VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KONFRONTIMET MAQEDONASE PO I VËNË KAZMËN INTEGRIMIT Nga SHKËLZEN LUSHAJ E Djelë, 01.13.2013, 03:23pm (GMT1)
Prej dy-tri javësh, opinioni dhe qytetarët presin ankthshëm se ç'do të ndodhë me të ardhmen politike dhe integruese të vendit, pas zhvillimeve antidemokratike plot dramacitet të ndodhura më 24 dhjetor. Një opozitë e shqetësuar më shumë për veten dhe një pushtet moskokëçarës, është tabloja e parë që të shfaqet sysh sapo mendon situatën e krijuar. Në fakt, politika ballkanike dhe asfare evropiane del të jetë modeli kryesor dhe i përbashkët i veprimit të dy partive më të mëdha maqedonase, që ndonëse vetëshpallen si bartëse të shtetit, punojnë me sedije për shkatërrimin e tij. Ky ngërç brenda politikës maqedonase ka arritur të pezullojë plotësisht këto ditë funksionimin e jetës parlamentare dhe të krijojë imazhin e një vendi me mungesë stabiliteti të qëndrueshëm politik, duke u shquar kësisoj nga të gjitha vendet e rajonit për paaftësinë në zgjidhjen e kontesteve me mjete politike, në rrugë institucionale dhe ligjore.
Në të tilla rrethana, kushtet e opozitës maqedonase do të mbeten të
parealizueshme për sa kohë që nuk gjendet një modus vivendi dhe të vendoset
dialogu mes palëve, që është thelbësor për funksionimin e shtetit. Pushteti
duhet të ketë medoemos sens për kërkesat e opozitës, sado e keqe apo e mirë të
jetë ajo, pasi realizueshmëria e tyre është tregues për nivelin demokratik me
të cilin qeveriset shteti. Opozita, në çdo vend tjetër normal, nuk shpërfillet
dot dhe kjo përbën standard politik që duhet respektuar nga cilado qeveri.
Metodat e funksionimit unilateral duhet flakur tej, sepse situatat sikurse ato
të 24 dhjetorit do të jenë të pashmangshme edhe në të ardhmen. Po zgjidhja? Një takim liderësh dhe garancia e partive qeverisëse për zgjedhje të lira dhe korrekte, do të ishte minimumi që do të mundë të bëhej për të krijuar shtegdaljen e këtij ngërçi ndërmaqedonas, që po nuk u zgjidh në afate të arsyeshme kohore, mund të ketë pasoja vështirë të riparueshme për shtetin. Të paktën, gjithashtu, partitë qeverisëse do të duhej t'u bënin thirrje që tani organizmave ndërkombëtarë për të dërguar ekipet e tyre të vëzhgimit duke krijuar mirëbesimin e nevojshëm për një proces zgjedhor të rregullt dhe pa hile. Një veprim i tillë do të përbënte alternativën e kërkesës opozitare për formimin e qeverisë teknike dhe ndërrimin e ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë, që në gjykim të parë, është e papranueshme për cilëndo strukturë qeverisëse. Asnjë syresh nuk do të përcaktohej kurrë për riformatime dhe ndryshime kadrovike të diktuara nga opozita, aq më pak me argumentin se ato do të krijonin ambient më demokratik për zhvillimin e zgjedhjeve. Vështirë të ketë një aksh qeveri në botë, me mend në kokë, që do të pranonte në këtë mënyrë deficitin eventual demokratik të vendit që ajo drejton. E pamundur!
Sidoqoftë, bojkotimi i zgjedhjeve lokale është versioni më i keq dhe më pak i
dëshirueshëm, që do të kishte kosto të lartë për demokracinë dhe procesin
integrues të vendit, për të cilin është investuar jo pak në mbi dy dekada të
pavarësisë. Duke qenë kështu, duhet shpeshtuar përpjekjet për t'u rikthyer
besimi mes palëve dhe të dilet nga kjo situatë dëmprurëse për shtetin, për
qytetarët në përgjithësi dhe për shqiptarët, në veçanti. Këta të fundit, si
dashnorë të vlerave perëndimore dhe të integrimit në BE dhe NATO, duhet të jenë
të brengosur për faktin se përplasjet ndërmaqedonase janë kazma që i vihet
proceseve integruese, të cilat siç është e njohur tashmë, parakushtëzohen me
zgjidhjen e kontestit të emrit (një çështje kjo, që nuk duket se ka zgjidhje
për aq kohë sa do të zgjasë mungesa e konsensusit ndërmjet partive maqedonase,
akëcila e dalldisur pas sa më shumë votuesve). SHKËLZEN LUSHAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |