VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
EMRI I MAQEDONISË DHE SHQIPTARËT E MAQEDONISË Nga SHABAN MURATI E Martë, 05.14.2013, 01:16pm (GMT1) Vizitat që zhvilluan në 8 maj
kryetari i partisë BDI, Ali Ahmeti, në SHBA, dhe zëvendëskryeministri i kësaj
partie në qeverinë e Maqedonisë për integrimin europian, Fatmir Besimi, në
Athinë, intriguan ndezjen e një diskutimi në qarqet diplomatike dhe mediatike
në Shkup, Athinë dhe në rajon, lidhur me temën e raportit të faktorit shqiptar
në Maqedoni me konfliktin 22-vjeçar për çështjen e emrit. Natyrshëm që, në
bisedimet e të dy personaliteteve politike shqiptare nga Shkupi në kryeqytetet
përkatëse, do të bënte pjesë në rendin e ditës me bashkëbiseduesit zyrtarë
amerikanë dhe grekë dhe çështja e emrit. Në planin publik, të dy personalitetet
shqiptare mbajtën qëndrimin e njohur zyrtar për të gjetur një zgjidhje reciprokisht
të pranueshme nga të dyja palët. Megjithatë, vizitat dhe nuancat e prononcimeve
të tyre për çështjen e emrit shkaktuan një tërmet politik e mediatik në Shkup,
sepse me sa duket u konsideruan nga isteblishmenti maqedonas si hyrje në një
zonë të ndaluar maqedonase. Debutimi diplomatik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni në çështjen e emrit
është një impostim i ri dhe pozitiv i tij. Nuk ka shumë rëndësi nëse ky
angazhim diplomatik ka apo nuk ka efekt imediat në formulimin e kompromisit për
emrin, nëse ka apo nuk ka të drejtë vetoje partia politike shqiptare në
qeverinë e Shkupit për hartimin e politikës së jashtme. Askush nuk pret që
personalitet politike shqiptare në Maqedoni të jenë vendimmarrësit e
drejtpërdrejtë të një qëndrimi të ri për emrin. Por e rëndësishme është lëvizja
që po ndodh në faktorin politik shqiptar, i cili po kupton se drejtimi i
shtetit nuk është vetëm të drejtat e njeriut dhe pjesëmarrja në administratë,
por statusi shtetformues, që të jep kompetencën e vendimmarrjes në çështjet dhe
punët kryesore të shtetit. Pikërisht këtë ndërgjegjësim të faktorit politik
shqiptar nuk e shohin me sy të mirë në qarqet politike, qeveritare dhe
mediatike maqedonase, të cilët kanë fatkeqësinë të mos e kenë kuptuar ende
irealizmin e pretendimit të vjetër të tyre për "Maqedoninë si shtet vetëm i
maqedonasve". Jo rastësisht mediat e lidhura me qeverinë e kryeministrit
Nikolla Gruevski organizuan një fushatë, e cila kishte në qendër përpjekjen, jo
vetëm për të çvleftësuar angazhimin diplomatik të faktorit shqiptar, por edhe
presionin për ta mënjanuar atë faktor nga çdo lloj interesimi për gjendjen e
marrëdhënieve të shtetit me fqinjët dhe me shtetet e tjera. Madje Ivica
Bocevski, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-zëdhënës i qeverisë së Nikolla Gruevskit,
në një artikull në gazetën "Nova Makedonija" në 10 maj, shprehej në mënyrë
kategorike se "shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse plotësisht të pranojnë
dhe të respektojnë qëndrimin e maqedonasve për emrin. Është e qartë se Greqia
në strategjinë e saj luan edhe kartën e keqpërdorimit të shqiptarëve etnikë si
një farë "kolone e pestë në Maqedoni". Populli shqiptar në Maqedoni është faktori i dytë më i rëndësishëm demografik, politik dhe shtetëror dhe vetë ekzistenca e Maqedonisë si shtet është rezultat i ekuilibrit të bashkekzistencës dhe të bashkëqeverisjes të të dy popujve. Në këtë kuptim, interesimi dhe pjesëmarrja e faktorit shqiptar në çështjen e emrit diktohet nga disa arsye:
Së pari, emri është çështje e shtetit dhe shqiptarët, duke qenë pjesë e
rëndësishme ekzistenciale e atij shteti, kanë të drejtën dhe detyrën të jenë
pjesë e vendimeve për zgjidhjen e tij. Faktori politik shqiptar e ndjen dhe duhet ta ndjejë nevojën e një angazhimi të tij për të kontribuar në zgjidhjen e këtij konflikti të vjetër. Në planin diplomatik, faktori politik shqiptar është më i përshtatshmi për pjesëmarrje në procesin e zgjidhjes së konfliktit për emrin, sepse ai nuk është pjesë e nacionalizmit dhe radikalizmit maqedonas, i cili çështjen e emrit e ka shndërruar në një instrument elektoral, politik dhe pushtetor në Shkup. Kryeministri Nikolla Gruevski, gjatë gjithë kohës që është në pushtet ka përdorur këtë kartë nacionaliste të emrit dhe të acarimit të marrëdhënieve me Greqinë, me qëllim që të sigurojë mbështetje për pushtetin e tij, edhe me çmimin e stanjacionit të integrimit euroatlantik të vendit. Nuk është rastësi që qeverisja e kryeministrit Gruevski është periudha e acarimit më të madh të klimës mes dy shteteve në gjithë historinë e marrëdhënieve dypalëshe, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991. Programet dhe ëndrrat fantastiko-shkencore me pretendime të historisë dhe të personaliteteve të shteteve të tjera, që kanë ekzistuar njëmijë vjet para se sllavët të zbarkonin në Ballkan, nuk mund të klasifikohen ndryshe, veçse artifise shtetërore për të bllokuar bisedimet dhe integrimin e vendit në NATO dhe në BE. Dhe që qeveria e Nikolla Gruevskit ndjek me sa duket një axhendë të programuar të bllokimit të integrimit euroatlantik, e tregon fakti se ajo ka acaruar marrëdhëniet edhe me Bullgarinë, e cila i është bashkëngjitur edhe ajo tashmë qëndrimit të Greqisë për të bllokuar pranimin në NATO dhe në BE, derisa Shkupi të heqë dorë nga përvetësimi i historisë së shteteve fqinj.
Në një situatë të tillë, është e natyrshme që faktori ndërkombëtar, SHBA, NATO
dhe BE, të përpiqen të gjejnë mënyra dhe rrugë për ta nxitur zgjidhjen e kësaj
çështjeje. Ali Ahmeti deklaroi në 9 maj se të gjitha takimet e tij në
Uashington kanë qenë në drejtim të nxitjes që të gjendet zgjidhja me kompromis
për kontestin me Greqinë. Ka një domethënie të qartë diplomatike, fakti që Ali
Ahmeti pati në Nju Jork drekë pune me ndërmjetësin amerikan të OKB për emrin,
Metju Nimic dhe takime të njëpasnjëshme me ambasadorët e SHBA, të Britanisë së
Madhe dhe të Francës, të akredituar në OKB. Në këtë kuadër, SHBA, NATO dhe BE e
kuptojnë, madje më mirë se shqiptarët, rëndësinë e aktivizimit të faktorit
politik shqiptar në çështjet e diplomacisë dhe të politikës së jashtme të
Shkupit. Mesazhi që ata i dërgojnë Shkupit, me aktivizimin diplomatik të
faktorit politik shqiptar, është domethënës. Nëse Uashingtoni, Brukseli dhe
Athina kanë bindjen se është bërë e nevojshme përfshirja e faktorit shqiptar në
çështjen e emrit, kjo është shenjë e vendosmërisë të tyre për integrimin
euroatlantik të Maqedonisë. Nëse faktori
Është e rëndësishme që faktori politik shqiptar në Maqedoni të ndërgjegjësohet
se ka ardhur koha, dhe madje ka kaluar, kur shqiptarët duhet të jenë pjesë e
çdo vendimi dhe zgjidhje shtetërore, që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe
me marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë. Faktori politik shqiptar nuk mund ta quajë të kryer rolin dhe misionin e tij historik, nëse nuk përpiqet që të fitojë pozitën kushtetuese, që i takon, në vendimmarrjen e punëve shtetërore në Maqedoni. Dhe politika e jashtme është një nga shtyllat dhe treguesit kryesorë të rolit vendimmarrës të barabartë të të dy popujve, që përbëjnë një shtet si Maqedonia. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |