Evropa e Lirë: A po lobohet për Kosovën?
E Mërkurë, 09.09.2009, 03:18pm (GMT+1)
Përfaqësues të opozitës kosovare thonë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera përgjegjëse në lobimin për njohjen e shtetit, janë, siç shprehen, në një krizë të brendshme. Njohja e fundit e Kosovës në muajin korrik nga Republika Dominikane, sipas nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, dëshmon se përveç paralajmërimeve të zyrtarëve për njohje të reja, nuk po ndodh asgjë në skenën ndërkombëtare, që do të ishte në favor të rritjes së numrit të njohjeve për Kosovën.
"Ministria e Punëve të Jashtme, por edhe institucionet e tjera që janë të obliguara me Kushtetutë që të veprojnë në ketë drejtim, nuk kanë një qasje serioze; tash e një kohë të gjatë Kosova nuk është njohur nga asnjë vend. Në anën tjetër, kemi deklarata të përditshme pompoze nga ana e përgjegjësve të këtyre institucioneve që në këtë javë, ose në javën tjetër, Kosova do të njihet nga kaq ose aq shtete", thotë Makolli.
Ndërsa, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pohojnë se kanë shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e mundshme për t'i bindur shtetet hezituese, që ta njohin Kosovën.
Zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri, thotë se lobimi për njohjet e reja zhvillohet në vazhdimësi, por për shkak të korrektësisë ndaj vendeve që janë në proces të njohjeve, paralajmërimet për këto njohje nuk bëhen publike pa konfirmime zyrtare.
"Lobimi bëhet në të gjitha fushat, në të gjithë sektorët dhe në të gjitha paralelet e mundshme. Me këtë dua të them se MPJ është duke i shfrytëzuar të gjitha kanalet diplomatike".
"Është e vërtetë që pak dihet në opinion për atë që bëhet, pasi që diplomacia dhe, veçmas lobimi, është më shumë diskrecion. Ne, vazhdimisht, kemi kontakte, veçmas me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse aty përqendrohet edhe puna jonë lobuese", thotë Beqiri.
Zonja Beqiri ka shtuar se me datën 22 të këtij muaji, ministri i Punëve të Jashtme do të ketë takime të shumta në OKB me përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur deri më tash pavarësinë e Kosovës.
"Qoftë presidenti, ashtu edhe ministri i Jashtëm, iu ripërsërisin përfaqësuesve të vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, kërkesën e vazhdueshme për ta njohur shtetësinë e Kosovës", shpjegon zëdhënësja Beqiri.
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, gjithashtu ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se, siç thotë ai, nuk është duke bërë deri më tash asgjë sa i takon fushatës paralajmëruese për ndryshimin e imazhit të Kosovës në botë.
"Kemi fjalë të mëdha, veprime zero, absolutisht veprime zero. Edhe ato kompani, të cilat do të rrisin imazhin e Kosovës, veprimi i tyre është absolutisht i padukshëm", shprehet zoti Makolli.
Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, konsideron se puna e një kompanie për përmirësimin e imazhit të Kosovës nuk mjafton.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte sa më parë konstituimin e ambasadave të Kosovës në vendet që, tashmë, e kanë pranuar Kosovën shtet. "Më mirë ka qenë që Qeveria e Kosovës të ndante mjete në përgatitjen e ekipeve, të cilat do të shkonin nëpër shtete, nëpër zyrat diplomatike kudo në qendrat e vendosjes, dhe të bënin veprimet e duhura për të pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me të gjitha shtetet që ta njohin Kosovën", thotë Ahmeti.
Zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Memli Krasniqi, thotë se fushata për përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë, e udhëhequr nga kompania "Saatchi and Saatchi", është në fazën fillestare. Sipas tij, së shpejti pritet të nisë transmetimi i spoteve të para.
"Ky është një projekt tepër i rëndësishëm dhe komisioni ndërministror ka selektuar tash, nga pesë propozimet, një nga konceptet ideore. Ky koncept ka filluar të realizohet dhe reklama do të xhirohet në ditët në vijim dhe më pas do të procedohet imitimi i kësaj në të gjitha stacionet e rëndësishme botërore", deklaron Krasniqi, duke shtuar se me një fushatë të tillë synohet popullariteti i Kosovës- përmirësimi i imazhit të Kosovës, mundësia e investimeve si dhe, siç thotë Krasniqi, do të ketë edhe efekte pozitive në aspektin diplomatik.
www.voal-online.ch
|