VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPTARËT MES EVROPIANIZMIT DHE NACIONALIZMIT MAQEDONAS
Nga EMIN AZEMI

E Djelë, 05.26.2013, 09:35am (GMT1)




Izolimi i Maqedonisë po ndodh në kohën kur axhenda evropiane e saj është zëvendësuar nga oferta bajate nacionaliste e politikanëve maqedonas. Për dallim nga disa shtete të Ballkanit ku nacionalizmi etnik nuk po kalon pa qortim dhe ndëshkim nga komuniteti ndërkombëtar, kjo nuk po ndodh edhe me Maqedoninë. Ky mosndëshkim ndërkombëtar i politikave nacionaliste të Shkupit zyrtar, nga elita politike maqedonase, është përkthyer si gjoja mosinteresim i Brukselit dhe Uashingtonit për raportet e brendshme ndëretnike e politike dhe fokusim i tyre për kontekstin rajonal të marrëdhënieve të Maqedonisë me fqinjët, duke aluduar para së gjithash te Greqia, por kohët e fundit edhe te Bullgaria. Përpjekja e përfaqësuesve shqiptarë të qeverisë aktuale për ta davaritur këtë mjegull paqartësie në politikën e jashtme maqedonase, po tregohet e paefektshme.

E para, nacionalizmi maqedonas është fermentuesi kryesor i raporteve politike në vend dhe secili që tenton të dalë jashtë kallëpeve që krijon kjo politikë nacionaliste, është e destinuar në pasukses.

E dyta, ministrat shqiptarë, në bashkëpunim me partinë e tyre (BDI), ende nuk kanë një strategji që do të menaxhonte pozicionin e të qenit, edhe pjesë e politikave qeveritare, edhe pjesë e ambicieve eurointegruese.

MINISTRAT SHQIPTARË KOT MUNDOHEN

Nëse vullneti politik i një kryeministri nuk është që Maqedonia të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s, këtë gjendje nuk mundet ta ndryshojë kurrfarë ministri, qoftë ai baras edhe me aftësitë e një Kisinxheri apo të një Gensheri. Prandaj na duket paksa naiv arsyetimi për të këmbëngulur në marrjen e këtyre posteve ministrore nga ana e shqiptarëve, po qe se paraprakisht nuk është disenjuar ndonjë marrëveshje e themeltë politike ndërmjet dy liderëve. Fundja, nuk do të kishte kurrfarë efekti veprues të qenit e ndonjë ministri bartës i funksionit që lidhet drejtpërdrejt me, fjala bie, procesin eurointegrues të Maqedonisë, në qoftë se ai ministër nuk ka në dorë një platformë dhe strategji të qartë qeveritare për të ardhmen e shtetit në këto procese. A do të mundet nesër ky ministër shqiptar i Eurointegrimeve apo i Mbrojtjes të del mbi sensibilitetet politike e nacional(ist)e të kryeministrit përkitazi me tejkalimin e kontestit me Greqinë rreth emrit, çështje kjo që mban pezull edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO?

Prandaj, para se të merren vesh për ndarje postesh, dy liderët është mirë të merren vesh për çështje kruciale, rreth të cilave do të silleshin shumë dilema e sfida për të ardhmen e vendit. Nëse "punët e mëdha", gjoja, ua lënë ministrave, ato asnjëherë nuk do të zgjidhen, ose do të zgjidhen ashtu siç do të dojë i madhi i qeverisë.

Në anën tjetër, nacionalizmi maqedonas është ulur këmbëkryq në hierarkinë më të lartë të pushtetit përmes projekteve të financuara me para publike. Është ky nacionalizëm shtetëror, i programuar dhe i doktrinuar nga fryma politike e pushtetit. Sikur Maqedonia të ishte një shtet monoetnik, krejtësisht jakobin, atëherë nuk do të tingëllonin absurde sintagmat "nacionalizmi institucional", apo "nacionalizmi shtetëror". Por, Maqedonia është shtet multietnik, me përbërje diversive gjuhësore, fetare e kulturore dhe për habi në raportet e fundit të Brukselit nuk po përfshihen më vërejtjet e shqiptarëve dhe jomaqedonasve të tjerë për ndërhyrjen brutale të shtetit në prishjen e harmonisë ndëretnike e ndërfetare në vend.

MOSMIRËNJOHJE PËR KONSTRUKTIVITETIN E SHQIPTARËVE:

Të gjitha qeveritë që formohen në Maqedoni bazohen mbi parimin e multietnicitetit, mirëpo kur fillojnë të funksionojnë në praktikë, ato i grahin avazit monoetnik. Madje, funksionojnë aq papengueshëm, sa njeriu e ka vështirë të dallojë, nëse ato qeveri funksionojnë me apo pa parti shqiptare. Dilema bëhet më e madhe kur nacionalizmi institucional maqedonas ndodhë para hundëve të përfaqësuesve shqiptarë të pushtetit. Kjo ishte dje, është edhe sot. Ishte atëherë kur shqiptarët për të drejtat e tyre luftonin vetëm në parlament dhe në qeveri, edhe tash kur për këto të drejta u derdh gjak dhe ranë dëshmorë.

Me çka i përgjigjen shqiptarët nacionalizmit institucional maqedonas? Me krizë parlamentare, a qeveritare? Me mosdëgjueshmëri qytetare? Me bojkotim të proceseve zgjedhore? Të gjitha këto përgjigje rrinë pezull dhe asnjëra deri më tani nuk është zbatuar.

Deri më tani shumë rrallë na ka rënë të dëgjojmë kryeministrin maqedonas të ketë shprehur publikisht mirënjohje për rolin konstruktiv të partnerit shqiptar. Në vend të kësaj, ka ndodhur që partneri shqiptar, pa e kërkuar askush nga ai, të ketë shprehur vlerësime superlative për "frymën konstruktive të funksionimit të koalicionit qeverisës". Vetëm politikanët shqiptarë brengosen për mosprishjen e këtyre koalicioneve dhe a e dini se ku e ka burimin kjo frikë? Ata e dinë se pa shkuar as 24 orë, vendin e tyre e zë një parti tjetër shqiptare, qoftë ajo edhe pa kurrfarë relevance politike e elektorale. Prandaj, mosdalja nga pushteti i partive shqiptare nuk mund të quhet gjithaq konstruktivitet për të ruajtur harmoninë ndëretnike të funksionimit të institucioneve të sistemit, sa mund të jetë fobi politike ndaj konkurrencës "brenda llojit" etnik.

ME INTEGRALIZËM BAJAT KUNDËR NACIONALIZMIT AGRESIV MAQEDONAS:

Në kushte të tilla të një konkurrence bizare politike brendashqiptare, nacionalizmi institucional maqedonas lulëzon dhe s'ka kush që mund ta pengojë atë. Politika shqiptare në Maqedoni, së paku kjo që aktualisht është ne skenë, po e mban gjallë këtë nacionalizëm, duke prodhuar altruizëm të vazhdueshëm dhe herë-herë duke plasuar ide bajate për ruajtjen e Maqedonisë nga prirjet dezintegruese.

Tani kur Maqedonia ndodhet në udhëkryq, shqiptarët, pa dashjen e tyre, janë shndërruar në lojtarë pasiv të një teatri absurd, regjia e të cilit ngërthen në vete lajtmotivin e përjashtimit të elementit shqiptar nga politikëbërja shtetërore. Në kushte e rrethana të tilla, përfaqësuesit shqiptarë e kanë vështirë të mbajnë mbi supe një barrë të dyfishtë që sa vjen e bëhet më torturuese. Në pamundësi për të imponuar autoritetin dhe stilin e tyre të punës në vendimmarrjen politike, politikanët shqiptarë kanë zgjedhur të demonstrojnë njëfarë altruizmi politik që në thelb ka moton: "Me integralizëm bajat kundër nacionalizmit agresiv".


EMIN AZEMI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.