VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Këndvështrime teknike qeverisë së re Nga Skënder BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Hënë, 12.09.2024, 04:02am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

Këndvështrime teknike qeverisë së re Nga Skënder BUÇPAPAJ


E Premte, 09.04.2009, 01:22pm (GMT+1)

 

 

"Sidoqoftë të fituarit e këtyre zgjedhjeve jemi ne."

 

Pakkush ia ka vënë veshin kësaj deklarate me të cilën e mbyllte konferencën e parë të shtypit pas zgjedhjeve të 28 qershorit kryetari i LSI-së. Do të ishte ai i vetmi kryetar koalicioni zgjedhor që do të përmendte fjalën "të fituarit".

 

Skenarët e parashikuar të pas 28 qershorit ishin këta: Vendi do të shkonte menjëherë në zgjedhje të reja, sepse 28 qershori nuk do të jepte zgjidhje për qeveri të re. Do të ndërtohej koalicion qeverisës mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Do të ndërtohej koalicion qeverisës mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Do të ndërtohej koalicion qeverisës midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. I vetmi koalicion që nuk do të përfshihej në asnjë aritmetikë do të ishte koalicioni i kryesuar nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar.

 

Këto skenare i bënte të pashmangshme ligji me të cilin Shqipëria hynte në zgjedhje. Ishte ligji që e kishte kërkuar me ngulm Partia Socialiste.

 

Partia Socialiste e shikon si sakrilegj politik, pra si përdhosje morale të politikës, vendimin e LSI-së për t'u bashkuar në koalicion qeverisës me PD-në. Në fakt PS-ja e kishte ndërtuar fushatën e saj mbi sulme të njëkohëshme ndaj koalicionit të kryesuar nga PD dhe ndaj koalicionit të kryesuar nga LSI. Edhe LSI në të njëjtën mënyrë sulmonte koalicionet e PS-së dhe të PD-së. E vetmja që e kishte përqëndruar fushatën ndaj vetëm një kundërshtari, PS-së, ishte Partia Demokratike. Megjithatë, për hir të zgjidhjeve sa më të mira, pra për hir kompromiseve, retorikat e fushatave apo të situatave të ngjashme me fushatat, gjithmonë kapërcehen, thuajse kollajshëm, nga politika.

 

Nga skenarët e lartpërmendur, në të vërtetë, sipas shumicës së analistëve, më tepër të ngjarë kishte ai midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste apo anasjelltas. Them anasjelltas, sepse kjo varej nga fakti se kush nga koalicionet e kryesuara prej tyre do të merrte më shumë deputetë. Kryetari i Partisë Demokratike e pohoi vetë se, përndryshe, do t'ia kishte kërkuar edhe Partisë Socialiste koalicionin e përbashkët qeverisës. Kështu vendi do të qeverisej nga koalicioni i madh, siç quhen formacionet qeverisëse të përbëra nga dy forcat e mëdha politike të një vendi. Kështu përfytyrohej të kishte vepruar edhe homologu i PS-së.

 

Shembullin më të citueshëm të koalicionit të madh qeverisës e kemi tek ai midis CDU/CSU-së dhe SPD-së të Gjermanisë. Rezulati zgjedhor i para katër vjetëve kërkonte që cilado prej këtyre forcave politike, për të krijuar qeveri, të detyrohej të bashkohej me formacione politike ekstreme, çka do të ishte e dëmshme për vendin dhe rrënuese imazhi për secilën nga partitë e mëdha që do ta parapëlqente atë zgjidhje.

 

Në vendimin për koalicionin dy formacionet e mëdha politike gjermane vinin pas një përvoje të gjatë dhe kryesisht të suksesshme me parti të tjera, por edhe mbi bazën e një përvoje të mëparshme të përbashkët të koalicionit të madh qeverisës.

 

Edhe herën e parë do të ishte CDU ajo që do ta ftonte SPD-në në koalicionin e përbashkët qeverisës. Partia e Adenauerit, prej 1949 deri më 1963 zotëruese në Gjermaninë Perëndimore, më 1963, tash me kryetar Ludwig Erhard, detyruar nga largimi i FDP prej koalicionit, u detyrua ta ftonte SPD-në për koalicion dhe kryeministër do të ishte gjashtë vjet kristiandemokrati Kurt Georg Kiesinger.

