VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'MATRIARKATI' ÇALAMAN I JOZEFINËS
Nga AZGAN HAKLAJ

E Mërkurë, 08.14.2013, 07:10am (GMT1)


Pas tronditjes së 23 qershorit, zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, për shumicën absolute të demokratëve shqiptarë, i tejkalon limitet normale të një entuziazmi dhe kthjellimi për kohën politike që na pret. Gjithsesi, për hir të një uniteti fals, virtual, nuk mundet që kjo datë e rëndë e fundqershorit 2013 të kalojë qorrazi, pa u ekzaminuar, të paktën në kupolën drejtuese partiake e shtetërore 8-vjeçare. Deri më sot vetëm Dr.Berisha, jo veç formalisht, dëshmoi se di të marrë mbi vete barrë e përgjegjësi. Jorgani i ngrohtë nuk mundet më të ngrohë tartabiqe që PD-në, partinë e fisnikërisë e shpresës sonë kombëtare, e katandisën në një kazan hallve ku ata mbushën gavetat si zboristë të uritur.

Është pikërisht ky shkak që ma jep, dhe jo vetëm nuk më lë pa reflektuar e analizuar me qetësi për çka përjetuam në këto zgjedhje. Kur diskutova me një mik rreth idesë së kësaj serie shkrimesh analitike, të cilës i prine Jozefina Topalli, ai më përsëriti një shprehje të lashtë latine "De mortuis nil nisi bonum" (Për të vdekurit nuk flitet keq). Jo se nuk më pëlqeu e nuk më intrigoi shprehja, por një fakt, me kokëfortësinë e vet, ma vodhi simpatinë për fjalën e urtë latine. E fakti është i thjeshtë: Zonja në fjalë (Çoba Topalli) vazhdon të mbajë akoma, pa u skuqur e as zverdhur, postin e lartë të nënkryetares së Partisë Demokratike. Përpos kësaj, ajo jo vetëm nuk ka anuar përkah ndjesa ndaj demokratëve, por me stilin e pseudonimaxhinjve të tipit Patozi mendon të notojë akoma në dhimbjen tonë me jahtin e artë të pamerituar që i dhuroi pushteti. Madje, shkon paciptësisht edhe më larg, duke shpalosur neveritshëm cinizmin e vet aspak të kultivuar, si në rastin e urimit përmes rrjeteve sociale zgjedhjen e liderit të ri të PD. Të gjithë neverinë që kjo zonjë krijoi tek demokratët e masivisht tek shqipetarët për më se 8 vite, mendon me injorancë se e mbulon me një ekspresion të thatë që aspak nuk i buron nga koshienca e sinqeriteti, por nga errësira e skuthlleku i karakterit të saj, tashmë publikisht i dukshëm: "Përjetë me Sali Berishën". Askush nuk e beson, asnjeri s'e vlerëson. Ajo është kaherë e braktisur, me çadër të shpuar shoshe nën shiun e përbuzjes demokrate. Atë e përbuzin shkodranët antikomunistë, demokratë e antikonformistë, gjë që e dëshmuan me votë. Vota e shkodranëve nuk ishte votë ndëshkimi për PD e Berishën. Ishte një post-bllok për një avancim të marrisë së kësaj zonje, e cila harroi kush është, nga i vjen fuqia dhe si duhet ta përdorë atë, Shkodrën, këtë kala të demokratëve për të cilën u investua mund e gjak më shumë se te Rozafa, Jozefina e plasariti dhe sikur të mos i jepej ky mësim i fundmë, do ta shkatërronte!!!

Harroi se Shkodra nuk ishte bërë për shekuj çiflig i askujt, e jo ta nënshtronte Jozefina. Ajo që hiqej dhe ne e mbanim si reprezentuesen e klasës së persekutuar, mbushi pushtetin lokal të Shkodrës dhe gjithë administratën e Parlamentit me zogj të inkubatorit komunist e madje, më keq, me ish-oficerë madhorë të Sigurimit të Shtetit, siç ishte rasti i ish-shefit të Shërbimit sekret, Pashk Jushi. Dhe Shkodra reagoi! Natyrisht, që unë s'e kam përjetuar mirë përgjigjen e Shkodrës, por më ngushëllon Aristoteli, filozofi i madh, i cili dikur deklaronte: "Amicus Platon, sed magis amica veritas" (E dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën).

Zonja në fjalë çaloi deri në sakatllëk të pariparueshëm edhe në lëvizjet e saj matriarkaliste, të cilat u mundua t'i kamuflojë si një revolucionarizim feminist modern. Por, pas perdes, ajo u kthye në një bishë të tërbuar kundër çdo progresi feminist e ngjitje të tyre në PD. Xhelozia dhe kompleksi i ndjeshëm i inferioritetit si në fatin e saj feminal ashtu edhe në formim, e bënë atë të sulmonte pabesisht deri në mosekzistencë reale të forumeve të grave demokrate shqiptare. Edhe ndonjë zonjë që ofronte Jozefina ishte model i pazotësisë, thashethemnajës, e inferioritetit femëror i tipit Arta Sake.

Zonja në fjalë, e trajtoi PD dhe pushtetin e saj si një çiflig të vetin, duke harruar okazionin e infiltrimit të saj per shkak të bujarisë të të ndjerit Spahia, duke harruar se ky "çiflig" ku pasurohej e zbukurohej Jozi ishte i vaditur me gjakun e mijëra demokratëve dhe ishte gardhnuar me ëndrrat e tyre për ndershmëri, demokraci e meritokraci.

Është qesharake t'i thuash kujt se kur qindra studentë demokratë që kanë kryer studimet për diplomaci në universitetet më reputative të globit punojnë si kamerierë në lokalet pranë Parlamentit, dhëndri i zonjës në fjalë, njëfarë Luis Ejlli, përfaqëson diplomacinë kulturore shqiptare në një shtet të madh mik.

Paradoksi është i dhimbshëm, me interes për zonjën, por me kosto të rëndë për ne! Zotëria dhëndër, një amator aspak i talentuar, sikundër me dhjetëra të tjerë nga rrjeti i saj nepotik, u parashtruan, u pasuruan, ndërsa ata që për 22 vite ushqyen me vota Partinë Demokratike, listohen çdo ditë në furra buke e minimarkete ushqimore.

Nuk dua të vazhdoj më gjatë, se lista e bëmave të Jozefinës nuk ka të sosur. Ajo është qesharake sa shamia e saj islamike në Kuvajt, apo edhe "kumbaria" në Vatikan. Unë dhe shumë që e njohim, kot te apelojmë për reflektim! Reflektimi i saj a shërimi i demokratëve të Shkodrës e gjithë Shqipërisë eshte largimi i menjëhershëm jo vetëm nga postet partiake, por edhe dorëzimi i mandatit aspak të merituar. Gjithsesi, ajo s'ka për ta bërë këtë hap. Atëherë, le të ngelet një emër anonim që do të firmosë rrogën në borderotë e Parlamentit. Sigurisht, ajo kurrë s'do të ketë as reputacionin e brigadieres së dikurshme si Lenka Çuko, e cila ngjiti e zbriti shkallët e karrierës për t'u bërë shembull qesharak i politikës.

Unë, me shumë delikatesë e aspak me padashamirësi po e paralajmëroj: Stop! Kujdes! Tani në Partinë Demokratike kanë ardhur doganierët e ndershëm te meritokracisë. Je e para që s'do ta kalosh skanerin!...
AZGAN HAKLAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.