkret për realizimin e tri aksh detyrave, përbën kualitetin e ri të politikës evropiane që ndez pishtarin e shpresës se jo plotësisht është terratisur perspektiva integruese e vendit tonë.

Pikërisht për këtë, Maqedonia nuk do të duhej të priste lajmin e së martës mbrëma me zemëratë dhe shkurajim, ngase ai paraqet ogurin që do të duhej t'i jepte zemër asaj të bëjë hapa vendimtarë e të guximshëm, për të marrë në dorë përfundimisht flakadanin e integrimeve. Qeverisë së vendit tonë nuk i duhet gjë tjetër në tre muajt e ardhshëm veçse të jetë kokulur, të vullnetojë dhe t'i rreket punës - tre rregulla këto që do t'i shërbenin asaj nga janari deri në mars për të intensifikuar bisedimet për emrin, të përmirësojë raportet me fqinjët dhe të zbatojë reformat-detyra të ndërmarra me anë të Dialogut Aderues në Nivel të Lartë.

Qasja e re e BE-së që i detyrohet një ndryshimi kualitativ politikave të saj, lëviz nga pika zero procesin integrues të Maqedonisë, krijon klimë për përmbushjen e dy kushteve parimore (fqinjët dhe reformat) dhe ndërton bazën për gjetjen e zgjidhjes së emrit, si një nyje Gordiane prej dy dekadash. Këtij qëndrimi të ri të BE-së, Qeveria dhe politika zyrtare duhet t'i përgjigjet jo me kokëfortësinë e deritashme dhe as me deklaratat dritëshkurtra, por me demonstrimin e vullnetit aq të munguar për adresimin në afat sa më të shpejtë të kushteve të shtruara. Mundësia e ofruar nga ana e Brukselit zyrtar është e papërsëritshme, ndaj ajo do të duhej ta nxiste Qeverinë për të lënë mënjanë politikën ditore dhe të ngallmojë energjinë e saj në arritjen e objektivave strategjikë të shtetit.

Megjithatë, shumë i realët do të ishte skepticizmi që zgjedhjet lokale dhe gara e brendshme politike të zhvendoste nga plani parësor adresimin e tri çështjeve, si kushte për datën e negociatave, duke rrezikuar kësisoj lëshimin e shansit të artë për vendin. Periudha janar-mars që është caktuar si afati kohor brenda të cilit duhet përgjigjur kërkesave të BE-së, është fatkeqësisht tremujori kur partitë politike janë në turrin e tyre për të (ri)fituar akëcila elektoratin e saj.

Në një periudhë elektorale, politika (maqedonase) zor se do të bënte palën konstruktive në bisedimet për emrin dhe aq më pak të retushonte qëndrimet kundrejt një pjese të historiografisë së kontestueshme nga Bullgaria. Në këtë mënyrë, politika e ndikuar dhe e diktuar nga interesat ditore dhe meskine, do të mundë ta viktimizonte për të satën herë të ardhmen evropiane të shtetit që paraqet rrugën e vetme të mbijetesës ekonomike dhe politike të tij. Kështu siç njihen, forcat politike zor se do të mundë të dilnin edhe kësaj radhe nga vorbulla e veprimit ballkanik, "frytet" e të cilit shpërfaqen sot në trajtën më të keqe të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndëretnike në vendin tonë.

Së këndejmi, përpjekjet për të qenë më afër BE-së duhet të jenë frymëzim për rivendosjen e dialogut mes liderëve politikë, për të normalizuar fillimisht marrëdhëniet ndëretnike që lidhen edhe me frustrimet nga vonesat e integrimit, dhe për të dhënë mesazhin e bashkimit kundrejt sfidës që e pret vendin në rrugën e tij integruese. Me ftesë të partive në pushtet, opozitës duhet mundësuar t'i bashkëngjitet përpjekjeve për të ndërtuar perspektiven evropiane, në formën dhe mënyrën të cilën do ta përcaktonin palët, pasi një angazhim mbarëpolitik dhe mbarëshoqëror do të lehtësonte afërmendsh përmbushjen e kushteve të BE-së.

Impenjativë në angazhimin e tyre, duhet të jenë pa mëdyshjen më të vogël edhe partitë shqiptare, të cilat duhet sforcuar kërkesat e tyre e të thonë qartas se ylli polar i shqiptarëve të Maqedonisë vijon të jetë pa asnjë ekuivokë - integrimi në BE dhe NATO. Nisur nga ky postulat i politikës shqiptare të kudondodhur, forcat tona duhet të insistojnë dhe persistojnë në shfrytëzimin për së mbari të kësaj mundësie që jep BE-ja, për të ndërgjegjësuar politikën maqedonase se një dështim tjetër i radhës do të thoshte njëqind mundësi të humbura për stabilitet, siguri dhe mirëqenie në vendin tonë.
-
Shënim: Autori është zëvendëskryeredaktor i gazetës "Zhurnal Plus" që del në Shkup. Shkrimet i dërgon enkas për botim në Voal.

SHKËLZEN LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.