VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
AVENTURAT ANTISHTETËRORE TË POLITIKËS FOLKLORIKE MAQEDONASE Nga SHKËLZEN LUSHAJ E Shtunë, 12.22.2012, 02:38pm (GMT1)
Qëndrimi në distancë, nga kjo gjullurdi, i liderëve politikë, që janë
afërmendsh regjisorët e këtyre mizanskenave që na kapin sytë përditë, është sa
e papërgjegjshme po aq imorale. Zhvendosja e "dialogut" dhe e debatit politik
në nivel koordinatorësh të grupeve parlamentare dhe tërheqja e liderëve në
rolin e spektatorit televiziv, tregon për mosgatishmërinë e ballafaqimit me
problemet në drejtimin e shtetit, për qasjen joserioze ndaj interesave
shtetërore dhe qytetare dhe për kujdesin personal të tyre për të mos u nxirë
nga tymi i zi që nxjerr motori i prishur i politikës së çdoditshme.
Pavarësisht motiveve të vërteta të opozitës maqedonase për të penguar me mbi
njëmijë amendamente miratimin e projektbuxhetit të vitit vijues, ky bllokim i
punës së Kuvendit perceptohet si pasojë e kundërvënies së parë të këtij institucioni
ndaj tendencave të një pjese të pushtetit ekzekutiv, për ta reduktuar rolin e
tij në makineri të thjeshtë votimi dhe shërbëtori të elitave pushtetare.
Por a është ky momenti i duhur për një aksion të tillë të opozitës? Kriza që po
vijon do të shfrytëzohet mbase nga politika zyrtare si alibi për veprimin
ngalakaq në përmbushjen e agjendës evropiane që pas samitit të Këshillit të
BE-së u ravijëzua në tri detyra të qarta - emri, raportet fqinjësore dhe
reformat. Një javë pas këtij takimi të ministrave të Jashtëm, Qeveria dhe
institucionet e tjera nuk kanë dhënë ende shenjën e parë se do të mundë t'i
përgjigjeshin në mënyrë adekuate kërkesave të BE-së që rrisin realisht
mundësitë për marrjen e datës për negociata aderuese në periudhën që pason.
Bllokimi i punës së Kuvendit dhe agjendat partiake të forcave politike rivale,
që do të vijnë e intensifikohen me afrimin e datës së zgjedhjeve lokale, do të
djegin si një letër të hollë papirusi gjithë këtë mundësi që Brukseli po ia
ofron vendit tonë dhe politikës zyrtare të tij.
Se kjo e fundit ka larg mendsh procesin integrues, vërteton edhe lajmi për
rikthimin në Kuvend të debatit për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase, që mund
ta rrënojë deri në fund skenën me këmbë qelqi ku po ekzekuton teatri i
politikës tipike ballkanike. Ky zhvillim i papritur që ia behu pikërisht në
kohën kur ndërmerren përpjekje të pasuksesshme për të zhbllokuar procedurën e
miratimit të buxhetit, flet se pavarësisht çdo gjëje, partitë maqedonase janë
të vendosura të realizojnë politikat kombëtare, paçka se janë antishtetërore,
dhe t'u japin përparësi çështjeve të ndjeshme ndëretnike të cilat eklipsojnë
çdo progres pozitiv që mund të shënojë shteti. Në rrethana të tilla, partitë shqiptare duket se nuk kanë shumë vend për të vepruar, ndaj irracionalizmit të politikës maqedonase i përgjigjen ngandonjëherë në mënyrë të njëjtë dhe po aq jokreative. Kësisoj siç veprojnë prej vitesh, politika shqiptare do të dështojë gjithnjë së bëri dalzotës e interesave të shqiptarëve dhe të integrimeve euroatlantike, kurse ajo maqedonase do të vijojë të jetë në mënyrë absurde në krye të veprimeve vetëshkatërruese të shtetit. SHKËLZEN LUSHAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |