VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
LËVIZJE NË PESËSHEN MOSNJOHËSE TË KOSOVËS Nga SHABAN MURATI E Hënë, 05.20.2013, 07:01am (GMT1)
Vendimi i Rumanisë për rishikimin e qëndrimit të saj të deritanishëm të
mosnjohjes dhe për mundësinë e bashkimit me familjen e 22 shteteve të BE-së, që
e kanë njohur Kosovën, duhet përshëndetur nga qeveritë e Tiranës dhe të
Prishtinës. Ai shënon fillimin e një procesi, i cili çon drejt homogjenizimit
të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga gjithë anëtarët e BE-së, dhe
shpejton rrugën e Kosovës drejt integrimit në Europë.
Së pari, duhet thënë se ky nen sanksionon pranimin e statusit të Kosovës si
shtet i pavarur, sepse në BE anëtarësohen shtetet dhe jo pjesë shtetesh,
rajone, krahina apo entitete lokale. Në këto rrethana, kur vetë Serbia nënshkruan dhe pranon një marrëveshje me Kosovën, në të cilën sanksionohet vendi dhe statusi i Kosovës si një shtet që do të hyjë në BE, është e kuptueshme se pesë shtetet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të ndihen të liruara nga detyrimet dhe premtimet e marrëdhë-nieve të tyre dypalëshe apo personale me Beogradin, për hatër të të cilit kanë aplikuar deri tani qëndrimin e mosnjohjes së shtetit të pavarur të Kosovës. Rumania dha një shembull pozitiv dhe koherence diplomatike, i cili duhet vlerësuar në mënyrë të veçantë, edhe për arsyen se Bukureshti ka qenë ndër kryeqytetet më intransigjente në politikën e ngurtë të mosnjohjes së Kosovës. Por pas hapit të ri të Bukureshtit zhvleftësohen edhe argumentet e disa shteteve të tjera të pesëshes, që ende qëndrojnë në llogoret proserbe, dhe po paraqiten më serbë se serbët. Sepse është i pajustifikueshëm dhe i pakuptueshëm qëndrimi i Spanjës, ministri i Jashtëm i së cilës, Manuel Garcia Margallo, gjatë një vizite në Bukuresht në 16 maj, deklaroi se Spanja nuk do ta njohë Kosovën, derisa këtë gjë ta bëjë Serbia. Është një argument tepër i varfër në planin diplomatik, juridik e moral, kur një shtet deklaron se nuk e njeh një shtet të ri, për hatër të miqësisë me një shtet tjetër. Ndoshta Madridi mund të nxirrte argumentin se Spanja nuk mund ta njohë për shkak të shqetësimit se mund të përdoret nga baskët si precedent, ndonëse edhe argumenti i precedentit duket thjesht një alibi. Mjafton shembulli i Britanisë së Madhe dhe i Belgjikës, që e kanë njohur Kosovën, për të provuar se nuk ka të bëjë Kosova me problemet e dallimeve të brendshme etnike në këtë apo atë shtet europian. Nevojën e adoptimit të një qëndrimi realist e shprehu në 30 prill ish-ambasadori i Spanjës në SHBA, Jorge Dezcallar, i cili i bëri thirrje qeverisë së tij të njohë Kosovën, sepse "marrëveshja Serbi-Kosovë i obligon vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, që të ndryshojnë mendim në këtë çështje. Ne nuk duhet të trembemi nga precedenti, sepse Kosova nuk ka asgjë të ngjashme me vendin tonë".
Procesi i një lëvizjeje të diplomacisë së pesëshes ka dhënë sinjale edhe në
shtete të tjera si Greqia. Athina ka zgjedhur të ndjekë manovrimin e qëlluar
diplomatik të mbajtjes së një profili të ulët gjatë këtyre pesë viteve të
shtetit të ri të Kosovës. Në muajin mars të këtij viti, ministri i Jashtëm i
Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi një vizitë dhe bisedime në Athinë me ministrin
e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopullos, gjë që shënon një veprim cilësor
diplomatik, ose më saktë, një parapërgatitje drejt një njohjeje me Kosovën.
Sepse vizitat e ministrave të Jashtëm të shteteve që nuk janë njohur, nuk mund
të kenë tjetër domethënie diplomatike. Me këtë rast Athina shpalli hapjen e një
Zyre Shtetërore të lidhjeve tregtare në Prishtinë, çka dëshmon për progres në
procesin e ngritjes së një strukture të përshtatshme të njohjes së mëvonshme.
Ministri i Jashtëm grek deklaroi me këtë rast se vendi i Kosovës dhe i gjithë
Ballkanit Perëndimor është në BE. E njëjta dinamikë lëvizjeje konstatohet edhe
në rastin e Sllovakisë, e cila, në dhjetor të vitit të kaluar priti në vizitë
në Bratislavë ministrin e Jashtëm të Kosovës. Sipas mendimit të qarqeve
diplomatike, një lëvizje e qartë e Greqisë drejt njohjes së Kosovës do të ketë
ndikimin e saj të drejtpërdrejtë edhe në qëndrimin e Qipros për këtë çështje. Është e kuptueshme se kjo lëvizje që po ndodh brenda diplomacisë së pesëshes së shteteve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, përbën një proçes, i cili duhet trajtuar me kujdes dhe që duhet inkurajuar me të gjitha mënyrat dhe format nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në mënyrë të veçantë, qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet t'i shfrytëzojnë këto situata të reja, të krijuara pas marrëveshjes së 19 prillit, për të intensifikuar përpjekjet e tyre në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga pesë shtetet e BE-së. Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do të bënin mirë të ndërmerrnin një ofensivë diplomatike, të kufizuar gjeografikisht, të përqendruar në të pesta shtetet që nuk e njohin ende zyrtarisht Kosovën, me qëllimin që të shfrytëzojnë marrëdhëniet e saj me këto pesë shtete për një hap të ri drejt njohjes së Kosovës. Katër nga ato pesë shtete janë anëtare të NATO-s, ku bën pjesë Shqipëria, dhe me dy prej tyre Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi. Kam mendimin që qeveria e Shqipërisë duhet të përshëndesë hapat e qeverisë së Rumanisë dhe të inkurajojë shpejtimin e procesit të njohjes së Kosovës. Fushatat dhe ethet elektorale mund të hutojnë parti, politikanë dhe institucione politike, por jo diplomacinë, e cila duhet të ruajë nordin e interesave kombëtare dhe jetike, dhe të shkallëzojë veprimin e saj diplomatik në favor të njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e tjera të BE-së. SHABAN MURATI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |