VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
A DO TË FUNKSIONOJË MARRËVESHJA PËR VERIUN E KOSOVËS? Nga QAZIM TEPSHI E Djelë, 07.07.2013, 07:52am (GMT1)
Kjo marrëveshje u deklarua historike nga disa personalitete të disa vendeve perëndimore, ashtu edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Anglisë u detyruan të shkojnë në Beograd për të "imponuar" realizimin e kësaj marrëveshjeje në kohë, para se BE të marrë vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE dhe hapjen e negociatave për marrëveshjen e asocim-stabilizimit të Kosovës me BE-në. Të dy këta ministra i kujtuan Beogradit se zbatimi është i rëndësishëm dhe ka të bëjë me dritën jeshile për fillimin e bisedimeve për t'u anëtarësuar në BE. Në takimin e kryeministrit Thaçi me zv.presidentin e SHBA, Biden, në Uashington u vlerësua marrëveshja, por edhe u kërkua që të dyja palët të punojnë për realizimin sa më parë të saj. Pak a shumë kështu u diskutua edhe në raportimin tremujor për Kosovën e Ban Ki Moon në Këshillin e Sigurimit, ku Kryeministri serb, Daçiç vazhdoi të ankohet se gjoja në veri ka pasur incidente, pa siguri për qytetarët e origjinës serbe, nuk lejohen zyrtarët serbë të hyjnë lirisht në Kosovë. Kështu e kanë zakon politikanët serbë dhe bravo u qoftë. Asgjënë e bëjnë dukuri dhe dukurinë sado në embrion e portretizojnë në opinion si zhvillim i rëndë kundër zyrtarëve të ushtrisë e policisë serbe në veriun e Kosovës, që në Beograd i konsiderojnë qytetarë atje. Mirë e bëjnë se askush në Shqipëri nuk ka ose nuk do vëmendje për çfarë ka ndodhur e po ndodh me veriun e Kosovës. Themi për Shqipërinë se qeveria e Kosovës ka problem të njohjes së Kosovës dhe i qëndron gatitu Brukselit, pasi shpreson se Brukseli do bëjë presion që pesë shtetet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën, shpreson gjithashtu se Brukseli do i dërgojë marrëveshjen e asocim-stabilizimit.
Ne kemi shkruar në "Gazeta Shqiptare" disa artikuj ku kritikojmë qëndrimin e
BE-së ndaj Kosovës e ndaj çështjes së veriut të Kosovës. Kemi theksuar dhe
vijojmë të theksojmë se Brukseli nuk mund e nuk duhet të ketë dy matës, njërën
për Serbinë, të cilës i lutet "˜aman t'u bëfsha hajde me ne e mos shko me
Rusinë' dhe Serbia merr avantazhe të paligjshme e kundër normave ndërkombëtare
në Kosovë dhe nga ana tjetër bën marrëveshje strategjike me aleaten ortodokse,
Rusinë. Brukseli e detyron Kosovën të bëjë lëshime të vazhdueshme. Brukseli nuk
duhet e nuk mund të barazojë Kosovën me Serbinë në plotësimin e standarteve
drejt BE-së, siç ka bërë deri tani dhe në vend që ta detyrojë Serbinë t'i
kërkojë falje Kosovës për genocidin e ushtruar kundër popullit të saj, e
lajkëton, ia heq barrën historike të krimit, i lutet të tregohet bashkëpunuese
dhe bile i ofron mundësinë të hapë procesin e anëtarësimit në BE. Duket që
akoma Brukselin e komandojnë shtetet me kisha ortodokse, që varen e kanë
aleancë me Rusinë e kishën e saj ortodokse. Këto janë disa elementë që na bëjnë
të mendojmë se edhe marrëveshjen e fundit të arritur në Bruksel më 19 prill,
Serbia do ta zvarritë, edhe pse e di mirë se ajo është plotësisht në favor të
saj, pasi ia legalizoi strukturat ilegale-ushtarako-kriminale-mafioze të
rrezikshme jo vetëm për veriun e Kosovës, por për të gjithë Ballkanin dhe vetë BE-në.
Ndërkohë, janë struktura të BE si Eulex që përdor dosjet e sajuara të Serbisë,
për gjoja krime lufte të disa komandantëve të UÇK-së, për të arrestuar këta
personalitete të Kosovës. Në asnjë vend të botës demokratike nuk mund të
arrestosh një ambasador, apo një deputet, pa ia hequr mandatin dhe pa u provuar
në gjykatë se faji, apo "krimi" është kryer. Natyrisht, për t'i bërë qejfin
Beogradit, këta elementë nuk paraqesin rëndësi për këta përfaqësues, që janë të
ftuar nga Kosova të ndihmojnë e jo të sundojnë pa pyetur për asnjë normë të
njohur. Beogradi përsërit herë pas here se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës,
që nga presidenti e kryeministri i saj dhe kohët e fundit bënë çmos që të
detyrojnë Maqedoninë të mos ftojë në takimin e Ohrit presidenten e Kosovës,
deri sa bënë që të dështojë mbledhja. Asnjë deklaratë nuk bëri për këtë BE-ja,
që t'i bëjë presion Beogradit. Edhe këto ditë Presidenti i shtetit të Serbisë,
Nikoliç, deklaroi se nuk do marrë pjesë në ceremoninë e anëtarësimit të
Kroacisë në BE, nëse ftohet presidentja e Kosovës. BE nuk është deklaruar
akoma. Nuk bëhet fjalë se Brukseli po bën ndonjë presion tek pesë shtetet
anëtare që të njohin pavarësinë e Kosovës. Për Brukselin as që është në rend të
ditës kjo, pasi po t'i detyronte këto pesë shtete të njohin pavarësinë e
Kosovës, intransigjenca e Serbisë do të dobësohej dhe Kosova shumë shpejt do të
njihej dhe nga shtete të tjera e të bëhej vend anëtar i OKB-së. Përkundrazi, me
një Kosovë që e kanë njohur pavarësinë e saj vetëm 100 shtete dhe Brukseli dhe
Beogradi mund të bëjnë presione më lehtë ndaj Kosovës që të bëjë lëshime të
vazhdueshme, që do i kushtojnë shumë të ardhmes së pavarur të Kosovës dhe e
bëjnë Serbinë të qëndrojë në dy ngrehina, në atë të BE-së dhe të Rusisë. Një
shembull i shëmtuar ky, por që tregon se BE akoma nuk ka pavarësi nga Rusia dhe
akoma mban lidhje të dobëta me SHBA. U bënë mbi gjashtë takime teknike midis përfaqësuesve të të dyja vendeve në Bruksel për të zgjidhur çështje të drejtësisë, policisë, telekomunikacionit dhe energjisë për veriun e Kosovës. U desh takimi i Ashton me Daçiç e Thaçi që diçka të lëvizë, aq sa Ashton dhe Fyle, t'u shkruajnë ministrave të Jashtëm të BE, se është bërë progres e të propozohet data e hapjes së bisedimeve për anëtarësim të Serbisë. Edhe pse Serbia njoftoi Brukselin se ka ndërprerë financimin për forcat ushtarake serbe të MUP në veri të Kosovës, një lloj marrëveshjeje për planin e zbatimit të deklaruar me bujë, u arrit vetëm për drejtësinë e policinë, ku drejtimin e veriut do e mbajnë serbët në këto dy sektorë të rëndësishëm. Çështja e prefiksit të telefonisë së Kosovës nuk është zgjidhur akoma, pasi Serbia kërkon që ajo duhet të kalojë nga Serbia dhe ajo të bëjë kërkesën pranë UITT dhe jo nëpërmjet Shqipërisë. Shqipëria nuk ndihet se është në zgjedhje, gjoja. Çështja e energjisë nuk është zgjidhur akoma, sepse Serbia kërkon që ndërmarrjet e saj të komandojnë energjinë në veri të Kosovës, siç kërkojnë për shërbimet e kërkimet për pronat gjoja të larguarve serbë. Asgjë nuk është bërë për të humburit shqiptarë, të vrarë nga ushtritë kriminale serbe. As të falurit për krimet e genocidit serb nuk është në axhendën e Brukselit. Pra, Serbia me ndihmën e Brukselit siguroi lidhje juridike dhe ekonomike me veriun e Kosovës dhe lidhjet politike ajo shpreson t'i sigurojë në vjeshtë kur të zhvillohen zgjedhjet në veri, me ndihmën e OSBE-së dhe Eulex-it, që do forcojnë asocimin e komunave serbe në veri në jetën e Kosovës së pavarur. Pra, takimi i fundit i Ashton me Daçiç dhe Thaçi nuk i zgjidh as çështjet teknike, as çështjet e marrëveshjes për marrëdhënie të mira midis dy vendeve. Ne besojmë se do kalojë shumë vështirësi Kosova në të ardhmen e afërt, nëse BE nuk ngulmon në shpejtimin e njohjes së pavarësisë së saj nga pesë shtetet anëtare të BE, që mbajnë peng dhe njëzet shtete të tjera bashkë me Serbinë, që të mos njohin pavarësinë e Kosovës. Kështu nuk kontribuohet për marrëdhëniet e marrëveshjen që u arrit midis Serbisë e Kosovës dhe problematika e veriut të Kosovës do krijojë për një kohë të gjatë vështirësi dhe për BE-në. Shpresojmë që Gjermania ta vonojë tani çështjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Serbisë e ta ketë për janarin që vjen, kur dhe Kosova të ketë ecur në marrëveshjen e asocim stabilizimit dhe kur edhe Shqipëria të mund të kontribuojë në këtë çështje të rëndësishme, pasi nuk do justifikohet dot nga fushata e zgjedhjeve. QAZIM TEPSHI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |