VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TAP DHE SINDROMA E SAHATIT TË TIRANËS
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 03.18.2013, 10:28am (GMT1)


Nga legjendat urbane të kryeqytetit shitja e sahatit të Tiranës është shndërruar në një simbol të ironisë së hollë me ata, që shesin diçka që as nuk e kanë dhe as u takon. Sindroma e sahatit të Tiranës duket se ka infektuar edhe diplomacinë dhe qeverinë e Shqipërisë, të cilët po kërkojnë t'ia shesin opinionit publik projektin e gazsjellësit TAP njëlloj si dikush dikur sahatin e Tiranës. Kjo sindromë mori një shfaqje të re në rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit dhe ministër i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiç, në Tiranë në 11 mars. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë deklaroi në konferencën e përbashkët të shtypit me homologun malazez: "Ajo që është më thelbësore, unë i propozova z. Luksiç, që vendet tona, Shqipëria dhe Mali i Zi dhe ndoshta edhe vende të tjera të rajonit, konkretisht Kroacia, të nënshkruajnë një memorandum të përbashkët mirëkuptimi për të mbështetur projektin TAP. Jam i gëzuar dhe i lumtur që pata mbështetjen e z.Luksiç në këtë drejtim".

Projekti i gazsjellësit TAP nuk është një projekt shqiptar, nuk është as një projekt në të cilin Shqipëria ka ndonjë rol, peshë dhe të drejtë vendimmarrësi apo propozuesi. TAP është një projekt biznesi i përbashkët i kompanive të mëdha si 'Statoil' norvegjeze, 'EGL' zvicerane dhe 'Ruhrgas' gjermane, i cili synon të sjellë gazin kaspik drejt Europës, duke kaluar nëpër Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali.

Planifikimi i një degëzimi të gazsjellësit në shtetet e tjera apo i një vije të re të transmetimit të gazit është sipërmarrje e madhe dhe e rëndësishme. Ai nuk është dhe nuk mund të jetë kurrsesi as vendim, as dëshirë dhe as propozim i një shteti, që është thjesht një hallkë tranzitimi. Nuk janë kurrë shtetet tranzituese, që vendosin apo të marrin nismën se ku do të devijojë trajektorja e një gazsjellësi apo degëzimet e tij. Vendimin e degëzimeve e ka gjithmonë shteti apo konsorciumi, që e ndërton dhe e financon gazsjellësin. I tillë është për shembull rasti i gazsjellësit rus "South Stream", që kalon nëpër Ballkan dhe për të cilin parashikohet një degëzim i dytë nga Greqia në Itali, por as Greqia dhe as Italia nuk e dinë ende, nëse do të kalojë andej apo jo, sepse vendimmarrja është në dorën e Gazpromit, që e ndërton atë gazsjellës. As Greqia dhe as Italia nuk kanë mundur t'i sugjerojnë Gazpromit se ku duhet t'i bëjë degëzimet apo të marrin nisma individuale për këto degëzime. Në këtë kuptim Shqipëria nuk ka asnjë peshë vendimmarrjeje në rastin e gazsjellësit TAP dhe nuk ka as të drejtë dhe as kompetenca të bëjë propozime, që i takojnë konsorciumit. Shqipëria nuk është as aksioniste e konsorciumit, që e ndërton dhe as aksioniste e konsorciumit dhe e shtetit që disponon pellgun e gazit dhe që e ofron për shitje këtë gaz. Kjo do të thotë se angazhimi publik i diplomacisë për t'u paraqitur si nismëtare e ofertës për kalimin e një vije të furnizimit me gaz nga TAP tek tri shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, ngjan me një infeksion të sindromës së sahatit të Tiranës.

Ajo që e bën më konfuze situatën është fakti se edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi iu paraqitën publikut sikur secili prej tyre ishte nismëtar i propozimit për të lidhur Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet e rajonit në rrjetin e gazsjellësit TAP dhe falenderuan reciprokisht njeri-tjetrin për të njëjtën nismë. "Jam shumë mirënjohës për mbështetjen që gjeti nisma ime që gazsjellësi të përfshijë sa më shumë shtete të rajonit", deklaroi në konferencën e përbashkët të shtypit ministri i Jashtëm malazez. Madje që nisma ishte më shumë e mysafirit nga Mali i Zi, e përforcoi bindjen komunikata e Presidencës shqiptare për takimin e presidentit me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, ku theksohet se lidhur me projekte të tilla si TAP dhe IAP, (gazsjellësi adriatiko-jonian), "kryediplomati malazez kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë". Le t'i lemë diplomacitë e të dy shteteve të hahen për autorësinë e nismës.

Shitja e projektit TAP si sahatin e Tiranës ndoshta është bërë një sëmundje ballkanike ose ndoshta një simulim ballkanik. Diplomacia shqiptare me sa duket po kërkon të imitojë diplomacinë e Greqisë, e cila ishte e para që aplikoi sjelljen për t'i shitur Shqipërisë projektin TAP si sahatin e Tiranës. Kalimi i gazsjellësit TAP nëpër Shqipëri është vendim i konsorciumit, që financon ndërtimin e gazsjellësit dhe aspak i vendeve nga të cilat do të tranzitohet ai gaz. Por diplomacia greke arriti që t'ia shiste Tiranës sahatin TAP, duke i kërkuar si shpërblim pranimin dejure apo de facto të marrëveshjes së turpshme të detit, që qeveria shqiptare kishte nënshkruar me firmën e Lulzim Bashës në prill të vitit 2009 dhe që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e anuloi me të drejtë si akt antikushtetues dhe antikombëtar. Qeveria e Shqipërisë jo vetëm që e bleu sahatin e Tiranës të markës TAP, por u përpoq shumë dhe madje edhe tani po kërkon që t'ia servirë opinionit publik sikur nga Greqia varet fati për jetë a vdekje i kalimit të TAP-it në Shqipëri.

Nuk duket rastësi që qeveria e Shqipërisë, pasi e ka blerë nga Athina sahatin e Tiranës të markës TAP, po e pompon projektin TAP si çlirimin e dytë të Shqipërisë, për hir të të cilit ia vlen të falësh e të sakrifikosh jo vetëm detin, por edhe bjeshkët e malet e rrënjës. Kur kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaron në mbledhjen e qeverisë në 13 mars me seriozitetin më të madh se projekti TAP është mundësia e re e madhe e Shqipërisë për t'u bërë superfuqi energjitike, kjo nuk duhet marrë vetëm si një eufori gjenetike e trashëguar nga mentaliteti i kohës së çlirimit të dytë të Shqipërisë, por edhe si një shantazh mbi forcat politike shqiptare dhe mbi opinionin publik për ta bindur se statusi i superfuqisë energjetike kërkon sakrifica detare. Natyrisht, duhet të ngjallë diskutim logjik se qysh e bën TAP Shqipërinë një superfuqi energjetike, kur ai gazsjellës do të kalojë edhe nëpër shtete të tjera të rajonit si Turqia dhe Greqia. Kërkon gjithashtu përgjigje pyetja tjetër se si do të bëhet Shqipëria superfuqi energjitike në rajon, kur gazsjellësi i madh rus "South Stream" do të kalojë në Bullgari, në Serbi, në Bosnjë-Hercegovinë, në Slloveni, përveç se do të ketë një degëzim të planifikuar për në Kroaci. Për informimin e lexuesit, po përmendim se edhe Mali i Zi ka rënë në marrëveshje me kompaninë e madhe shtetërore ruse të gazit, "Gazprom", për studimin e fizibilitetit rreth një degëzimi të gazsjellësit rus "South Stream" për në Mal të Zi, pas bisedimeve të delegacionit të "Gazpromit" me qeverinë e Podgoricës vitin e kaluar. Nëse gjithë shtetet e rajonit janë hallka e stacione tranziti të gazsjellësve të ndryshëm, kjo do të thotë se të gjitha ato shtete u bëkan superfuqi energjitike, ose nuk duket se mbetet vend për një superfuqi energjitike shqiptare.

Nëse do të ishte vërtet Shqipëria, që do të vendoste se ku duhet ta bëjë degëzimin gazsjellësi TAP dhe ku duhet të kalojë një vijë tjetër furnizimi përveç destinacionit Itali, logjika kërkon që qeveria të ndërmerrte nisma apo propozime energjitike për Kosovën dhe jo për Malin e Zi, i cili ka një treg konsumi me popullsi tri herë më të vogël se e Kosovës. Por në gjithë reklamat zhurmuese zyrtare të Shqipërisë për gazin dhe gazsjellësit, Kosova nuk sugjerohet asnjëherë.

Sindroma e sahatit të Tiranës e pengon diplomacinë dhe qeverinë e Shqipërisë të shfletojë kronologjinë dhe të vërtetat e gjërave. Është konsorciumi që do të financojë ndërtimin e gazsjellësit TAP, i cili ka shprehur shumë kohë më parë interesimin për të realizuar kushtet dhe marrëveshjet e duhura edhe të një furnizimi të shteteve në veri të Shqipërisë nëpërmjet TAP-it. Është konsorciumi TAP AG, që ka nisur shumë kohë përpara "nismave të diplomacisë shqiptare" përpjekjet dhe aktet për të bashkuar dhe angazhuar qeveritë e disa shteteve të rajonit në projektet ballkanike të TAP-it. Ndaj me gjithë euforinë e tanishme të propozimeve apo nismave për bashkime tre apo katërpalëshe, kjo që i serviret publikut tani nuk është gjë e re. Në shtator të vitit 2007, Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi, në rang qeveritar kanë nënshkruar në Zagreb marrëveshjen shtetërore trepalëshe për realizimin e projektit të gazsjellësit adriatiko-jonian, IAP, që do të kalonte në tri shtetet dhe që do të lidhet me pikën e stacionit të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Në vitin 2008, me këtë marrëveshje qeveritare u bashkua edhe Bosnjë-Hercegovina. Në funksion të këtij planifikimi, konsorciumi i gazsjellësit TAP ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi në muajin shkurt 2011 me Kroacinë, në muajin prill 2011 me Bosnjë-Hercegovinën dhe në muajin maj 2011 me Malin e Zi, për të lidhur dhe furnizuar gazsjellësin adriatiko-jonian nga stacioni i gazsjellësit TAP në Shqipëri. Në muajin korrik 2011, TAP AG ka nënshkruar edhe me qeverinë e Shqipërisë memorandumin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për mundësinë e lidhjes së gazsjellësit TAP me IAP-in. Nëpërmjet kësaj lidhjeje, konsorciumi TAP AG planifikon të furnizojë me gaz Shqipërinë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Me një fjalë, ky gazsjellës ndërkombëtar që do të kalojë nëpër Ballkan është projekt biznesi i kompanive të mëdha energjitike, të bashkuara në një konsorcium, i cili financon e paguan paratë e ndërtimit të gazsjellësit. Vendimmarrja është pra e këtij konsorciumi dhe jo e qeverive të shteteve, nga ku do të kalojë gazsjellësi.

Nëse është gjykuar se TAP përbën një përparësi strategjike, ahere diplomacisë i takon të ndërmarrë veprimtari dhe aksione diplomatike mbështetjeje pranë qendrave që vendosin furnizimin e gazit dhe qendrave që ndërtojnë gazsjellësin. Lojërat e vogla ballkanike njëra me tjetrën të shteteve tranzituese nuk mund të emërtohen të karakterit strategjik apo jetik. Kjo do të thotë se nuk mund të kenë të drejtën dhe kënaqësinë t'ia shesin sahatin e Tiranës të markës TAP, as Greqia Shqipërisë dhe as Shqipëria Malit të Zi.


SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.