VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

QIPRO - NJË SHTET TE SEMAFORI
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 03.25.2013, 11:54am (GMT1)




A do të bjerë Qipro si një fik rrekë në koshin e ambicieve dhe llogarive gjeopolitike të Rusisë? Kjo është pyetja thelbësore, që përmbledh situatën e një shteti, i cili po fundoset në mes të Mesdheut. Ndërsa pothuaj e gjithë vëmendja e opinionit publik ndërkombëtar është përqëndruar tek çështja, nëse mund t'i nxjerrë vetë Qipro shtatë miliardë eurot që i duhen menjëherë kesh, për të siguruar ardhjen e 10 miliardë eurove të tjera, të premtuara nga grupi i Eurozonës, Rusia po luan rolin e bastexhiut, që e di se do të fitojë me siguri një ndeshje të trukuar gjeopolitike. Moska i hodhi poshtë me mospërfillje, të gjitha lutjet, ofertat dhe propozimet, që i paraqiti ministri qipriot i Financave gjatë bisedimeve në kryeqytetin rus në 20-21 mars, dhe, as presidenti rus dhe as kryeministri rus nuk denjuan ta takonin dhe të dëgjonin përgjërimet financiare të qeverisë së një shteti, i cili figurativisht mund të quhet "ishull i kuq në detin Mesdhe". Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, deklaroi më 22 mars, se bisedimet dështuan dhe investitorët rusë nuk paraqitën interes për propozimet qipriote.

"SOS"-i qeverisë së Qipros nuk funksionoi në Moskë, sepse dihet që Rusia nuk ka nevojë as për të marrë pjesë në sistemin bankar qipriot dhe as për të fituar akses në depozitat problematike të gazit dhe të naftës të zbuluara në ujërat që rrethojnë Qipron. Rusia ka një objektiv shumë të qartë, të vjetër dhe të ri gjeopolitik, që është, sigurimi i një baze ushtarako-detare në ishullin e Qipros. Gazeta greke "Katimerini", duke analizuar bisedimet ruso- qipriote për ndihmën financiare, shkruante në 20 mars se një port detar në Qipro për flotën ruse, është ndër çmimet që Rusia mund të kërkojë. Gazeta "Uashington Post" shkruante në 22 mars se ka informacione për mundësinë e instalimit të një baze ushtarake ruse në Qipro. Korrespondenti grek i gazetës turke "Hurriyet", Jorgos Kirbaki, shkruante në 21 mars nga Athina, se rusët gjatë bisedimeve u paraqitën qipriotëve grekë propozimin që t'i jepen Rusisë baza të forcave ajrore dhe detare në Qipro, dhe sipas kanalit televiziv shtetëror rus RIK, Moska ka kërkuar të ketë të drejta në aeroportin Pafos dhe bazë detare në Mari të Qipros.

Që në mes është çështja e një baze ushtarake ruse në Qipro, kjo është e njohur në qarqet diplomatike dhe strategjike perëndimore. Loja për të mbjellë konfuzion po bëhet, nëse këtë bazë po e kërkon Rusia si çmim, apo po e jep Qipro si ofertë. Mediat ruse po e paraqesin sikur e oferton Qipro, ndërsa mediat perëndimore e paraqesin se këtë gjë e kërkon Rusia. Gazeta ruse "The Moscow Times" e datës 21 mars, duke folur për bisedimet ruso-qipriote, shkruante se "raporte u përhapën në Moskë se Qipro ishte gati t'i ofronte Rusisë akses në depozitat e pasura të gazit, një thelë të madhe të bankave të saj dhe bile një bazë ushtarake detare në shkëmbim të ndihmës financiare".

Sido që ta paraqesë njëra apo tjetra palë, e vërteta në mes është se çështja dhe mundësia e një baze ushtarako-detare ruse në Qipro ndodhet në sirtarët e bisedimeve. Kriza aktuale financiare duket se është zgjedhur si alibi e dy kryeqyteteve për të justifikuar finishin e pazareve tek kjo bazë ushtarake. Kjo i jep krizës financiare qipriote një përmbajtje dhe një origjinë tjetër nga ajo që duket në ekran, dhe shtyn të shkosh tek mendimi se Rusia mund të qëndrojë prapa gjithë këtyre skenarëve të sofistikuar apokaliptikë për shtetin e Qipros, me qëllim që ta çojë drejtimin e zhvillimeve te vendosja e një baze ushtarako-detare. Plani dhe ambicia e Rusisë për një bazë ushtarako-detare në Qipro janë intensifikuar pas shpërthimit të revolucionit demokratik në Siri, ku alternativa e dëbimit të regjimit autokrat dhe të bazës ushtarake ruse në Tartuf të Sirisë, po bëhet çdo ditë e më e afërt. Në fillim të marsit, Flota ushtarako-detare e Rusisë njoftoi se planifikon që të vendosë një prani të përhershme detare në Mesdhe. Sipas burimeve diplomatike, qysh në korrik të vitit të kaluar, kur u ashpërsua konflikti në Siri, gjatë bisedimeve të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov me ministren e Jashtme qipriote të asaj kohe, Moska ka paraqitur kërkesën e lejimit të një pikëmbështetjeje detare në Qipro për flotën ruse të Mesdheut. Ministrja e jashtme qipriote, në atë kohë e përgënjeshtroi se po bisedohej për një bazë ushtarake ruse në vend, por ishte pikërisht muaji kur kriza financiare qipriote ishte shfaqur në skenë dhe kur BE kishte dërguar një mision me planin e masave të ashpra të kapërcimit të krizës. Tani që Qipro e ka thikën në grykë, kur parlamenti i saj në 19 mars hodhi poshtë propozimin e trojkës europiane për sigurimin e një shume kesh prej 7 miliardë eurosh nëpërmjet taksimit të depozitave bankare, Rusia e ka më komod terrenin për të lozur me Qipron dhe për ta detyruar atë që të refuzojë edhe plane të tjera antikrizë të BE-së dhe për të justifikuar çdo lloj lëshimi që mund t'i bëjë Moskës në planin strategjik.

Duhet pranuar se loja gjeopolitike e Rusisë favorizohet nga vetë Qipro, prirjet, lidhjet dhe orientimet proruse të së cilës janë një sekret publik. Në Bruksel u habitën dhe u zëmëruan që Qipro, anëtare e BE-së, iu drejtua së pari Moskës për ndihmë financiare dhe jo Brukselit, por kjo nuk vjen ngase udhëheqja qipriote ka besim më shumë te Moska sesa te Brukseli, por sepse ajo do Moskën më shumë se Brukselin. Rusia ka në bankat qipriote 30-40 miliardë euro, të cilat përdoren jashtë çdo kontrolli dhe vëzhgimi ndërkombëtar për të gjitha punët e pastra dhe të papastra të Moskës në arenën ndërkombëtare. Kryeministri rus Dimitri Medvedev deklaroi se investimet në Rusi nëpërmjet Qipros i kalojnë 50 miliardë dollarët. Në Qipro janë vendosur të jetojnë dhe të ushtrojnë veprimtaritë e shumëllojshme 60 mijë rusë dhe afro gjysma e blerësve të pronave të patundshme në Qipro janë rusë. Parajsa fiskale qipriote e ka çelësin në Moskë dhe rusët kanë gjithashtu çelësin ta kthejnë shumë shpejt në një ferr fiskal, siç po bëhet tani.

Lëvizjet sizmike financiare të ishullit shkojnë përtej financave. Qipro po luan një lojë antieuropiane, antiatlantike dhe antiperëndimore. Siç nënvizonte agjencia "Rojter" në 21 mars, Qipro po luan një lojë të rrezikshme gjeopolitike. Objektivi final i kësaj loje gjeopolitike me sa duket nuk është kapërcimi i krizës së rëndë financiare, por është vendosja e Rusisë në Qipro me një bazë ushtarako-detare. Është e kuptueshme se vendosja e një baze ruse në detin Mesdhe në ishullin e Qipros do të përbënte një ndryshim rrënjësor të kompozicionit gjeopolitik në Mesdhe në dëm të Perëndimit, në një pozicion strategjik kyç të kryqëzimit të rrugëve dhe të interesave mes Europës, Afrikës, Lindjes së Mesme, Kaukazit dhe Azisë Qendrore.

Një ndryshim i tillë i raportit të forcave dhe i ekuilibrit ushtarak në Mesdhe do të ishte një dobësim i pozitave të NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Qipro është një shtet anëtar i BE-së dhe nuk mund të mos ngrihen dyshime lidhur me atë nëse vërtet Bashkimi Europian ka një kohezion strategjik dhe gjeopolitik të anëtarëve të tij. Sepse Bashkimi Europian, përveç monedhës unike dhe politikës financiare të përbashkët, duhet të ketë edhe një politikë unike të mbrojtjes dhe të sigurisë, për të mos lejuar rrëshqitje dhe shkëputje të njërit apo tjetrit anëtar në rrethin e aleancave të tjera strategjike dhe në funksione gjeopolitike rivale dhe të kundërta me ato të BE-së.

Kjo siguri dhe kjo perspektivë gjeopolitike duhet të përforcohet me pranimin e shteteve të reja anëtare dhe të përbëjë një kriter qendror. Në dritën e zhvillimeve të fundit në raportet Qipro-Rusi, nuk mund të mos anosh nga bindja se Bashkimi Europian ka bërë një hap të gabuar në vitin 2004, kur pranoi anëtar një gjysmështet të pasigurt gjeopolitikisht si Qipro. Nuk ishte e panjohur se gjysmështeti, klasa e tij politike dhe popullsia e tij, kishin lidhje dhe prirje të thella politike, shpirtërore, kulturore dhe sidomos fetare me Rusinë. Gjysmështetit aktual të Qipros i mungonte gjysma tjetër, e cila mund të ishte një mekanizëm frenues legjislativ dhe ekzekutiv ndaj çdo prirjeje dhe orientimi politik dhe strategjik drejt Rusisë. BE-ja e bëri gabimin e pranimit të gjysmështetit të Qipros, duke u nisur jo nga llogari strategjike dhe gjeopolitike afatgjata, por nga llogari individuale të njërit apo tjetrit shtet të rëndësishëm të BE-së, në kërkim të alibive dhe të trukeve burokratike për bllokimin dhe pengimin e Turqisë në rrugën e integrimit europian. Qipro anëtare ishte alibia. Dhe në planin strategjik, më shumë ndihmuan Rusinë të lidhte pas vetes gjysmështetin e Qipros, sesa ndihmuan kohezionin e Bashkimit Europian. Argumenti i përdorur dendur nga disa diplomatë europianë, se më mirë të bëhen lëshime dhe të pranohet një shtet gjysma gjel, sepse duke qenë anëtar do të oksidentalizohet më lehtë, nuk qëndron. Sepse Qiproja, pasi u anëtarësua në BE, u bë edhe më shumë komuniste, edhe më shumë proruse.

Qipro është një shtet, që po fundoset dhe ka dalë në shitje. Është një shtet te semafori. Por ka dalë me dëshirë dhe do ta gëzojë ai që ka më shumë para dhe që në mënyra të sofistikuara e ka dërguar atë shtet te semafori. Dhe blerësi, me sa duket, do të jetë Rusia.


SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.