VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KATUNDARËT E POLITIKËS SHQIPTARE I LIDHIN ORIGJINA, PAZARET DHE DASHNORET, QEVERISJA MARRËVESHJE E MBYLLUR Nga SHENASI RAMA E Shtunë, 03.09.2013, 05:53pm (GMT1)
Rrahja jonë elektorale dhe politike, protestat e kacafytjet i ngjajnë kësaj ndodhie. Nga jashtë, në nivelin e popullit, politika shqiptare duket një rrahje e marrë midis qorrave politikë. Po të kishin sy, njerëzit do ta shihnin se palët e parisë janë pjesë gjymtyrë e parisë së Tiranës. Paria e Tiranës është problem, elefanti për të cilin grindemi sepse ne thjesht prekim një gjymtyrë a një tjetër dhe ato nuk janë njëlloj. Mirëpo, të gjithë këta janë të lidhur me njëri-tjetrin, me martesa, me interesa, me shoqëri konviktesh, me bashkëfajësi krimesh, me dashnore, me bashkëpronësi biznesesh, dhe mbi të gjitha, me origjina katundesh që lindin me shumicë dhe pa ndërprerje, udhëheqës politikë e afaristë, sikur ajri i malit afër teqesë dhe uji i kroit afër kullës kanë diçka magjike.
Së pari, një hata e madhe që ia nxori petët lakrorit, Gërdeci. Të gjithë ishin
në tavë, të gjithë kishin pjesë, të gjithë politikanët e parisë ishin të lidhur
me krimin që bëri hatanë dhe hodhi në erë një fshat të tërë e terrorizoi
Tiranën. Ai që ka dyshim, të dëgjojë tabulatet telefonike dhe figurativisht do
të gjejë në një dhomë të errët allishverishesh Sali Berishën, të bijën dhe vetë
të Bekuarin Apostolik, pisqollën mediatike, Fahri Balliun, Edi Ramën, Fatmir
Mediun, kunatin e kunatën e Sali Berishës, dhe të gjithë të tjerët që nuk dinin
e nuk folën, që nga presidenti Topi tek zëvendësi i tij Kreshnik Spahiu, që nga
Ilir Meta tek ata që dinin e që ruajtën interesat e përbashkëta dhe e qepën
gojën e nuk folën.
Së dyti, le të shihet pak organizimi i zgjedhjeve. Këta i kanë bërë të gjitha
gati që t'i vjedhin, që nga Kodi Zgjedhor tek listat e komisionerëve e tek
votuesit dhe i kanë gati edhe marrëveshjet se kush do të qeverisë nesër.
Përditë shahen me libër shtëpie në televizionet e gazetat paçavure por
marrëveshjet i bëjnë urtë e butë dhe pa asnjë problem. Së treti një fenomen
interesant është edhe riciklimi. Vetëm në Tiranë politikanët i ndërrojnë
partitë si ua ka qejfi dhe interesi. Dhe lista është shumë e gjatë. Droga?
Politikanët tanë kapen në aeroporte me drogë. Trafikimi? Politikanët tanë janë
të lidhur me të gjithë bandat e mundshme. Korrupsioni? Politikanët tanë janë
kapur me video, me zë, në banjo, në tavan, në dhomë, me mbërthecka, pa
mbërthecka, duke marrë para, duke u sjellë si kafshë dhe të gjithë e dinë e nuk
flasin. Vajza e kujt u martua me kë? Kush i bëri pushimet ku dhe kë? Kur të
verifikohet lista e pafund e pronave që kanë blerë jashtë, e llogarive që kanë,
e pasurisë që kanë vënë, e me rradhë do të shihet se këta nuk e kanë seriozisht
as rrahjen e as politikën. Këta rrihen si në cirk. Sa mbarojnë rrahjen në
televizionin e rradhës, i fusin një paçe me kokë e me gjuhë lope, me pak uthull
vendi, se atë e prodhojmë tani, dhe fërkojnë duart që ia futën edhe kësaj here
popullit shqiptar. Këta na urrejnë dhe në mendjen e tyre jemi një popull kot,
pis e budalla që mashtrohet për një kockë e që këta kanë vendosur ta rrjepin të
gjallë e deri sa të mos i mbesë as gjurma.
Që të kthehemi tek fabula e fillimit, qorrat u rrahën dhe një i mençur ua tha
të vërtetën dhe ata i kërkuan falje njëri-tjetrit. Në rastin tonë, ne i kemi
sytë në ballë dhe elefanti është kjo e vërteta e madhe që të gjithë e dinë, por
që nuk kanë as guxim ta thonë hapur: këta janë në tavë të gjithë bashkë, kjo
është paria e Tiranës. Zhurma mediatike, rrahja e bisedat tek emisionet e
shpëlara e pa pikë vlere, bombardimi me emisione si BB Albania e me rradhë i
shërbejnë shplarjes së truve të shqiptarëve. Këta janë kundër shqiptarëve, këta
duan të na hanë të gjallë, këta kanë punuar e vazhdojnë që të punojnë pa pikë
hezitimi kundër nesh. Këta janë të gjithë njëlloj. Këta janë kriminelë, vrasës,
trafikantë, banditë, gjakpirës, shkatërrues e zvetënues të së ardhmes së
fëmijëve tanë. Këta punojnë ditë e natë për vete dhe kundër interesave tona.
Shqiptarët duhet të zgjohen e të shohin të vërtetën. Ajo që ka ndodhur nën
sundimin e tyre është një krim që është bërë kundër nesh. Ajo që do të ndodhë
në të ardhmen do të jetë një krim që do të shkatërrojë jetën e të ardhmen e
fëmijëve tuaj.
Në përfundim, duhet thënë e përsëritur kjo gjë, kaq hapur e shqeto sepse, kur
të na hapen sytë, këta do të kenë ikur në parajsat e republikave të bananeve ku
i kanë fshehur pasuritë e ndërtuara me gjakun tonë e që këta i kanë vjedhur pa
mëshirë e pa menduar dy herë. E atëherë, ndoshta nuk do të jemi më qorra, por
duke mos e pasur elefantin aty, do të vazhdojmë të rrihemi me njëri-tjetrin se
si ishte elefanti dhe pse nuk bëmë asgjë, kur këta po na e pinin gjakun të
ngrohtë e pa pikë mëshire. Si thuhet diku, unë e thashë të vërtetën dhe e kam
ndërgjegjen e qetë. Ti që po e lexon këtë shkrim, dhe që ke arritur deri këtu,
mendohu mirë para se të thuash mendimin tënd. Jo për tjetër, por skllavëria
fillon me vetëmashtrimin dhe me vetëbindjen se e vërteta është ndryshe prej
asaj që është. Mos u bëj qorr me sy në ballë. Thuaji "jo" parisë së Tiranës. SHENASI RAMA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |