VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
A DUHET NDJEKUR SHEMBULLI I RUSISË Nga SHABAN MURATI E Hënë, 02.25.2013, 12:11pm (GMT1) ![]()
Një muaj më parë, në 21 dhjetor 2012 Duma ruse kishte miratuar në leximin e
parë një projektligj, të përgatitur nga komisionet e saj, i cili ndalon
qeveritarët, deputetët dhe nëpunës të shtetit, që të kenë llogari bankare në
bankat jashtë vendit, si dhe të kenë pasuri e prona të paluajtshme në vendet e
huaja. Sipas këtij projektligji, deri në 1 qershor të vitit 2013 zyrtarët e
shtetit duhet të mbyllin llogaritë bankare jashtë dhe të shesin pronat që
disponojnë jashtë vendit e t'i transferojnë kapitalet në atdhe, duke raportuar
burimet e të ardhurave mbi bazën e të cilave janë krijuar ato llogari bankare
dhe prona jashtë shtetit. Agjencia "Ria Novosti" njoftonte në 22 shkurt se tani
Duma përgatitet që të kalojë në leximin e dytë këtë projektligj, i cili mund të
miratohet si paketë e përbashkët, ku të shkrihen projektligji i dhjetorit dhe
propozimi i presidentit, i miratuar në 22 shkurt, dhe ku ndalohet që zyrtarët
të kenë llogari bankare dhe prona jashtë shtetit.
Parlamenti i Rusisë krijon një precedent të ri verifikimi legjislativ për
vendet ish-komuniste, ku abuzimi me pushtetin dhe me postet shtetërore ka marrë
përmasa të frikshme dhe është shndërruar në mënyrë jetese shtetërore. Ky
precedent kërkon hyrjen në një fazë të re të konsolidimit të shtetit juridik,
kërkon një angazhim serioz dhe të thellë rreth mjeteve, mënyrave dhe
mekanizmave të vendosjes në rrugë të drejtë të funksionimit të institucioneve
qeveritare, parlamentare, politike, ekonomike dhe morale, në shtetet që dolën
nga regjimet totalitare komuniste dhe hynë në rrugën e sistemit perëndimor të
organizimit të shtetit dhe të ekonomisë. Sepse, ndërsa masat e uritura dhe të
varfra shumëmilionëshe në vendet ish-komuniste ëndërruan se me përmbysjen e
komunizmit do të shijonin automatikisht parajsën e shoqërisë së konsumit, qeveritarët
dhe zyrtarët e lartë të këtyre shteteve zbuluan postet shtetërore si shkopi
magjibërës i transformimit të menjëhershëm të vetes në milionerë të shoqërisë
së re. Kështu u krijua në vendet ish-komuniste me këtë shkop magjik shtresa e
re e zyrtarëve milionerë, zotësia e të cilëve ishte vetëm se uzurpuan poste
shtetërore e politike fitimprurëse në regjimet demokratike. Dhe që ta shijojnë
siç duhet shoqërinë e konsumit dhe të luksit, i futën milionat e paligjshme në
llogari bankare të shteteve të huaja dhe blenë vila e prona në zonat më
ekskluzive të Perëndimit. Kjo ndodhi dhe po ndodh në të gjitha shtetet
ish-komuniste, që nga Kina, Rusia e deri në Shqipëri.
Është një fenomen degradimi i regjimeve të reja demokratike në vendet
ish-komuniste, i cili gërryen themelet e shtetit, të demokracisë, të ekonomisë,
të lirisë, të të drejtave të njeriut, të moralit etj. Ndaj dhe ndalimi i
pronësisë së llogarive të majme bankare dhe i pronave luksoze jashtë shtetit të
qeveritarëve dhe të zyrtarëve të lartë konsiderohet si nevojë e një politike
reale të luftës kundër korrupsionit shtetëror. Sepse është jashtë çdo logjike
që qeveritarë dhe zyrtarë të lartë, të cilët kanë pasur në dorë mekanizmat e
koncesioneve, licencave, lejeve, privatizimeve, trafikut të influencës dhe
lobizmit të habitshëm e të palejueshëm nëpërmjet uniformës së shtetit, kanë
arritur me rrogat e tyre modeste të krijojnë llogari të fryra bankare dhe të
kenë prona të paluajtshme në shtetet perëndimore. Ky është një fenomen tipik në
të gjitha shtetet ish-komuniste, nga Rusia e deri në Shqipëri. Natyrisht, si
qytetarë të thjeshtë, jashtë çdo posti zyrtar, apo si biznesmenë që rrinë në
biznes dhe nuk blejnë poste qeveritare dhe parlamentare për të shumëfishuar
bizneset e tyre, secili ka të drejtë të mbajë llogari bankare dhe prona jashtë
shtetit. Por si zyrtar, ministër apo deputet, që zyrtarisht kanë pasur si mjet
jetese vetëm punën e zyrtarit apo të politikanit, dhe i lejojnë vetes luksin e
pronësisë në llogari bankare, vila e apartamente në kryeqytetet më të shtrenjta
të Europës, kjo është një situatë, që nuk duhet ta lejojë as shteti, as
qeveria, as parlamenti dhe as institucionet e zbatimit të ligjit. I pari që
duhet t'i bëhet barrikadë këtij fenomeni të shëmtuar dhe të papranueshëm, duhet
të jetë ligji.
Drejtimi tjetër ku nxit mendimin ky fenomen, është ai që ka të bëjë me raportin
mes llogarive bankare të zyrtarëve në shtetet e huaja dhe sigurisë kombëtare.
Sepse, nëse në Shqipëri, qeveritarë, deputetë, politikanë, gjyqtarë, prokurorë,
ushtarakë të lartë, doganierë dhe komisarë policie, kanë llogari bankare në
Serbi apo në Greqi, në Mal të Zi apo në Maqedoni, në Qipro, në Rusi apo në
Kinë, kjo nuk mund të mos ketë efektet e veta të drejtpërdrejta apo të
tërthorta edhe në sistemin e sigurisë kombëtare të vendit. Llogaritë bankare
nuk kanë atdhe, por nëse ato llogari bankare janë krijuar mbi bazën e
komisioneve dhe sponsorizimeve të shteteve të huaja, të kompanive të huaja, të
cilat kanë fituar tenderat e privatizimeve dhe të koncesioneve në vend, patriotizmi
i llogarive bankare merr një identitet të caktuar, i cili natyrisht është shumë
larg atij kombëtar. Sepse mund të flasësh për patriotizëm dhe për nacionalizëm
gjithë ditën e gjithë natën për t'u tallur me vulgun, por nëse llogaritë
bankare të qeveritarëve, të grave dhe të fëmijëve të tyre ndodhen jashtë vendit
dhe ushqejnë sistemin bankar dhe ekonominë e vendeve të tjera, patriotizmi dhe
çiftelitë e nacionalizmit vetëm bëjnë të qeshin bankat e huaja dhe shtetet ku
ndodhen llogaritë dhe pasuritë e paluajtshme të zyrtarëve. Është një fenomen që
haset në të gjitha shtetet ish-komuniste, që nga Rusia e deri në Shqipëri, ku
qeveritarë, deputetë dhe politikanë, pasi ushtrojnë veprimtaritë shtetërore në
vend dhe mjelin postet zyrtare, zgjedhin të largohen dhe të gëzojnë frytet e
postit në shtetet e huaja, ku kanë llogaritë bankare dhe pronat e tyre. Për të
mos thënë absurdin shqiptar, që disa ish-zyrtarë të lartë vazhdojnë të tallen,
duke pretenduar që edhe nga vilat e apartamentet e tyre luksoze perëndimore, të
vëna me paratë e trafikut të posteve shtetërore, të japin mend se si ndërtohet
Shqipëria gjithëpërfshirëse demokratike dhe shteti juridik.
Drejtimi tjetër i diskutimit është se përse qeveritarët dhe zyrtarët kanë pasur
dhe kanë frikë dhe ato miliona në valutë të huaj i kanë depozituar në bankat e
shteteve të tjera. Kjo dëshmon se ata, as nuk kanë besim në shtetin dhe në
shoqërinë demokratike, as duan të ndërtojnë shtetin dhe shoqërinë demokratike
në vendin e tyre dhe as duan të japin kontribut në lehtësimin e krizës
ekonomike dhe financiare dhe në arkat e zbrazëta të shtetit. Sepse nëse
llogaritë bankare dhe pronat e paluajtshme të qeveritarëve dhe të zyrtarëve do
të ndodheshin brenda vendit, ato do të ishin një injeksion i dobishëm për
rigjallërimin e ekonomisë dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.
Duma ruse dha gjithashtu edhe një shembull të një modeli të rrallë për sjelljen
politike lindore, tepër të vlefshëm për parlamentet e shteteve ish-komuniste,
si Rusia apo Shqipëria. Një nga deputetët më të vjetër të partisë qeveritare
dhe kryetar i Komitetit Parlamentar të Etikës, Vladimir Pehtin dha dorëheqjen
si deputet në datën 20 shkurt, sepse u akuzua nga lideri i opozitës se
dispononte prona dy milionë dollarëshe në një nga zonat ekskluzive të Majami
Biç të SHBA-ve. Ai dha dorëheqjen edhe pse akuza u bë thjesht në një blog të
liderit të opozitës Aleksej Navalski, dhe pa pritur një verifikim të akuzave
nga ndonjë institucion i ligjit. Këtu shfaqen dy elementë mësimdhënës. Modeli i
parë është ai i deputetit dhe i politikanit të partisë në fuqi, i cili jep
dorëheqjen për një akuzë të opozitës. Modeli i dytë është ai i pjesëmarrjes dhe
i ndikimit të kontrollit publik dhe të opinionit publik mbi autoritetet, sepse
në fushatën kundër korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë janë angazhuar
mijëra njerëz të pavarur dhe intelektualë, që mendojnë se shoqërisë dhe atdheut
i vihet në ndihmë, duke zbuluar publikisht të vërtetën e korrupsionit. Ai që
zbuloi pronat e deputetit të Dumës në Majami Biç, ishte një profesor rus në një
universitet të Spanjës, i cili studioi librat e regjistrimit të pronave në
Florida dhe nuk kishte asnjë interes politik. Duma ruse, pavarësisht nga rrethanat dhe implikimet, koha dhe prapaskenat, dha për vendet ish-komuniste një shembull klasik të rrugës institucionale që duhet ndjekur për të luftuar korrupsionin dhe që paratë e taksapaguesve dhe të fondeve publike të mos transformohen në vila në bregdet dhe në llogari bankare të zyrtarëve në shtetet e huaja. A duhet ndjekur shembulli i Dumës së Rusisë edhe nga parlamenti i Shqipërisë? Mendoj se duhet ndjekur, sepse qeveritarë, deputetë dhe politikanë, që kanë abuzuar me pushtetin dhe planifikojnë të kalojnë vitet me vilat dhe llogaritë bankare në qytetet dhe shtetet perëndimore, nuk janë më pak se në Rusi. Popujt e mëdhenj dhe kulturat e mëdha edhe në ditë të vështira gjenerojnë shembuj modeli pozitiv në kërkim të së vërtetës dhe të së drejtës, dhe është në të mirë të popujve të vegjël të ecin në këto gjurmë. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |