VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUKËSI, QYTETI JASHTË ORBITËS SË KUFIJVE TANË!
Nga AHMET SHQARRI

E Shtunë, 08.10.2013, 10:21am (GMT1)


Ky sukses i madh i skuadrës së Kukësit, që si asnjë tjetër më parë arrin të kalojë tri ture të Kupës së Europës, duket sikur vjen nga një futboll i një vendi tjetër të zhvilluar dhe aspak nga ky i yni, kur dihet fare mirë se në ç'gjendje të rëndë e kanë katandisur disa prej atyre që, sa e kishin në dorë pushtetin nuk bënë asgjë që të mund t'i shërbente sadopak forcimit të identitetit shqiptar edhe nëpërmjet sportit, ndërkohë që tani, në ikje e sipër, nuk përtojnë të duartrokasin, nuk e di se për çfarë?!


Mund t'i etiketojmë si dhe sa të duam, me fjalë lëvduese e komente nga më entuziastet arritjet e deritanishme të ekipit kuksian të futbollit, sepse e meriton plotësisht, ngaqë po bën një histori krejt tjetër nga ajo çfarë është shkruar deri tani në këtë vend, por, gjithsesi jemi në Shqipëri dhe kushdo prej nesh, përfshi këtu edhe vetë protagonistët e fitores, e dinë fort mirë se në ç'mjedis të papërshtatshëm po lulëzon ky sukses i këtij qyteti të vogël dhe pa ndonjë traditë futbollistike kushedi se çfarë.

Deri dje krejtësisht i paimagjinueshëm dhe fare i pabesueshëm, për çfarë do të arrinte si debutues në kategorinë superiore dhe jo më për t'i shkuar mendja në një pjesëmarrje europiane, megjithatë, ekipi kuksian ia doli t'i sfidonte të gjithë, madje edhe vetë drejtuesit e tij, të cilët as vetë nuk e kishin menduar sinqerisht se mund të shkonin kaq larg! Por, pavarësisht vendit ligatë dhe klimës së egër në të cilën po rritet e po lulëzon ekipi kuksian, realiteti i krijuar prej tij, edhe pse ngjan si një paradoks krejtësisht unikal, ia vlen të analizohet e të trajtohet me seriozitet e me shumë dashamirësi, për t'ia shpërblyer në një farë mënyre të gjithë atë mund, përpjekje e përkushtim plot pasion që është derdhur prej secilit nga ata, pjesëtarë të atij formacioni të pashembullt në historinë e deritanishme të klubeve shqiptare të futbollit.

Duke dashur ta inkurajonim ekipin e Kukësit në fillimet e tij si debutues në kategorinë superiore, aq më tepër për atë kapërcim të jashtëzakonshëm që kishte bërë, sikur të kishte kaluar ylberin, nga njëra kategori inferiore tek tjetra, derisa u ngjit tek më të mirët, pa asnjë ndalesë dhe gati me një frymë për nga shpejtësia e realizimi i gjithçkaje, nga argumentet lehtësuese për të, përdornim atë të zgjerimit të gjeografisë së futbollit tonë, tani edhe në skaje të tilla, të pashkelura më parë prej elitës së këtij sporti. Shtonim gjithashtu se me ndërtimin e Rrugës së Kombit, ekipet nuk do t'i kishin më ato vështirësitë e mëparshme, kur Kukësin nga Tirana e ndante një ditë e lodhshme udhëtimi, ndërkohë që sot rruga midis këtyre dy qyteteve përshkohet për më pak se dy orë... Flisnim kështu në ato fillime, pa na shkuar mendja për argumente të tjera që kishin të bënin me të ardhmen cilësore të këtij ekipi, sepse, në mos herezi, çdo arsyetim tjetër rreth kësaj teme shkonte përtej çdo parashikimi të mundshëm. Madje, edhe në ato raste kur krijuesi i këtij ekipi, presidenti Safet Gjici, përpiqej të ndizte ndonjë shkëndijë rreth horizonteve që ai i shihte më larg se çdokush tjetër, të gjithë ata që e dëgjonin, nuk bënin gjë tjetër veçse nënqeshnin, duke mos dashur ta marrin asnjëherë seriozisht atë. Dhe kjo gjë vazhdoi gjatë, edhe pse ekipi kuksian vazhdonte të qëndronte për çdo javë në krye të renditjes, duke lënë pas skuadra emrash të mëdha për këtë futboll, që tani po përballej me një realitet të ri, i krijuar prej një mjedisi ndryshe, me një stadium që Kukësi nuk e kishte imagjinuar kurrë, dhe që mbiu si brenda një dite në atë qytet, ëndërrimi i të cilit për futbollin ishte frymëzuar tashmë me vepra konkrete prej njeriut të tyre të mirë me emrin Safet Gjici. Ndryshe nga çfarë kanë bërë deri tani drejtuesit e shumtë të ekipeve futbollistike, Safet Gjici nuk lakmoi lojtarë "të famshëm" për të ndërtuar ekipin e tij, që më shumë e kanë mendjen tek lekët sesa tek niveli që mund të shfaqin në lojë.

Po t'i shohësh me kujdes, që nga trajneri Armando Cungu e të gjithë lojtarët që përbëjnë ekipin kuksian, nuk janë nga ata emra që të trullosin me madhështinë e tyre, përkundrazi, biografinë e tyre të vërtetë futbollistike ata tashmë janë duke e krijuar, nëpërmjet punës dhe rritjes në atë mjedis të favorshëm që i ka krijuar presidenti i tyre, së bashku me kolegët e tij, ndihmës të gjithanshëm në arritjet e deritanishme. Nëse ndonjë lojtar si Igli Allmuça e kishte provuar më parë suksesin si kampion i vendit, apo të tjerë si Alikaj, Progni, Hallaçi, Brahja, e ndonjë tjetër si portieri tashmë i famshëm Argent Halili, kishin treguar vlera nëpër ekipet e mëparshme ku ishin aktivizuar, megjithatë, ata nuk kishin qenë asnjëherë në atë nivel sa mund t'i quaje "yje". Ishte Kukësi që i bëri të tillë, duke shkruar tashmë me ta një histori të re e të vërtetë suksesi!
AHMET SHQARRI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.