 

Partitë në përbërje të spektreve pluraliste demokratike gjithnjë janë në kërkim të aleancave të qëndrueshme e sa më të ngushta partiake. CDU-ja (Bashkimi Kristiandemokrat), liberalkonservatore, parimesh gjithpërfshirëse krishtere demokratike, themeluar pas Luftës së Dytë Botërore fillimisht nga ish anëtarët e Partisë Katolike të Qendrës (pra, në fakt, rithemeluar) do të motërzohej me CSU-në (Bashkimin Kristiansocial) dhe do të kishin prej atëherë një grup të përbashkët në parlamentin gjerman. Edhe ky motërzim i ka rrënjët në traditën e marrëdhënieve të ngushta të paraluftës midis Partisë Katolike të Qendrës, prej nga zë fill CDU, dhe Partisë Bavariane të Popullit, prej nga zë fill CSU. Motërzimi midis këtyre dy partive shtrihet në sferën e forumeve të përbashkëta të këtyre partive, në kategoritë e të rinjve, grave, shtresave e grupimeve të tjera me të cilat i lidhin interesat këto parti. Ky motërzim u trondit fare përkohësisht nga një incident serioz më 1976, kur Franc Jozef Shtraus i CSU-së i dha fund aleancës me CDU-në, për shkak se CDU vuri kandidatë kundër CSU në Bavari.

 

Tronditjet në aleancat qeverisëse i sjellin edhe partitë e vogla. Kështu largimi i FDP-së nga koaliconi me CDU/CSU-në dhe bashkimi, më vonë, me SPD-në, do ta linte CDU/CSU-në prej vitit 1969 deri në vitin 1982 në opozitë. Helmut Kol do ta ftonte përsëri në koalicionin qeverisës këtë parti. Dhe do të krijohej tradita që diplomacinë do ta kishte FDP-ja e Hans Ditrih Gensherit dhe e Klaus Kinkelit, financat CSU-ja (i famshmi Teo Vaigel), ndërsa pjesën qendrore të qeverisjes do ta kishte CDU-ja. Të njëjtat lëvizje i ka bërë, nga ana e saj, edhe SPD-ja, parti e mirëfilltë e qendrës së majtë, me aleatët e saj të mirëfilltë, të gjelbërit. Edhe në kushtet e koalicioneve të mëdha qeverisëse, kur ka qenë e mundur, aleanca me partitë e vogla është mbajtur në nivel lokal, një nivel shumë i rëndësishëm në qeverisjen e vendeve demokratike.

 

Edhe PD-ja, që në fillimet e saj, është prirur të ketë në koalicion parti të tjera, të cilat ta përforconin përmasën sociale të qeverisjes së saj. Me këtë shpresë e nisi partneritetin me PSD-në, e cila, me votat e PD-së do të kishte një grup të konsiderueshëm parlamentar më 1992. Ky partneritet u dëshmua një përvojë e dështuar dhe e dëmshme, për vetë PD-në dhe për fatet e zhvillimeve të vendit. Me votat e saj, edhe PS-ja, duke imituar kundërshtaren, ka mbajtur aleate të vogla. Partitë e vogla, duke i shërbyer më shumë vetes se partnereve të mëdha apo vendit, janë shndërruar në parazite për politikën dhe jetën e vendit në këto vite të pluralizmit. Për ato u krijua edhe "Dushku", një fenomen ekskluziv i politikës shqiptare, i pashoq në përvojën e deriatëherëshme të pluralizmit tjetërkund.

 

LSI-ja, një parti e formuar kryesisht me anëtarësi të rrjedhur nga PS-ja, e votuar kryesisht nga elektorati i rrjedhur nga PS-ja, do të ishte e vetmja parti e vogël që hynte, katër vjet më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, thjesht me votat e saj. Kjo e bën bindëse atë në një koalicion qeverisës më 2009. Dhe Partia Demokratike është realiste në shpresat e saj që të ketë gjetur, më në fund, një aleat të qëndrueshëm, ky me një mbështetje të qëndrueshme në elektoratin shqiptar. Krijimi i një tradite të përbashkët PD-LSI do të jepte patjetër edhe mundësinë e profilizimit të rolit qeverisës, si në shembullin e cituar gjerman, të partisë së madhe e të partisë së vogël brenda qeverisë së përbashkët.

 

Duke iu kthyer këndvështrimeve në nisje të këtij shkrimi, mund të thuhet pa lëkundje se një koalicion midis PD-së dhe PS-së nuk do të ishte bindës, nga cilado të ishte kryesuar ai koalicion. Ata analistë që prireshin drejt kësaj dëshire, kishin parasysh si koalicionin e madh të përvojës gjermane ashtu edhe shembullin e PDK-LDK të një përvoje krejt të afërt, pra, të Kosovës.

 

PDK-ja dhe LDK-ja, në fakt, kishin pasur një përvojë konsiderueshëm të gjatë në koalicione të ashtuquajtura gjithpërfshirëse ku ato kishin kryesuar, herë njëra, herë tjetra. Qeverisja me opozitë ishte një përvojë e shkurtër, në periudhën kur qeverisnin LDK-ja dhe AAK-ja së bashku. Konkluzionet e koalicionit aktual PDK-LDK do t'i nxjerrë votuesi në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte.

 

Edhe PS-ja dhe PD-ja kanë pasur përvoja koalicionesh, më parë do të ishte Qeveria e Stabilitetit e vitit 1992, më vonë do të ishte Qeveria e Pajtimit Kombëtar e vitit 1997, të dyja me kryeministra socialistë, të dyja të imponuara nga situata krizash. Do të ishte, ndoshta, e kushtueshme për Shqipërinë të provonte prapë se a do të ishte konstruktive, joprodhuese krizash ose joamortizuese krizash, një bashkëqeverisje tjetër midis dy partive të mëdha.

 

LSI-ja mori një vendim optimal për veten dhe për interesat që ajo përfaqëson. Mori një vendim të domosdoshëm për fatet zhvilluese dhe integruese të vendit. Partia Socialiste, duke e stigmatizuar këtë vendim, vepron me parime jashtëpolitike. Dhe bën sikur harron se edhe vetë ajo do të kishte vepruar njëlloj. Sepse politika i bën kompromiset mbi bazën e frytshmërisë që përmbajnë ato, pra mbi bazën e pragmatizmit konstruktiv, me një term tjetër, mbi bazën e idealizmit pragmatik. Dhe vlerësohen, maten nga publiku, elektorati, populli, faktorët e tjerë mbi po këtë bazë. Koncepte të kulluara si burrëria, paburrëria, besa, pabesia, në këtë kontekst, janë koncepte dhe parime jashtëpolitike, prandaj përbëjnë retorika afatshkurtëra. Për të pasur rezultate, çdo bashkëpunim, çdo partneritet, çdo aleancë, çdo koalicion kërkon përkushtim të vetëdijshëm e të zellshëm, veçmas kërkon koherencë, sa më të plotë, sa më transparente, midis pjesëmarrësve dhe ndaj publikut. Nëse ia arrijnë kësaj PD dhe LSI korrin suksese për vete dhe meritojnë mirënjohje e vlerësim. Nëse jo, atëherë ndodh e kundërta. Përfitojnë kundërshtarët. Nuk dihet a përfiton apo nuk përfiton vendi.

 

Koalicioni PD-LSI përkon me një periudhë tejet vendimtare për fatet e vendit, për fatet e kombit, për fatet e integrimeve të brendshme dhe të jashtme, për fatet e atyre zhvillimeve që ose do ta çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët, do ta çojnë rajonin drejt hopesh të mëdha të gjithanshme, ose do ta bëjnë të kundërtën në përmasa shumëfish më të mëdha.

 

Opozita, PS-ja në radhë të parë, ka mundësi të japë ndihmesën konstruktive në këtë drejtim, duke dëshmuar se di të veprojë në të mirën e saj, në të mirën e interesave, të ngushta dhe të gjera, që përfaqëson. Kështu ajo do të dëshmohet ndër të fituarit e vërtetë të 28 qershorit.
Skënder Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Deutsche Welle: Marrëdhënie të komplikuara ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare (09.03.2009)
Deutsche Welle: Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS mbylli punimët, por nuk zgjidhi dilemat para socialistëve (09.01.2009)
Editorial: Zhvillimet e vendit në pritje të zhvillimeve socialiste (08.27.2009)
Senatori Ted Kenedi ose më i paepuri i Dinastisë së lavdishme KenediNga Elida BUÇPAPAJ&am (08.26.2009)
Efektet e agjerimit në organizëm (08.25.2009)
Editorial: Proceset shqiptare janë të pandalshme (08.23.2009)
Evropa e Lirë: Propozimet e pazbatueshme për veriun (08.22.2009)
BBC: Këshillë për muajin e Ramazanit (08.21.2009)
EULEX të gjejë gjuhën e përbashkët me Prishtinën (08.18.2009)
Evropa e Lirë: Çka më tutje në Kroin e Vitakut? (08.18.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]