Sa herë analizohet tranzicioni shumica e studiuesve të huaj bashkohen me
vlerësimin se Shqipëria bën pjesë në ato vende ku pati vijueshmëri të elitave
midis sistemit të vjetër dhe sistemit të ri. Ky tipar gjendet edhe në Rusi dhe
disa republika të tjera ish sovjetike, dhe bën dallim thelbësor me tranzicionin
e shumicës së vendeve të tjera ish komuniste në Evropën Qendrore e Lindore. Në
dallim nga vende të tjera Shqipëria nuk pati disidencë politike, nuk pati
shtresim intelektual kritik ndaj regjimit, nuk pati lëvizje liberale apo shenja
të revoltës së organizuar elitare.
Intelektualët pro perëndimore qenë vrarë ose patën vdekur në burgje përpara
viteve 50, institucionet fetare qenë nxjerrë jashtë ligjit dhe kleri qe
eliminuar në mesin e viteve 60, qytetaria civile si nocion qe zëvendësuar nga
modeli i njeriut të ri, - ushtar, besnik, në bindje të përhershme, nën censurë
dhe kontroll, pa jetë private dhe liri krijimi, pa shanse karriere dhe hapësirë
mbijetese jashtë sferës së përcaktuar nga partia shtet. Akademikë, drejtues
të Lidhjes, rektorë e dekanë, profesorë dhe krijues qenë emëruar kryesisht
mbështetur në merita politike dhe përmes organeve politike (diktatori, Byroja
Politike, Komiteti Qendror, Komiteti i Partisë, Byroja e Organizatës, Sekretarët
e Byrove).
Ndryshimi i sistemit më 1990 u shoqërua me ndryshime në kornizën ligjore
e kushtetuese, në rikthimin e lirisë individuale, lirisë krijuese, lirisë
së lëvizjes, etj. Gjithsesi ky proces ruajti të paprekur sistemin piramidal të
elitave të pushtetit, madje ruajti të paprekur edhe sistemin e tyre të emërimit
dhe promovimit përmes shërbimeve politike, njohjeve personale dhe mbështetjes
publike përmes imazhit, jo produkteve shkencore, kulturore apo profesionale. U
ndryshuan rolet, institucionet me militantë të kuq u zëvendësuan me militant
blu, edhe këta të ardhur nga grupi i parë, dhe më vonë me militantë rozë, edhe
këta të ardhur nga e njëjta shkollë, e njëjta kulturë, i njëjti sistem mendimi,
vlerësimi dhe promovimi. Duke qenë të emëruar ata nuk mund të ishin të pavarur
dhe të lirë, përkundrazi mbetën peng të çdo pushteti që ka në dorë çelësat për
ushqimin ose shpërbërjen e sistemit të mbyllur piramidal të (për)zgjedhjes së
tyre. Dominues ishte brezi i viteve 60-70, i njohur si brezi i fletërrufeve,
produkt i modelit të njeriut të ri, me karrierë të njëjtë kohore në diktaturë
dhe demokraci. Rotacionet e pushtetit u shoqëruan me rotacionin midis tyre,
midis familjeve të mesme dhe të larta të sistemit të vjetër, ndërkohë që
sistemi i ri, edhe për këtë arsye dështoi të krijojë një elitë të re të hapur,
konkurruese, profesionale dhe kurajoze.
Të gjitha këto elementë trashëgimie negative shfaqen në shoqërinë shqiptare sa
herë vendi ka një situatë politike konfliktuale, p.sh në prag zgjedhjesh, në debatet
mbi pushtetin, në debatet mbi liderit politik dhe fatet e tyre apo kur një
ngjarje cenon stabilitetin e pushtetit. Në diktaturë sa herë diktatori ndjehej
i rrezikuar, kishte nevojë për një grup armiqësor apo klimë terrori, sa herë
shkëpuste marrëdhëniet me ndonjë shtet të fuqishëm apo ndërmerrte fushata
publike e populiste linçimi, siç ishte ajo e ateizmit apo revolucionit
kulturor, ajo kundër revizionizmit apo ajo e mbështetjes në forcat e veta, -
skenari ishte i njëjtë: peticione të pafundme zyrtarësh, aktivistësh politikë
dhe intelektualë të emëruar të pushtetit i drejtoheshin publikut në mbështetje
të pushtetit.
E njëjta skemë u përsërit më 1990, me peticionet populiste intelektuale kundër
ngjarjes së ambasadave, më pas kundër ngjarjeve të dhjetorit 1990, më pas
kundër grevës së urisë së studentëve dhe në mbështetje të Vullnetarëve të
Enverit, më pas në mbështetje të nismës së rrethit të R.Alisë për pajtim
kombëtar, më 1992 pro rotacionit politik, më 1993 pro e kundër arrestimit
të Nanos, më 1994 pro e kundër draftit kushtetues, më 1995 pro e kundër
Këshillit të Evropës, më 1996 pro e kundër zgjedhjeve, më 1997 pro e kundër
zgjidhjes politike të krizës, më 1998 pro e kundër ngjarjeve të shtatorit, më
1999 pro e kundër Rambujesë, më 2000 pro e kundër zgjedhjeve në Tiranë, më 2001
pro e kundër në zgjedhjet parlamentare, më 2002 pro e kundër presidentit
konsensual, më 2003 pro e kundër krizës në qeverinë e majtë, më 2004 pro e
kundër MSA përjashtimeve në PS, më 2005 pro e kundër rotacionit, më 2006 pro e
kundër prokurorit të përgjithshëm, më 2007 pro e kundër krizës në zgjedhjet
vendore, më 2008 pro e kundër lustracionit, më 2009 pro e kundër rezultatit të
zgjedhjeve, më 2010 pro e kundër grevës së urisë, më 2011 pro e kundër
rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, më 2012 pro e kundër paketës ligjore
integruese. 2013 nisi me peticione të reja populiste pro e kundër rolit të
opozitës në procesin integrues.
Në çdo rast pro/kundër qeverive të majta/djathta janë të njëjtët njerëz,
kryesisht nëpunës, miq të kryetarëve, emra që më shumë kanë fituar famë përmes
sistemit të vjetër të emërimit të elitave sesa sistemit të meritës dhe
konkurrimit profesional. Në shumicë pro qeverisë janë mjekë e mësues, artistë e
sportistë që firmosin në borderotë e saj, të afërm të liderit apo njerëzve me
pushtet, individë me dosje dhe përdorim të përhershëm apo emra pragmatistësh
politikë, të cilët të vetmin kontribut publik kanë qenien në çdo listë pro
pushtetit në 22 vitet e fundit. Të njëjtit që firmosin në emër të interesave të
mëdha të integrimit firmosën muaj më parë kundër grevistëve të urisë disidentë
të regjimit komunist, firmosën kundër çdo proteste të opozitës, qoftë protestës
së urisë, protestës bojkotuese apo protestës së dhunshme, siç edhe firmosën në
çdo apel lavdërues, mbështetës e promovues për pikëpamjet e liderit, qeverisë,
pushtetit. Dhe anasjelltas kur në pushtet është partia tjetër.
Në Shqipëri nuk ka pasur ende peticione kundër korrupsionit galopant, kundër
mbipushtetit të partive, kundër sistemit të mbyllur zgjedhor e politik, kundër
taksave abuzive apo vjedhjes së pasurisë private e publike, kundër pazareve të
politikës për shitje të kufijve shtetërore apo fyerjes së simboleve kombëtare.
Për qytetarët e shtetin nuk firmos asnjë elitar/intelektual, për pushtetin dhe
parinë politike firmosin të gjithë, sa herë duhet dhe me rimën e duhur. Si më
parë, interesat partiake/pushtetit qëndrojnë mbi interesat qytetare, dhe elitat
e emëruara blu/rozë vijojnë të funksionojnë me metodën e revolucionit kulturor,
modelin e fletërrufeve të gatshme që vijnë nga zyra e kryetarit të
partisë/kryeministrit/kryetarit të kuvendit, modelin e thirrjes në zbor nën
armë kundër armikut të brendshëm/jashtëm, me firma pa përgjegjësi në shkëmbim
të një privilegji personal e familjar, dhe me një gjuhë të ashpër, denigruese e
kërcënuese ndaj palës tjetër politike. Ndaj, sa herë e kërkojnë interesat e
partisë ata firmosin akuza kundër institucioneve kushtetuese dhe partnerëve
ndërkombëtarë, kundër shumicës qytetare dhe kritikëve të regjimit, dhe
anasjelltas, sa herë interesat ndryshojnë ndryshon edhe sjellja e tyre ndaj
institucioneve, partnerëve, qytetarëve dhe media kritike.
Ky cikël i mbyllur, fyes, primitiv dhe deformues për vlerat e një shoqërie të
hapur e demokratike rinxjerr në pah diferencën e thellë në formimin tonë
kulturor, shtetëror dhe demokratik, distancën midis shoqërisë së lirë të bazuar
në meritë dhe asaj të mbyllur të bazuar në emërim, midis shoqërisë qytetare dhe
shoqërisë së turmës, midis elitave modern dhe parive orientale. Një politikan
me mentalitet të deformuar mban peng përkohësisht një institucion, një post,
një parti, ndofta edhe një vend, por një elitë me sjellje të deformuar rrezikon
të mbajë peng të sotmen dhe të ardhmen e një vendi. Kjo po ndodh me shoqërinë
shqiptare, një vend me tranzicion të dështuar, ku parimi i "qeverisjes së
qytetarëve nga qytetarët, për qytetarët" është shndërruar me parimin e
"qeverisjes së pakicës, nga pushteti, për pushtetin".
Zgjidhja? Përvoja historike dëshmon se të metat e demokracisë mund të evitohen
vetëm me më tepër demokraci. E njëjta diagnozë vlen edhe për Shqipërinë.
Shoqëria është e lirë kur qytetarët, përfshirë elitat publike, janë të lira.
Zgjerimi i demokracisë e bën më të pasigurt pushtetin e sundimtarëve, djeg kartën
e politikës konfliktuale dhe populiste që na mban peng, si dhe bën diferencën
reale midis elitave dhe turmave në vendimmarrjen e arsyeshme politike. Zgjerimi
i demokracisë forcon institucionin e votës dhe fjalës, i rikthyen pushtetin
qytetarëve dhe për qytetarët, e bën më efektiv produktin e votës dhe
institucionet; respektimi i parimeve demokratike çliron nga ndjenja e frikës
dhe shërbimit edhe elitat e pushteteve, zëvendëson emrat e pushtetshëm
populistë me institucione të pushtetshme kushtetuese, zhvendos garancitë nga
rruga e forcës tek respekti për ligjin dhe legjislacionin, rivendos
konkurrencën dhe sistemin e meritës dhe kështu, bën ndarjen historike nga
modelet e shoqërive të mbyllura dhe i jep realisht jetë projektit konkret të
Shqipërisë Evropiane.