Një sentencë mjaft e pranishme në ditët qe po jetojmë. Nje sentencë që duhet të
jetë në vëmendjen e të gjitha forcave politike që e quajnë veten të djathtë.
Kjo për arsyen e ndryshimeve të pozicionimit të një prej partive të koalicionit
qeverisës, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këto ditë lexojmë dhe dëgjojmë për
një aleancë parazgjedhore PS-LSI, e shoqëruar me disa kushte, si dalja nga
qeveria e ministrave të LSI-së në këmbim të votimit të tre ligjeve të kërkuara
nga Bashkimi Europian nga ana e PS-së. Se si do të rrjedhin ngjarjet do ta
tregojnë ditët e ardhshme, por unë në këtë shkrim do të përqëndrohem në disa
çështje, të cilat mendoj se i takojnë së djathtës për t'i trajtuar.
Një nga këto çështje është hedhja poshtë nga ana e së djathtës e iluzionit të
suksesit të qeverisjes në bazë të bashkëpunimit me cilëndo forcë të majtë dhe
zgjatjes së bashkëpunimit me të. Praktika qeverisëse ka treguar se nuk mund të
ketë sukses dhe jetë të gjatë një bashkëpunim i forcave me kahe të kundërta
politike, aq më tepër këtu te ne, kur ato vazhdimisht e kanë konsideruar
njera-tjetrën si armike dhe jo si opozitare.. Këtë e ka treguar
eksperienca botërore por edhe jona e këtyre viteve pas përmbysjes së sistemit
totalitar. E kanë vërtetuar Qeveria Teknike e viteve 1991-1992 dhe ajo e
Stabilitetit Kombëtar e vitit 1997, që nuk ishin gjë tjetër veçse flluska
sapuni në jetën politike të vendit në ato periudha. Një gjë të tillë tregoi
edhe bashkëpunimi aktual midis Qeverisë Berisha me LSI-në e cila, me vetëm
katër deputetë arriti të përfitonte mbi 20% të pushtetit në Shqipëri, për të
mos thënë se, praktikisht, kjo përqindje është shumë më e lartë se ajo që është
shpallur zyrtarisht. Mendoj se e djathta do të kishte fituar më shumë në rast
se, në pamundësi të formimit të qeverisë në vitin 2009, të kishte pranuar
zhvillimin e zgjedhjeve të reja në vend të bashkëpunimit me LSI-në. Pasojat e
këtij bashkëpunimi ajo po i vuan sot.
Çështje tjetër, që për nga rëndësia e saj duhet renditur e para, është
shkëputja një herë e përgjithmonë nga e kaluara komuniste gjë që, për fat të
keq, nuk ka mundur të realizohet. Një shembull tipik, në këtë drejtim, është
miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i dekreteve të Presidentit të Republikës për
emërimet në Gjykatën e Lart dhe atë Kushtetuese. Kundër këtyre dekreteve u
shprehën vetëm dy zëra, ai i zotit Artur Roshi, në emët të Partisë së Ballit
Kombëtar Demokrat dhe ai i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë
Demokrat të Shqipërisë nëpërmjet Deklaratës për shtyp të shpërndarë prej tyre. Miratimi
i këtyre dekreteve tregoi se pushteti politik vazhdon të mbështetet ende në
individë me prejardhje prej organeve më errëta të sistemit të përmbysur. Më
lejoni të bëj një krahasim. Si u veprua në Gjermaninë e pasluftës? A pati
ndonjë funksionar nazist, aq më tepër ndonjë që kishte kryer krime, të zinte
vend në krye të administratës qëndrore. Asnjë. Për më tepër ata ndiqeshin për
t'u nxjerrë para bankës së të akuzuarve, madje njëri prej tyre, të cilit nuk ia
mbaj mend emrin, vetëm pak vite më parë, megjithse ishte në moshë mbi 90
vjeçare, u nxorr para gjyqit. Në Gjermani, edhe mbi 30 vjet nga mbarimi i
luftës, nëpër shkolla nuk mësohej historia e nazizmit dhe Hitleri, në mënyrë që
populli ta harronte atë faqe të errët të historisë së tij. Në këto çatse më
kujtohet intervista që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë kohë më parë
televizionit "Top Channel". Midis të tjerave ai tha:
- Në Gjermani dhe në Francë
dënohen po deklaruan se nuk është
zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vini veshin! Ndësa në ato vende dënohe vetëm se shfaq një mendim të tillë, te
ne ata janë të barabartë, për të mos thënë më lart, se të tjerët. Pra janë në
krye të pushtetit.
Tani le të hedhim një vështrim në gjithë periudhën pas fitores së të djathtës
në vitin 2005. Nuk do të flas për ato dy vitet e fundit të ish-Presidentit
Mojsiu, pasi ai me dekorimin e një individi si Fehmi Avdiu, e tregoi se kujt
krahu i përkiste, megjithse e kishte fituar atë post me propozimin dhe votat e
së djathtës. Do të përqëndrohem me ardhjen në postin e Presidentit të
Republikës të zotit Topi. Menduam se çdo gjë do të shkonte në rrjedhën e duhur,
por nuk ndodhi kështu. Dekorimet prej tij të individëve të prokurorit famëzi të
komunizmit Skënder Breca dhe propozimet për në Gjykatën e Lartë dhe atë
Kushtetuese të tipave të Vangjel Kostës, që mbante në ndërgjegjen e tij dënimin
për motive politike të disa të rinjve shqiptarë, na e prishën këtë iluzion.
Atëherë ne u ngritëm dhe deklaruam qëndrimin tonë ndaj këtyre vendimeve
absurde. Ne përshëndetëm, gjithashtu, edhe
qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe në mënyrë të
veçantë të Kryetares së tij , zonjës Jozefina Topalli, për hedhjen poshtë të
këtyre propozimeve.
Me ardhjen në postin e Presidentit të Republikës të zotit Nishani dhe, sidomos,
pas takimit me të, të një delegacioni të shoqatës, ku ai shprehu hapur se
dekreti i parë i tij do të ishte heqja e të gjithë titujve dhe medaljeve
diktatorit Enver Hoxha dhe mos dekretimi për në organet e ndryshme që vareshin
prej tij, të të gjithë atyre që ishin përlyer me regjimin komunist, na u krijua
bindja se, më në fund, guri do të shkonte në vendin e vetë. Por, fatkeqësisht,
nuk ndodhi kështu. Diktatorit ende nuk i janë hequr titujt dhe dekoratat dhe në
Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e tij, janë miratuar dy figura nga më të
errëtat e regjimit komunist, ndoshta edhe më të errëta nga ato që kishte
propozuar zoti Topi.
Më erdhi shumë keq që në këtë valle u futën edhe ata deputetë që rrjedhin nga
shtresa e të përndjekurve politik. Do të kisha dashur ta dëgjoja zërin e tyre
ashtu si atëherë kur hodhën poshtë propozimin për Vangjel Kostën, por kësaj
rradhe ata nuk guxuan, apo ndoshta nuk mund të guxonin. Përse? Mos vallë për
postin e deputetit? Në vlerësimin e figurave nuk mund të ketë dy standarte. E pra ata vepruan me dy të tilla. Turpi apo
nderi bie mbi ta. Përshendes deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Mark Marku për
qëndrimin e tyre krejtësisht realist.
Do të kisha dashur të dëgjoja edhe zërin kundra të Kryetares së Kuvendit të
Shqipërisë, por ajo zgjodhi zërin e heshtjes, as po dhe as jo, a thua ishte
memece, njëlloj si në rastin e votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, ku
kandidat ishte një person i ardhur nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe
ku ajo përsëri heshti. Si ta konsiderojmë këtë? Kush më shumë se ajo mund të
shprehte mendimin e saj për një çështje të tillë? Le ta gjykojë ndërgjegja e
saj.
Dua të pyes Presidentin e Republikes dhe ata që votuan pro dekreteve:
- Mos vallë u shua Shqipëria për intelektualë të rinj, të papërlyer me të
kaluarën, që kanë mbaruar studimet dhe marrë tituj të ndryshëm nëpër vendet më
të zhvilluara perëndimore dhe ju u detyruat të na servirni këta lakej të
komunizmit, për të cilët zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në
seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të
Europës, deklaronte:
- Unë nuk kam frikë nga komunizmi, por nga lakejtë e tij që i kanë ndihmuar
regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Shqipëria ka plot kuadro të afta për të drejtuar kombin. Zgjidhni ndërmjet tyre
ata që nuk kanë qenë të përlyer me komunizmin. Le të jenë demokrat, socialist,
republikan, social-demokrat, ballist, legalist dhe çfardo tjetër, vetëm jo
veglat e bindura të komunizmit. Hapni dosjet e diktaturës. Pastroni administratën
shtetërore nga këto mbeturina. Mbylluani dyert atyre që nuk pranojnë të hedhin
poshtë të keqen, siç shkruante Shekspiri i pavdekshëm:
- Hidhni poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rroni me gjysmën tjeter më të
mirë!
Dhe kjo në rast se u ka mbetur një gjysmë zemre e mirë.
Ky është qëllimi i shkrimit tim. Nuk e di se sa do të realizohen këto. Por dua
t'ju them se për të ardhmen e atdheut kjo duhet bërë sot pasi nesër do të jetë
shumë vonë. Unë e kam zgjedhur rrugën time. Ajo është po ajo që kam patur
në rininë time:
- Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!