VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KOMPLOTI TURK NË DËM TË HISTORISË SË KOMBIT SHQIPTAR Nga FRANK SHKRELI E Premte, 03.29.2013, 07:37am (GMT1)
Zëvendës ministri i Arsmit, Zoti Nehat Mustafa u prononcua për median muajin e
kaluar se prania e ekspertëve turq në Prishtinë nuk duhet të keq interpretohet,
duke shtuar se, "Nuk do të thotë se ata do të vendosin si të jenë tekstet tona,
por këtë po e bëjmë thjesht për të treguar gatishmërinë tonë për të bashkpunuar
jo veteëm me Turqinë por edhe me shtete të tjera."
Unë nuk jam në dijeni të ndonjë kërkese ose oreksi nga ndonjë shtet tjetër për
të ndryshuar historinë e Kosovës, siç aludon zëvendës ministri Mustafa, por jam
i sigurt se Serbia është gati të dërgojë në kohën e volitshme, "ekspertët" e
saj për të "rishikuar" historinë e herëshme dhe moderne të Kosovës, me qëllim
për të zhdukur çdo "shtrëmbërim" dhe "keq interpretim" të pushtimit serb në
Kosovë, nga tekstet shkollore të shkruara nga historianët shqiptarë.
Diçkaje i vjen era në këtë mes dhe autoritetet qeveritare dhe akademike të
Kosovës duhet të jenë më transparente në lidhje me këtë çështje. Por ndërsa,
nga ana e tyre, udhëheqësit më të lartë turq, janë treguar të vendosur dhe janë
duke bërë çdo gjë që u vjen për dore në arritjen e objektivit të tyre,
Prishtina dhe Tirana zyrtare heshtin. Megjithë mosreagimet zyrtare ndaj këtij
uzurpimi të të shkruarit të historisë së kombit shqiptar, fatbardhësisht ka
elementë të shëndoshë të shoqërisë dhe të kombit shqiptar, që me të drejtë janë
të shqetësuar në lidhje me këtë fenomen pothuaj të pashëmbëllt në marrëdhëniet
midis shteteve, kur pesha diplomatike e një shteti të madh si Turqia i bën
presion një shteti të vogël të posalindur si Kosova, që të ndryshojë historinë
e vet, për t'iu përshtatur orekseve dhe synimeve gjeostrategjike të diplomacisë
turke. Ndërsa heshtja zyrtare nga autoritet shqiptare mungon, reagimet ndaj presioneve turke po marrin tani përmasa ndërkombëtare, gjë që është shumë e dobishme. Deputeti gjerman në Parlamentin Evropian , Zoti Bernd Posselt i tha agjencisë së lajmeve ,DTT-net.com se presioni i qeverisë turke ndaj qeverisë dhe historianëve të Kosovës , "Është i papranueshëm, ndërsa një ish-fuqi pushtuese përpiqet të bëjë presion ndaj një kombi të lirë evropian, i cili ka qenë një ndër viktimat, shekuj me radhë, e interpretimeve të historisë së vjetër. Populli i Kosovës duhet të jetë i pavarur të vendosë vet për tekstet shkollore të historisë së vet dhe mënyrën e të mësuarit të historisë të rinjve të saj," tha ai për DTT-net.com.
Zoti Posselt tha më tej se tekstet shkollore duhet të jenë të bazuar në të
vërtetën dhe ai e përkrah Kosovën në këtë drejtim, ndërkohë që i bëri thirrje
qeverisë turke që tua mësojë të vërtetën e historisë së saj të rinjve të
shtetit të vet -- jo të përpiqet t'ua ndryshojë historinë popujve të tjerë,
shtoi deputeti Bernd Posselt, i partisë CDU të kryeministres gjermane, Zonjës
Angela Merkel.
Kjo është një vjedhje që po i bëhet historisë kombëtare të shqiptarëve, por
hajni nuk po hynë në shtëpi natën, por ditën për diell. Është një rast dhe
përpjekje e jashtzakonshme që të justifikohet dhunuesi dhe jo të mbrohet
viktima. Është një orvatje plot presion zyrtar për të harruar të kaluarën, por
për më të tepër është një lëvizje që përpiqet të shtrëmbërojë dhe më në fund të
mohojë atë histori fatkeqe, që duke mos e kundërshtuar, jo vetëm me letra të
hapura, por edhe nga autoritetet më të larta shqiptare, do të çojë heret ose
vonë dhe me mënyra të tjera presionesh e shantazhesh -- në përsëritjen e saj të
hidhët.
S'ka dyshim se çdo historian i mirëfilltë thotë se historia gjithmonë ka nevojë
për rishikim, rivlerësim dhe për ndryshim, por kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të
bëhet nën presionin e të huajve. Shqiptarët kanë nevojë që historia e tyre të
shkruhet nga vetë shqiptarët dhe jo nga Stambolla e Beogradi, sidomos kur të
merren parasysh okupimet e këtyre pushtuesve të trojeve shqiptare gjatë
shekujve. Kosova dhe Shqipëria, si edhe shqiptarët kudo, kanë nevojë për miq të
ri e të vjetër dhe gjithmonë kanë respektuar popujt e tjerë, kuturën dhe
historinë e tyre, përfshirë edhe popullin turk.
Por ndërhyrja e Turqisë, nepërmjet udhëheqësve më të lartë të saj politikë e
diplomatikë me qëllim të ndryshimit, korigjimit ose çfarëdo qoftë tjetër të
historisë së kombit shqiptar, duhet të jetë, siç tha edhe parlamentari gjerman
më lart, absolutisht e papranueshme për çdo shqiptar dhe nuk i ndihmon
zhvillimit të mirëfilltë të një atmosfere miqësore midis dy popujve. Këtë duhet
ta thonë ata që sot janë ruajtës dhe mbrojtës të interesave kombëtare të
Shqiptarëve. Sepse për Shqiptarët nuk ka gjë më të rrezikshme dhe kërcnuese
ndaj interesit kombëtar se sa synimet e të huajve, të cilët në emër të
"rishikimit të historisë", në të vërtetë kanë si objektiv të fshehtë
rihabilitimin e një pushtimi pesëshekullor të trojeve shqiptare. Interes më të
madh kombëtar nuk ka se dalja zot dhe mbrojta e historisë dhe identitetit
kombëtar. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |