Vatikani njoftoi të Premtën që kaloi se Papa Françesku ka nënshkruar
dokumentacionin për shpalljen e Papa Gjon Palit II -- i cili ndërroi jetë 8
vjetë më parë -- shenjtor i Kishës Katolike. Kjo ndodhi pasi Papa Françesku
aprovoi mrekullinë e dytë që i atribohet Papa Gjon Palit II. Vatikani
gjithashtu njoftoi njëkohsisht edhe kanonizimin e Papës Gjonit 23-të, i cili
për 5 vjetë udhëhoqi riorganizimin dhe modernizimin e Kishës Katolike deri në
vitin 1963, kur ndërroi jetë.
Mirëpo, Papa Gjon Pali II është konsideruar si kandidat për shënjtor pothuaj
menjëherë pas vdekjes. Në prill të vitit 2005, turmat e mëdha në Sheshin e Shën
Pjetrit, bërtisnin, "Santo Subito" të Shënjtërohet Menjëherë.
Papa Gjon Pali II kujtohet si njëri prej udhëheqësve më me influencë i
shekullit të kaluar. Është i famshëm tanimë roli i tij në rrëzimin e
komunizmit. Ai, së bashku me Presidentin amerikan Ronald Reagan -- dy udhëheqës
gjigantë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar -- konsiderohet si personi i
cili ndihmoi në rrëximin e komunizimit në vendlindjen e tij në Poloni dhe
eventualisht në mbarë Evropën. Ai shërbeu si frymëzim shpirtëror për
bashkatdhetarët e tij polakë, gjatë një periudhe shumë të vështirë për "˜ta, nga
mbarimi i 70-ave dhe fillimi i 80-ave të shekullit të kaluar. Ish-udhëheqsi i
sindikatave polake, Lek Walesa ka thënë se Papa Gjon Pali II u dha polakëve
kurajo dhe shpresë për të bërë ndryshime. Sipas Walesës, askush deri atëherë
nuk kishte ide se si të rrëzohej komunizmi. Gjatë vizitës së tij në Poloni në vitin
1979, Gjon Pali II u tha bashk-kombasve të tij: "Mos kini frikë",
ndërkohë që iu lutë Perëndisë që të ''sillte Shpirtin e Shënjtë mbi këtë tokë
dhe të ndryshonte imazhin e vendit.'' Gjatë vizitës së dytë në Poloni më 1983,
Gjon Pali sfidoi strukturat shtypëse të shtetit komunist duke u bërë thirrje
bashkatdhetarëve të tij, që të keqen ta quajnë të keqe dhe të mirën të mirë
duke mos pushuar së kërkuari të vërtetën absolute.
Gjon Pali II besonte në paqë dhe e konsideronte luftën si një humbje për të gjithë
njërzimin. Ai ka shkruar se, "Shëmbja e bllokut sovjetik nuk u realizua me
luftë, por nepërmjet "angazhimit të pa dhunë të njerzëve, në përpjekjet e tyre
të vazhdueshme për të zbuluar të vërtetën".
Gjatë mandatit të tij, presidenti amerikan Ronald Reagan ishte në kontakt të
vazhdueshëm dhe shkëmbente rregullisht korrespondencë me Papën Gjon Palin II,
gjatë kësaj periudhe shumë kritike për Evropën dhe botën, në atë që revista e
njohur amerikane Tajms e pat cilësuar, si një "aleancë e shënjtë për të shembur
sistemin komunist" në Poloni dhe në botë. Njihet mirë admirimi që Presidenti
Reagan kishte për Gjon Palin II dhe për rolin që ai ka luajtur në shembjen e
Murit të Berlinit. Madje edhe bashkohasi i tij, ish-udhëheqsi komunist sovjetik
Mikail Gorbaçov, duke folur për admirimin dhe respektin që ai kishte për Gjon
Palin e II, ka thënë se "Shëmbja e Perdesë së Hekurt do të ishte e
pamundur pa Papa Gjon Palin II."
Ish-presdienti amerikan Xhorxh Bush në vitin 2004 i akordoi Medaljen e Lirisë
Gjon Palit II, me motivacionin: ''Këtij biri të Polonisë...parimet e të cilit
në mbështetje të paqës dhe lirisë kanë frymëzuar miliona njerëz për të shembur
komunizmin dhe tiraninë."
Historianët thonë se Papa Gjon Pali i II, nga pozita e tij si udhëheqës i
Kishës Katolike, bëri shumë edhe për përmirësimin e marrëdhënjeve të Kishës me
fetë e tjera, përfshirë judeizmin, islamizmin dhe ortodoksizmin. Thuhet se një
prej objektivave kryesore si Papë ishte që të vendoste Kishën në qëndër të një
aleance të re fetare duke bashkuar tri fetë e mëdha botërore, judeizmin,
islamizmin dhe kristjanizmin, në një aleancë të madhe fetare.
Si promovues i të drejtave të njeriut, dindjitetit njerëzor dhe solidaritetit
ndërkombëtar,Papa Gjon Pali II udhëtoi anembanë botës, duke vizituar gjithsejt
130 vende, gjatë periudhës që ai ka shërbyer si udhëheqsi shpirtëror i Kishës
Katolike.
Një nga këto vende që vizitoi Gjon Pali ishte dhe Shqipëria, kur me 25 prill,
1993, ai puthi tokën arëbërore, "tokën e harmonisë të tre besimeve",
sipas Ismail Kadaresë. Ismail Kadare ka shkruar për këtë vizitë se, "Papa
Gjon Pali i Dytë u prit në Shqipëri me të njëjtin ngazëllim nga gjithë populli
shqiptar, katolikë, ortodoksë e myslimanë, bashkë. Dhimbja njerëzore, ëndrra
për lirinë i kishte afruar më shumë se çdo gjë tjetër, të tre besimet. Me
udhëtimin e tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II, kreu udhëtimin e ndërprerë të
një pape tjetër në shekullin e 15-të. Liria e shqiptarëve ishte në kërcënim
përballë ushtrisë otomane, dhe Papa Kaliksi do të vinte për t'u dhënë zemër
shqiptarëve, në aktin e fundit të qëndresës së tyre. Papa Gjon Pali II erdhi
bashkë me fillimet e lirisë", ka shkruar Kadare, për vizitën e historike
të Papës në Shqipëri.
Në sheshin Skenderbe në Tiranë, para mijëra qytetarve që kishin dalur për ta
pritur, Gjon Pali II me fjalët baritore, inkurajuese dhe shpresësdhënse --
drejtuar një populli të vuajtur por bujar -- për një të ardhme më të mirë për
kombin shqiptar, iu drejtua me këto fjalë: "Popull shqiptar, ec përpara me
guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në
"˜të janë mbjellë farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu,
dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së
regjimit totalitar. T'i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i
vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj,
veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare."
Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha përshëndeti me atë rast
Gjon Palin në emër të të gjithë shqiptarëve, duke theksuar lidhjet historike
midis Vatikanit dhe të kombi shqiptar. "Lidhjet e Shqipërisë me Selinë e
Shënjtë janë lidhje shpirti dhe lirie", tha udhëheqësi shqiptar. "Në
historinë e tyre, shqiptarët kanë patur në Selinë e Shënjtë mikun dhe aleatin e
tyre, kanë gjetur mbështetjen e fuqishme në luftën dhe përpjekjet e tyre për të
ruajtur lirinë, ndërsa tek Ju, mikun e shquar që lutej gjithnjë për Shqipërinë.
Zoti e ka dëgjuar lutjen Tuaj dhe sot Ju vini në një Shqipëri të lirë. Ne, dhe
brezat që do vijnë, do t'ju jemi gjithmonë mirënjohës", tha ndër të tjera
ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha.
Lidhjet e Papës Gjon Palit me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar kalonin
nepërmjet Nënë Terezës, me të cilën ai kishte jo vetëm njohuri, por edhe
bashkpunim të ngushtë, por mbi të gjitha ai shprhte gjithmonë respekt për të
dhe për kombin që lindi këtë bijë të madhe. Nënë Tereza, e shoqëronte Papën në
këtë vizitë historike në Shqipëri dhe Papa Gjon Pali falënderoi kombin shqiptar
dhe iu drejtua Nënë Terezes duke thënë se, "Nuk mund të mos përshëndes sot
një njeri që ndodhet sot midis nesh, Nënë Terezen e Kalkutës. Të gjithë e dimë
se cili ështe atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu! Edhe në kohët e izolimit
të plotë të Shqipërisë, ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e
përvuajtur e më të varfërëve që përfaqësonte në të gjithë botën emërin e
Atdheut të saj. Me personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar
gjithmonë'', ka thënë Papa.
Papa Gjon Pali II ishte gjithashtu edhe shumë afër Kosovës gjatë kalvarit të
saj, dhe jo vetëm shpirtërisht. Nga pozita e tij si një udhëheqës botëror dhe
fetar, ai përpiqej që të zgjonte ndërgjegjen e botës mbi krimet që po ndodhnin
në Kosovë. Në një deklaratë "Urbi at Orbi", dmth. drejtuar Romës dhe
botës, udhëheqsi i Kishës Katolike, prononcoi uratën e tij para botës,
"Për tokën e martirizur të Kosovës, ku lotë e gjak vazhdojnë të përzihen
në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për
ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjet e
tyre, për ata që janë detyrua të ikin larg...Të mobilozohet solidariteti i të
gjithëve anë e mbanë botës," vazhdoi Gjon Pali i II, "që më në fund
të flitet serish për vëllazërim e paqë. Si mund të qëndrojmë pasiv para lumit
të dhimbshëm të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke
kërkuar ndihmë"?, sfidoi botën Papa Gjon Pali, për të bërë diçka për
Kosovën martire. Si një shëmbëll i seriozitetit të Papës për të sensibilizuar botën
mbi gjëndjen tragjike në Kosovë, dhe për thirrjet e tija për aktivizim
ndërkombëtar në mbështetje të Kosovës, ish-presdienti amerikan Bill Klinton
shënon në biografinë e tij, telefonatën që ai shkruan se mori nga Papa Gjon
Pali II, me të cilën, Papa i drejtohet atij me kërkesën: "Zotëri President.
Duhet të bëni diçka për Kosovën. Këjo gjëndje nuk mund të tolerohet më."
Njëri ndër këta burra të Kosovës që trokiti në derë të Papës Gjon Palit II për
t'i kërkuar ndihmë për Dradaninë e tij të vuajtur, ishte Presidenti Ibrahim
Rugova, i cili ka patur disa takime me Gjon Palin II. Pas vdekjes së Papës,
Presidenti Rugova ka thënë se, "Papa Gjon Pali ishte një mik dhe At për
Kosovën. Ai ka merita të mëdha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit
tonë, Kosovës. Mund të them se isha mik i një Pape dhe njeriu të Madh. Kosova
dhe shqiptarët në përgjithësi, do ta kujtojnë si At të shënjtë të Madh, i cili
ka bërë shumë për kombin tonë", ka thënë Ibrahim Rugova.
Edhe ish-presdienti i Shqipërisë Alfred Moisiu e ka vlerësuar Gjon Palin II si,
"një figure të madhe, pasi ai është jo vetëm baritori i katolikëve në mbarë
botën, por edhe i mbarë njerëzimit, sepse kontributi i tij ka përmasa të
tilla...ai i ka dhënë njerëzimit atë që i ka munguar, dashurinë e njeriut për njeriun",
ka thënë ish-udhëheqësi shqiptar.
Ndërsa, Dom Lush Gjergji, që ka takuar shpesh Gjon Palin II, në një intervistë
për Radion Evropa e Lirë, pas vdekjes së Gjon Palit, ka venë në dukje
mbështetjen e palëkundshme të Papës për Kosovën, gjatë takimeve private në
Vatikan me të dhe me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Imzot Nikë Prela. Sipas
Dom Lush Gjergjit, "Do të mbetet një kujtim i paharrueshëm fjala e madhe e
Papës Gjon Palit, thënë më 1981 pak para shpërthimit të ngjarjeve të Kosovës se
"pas popullit tim polak'', i tha ai Imzot Nikë Prelës dhe mua, "po ua shploj
zemrën dhe po u them se më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse keni
vuajtur shumë dhe padrejtësisht dhe na e keni dhuruar Nënë Terezën". "Kur
e përqafoi Nikë Prelën në karrocë, Papa i tha dhe këtë fjalë që më ka mbetur
gjithnjë në zemër dhe në veshë. "Kosova shpresa jonë, Kosova-plaga jonë",
kujton Dom Lush Gjergji.
Gjatë gjithë kohës që jetoi, në personin e Gjon Palit II -- sidomos në kohë të
vështira -- kombi shqiptar kishte një përkrahës aktual dhe të fortë në këtë
botë. Tani, shqiptarët kudo, kanë një Shënjt mbrojtës që së bashku me Nënë
Terezën do të luten, sipas vet uratës së Gjon Palit kushtuar kombit shqiptar,
"Për një ditë në të cilën ky popull fisnik të shohë edhe njëherë të
realizuara dëshirat më të thella të shpirtit të tij, atëbotë kur të gjithë --
bijë e bija të tij -- do të kenë mundësi të bashkohen në harmoni të plotë për
të rindërtuar një të ardhme në drejtësi e paqë."
Kjo ishte lutja e Papës Gjon Palit II, mikut të madh të shqiptarëve për fatet
e kombit shqiptar. Këjo është dëshira e madhe e të gjithë shqiptarëve, në këtë
vit të shënjtërimit të tij.