VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
GLOBALIZMI HAPËS PËR NJË MENDJE TË MBYLLUR Nga Dr. PËRPARIM KABO E Enjte, 12.27.2012, 12:14pm (GMT1)
Kjo strukturë sociale, politike dhe ekonomike përdori instrumentet e saj që nga
Traktati i Varshavës, homologe e NATOS në botën komuniste, dhe KNERI-n, hija e
pasuksesshme e Tregut të Përbashkët Evropian të djeshëm, që sot quhet BE.
Bota komuniste krijoi kësisoj bipolarizimin dhe klimën e luftës së ftohtë, por
në një këndvështrim tjetër ishte goditur ekzistenca globale e shoqërisë
botërore, sepse sistemet e kundërta ekonomike e shoqërore kishin kthyer në
institucione, me duar gati të lidhura, ato ndërkombëtare.
Edhe brenda tyre luftohej nga pozicione ideologjike, ndaj marrëdhëniet
ndërkombëtare bartnin konflikte që të kujtonin pragluftërat botërore, pasi ato
lokalet nuk munguan.
Është për këto arsye themelore që shembja e sistemit komunist u ndesh e u bashkëshoqërua
edhe me një sfidë tjetër, me globalizmin. Shoqëritë e ish-vendeve komuniste po
dilnin nga këmisha e kërmillit, nën habinë që krijonte ky realitet universal,
me konceptet e tij, me marrëdhëniet, filozofinë e jetës, si dhe mekanizmat
lëvizëse gjithfarësh. Hapja ishte liri dhe sfidë e lirisë. Ishte demokraci dhe sfidë e demokratizimit. Ishin të drejta të njeriut për
njerëz që do t'u duhej ta kuptonin thellësisht se në ç'raport do të duheshin të
ishin me shtetin dhe sovranitetin individual të deleguar tek ai apo të
vetëmbrojtur prej tyre brenda ligjit. Kryesfida ishte kulturore, si kultura
juridike, demokratike dhe e tregut. Njerëzit do të humbnin kujdesin e shtetit
komunist.
Globalizmi do të kalonte nga vetëdija njerëzore kolektive dhe individuale e
njerëzve që kishin përjetuar një izolim të gjatë e të frikshëm, dhe nuk kishin
pasur fatin të mendonin për veten në mënyrë të lirë, të pacensuruar e të
ideologjizuar. Kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe ecuria e këtyre vendeve,
ritmi, arritjet, ndalesat, kthimet pas dhe degradimet, janë të ndryshme.
Sa i prapambetur të kishe qenë në shoqëritë parakomuniste aq kosto historike do
të duhet të vijosh që të paguash. Sa më shumë gabime të kesh bërë në periudhën
e tranzicionit për shkak të keqkuptimeve me demokracinë dhe me lirinë, aq më
shumë do të vonohesh të mbërrish atje ku je nisur në krye të herës kur viti
numëronte 1990. Dhe kjo është fatale në Shqipëri, kur në 20 vjetorin e 8
dhjetorit simbolik, dikush me peshë dhe kontribute në këtë histori shqiptare
dydekadëshe, deklaroi solemnisht me sinqeritet:"Portat u hapën, por ne rrugën
nuk e dinim".
Globalizmi i sotëm, qoftë si reshtim e rirreshtim tregjesh, qoftë si zgjerim e
institucionalizim vendimmarrës, si dhe cedim nga sovraniteti kombëtar, por
qoftë edhe si globalizëm kulturor e etnoreligjioz, kanë bërë që antropologjia
globale dhe sistemi botëror të jenë në rishikim parimesh, që deri dje mund të
ishin quajtur aksiomatike. Në rivlerësim të rrjedhave globalizuese, të cilat
nga njëra anë zgjidhin kontradiktat e bartura dhe, në të njëjtën kohë prodhojnë
kontradikta të reja, shumë më të thella e me një kosto historike, e cila
përqaset nga nacionalizmi i tregjeve, deri te seleksionimi i emigracionit, nga
pasiguria e brezave të rinj për punësim të sigurt, deri te ndeshjet globale për
tregjet e energjisë dhe të ardhmen e këtij ingredienti fondamental, që e ka
vënë njerëzimin përballë një lloj dileme të ekzistencializmit pozitiv, duke
marrë formën e etnoreligjionizmit të naftës dhe terrorizmit antiimperialist.
Globalizmi nuk është një "green house", që të rregullon vegjetacionin,
pavarësisht nga stina natyrore. Ai ka probleme fondamentale, që e kanë
çekuilibruar shoqërinë. Ndaj, kundra tij është lëvizja antiglobale. Përballë
Forumit Botëror të Ekonomisë në Kras Montana funksionon edhe forumi botëror për
problemet sociale, që e lëviz selinë kudo në botë.
Në këtë oqean problematik përpiqet të notojë edhe Shqipëria, vendi më i varfër
i Europës, i fundit që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe i fundit që provoi
të shkëputej nga shoqëria komuniste e diktaturës së Enver Hoxhës, i cili kishte
vdekur më 11 prill 1985, por, megjithatë, njerëzit kishin frikë të mendonin se
sistemi mund të ndryshonte. Siç nënvizon Erich Fromm, "ata që merren me të kaluarën, dhe jo me ndërtimin e së ardhmes, kanë frikë nga
liria".
"I fundit i mohikanëve", sekretari i parë i Partisë së Punës dhe president i
Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, deklaronte në hyrje të viteve 90
të shekullit të kaluar se "Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim".
Por çfarë ishte atëherë? Mbetej të ishte vetvetja, një ambient i izoluar
njerëzor dhe natyror, ku kalimi i kufirit shtetëror paguhej me jetën, dalja në
ekonominë botërore duke marrë kredi, konsiderohej shitje e atdheut; kultura e
popujve të tjerë stigmatizohej si degjenerim ideologjik dhe moral, ndërsa
ëndërrimi për një jetë më të mirë, si në botën perëndimore, keqvështrohej si
një sakrilegj, sepse "tradhtoheshin parimet dhe mund të humbej atdheu".
Njerëzit ishin të kufizuar të mendonin me kokën e tyre dhe të ëndërronin për
fatin individual, të inspironin për një botë më të gjerë, duke lëvizur lirisht,
por edhe për të vizituar vendet e tjera, qoftë edhe si turistë.
Antropologjia shqiptare do të duhej të kishte fatin e sistemit ,"të vdiste
bashkë me të", si një grup beduinësh që kishin mbaruar rezervat ushqimore dhe
ujin e pijshëm, mu në mes të shkretëtirës sociale, "Shqipërisë Socialiste", ku
në fund të shekullit XX ushqimet jepeshin me racion dhe një familje ushqehej me
një kilogram mish në javë, me 10 kokrra vezë dhe dy litra qumësht në ditë. Për
një popull të tillë liria, të drejtat e njeriut, demokracia pluraliste apo
sistemi gjyqësor i pavarur dukeshin si një kod absurd, i cili nuk mund të
shpjegohej nga askush.
Rënia e komunizmit, që u sigurua nga revoltat e studentëve dhe nga tërheqja e
Ramiz Alisë, kulmoi kur mijëra njerëz u futën më 2 korrik 1990 në disa ambasada
të huaja dhe, pas disa ditësh u nxorën jashtë Shqipërisë me anije nga vendet
europiane.
Ndaj, kur komunizmi u dorëzua dhe pluralizmi u bë realitet me krijimin e
Partisë Demokratike, ajo "çka binte në sy dukshëm ishte një masë njerëzore e
çoroditur që u grumbullua pas energjisë anarkiste", të prodhuar nga gjendja dhe
psikoza e pakënaqësisë, që bashkonte dhe derdhte urrejtjen për jetët e humbura,
për fatet e braktisura, për keqpërdorimin antihuman të jetës dhe garancive
sociale të saj.
Pikërisht në ato momente delirante, sistemi i djeshëm gabimisht u identifikua
jo në pak raste edhe me investimet ekonomike dhe sociale, të kryera gjatë
ekzistencës së tij. U harrua se atdheu ishte bërë komunist prej sistemit dhe
nuk ishte i tillë nga vetvetja.
Ngatërrimi i shtetit të Diktaturës së Proletariatit me çdo lloj shteti, edukimi
juridik i munguar dhe kuptimi i shtrëngimit juridik si frikë nga shteti, dhe jo
si detyrim përballë ligjit, ku të gjithë jemi të barabartë, prodhoi një
periudhë ku voluntarizmi popullor u bë vendimmarrës.
Ky autoritet i padrejtë vijon edhe në ditët tona ta cedojë shoqërinë
institucionale nga argumenti i ligjit dhe autoriteti i tij. Turmat llogariten si bastione votuesish dhe kompromisi
për vota rëndon mbi zhvillimin normal dhe administrativ të shoqërisë. Pjesa
serioze dhe civile e shoqërisë ka mbetur e pafat, e papërfillur dhe në jo pak
raste e pakonsideruar.
Atdheu përballë anarkisë gjithnjë bjeret, sepse anarkia është turma e pakënaqur
dhe që e ka humbur toruan, ndërsa atdheu, si shteti dhe mekanizmat e tij, aso
kohe në hyrje të sistemit demokratik, jo vetëm që ishin të tulatur, por qenë
edhe të përbuzur, të urryer e të mallkuar. Parulla e folkpropagandës ishte dhe
mbetet se ky vend nuk bëhet, ndaj, ose të ikim, ose ta braktisim duke ndenjur
këtu. Situata polli handikapët politikë që, për fatin tonë jo të mirë, vijojnë
edhe sot e gjithë ditën të jenë prezent në jetën politike.
Lindën të konvertuarit politikë. Komunistët "u veshën brenda natës socialistë",
antikomunistët dhe komunistët arrivistë u "gdhinë me kostumin e demokratëve".
Dhe sot pas kaq vitesh partitë politike dhe strukturat e tyre e forumet janë të
përbëra po nga të njëjtit njerëz, që kanë udhëtuar në dy drejtime të kundërta.
Janë zbrazur në idealizëm dhe janë mbushur me pasuri që të tremb nga sasia dhe
të bën të dyshosh nga burimet e mundshme të sigurimit.
Mbetja në krye të partive të të njëjtëve njerëz, është gjurma e fundit e
orientalizmit shqiptar, qoftë si mentalitet, qoftë si antropoinstitucionalizëm.
Ky frenim është ngurtësimi ynë fatal.
Nuk lëviz mentaliteti, ndaj dhe globalizmi dhe multukulturazimi janë përballë
një muri që nuk e epet. Sa larg asaj që mëton në librin e tij të sapo botuar
Nassim Nicolas Taleb, titulluar: "Antifragile". Autori nënvizon se ka tre lloj
sistemesh: Fragile, Robust, dhe Antifragile.
Më i miri është jo robusti sepse ky është një term inxhinierik, as fragili, që
i ka te prishur balancat e futjeve dhe daljeve. Sistemi më i mirë është
antifragile, i cili nga gabimet (si mund të bëj një shoqëri ajrore që humb një
fluturim dhe jetë njerëzish,) ndërton një sistem të ri mbrojtjeje për të
prevenuar atë që nesër të dëmton. Ne kemi mbetur të ngurtësuar tek mbajtja peng
e atdheut tek të njëjtit njerëz, që kanë shtuar dy ingredientë, injorancën e
dukshme sepse kanë mbetur tek parullat e 1990-s dhe antiparullat me demek
opozitare, dhe pasuritë e tyre vrastare ndaj fatit komunitar, sa kohë që ka
ende fëmijë të zbathur që hanë bukë misri me krip!
Në Shqipëri nuk kishte pasur disidencë, as të hapur, as të fshehur, as
fragmentare, as të organizuar, as brenda e as jashtë vendit. Kjo bëri që
njerëzit pa bosht kurrizor të rimerrnin flamujt e ndryshimit dhe të sjelljes së
demokracisë. E shohim këtë tablo jo vetëm në politikën aktive por edhe në
shoqërinë civile. Shikoni me vëmendje, janë të njëjtit "vemje" që i janë qepur
"Shoqërisë Civile" dhe në atë heshtjen e tyre të pështirë, bëjnë pará,
sigurojnë poste për familjarët, dhe spiunojnë si dikur, profesion që e dinë shumë
mirë, pasi falë tij ata erdhën nga hiçi dhe janë bërë VIP-a. Mediatarë janë
bërë milionerë ndaj fjala e lirë është e rrezikuar nga dhjami i "derrit të
kënaqur ". Sokrati tregohet me gisht si i dënuari që dëmton rininë sepse përdor
fjalën "Kopis" që në greqishten e vjetër do të thoshte edhe hanxhar, por edhe
gënjeshtar! Medet! Shqipëria nuk pati as Les Valesa, as Arpad Gënz, as Vaclaf
Havel.
Edhe nëse gërmohej në parasistemin komunist, nuk mund të takoje në ndonjë
shtresëzim socialpolitik që mund të merrte drejtimin e vendit. Sistemi
mbretëror i Mbretit "Zogu I" nuk jetoi gjatë dhe nuk pati krijuar ndonjë klasë
politike të qëndrueshme.
Nuk kuptohet se shoqëria e hapur nuk është shoqëria e shqyer për ta braktisur
në masë atdheun, por është shoqëria e hapur për ndryshim, duke e vlerësuar këtë
proces si vetëndryshim, si investim vlerash të reja, tek e pasmja, si ngritje
të një institucionalizimi të ri ekonomik, social, politik religjioz, kulturor
dhe edukativ.
Ka një numër jo të vogël njerëzish që ende edhe anëtarësimin e vendit në BE e
kuptojnë si mundësi legale për largimin përfundimtar nga atdheu dhe strehimin
në Europë. Ose më keq akoma, Europa të na japi "ushqim monetar" dhe ne të
prishim pa hesap dhe pa kthim kredish, sepse në fund të fundit, ç'jemi ne për
ata, një pikë në oqean. Të marrim ç'të marrim se kthimin e restit do ta bëjnë
të tjerë! Kjo është fatale. Është honi ku mund të biesh në rënie të lirë.
Sovraniteti tregjeve është po aq i rëndësishëm sa i integritetit territorial.
Mungesa e gjatë e lirisë, si frymëmarrje natyrore, si mekanizëm bashkëjetese
dhe instrument që zgjeron kufijtë e të vepruarit me ligj, qëllimi i të cilës
është rritja e të drejtave të njeriut dhe realizimi i tyre me tipar dinjitetin
njerëzor dhe prosperitetin, nuk kish se si të mos kishin lënë gjurmë. Kuptimi
jo i qartë për lirinë dhe, në shumë shtresa të shoqërisë i paqartë e i gabuar,
patën dhe vijojnë të kenë kosto të dyanshme.
Komprometuan hapjen me jashtë dhe përfshirjen në rrjedhat globalizuese në botë,
nga njëra anë. Nga ana tjetër, u goditën rregulli dhe institucionalizimi brenda
vendit. Sot Shqipëria ka jo vetëm informalitet në tregun e punës, por zona
informale rreth qyteteve, fenomen ky i patakuar në këto përmasa gjëkundi. Kulmi
arriti me firmat huamarrëse piramidale 1992-1997, të cilat, duke sfiduar
sistemin bankar në Shqipëri, pasi 70-80 për qind të parave në qarkullim lëvizën
jashtë kontrollit të bankave, sollëm si pasojë ngjarjet tragjike të vitit 1997,
ku 25 mijë familje humbën shtëpitë e banimit, 2 000 veta humbën jetën dhe
miliarda dollarë pasuri e njerëzve dhe kursime të emigrantëve jashtë u zhdukën
në këto skema, të cilat rezultuan të pleksura edhe me mafien rajonale e më
gjerë, por edhe me shumë politikanë aktiv që krenohen sot kur deklarojnë
pasuritë se fal aftësive të tyre kanë ditur të luajnë në bursa dhe të kenë fituar
këtë pasuri monetare që zotërojnë. A thua se bursat janë kooperativa bujqësore
e Bradasheshit, ku mund të merrje çfarë të doje si aga i vogël që ishe. A thua
se këta gënjeshtarë nuk e kuptojnë se çdo gjë në bursat dhe në bankat, është e
regjistruar dhe informacioni kudo në botë shkon edhe tek shërbimet
inteligjente. Së paku more mjeranë të parasë, gjeni një gënjeshtër me të
hairit, sepse jeni pjesë e antropologjisë që thotë:" Di të vjedhësh, po. Di të
fshehësh, jo. Epo nuk dikërke të vjedhësh atëherë mor qyqar". Një popull dhe
një qeveri që nuk kujdesen për paratë, qartazi provojnë se nuk kanë kuptuar
ABC-në e kapitalizmit dhe lirinë e iniciativës së lirë në treg. Humbësi i
parasë ose nuk ka xhep, ose nuk ka mend. Kjo ishte goditja e parë që u tregoi shqiptarëve,
popullit dhe klasës politike se liria e tregut nuk është anarki, dhe se
kapitalizmi dhe demokracia nuk janë në muajin e mjaltit gjithnjë. Kapitalizmi
ishte menduar tek ne, si sistem pa sfida ku pasuria vihet pa mund, ku shteti
dhe ligji nuk kanë rëndësi, ku voluntarizmi i verbër është iniciativë e lirë
dhe frutdhënëse. Politika zyrtare ishte verbuar nga pushteti dhe iu desh të
paguante faturën e parë të inkompetencës, që kishte rrjedhur nga
keqinterpretimi i antikomunizmit, duke e njësuar me kapitalizmin. Proverbi
klasik se prona private përbën 9-10 të ligjit nuk njihej në Shqipëri.
Ndaj pronës filloi sulmi, si në një skenë me piratë. Pronat publike shtetërore
dhe të grupit u grabitën nga kush mundi, por edhe pasuritë e individit, sidomos
toka dhe trojet, u morën nga të ardhurit prej zonave të largëta dhe shumë të
largëta të vendit. Në Tiranë dhe qytetet kryesore është krijuar një brez getosh
që e kanë shndërruar Shqipërinë në dy Shqipëri. Tirana, kryeqyteti i vendit,
dhe qytetet kryesore të mbipopulluara, jo vetëm me popullsi, por edhe me
problematikë, si papunësia, varfëria, mungesa e shërbimeve sociale dhe
shërbimeve të tjera, si zona urbane të helmuara me krim dhe problematikë të
rëndë në gjirin e vetë familjes, që nga divorci, dhuna dhe krimi brenda saj.
Pra, si të thuash, në një ambient shoqëror, ku "mesatarizohet liria e
individit". Kjo, nga njëra anë. Nga ana tjetër, qytetet e tjera të rralluara,
zona të tëra të zbrazura, ku jetojnë vetëm pleq të pazotë dhe pemët. Me dhimbje
duhet thënë si shqiptarët u nisën në krye të viteve 90 për ta gjetur lirinë
jashtë Shqipërisë, dhe atje gjetën statusin e emigrantit me tërë problematikën
që ai bart. Brenda vendit e kuptuan lirinë si largim nga vendbanimi tradicional
historik dhe u dyndën drejt qyteteve, ku ndeshen sot me pozicionin e një
antiligjori. Ka zaptuar tokën e tjetrit dhe, për pasiguri të kushteve minimale
të jetesës është shndërruar në masë antropologjike që ushqen informalitetin, me
gjithë dritëhijet dhe pasojat që rrjedhin prej tij. Që nga sigurimi i jetës
deri te sigurimi i shëndetit, që nga sigurimi i punës legale deri te sigurimi i
pensionit të pleqërisë. Globalizmi është hapje, por se dalja tek ai
është hedhja në rrymë dhe pafuqia është as më shumë e as më pak, mendja dhe
mentaliteti yt i mbyllur.
Modern dhe aktor të shoqërisë dhe rrjedhave globale, nuk të bën xhaketa e re e
snobizmit elitar, as përbetimi dhe angazhimi pa "teklif" se jam gati të bëjë
këtë apo atë që lyp me arrogancë tregu global. Ka autorë, shkolla, dhe sisteme
të tëra që merren me globalizmin dhe sfidat e tij, siç janë ato: financiare,
monetare, etnoreligjioze, të energjisë, të ushqimit, të varfërisë, të ujit të
pijshëm, të revolucionit kurrikular, të barazisë gjinore edhe në ekonomi, të
problematikës botërore ambientale, etj, etj. Ne ku jemi aktualisht? Ende pas frëngjisë, si kur edhe bënim dikur që e shihnim gjithë botën por se ajo të mos na shihte! Nga një shoqëri e mbyllur, arkaike dhe konservative edhe mund të dalësh në një shoqëri të hapur dhe globale që dinamizohet çdo ditë. Por se provincializmin dhe mentalitetin e mbyllur që kemi brenda është e vështirë ta lëmë pas, si një relike të kohës së kapërcyer. Të hapësh mentalitetin, do të thotë të kryesh një shndërrim të thellë kulturor edhe për shkaqe të thella historike, si antropologji që nuk e ke kaluar periudhën e revolucionit borgjez dhe të edukimit iluminist dhe civil që krijoi në shekuj shoqëria borgjeze, jemi dy herë të penguar dhe dy herë e më shumë të detyruar. Nga feudalizmi oriental edhe (ai komunist i tillë ishte por me bazë ideologjike) drejt e tek demokracia funksionale, po me ata njerëz dhe po me ato mendësi, nuk kërcejmë dot. Ja përse kemi mbetur varur në "murin e vështirësive" dhe as ulemi poshtë e as kalojmë në anën tjetër. Historia vazhdon. Dr. PËRPARIM KABO
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |