VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVA NË KOHËN KUR NUK ËSHTË VËNË ASNJË GURË THEMELI, PO ZIHET NË ANARKINË E LIBERALIZMI PLURI-PAR-TITIST
Nga ISUF B. BAJRAMI

E Shtunë, 05.25.2013, 07:57am (GMT1)




Në Kosovë, Zoti e di kur do të zgjohet ky popull, për ta kuptuar çfarë gabime historike kanë qenë marrëveshja e Rambujesë e të Parisit dhe çka përmban Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Marrëveshjet e shumta të Hakerupit me Çoviqin, Korniza, etj..., nuk janë aspak jashtë marrëveshjeve të sipërcituara, për të cilat, prapë "fajin" (ndoshta) do ta kenë fuqitë e mëdha apo Evropa edhe pse aktet e tyre i kanë nënshkruar "politikanët e tanë": Kuaj-Buaj e shumë bujë e mushka të tjerë. Me një politikë të tillë "largpamëse" dhe të hollë (Esadiste).

Kosova e sotshme mund të njihet si vatër kryesore e paradoksit, që ecë mbi dy këmbë: që flet shqip, magjypisht, serbisht, tamilisht, banglladisht... por prapë se prapë mbetet e ngërthyer me fusnotë brenda "nacionalna dërzhaves" serbosllave.

Kosova, në kohën kur nuk është vu asnjë gurë themeli, po zihet në anarkinë e liberalizmit pluri-par-titist.

Këtu mungon sistemi elementar i vlerave, baza elementare për rend e stabilitet.

Anarkia, veprimet pa kritere apo kriteret e rrejshme, po gërryejnë thellë e më thellë jetën e popullit, po ngufasin frymëmarrjen e lirë të Kosovës.
Këtu rrugaçët, kapadainjtë, kllosharët, kafexhinjtë, po shumohen si bretkosat në moçal.

Këtu, brenda natës, lypësi bëhet princ e princi lypës.

Këtu jetohet si në lagjet e hipikëve dhe drogerëve të perëndimit: vendësit e mpirë nuk janë të vetëdijshëm për pasojat (bëjnë qejf e mburren duke menduar se po bëjnë punë të vlefshme).

Këtu, në emër të demokracisë, qetësisë, stabilitetit e progresit, zhvillohet autokracia e re e mafiozitetit.

Këtu, hipokrizia e demagogjia vlerësohen virtyte, ndërsa vendosja e regjimit të ri neokolonialist shpëtim e fitore.

Këtu kultivohet politika e tjetërsimit, e urrejtjes së vetvetes, e ikjes nga liria, e paaftësisë për të vetëvendosur.

Këtu edhe një "misionar" i pa gdhendur sillet si babaxhan, si në shtëpi të vet, si në pronë të vet.

Këtu lulëzon servilizmi absurd ndaj ndërkombëtarit,qoftë ai mediokër dhe megalomania tragjikomike ndaj intelektit kosovar.

Këtu një pjesë e misionit të ndërkombëtarëve sillen si klouni, sikur "gjeneral de fantaisie".

Këtu vlerat injorohen dhe antivlerat fitojnë peshë.

Këtu shqiptarit i zihet fryma me identitetin e vet të cenuar, vihen në lojë përçmuese emocionet e tij, injorohen virtytet dhe vlerat nacionale të tij.
Këtu atë që pushtuesi agresiv serbomadh nuk e ka arritur (të shtyp ndjenjën dhe idealin e shqiptarit për pavarësi e shtet), po arrihet çuditërisht me misionin e strategjisë së shantazhit, duke e shndërruar misionin në demision denigrues, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e larta të demokracisë amerikane të Willsonit e pasuesve të tij.

Këtu shkelet paturpësisht gjaku i dëshmorëve, vepra madhore e SHBA-së dhe NATO-së , solidariteti i bashkësisë demokratike ndërkombëtare.

Këtu bëhen të qarta e kuptimplote thëniet e Thomas Pein-it: "Njeriu nuk është armik i njeriut, por bëhet nga sistemi i keq i qeverisjes".

Këtu edhe impotentët, perversët dhe filistët e të gjitha llojeve, shiten Don Juanë të perëndimit, duke shfrytëzuar streset e pas luftës dhe varfërinë.

Këtu gazetari më i thjeshtë mund të bëhet agjent dhe ekzekutor.

Këtu paguhet vetëm dëgjueshmëria.

Këtu rrogat tejkalojnë proporcionin 100:1.

Këtu ngritët aristokracia e re konformiste ndaj një qeverie të rreme, ndërsa ndrydhet origjinaliteti dhe kualiteti i vendësit.

Këtu qeverisja e rremë bazohet në deklaratat e fraza të përgjithësuara të rendit të ri e progresit, ndërkaq mbytet çdo iniciativë progresive e vendësit.

Këtu qeverisja e rremë ka vendosur kriteret e veta të shitjes së vullnetit të intelektit vendës.

Këtu liria humb kuptimin real, ajo po kalon në abstraksion, sepse masa duhet bindur në lirinë e kushtëzuar.

Këtu bashkim vëllazërimi ish-jugosllav është zëvendësuar me brohoritjet për "lirinë" e sjellë, të cilën papagallët vendës e trumbetojnë orë e çast.

Këtu injorohet e përçmohet kriza sociale e pjesës dërrmuese të masës,të verbëruar nga premtimet hipokrite dhe udhëheqësit e pavendosur ose konformistë, të zhytur në moçalin e konfrontimeve destruktive.

Këtu epshet për të fituar kanë sjellë verbërinë kolektive, ndërsa spekulimet kanë fituar hapësirë të pakufizuar, nga të cilat në fund shumica kosovare do të mbesin me xhepa bosh.

Këtu lider bëhet numri, fitimi qeveri.

Këtu po krijohet shoqëri e re egoiste, e dëshpëruar, e pashpirt. Kjo shtresë në rritje e sipër, do të rindrydhë inteligjencën kreative të vendësit, mëvetësinë intelektuale, gjeneratën e re.

Këtu rekrutohen "oficerë-inteligjentë" të rinj të intrigave dhe zbatues të skenarëve kundër gjithë atyre që kanë për synim ruajtjen e identitetit, të karakterit autokton të vendësit, të mëvetësisë nacionale.

Këtu po zhvillohet e zbatohet strategjia e denigrimit dhe poshtërimit, me të cilën vendësi me dorën e vet gjykon e dënon vetveten, e shtyrë nga dora e "padukshme"e qeverisjes së rremë.

Këtu liberalizmi aktual, me produktet e saj, anarkinë dhe kaosin, po shndërrohet në metodë të ushtrimit despotik të qeverisjes së rreme, ndërsa monopolizimi i ndihmës ndërkombëtare, strategji hipokrite e shantazhit dhe e nënshtrimit të vendësve.

Këtu përgjegjësia për dështimin i takon vetëm përfaqësuesve vendës, nëse ata nuk i nënshtrohen strategjisë së qeverisjes së rreme.

Këtu, qeverisja e rreme zgjedh udhëheqësit vendës sipas shkallës së gjinisë e servilizmit, sepse ajo ka liderët e vet ("liderët" vendës duhet të jenë spiunë në shahun e specialistëve të shkolluar e me përvojë misionesh afatgjata në lojërat strategjike në vend e botë).

Këtu shitet modernizimi si më e ëmbla ëmbëlsirë e botës; të cilën shumica nuk e shijojnë fare, ndërsa individët përfitojnë.

Këtu pëlqehet se stimulohet vetëm shtypi që kontrollohet nga qeverisja e rreme.

Këtu mediet duhet të rrejnë në frymën e qeverisë së rreme, përndryshe duhet të ndërmerren masat adekuate ndëshkuese.

Këtu nga ana e qeverisë së rremë preferohet gazetarë (e), e kaluara e të cilit (ës) di të dëshmojë se ka qenë i (e) nënshtrueshëm (e) (ata do t'i nënshtrohen "solidaritetit" të qeverisë së rreme, sepse janë të pajisur me mjerimin, boshllëkun dhe mburrjen. Kështu, shpirtrave të vërtetë kreativ e të panënshtrueshëm, do t'i mbyllen dyert e ndikimit).

Këtu, në emër të ristrukturimit në ekonomi, po spekulohet me sistemin bashkëkohor të organizimit, duke ndërtuar sistemin e profitit ekonomiko-komercial të individit a grupit, kuazibiznesin primitiv.

Këtu investimet kapitale nga jashtë transformohen në rezultate minore, në improvizime jetëshkurtra.

Këtu ndihma e vërtetë profesionale nga jashtë injorohet apo bllokohet, nga mediokri i qeverisë së rreme dhe kooperuesve servilë të tij.

Këtu qeveria e rremë fiton opinionin, duke ushqyer e shfrytëzuar kontradiktat, për të humbur masën vendëse në labirinte të reja, duke dobësuar fuqinë e mendimit politik vendëse në labirinte të reja, duke dobësuar fuqinë e mendimit politik vendës, sepse vetëm qeveria e rreme "duhet" të vendosë.

Këtu nuk ka institucione por funksione, ato të qeverisë së rreme, të cilat nuk kanë bazë, ose për bazë kanë rezoluta apo rregullore e marrëveshje me të cilat, suma sumarum, nuk definohet asgjë, sepse nuk duhet të definohet gjë, përpos dëgjueshmërisë, durimit e pritjes nga vendësit.
Këtu ata që i kundërvihen strategjisë së qeverisjes së rreme duhet të suspendohen, të japin dorëheqje ose, nëse e cenojnë atë, mund edhe të dërgohen në gjumin e përjetësisë.

Kini mendjen se ç'po bëni o K... e Buaj, sepse ai gjak i cili është derdhur do të ju nevojitet për pasardhësit tuaj që ta shkruajnë gjuhën shqipe.


ISUF B. BAJRAMI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.