VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NJË OFERTË E MUNGUAR! Nga REDAN BUSHATI E Hënë, 03.25.2013, 10:21am (GMT1)
Nuk dua të ndalem te analiza apo fakte të stërthëna, ku demokracia që prisnin
shqiptarët në fillimvitet '90 tanimë na rezulton se qenkësh një godinë e
rrënuar me një fasadë verbuese të mbajtur në këmbë nga ngjyrat e bojërave.
Duket sikur fatin e viteve postdemokratike ta ketë komanduar një dorë e fortë,
ndofta vetë komunizmi me bëmat e tij. Shikoni ku është futur sot Shqipëria jonë
e dashur dhe ndoshta do të bindeni mu për këtë! Nga ajo lindje e demokracisë
shqiptare erdhën dhe u kristalizuan dy parti, të cilat sot kanë uzurpuar
fuqishëm jetën e vendit: në njërin krah Partia Demokratike, sot në pushtet, dhe
në krahun tjetër Partia Socialiste, prej tetë vitesh në opozitë. Problemi shqiptar
nuk qëndron në pasjen e këtyre dy partive, por në faktin se kultura popullore
në masë nuk percepton dot objektivisht të ardhmen e saj, duke i besuar një
force politike, qoftë edhe e ndryshme nga dy "pushtueset", por që beson se
diçka të re mund të sjellë.
Teksa zgjedhjet e 23 qershorit sa vijnë e po afrohen kemi përballë,
fatkeqësisht, sërish dy opsione, të sprovuara më herët, qoftë në pushtet
qendror, qoftë në pushtet lokal: PD dhe PS. Partitë e tjera, që tashmë
etiketohen si të vogla, sillen si satelitë rreth tyre, përjashto këtu partitë e
reja të sapoformuara, të cilat këto zgjedhje i kanë si provën e tyre të parë
(AKZ apo FRD). Gjithsesi, edhe këto të fundit, paçka se të reja në emër dhe
pozicionim karshi elektoratit e koalicioneve partiake, përbëhen nga figura të
dala nga i njëjti sistem politik, pikërisht ai i prodhuar nga dy partitë e
vjetra. Kjo krijon një rreth vicioz, ku populli i gjorë sillet e pështillet
rreth tij, jo vetëm se nuk ka ku të shkojë, porse është i paaftë të mendojë një
rrugëdalje a rrugëzgjidhje kundrejt këtij sistemi. Po realisht për çfarë ka nevojë populli shqiptar, në mënyrë që hapat demokratizues të jenë sa më të drejtë dhe që politika të mos jetë kaq konfliktuale dhe e pamëshirshme ndaj shoqërisë që drejton apo që vendi të mos ndahet në kësisoj llogoresh të rrezikshme? Pra, vetvetiu populli shqiptar duhet të nxjerrë nga kultura e tij, shpirti i tij, edukata e tij, nga e gjithë qenia e tij një forcë të re politike, të aftë të ndryshojë sistemin. A janë mundësitë? Ata varen kryesisht nga populli, por edhe nga bota intelektuale e pavarur (ndonëse edhe kjo po "shterrohet" çdo ditë e më tepër), e cila si qëllim ka jo ngopjen me pushtet, por rritjen e zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Në Itali ndodhi ajo që pakkush mund ta priste, e që për ne duket mjaft e largët. Mirëpo, nëse vërtet mendojmë për vendin tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për një vend që e duam dhe dëshirojmë ta shikojmë sa më të zhvilluar nevojitet një ofertë e duhur, e jo kjo që deri tanimë, përreth 22 vjet, është ofruar nga ky sistem dhe nga kjo klasë politike, ku gjithçka sillet rreth vetes, e për më tepër nuk prodhon asgjë të re. Asgjë! - *Analist në Nacional Albania REDAN BUSHATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |