VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
REFLEKSIONE NGA ZHVILLIMI I VEPRIMTARISË ATDHETARE PËR SKËNDERBEUN Nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA) E Hënë, 02.04.2013, 07:31am (GMT1) ![]()
Është domethënës programimi dhe përkushtimi për të organizuar një veprimtari
atdhetare përkujtimore në Amerikë, sidomos për figura shqiptare që e kalojnë
përmasën kombëtare kur bie fjala për Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Ne, anëtarët
e shoqatës "KOMBI" në Worcester, Massachusetts kemi tashmë më shumë përvojë nga
organizimi i Simpoziumit për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit (2008), i
festimit të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës (2010), i festimit të Pavarësisë
së Kosovës (2011) apo edhe së fundi nga festimi me madhështi i 100-vjetorit të
Pavarësisë së Shqipërisë (2012). Pra, është përmbushje e misionit tonë
atdhetar, por edhe bazë e programit tonë të Identitetit Kombëtar. Aq më tepër
që, festimet apo përkujtimi i përvjetorëve historikë për ngjarje dhe figura të
shquara janë një domosdoshmëri për ta mbajtur gjallë edhe veprimtarinë tonë,
shoqatën Atdhetare Kulturore "KOMBI" dhe dashurinë për Shqipërinë dhe
shqiptarët si dhe për kombin amerikan.
Vlerësimi dhe bashkëpunimi me njerëz të letërsisë, artit dhe shkencës.
Për fatin tonë, në Amerikën e Veriut (nga Hartford,CT , Worcester, MA e deri në
Boston,MA (zona e Anglisw së Re) banojnë disa njerëz të letrave shqipe si :
Aristotel Mici, autor i librave "Prejardhja e emrit shqiptar" dhe
"Himni i Flamurit" ku është përfshirë edhe trajtesa "Shtegtimi i
armëve të Skënderbeut". Është Rozi Theohari, autore e librit "Jehona
Skënnderbeg-jane" dhe një aktiviste e palodhur për Identitetin Kombëtar
shqiptar në shtetin e Massachusetts.
Është Raimonda Moisiu, autore e disa librave dhe artikujve ku bie në sy edhe
përkushtimi i saj për të pasqyruar punën e aktivistëve të çështjes kombëtare
siç është libri i saj me 61 Intervista me figura veprimtarësh shqiptarë të
Diasporës. Është Lediana Stillo, poete dhe përkthyese, Skifter Këllici
shkrimtar, Fuat Memeli poet dhe gazetar, Rita Saliu poete, Rezarta Reso
përkthyese, Vasil Rrakaj skulptor, Dhimitër Cika ikonograf, Ardian Murraj
gazetar dhe dokumentarist e disa të tjerë. Janë me dhjetëra shqiptarë me grada shkencore master dhe profesor doktor në fushën e mjekësisë si PhD Denis Kola, Dr. Gani Abazi, kimisti i talentuar Mikel Sharrëxhi , Rolanda Dhimitri, kimiste gjithashtu dhe shumë të tjerë në disa fusha të shkencave ekzakte dhe shoqërore. Ka profesorë shqiptarë që japin mësim si Meri Treska, fizikane në MIT apo në Harvard University, Vesel Kucuku dhe Tomi Stefani në Quinsigamond College etj. Dhe kjo s'është pak. Ne po tregojme vëmendje për të vlerësuar kontributin e tyre, sepse na nderojnë me nivelin e arritjeve dhe përfaqësimin e tyre në kompanitë dhe audiencat e kolegjeve amerikane.
Përbashkimi si nevojë e ditës...
Përbashkimi i shqiptarëve të Amerikës është nevojë e ditës, është kërkesë e
kohës edhe për faktin, sepse vërehet një situatë gjumi, një në vendnumëro e
mbuluar me lavdinë e brezit të fillimshekullit të kaluar. Ende s'ka një vizion
të ri për Ardhmërinë dhe Identitetin Kombëtar, një strategji më saktë për të
gjithë shqiptarët e Amerikës. Por ajo që është më e rëndësishmja, përbashkimi
po merr konturet e tij kur vërtet bëhen veprimtari me cilësi siç ishte
simpoziumi për Skënderbeun i organizuar në Worcester si askund në Diasporë apo
edhe në Shqipëri apo Kosovë. Ne shqiptaro-amerikanët e ardhur pas 1990-ës në Amerikë përcjellim një mesazh të fortë edhe tek shqiptarët e lindur këtu në Amerikë para ardhjes sonë, por edhe tek shqiptarët në tërësi, sepse kur ka përkushtim për programin e Identitetit Kombëtar ka edhe sukses. Dhe ne harrojmë gjithë vështirësitë e kësaj pune vullnetare që na dalin përpara, sepse dimë të organizojmë e t`i paraprijmë suksesit me botime periodike, me libra dhe artikuj, me dokumentarë dhe ekpsozita, me simpoziume, me ligjërata të shkruara dhe këtu në Amerikë, me pasqyrim në kohë e me cilësi për gjithë shqiptarët e Amerikës dhe Kanadasë, me një njoftim në vazhdimësi për programin tonë edhe me rrjetet sociale apo faqet e internetit, www.kombiusa.org, në Facebook apo me takime të drejtpërdrejta me shqiptarët, me bashkëveprim të ndërsjelltë me liderë aktivë të çështjes Kombëtare Shqiptare.
Bashkëpunimi midis organizatave shqiptare është baza e suksesit
Kështu, vërtet ne e organizuam simpoziumin me organizatën më të fuqishme
shqiptaro-amerikane, LQSHA e New York që lobon në Uashington për Cështjen
Kombëtare për 24 vjet, por programuam e zhvilluam këtë veprimtari edhe me
pjesëmarrje përfaqësi të shoqatave si më poshtë: Shoqata e Shkrimtarëve, New
York; e studentëve shqiptarë të Universitetit të Konektikat; e Kosovës në
Boston; e MassBesa në Boston, e Bletës (Dardha) në Boston dhe aktivistë të
komuniteteve shqiptare në Rod Ajlend, Hartford dhe New York. Ndaj edhe programi
dhe informacioni që përcolli kjo veprimtari ishte i qëmtuar me kujdes dhe i
larmishëm për nga temat që u shtjelluan për të plotësuar figurën e Skënderbeut
në të gjitha drejtimet, sepse u njoftuan të gjithë pa dallim, të gjithë
shqiptaro-amerikanët që kanë punuar e janë ende në vijën e parë kur bie fjala për
festimin apo përkujtimin e ngjarjeve të tilla madhore me temë kombëtare. Plus,
ne nxjerrim mësime nga cdo veprimtari, ne përfitojmë nga shkëmbimi i përvojës
me Bordet Drejtuese a me këdo që është i hapur të diskutojë e të ndihmojë me
ide që cojnë në përmbushjen e misionit tonë atdhetar.
Historia çerekshekullore e DioGuardit
Joseph Diouardi u shkrua përfundimisht në historinë e kombit shqiptar si
misionar i shqiptarisë në periudhën e fundfillimshekujve 20-të dhe 21. Ai është
për ne shqiptarët një nga figurat madhore të lëvizjes kombëtare për çlirimin
dhe Pavarësinë e Kosovës dhe për më shumë të drejta njerëzore të shqiptarëve në
Kosovën Lindore, Mal të Zi, dhe Maqedoni. Ish-kongresmeni amerikan me origjinë
arbëreshe u përball me Milloshevicin për të dënuar dhunën ndaj shqiptarëve të
Kosovës dhe genocidin serb për spastrimin etnik të territoreve të banuar nga
shqiptarët në Ballkan në territorin e Ish-Jugosllavisë.
Aktiviteti diplomatik e patriotik i DioGuardit në Amerikë, Europë dhe në
Australi tregon për një udhëheqje largpamëse dhe për gjithëpërfshirjen e
shqiptarëve në çështjen Kombëtare Shqiptare. Ndaj ai edhe sot është krah nesh
për më shumë ndërgjegjësim e përkushtim për çështjen kombëtare. Kështu, organizimi i veprimtarise përkujtimore per Skënderbeun nga Shoqata "KOMBI" e Worcester,MA bashkë me organizatën më të fuqishme lobiste në Uashington për çështjen Shqiptare për më shumë se 20 vjet e sidomos me referues Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloeys DioGuardi i dha një dimension kuptimplotë përbashkimit të vlerave edhe të shqiptarëve të letrave shqipe këtu në Amerikën e Veriut, sidomos në New England dhe New York. Kush më mirë se DioGuardi mund të rrëfeje historinë e Skënderbeut në Kongresin Amerikan dhe në qytetet amerikane ku ka shumicë shqiptare apo edhe para audiencave universitare? Sepse ai është trashëgues e përçues i vlerave të vërteta kombëtare edhe për arsye të rrënjëve të tij arbëreshe që lidhen pikërisht me Skënderbeun.
Dhe natyrshëm, Uashingtoni e besoi DioGuardin për Kosovën. Sepse kongresmenët
amerikanë të udhëhequr e këshilluar nga DioGuardi panë me sytë e tyre në
Prishtinë dhe Beograd ç`po ngjiste në Kosovë në fillimvitet e 1990-ës! Jospeph DioGuardi është ambasadori i vërtetë i shqiptarëve të Ballkanit në Amerikë, që prej vitit 1986. Eshtë me rrënjë arbëreshe nga fshati Greci, vendbanim i ushtarëve të Skënderbeut nga rrjedh edhe familja e tij. Pra, ka një histori trashëguese të Identitetit edhe pse gërshetohen tek familja e tij tre kombësi: amerikane, shqiptare(arbëreshe) dhe italiane.
Nuk ka një figurë tjetër pas Nolit dhe Konicës në Amerikë, në periudhën
shekullore 1912-2012 përvec DioGuardit që ka një angazhim total politik,
diplomatik, atdhetar, humanitar dhe bashkëveprues me Presidentët Amerikanë ,
Kongresin Amerikan, Senatin Amerikan, liderët shqiptarë të Ballkanit apo dhe me
aktivistë të Diasporës Shqiptare në botë. Edhe pse Diaspora shqiptare në Amerikë
është e paqartë për një ribashkim të ri, DioGuardi ka ditur të udhëheqë me
largpamësinë e tij për ta promovuar Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen Shqiptare
në tërësi.
"Sikur të mos këmbëngulnim për Kosovën më 1992, kur edhe hartuam Rezolutën
për Pavarësinë e Kosovës, zor se do të bëhej Kosova e Lirë dhe e Pavarur kaq
shpejt",- thotë me siguri DioGuardi. Lum kombi dhe Kosova për DioGuardin! Risjellja e kësaj rezolute në anglisht, në simpozium e përcjelle nga një studente aktive në punën atdhetare sic është Krisela Karaja me shoqatën e studentëve shqiptare të Universitetit të Konektikat është edhe një mundësi më shumë për të promovuar figurën e Skënderbeut tek amerikanët, por edhe për ta bërë më shumë të njohur tek brezi i ri i shqiptarëve që kanë lindur në Amerikë në këto dy shekuj. Por duke patur mes nesh DioGuardët, hartuesit origjinalë të Rezolutës është edhe një natyrshmëri shqiptare për t`i falenderuar për këtë punë kaq vizionare për ne shqiptarët e Amerikës por edhe për shqiptarët në tërësi si komb i lashtë, sepse ne identifikojmë me këtë figurë kombin, flamurin dhe Shqipërinë.
Një dhuratë speciale për miqtë e shqiptarisë
Ajo për mua është shqiptarja e Amerikës që dhuron lulen përmetare Barbarosa ! Dhe na sjell në mendje qytetin simbol të luleve -Përmetin. E mbaj mend në takimin për nder të themelimit të Kishës së Shën Gjergjit në Boston,MA-SHBA nga Noli në mars, në vitin 2009 kur i dhuroi lulen Barbarosa priftit me origjinë shqiptare At Artur Liolin,pasardhësit të Nolit. Dhe të gjithë u mahnitën dhe e duartrokitën për dhuratën me një histori tashmë përmbi njëqindvjecare. Një lule të tillë, zonja Rozi ja dhuroi edhe Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga në Boston, më 2012, në vitin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
... 26 Janar 2013. Libraria Qendrore Worcester, Massachusetts,SHBA. Simpoziumi
për Skënderbeun i organizuar nga Shoqata "KOMBI" dhe Lidhja Qytetare e
DioGuardit kishte marrë udhë. E morën fjalën ish-Kongresmani DioGuardi dhe
Shirley Cloeys DioGuardi, këshilltare për Ballkanin, një nga ligjërueset më të
zjarrta për çështjen Kombëtare Shqiptare në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Dhe
me radhë ligjëruan shkrimtarë dhe poetë nga New York, (përmbi tre orë e gjysëm
me makinë nga vendi ku u zhvillua veprimtaria); nga Hartford i shtetit
Konektikat , nga shteti Rode Ajlend, nga Boston i Massachusetts .I erdhi radha
të përshëndeste shkrimtarja dhe poetja Rozi Theohari, njëra nga aktivistet e
mirënjohura në Massachusetts për gjallërinë dhe bukurinë e fjalës së saj. Ajo u
paraqit në podium me librin e saj "Jehona Skenderbeg-jane" dhe
pikërisht edhe me dhuratën speciale: Lulen Barbarosa. Dhe si një fisnike, si
një mërgimtare kur përfundoi fjalën e saj, ajo i dhuroi ciftit DioGuardi,
Joseph dhe Shirley lulen e ardhur përmbi njëqind vjet nga Përmeti, të kultivuar
në Amerikë nga një familje shqiptare së bashku me librin "Jehona
Skënderbeg-jane".
Salla u elektrizua ! Sa domethënëse kjo dhuratë për një grua, shkrimtare dhe
poete! Po sa u mrekulluan DioGuardët kur mësuan për historinë e lules Barbarosa
që edhe pse mbi 100 vjet në Amerikë ajo thirrej po Barbarosa dhe ka për mbiemër
vendlindjen Përmeti. Ky ishte dhe casti më pikant, më kuptimplotë i dhurimit
sipas traditës shqiptare të njerëzve të letrave shqipe: libra dhe lule!
Mërgojnë e trashëgohen shqiptarët, librat shqip, simbolet kombëtare dhe...lulet
shqiptare! Sa bukur! Na le një kujtim të bukur zonja Rozi! Të urojmë mbarësi e shëndet për fjalëurtën tënde që e ke shqipëruar në Amerikë, që ta trashëgojmë traditën e bukur të letërsisë shqipe brez pas brezi. Promovimi i librit "Rrethimi i Shkodrës" në anglisht i autorit David Hosaflook Është i pari promovim në Amerikë dhe i dyti një javë më pas veprimtarisë në Muzeun Historik Kombëtar. Jo vetëm që është një mundësi më shumë për ta lexuar e mësuar për qëndresën dhe shpirtin luftarak të shqiptarëve edhe 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, por edhe është një mesazh i qartë se kur qëndron për dicka të drejtë sic është Liria dhe Pavarësia suksesi është i padiskutueshëm! Dhe fakti është që Kalaja e Rozafës nuk u muar me luftë nga Turqit. Këto dy rrethime dramë më 1474 dhe 1478 janë një frymëzim i pashembullt për kineastët amerikanë dhe shqiptarë për të projektuar një film në Hollivood për një nga ngjarjet më të mëdha të shekullit të pesëmbëdhjetë në Europë ku sillet në detaje dyluftimi i një ushtrie vullnetare shqiptare shumë të vogël në numër, gati sa një gjysmë divizioni kryengritësish në njërën anë me turqit e Perandorisë Osmane që kishin një armatë disa qindra mijëshe të armatosur, me topat më moderne të kohës, me gjylet disa qindra kilogramëshe, që nuk arritën dot të shkatërrojnë bedenat e kalasë së Rozafës.
Çfarë kuptojmë me fjalën Calabria? DioGuardi shpjegoi edhe prejardhjen e provincës në Itali me emrin Calabria. Cala = Kal+a(bria); abria= a(r)bria ose Kalaja e Arbrit! Sepse arbëreshët e Italisë janë shqiptarët e qytet-kalave shqiptare.
Mesazhi i punës atdhetare
Të punojmë së bashku! " Gur-gur bëhet mur"! Ky është mesazhi që
përcjellim ne në Worcester në radioprogramin Ora Shqiptare e drejtuar nga
Andrea dhe Rebeca Tanaca, www.wcuw.org cdo të shtunë nga ora 2 deri në 4
pasdite me orën e Shqipërisë si dhe në takimet e drejtëpërdrejta me njerëzit
apo edhe në veprimtaritë tona atdhetare e kulturore. Ne vërejmë edhe në Worcester,
MA, se ka grupe në qytet apo individë që duan ta përdorin komunitetin
shqiptaro-amerikan për influencë dhe interesa personale, por jo për t`i kthyer
gjallërinë e duhur për Identitetin Kombëtar. Këtu në Amerikë flasin për Nolin,
por kur u themi hapur për ta nderuar me një shtatore as që u bie në mend! As
kudo. Dhe bëjnë e be e rrufe për Nolin! Noli i bëri bashkë shqiptarët dhe
ndihmoi Shqipërinë ,por ende nuk e ka marrë nderimin që i takon as në Shqipëri
as në Amerikë. Prandaj, shoqata KOMBI u bën një pasqyrim më real vlerave kombëtare, kur themi se këtu në Worcester,MA njëqind e një vjet më parë erdhi Noli dhe Konica e përndezën Bashkimin e madh të shqiptarëve të Amerikës. Këtu këndoi zotin në shqip At Stath Melani, dëshmor i kombit shqiptar apo prej Worcester,MA u nisën djemtë e Bandës Kombëtare që ngritën Shqipërinë më këmbë më 1920 me këngën e Thoma Nasit Vlora-Vlora!
Ne shqiptarët jemi komuniteti i vetëm nç Worcester si edhe në tërë SHBA nga më
të vjetrit që s'kemi një qendër kulture të mirëfilltë! Dhe ndaj u kërkojmë
kujtdo që ka dëshirë e dashuri për kombin dhe Shqipërinë : Ejani të bashkohemi
, ta bëjmë dhe Qendrën Shqiptare të Kulturës në cdo qytet amerikan me shumicë
shqiptare që t`i rikthejmë dinjitetin Identitetit tonë kombëtar akoma edhe më
shumë!
Që t'i mbajmë të gjalla rrënjët tona kombëtare me më shumë veprimtari atdhetare,
që të mos harrojmë nga kemi ardhur! ARTUR VREKAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |