Më 14 Qershor të 2000, kur pritej vizita e tij e parë në Prishtinë, dhe kishte filluar të flitej nëpër kuluare se Kushneri do t'ia ndalonte hyrjen, me iniciativë të Mero Bazes, do ta intervistoja nga Zyrihu në linjë telefonike liderin e opozitës, me shpresën se prononcimi që bëri se prania e tij në Kosovë nuk do të shkaktonte kurrëfarë turbullirash apo trazirash, do të shërbente për të kthyer mbrapsht vendimin e Kushnerit. Intervista e Berishës u botua në Kosovë, por Kushneri prapë nuk do ta lejonte Berishën të hynte atje.
Natyrisht ndalja e Berishës më 14 Qershorin e 2000, nuk bëhej me iniciativë të Kushnerit, por Kushneri si shefi i UNMIK-ut, ishte i detyruar të ekzekutonte ultimatumin e një pjese të faktorit politik të Kosovës, e cila e konsideronte Berishën "të rrezikshëm për stabilitetin e Kosovës".
Berisha konsiderohej non grata dhe nuk lejohej të hynte në Kosovë. Ishte një vendim absurd dhe i bëhej pikërisht atij që, sa ishte President i Republikës së Shqipërisë, e pati përparësi të përparësive çështjen e Kosovës, e cila asaj kohe ishte e fosilizuar në klishenë brenda ish-Jugosllavisë.
Përgjatë viteve 1992-1997 Berisha nuk kishte mundësi ta sendërtonte ëndërrën e tij për ndërtimin e rrugës Morinë-Durrës, por me vendim të tij si president i Shqipërisë, ai kishte sanksionuar dyshtetësinë, çka i jepte mundësi çdo shtetasi me kombësi shqiptare në ish-Jugosllavi të merrte shtetësinë e Shqipërisë. Ka mjaftuar qoftë dhe ky vendim për armiqtë e shqiptarëve dhe ata do ta konsideronin Berishën "Dele të Zezë" për stabilitetin e ish-Jugosllavisë.
Viti 1997, që do ta rrëzonte Berishën nga pushteti, ishte shprehje e tërbimit të ultranacionalizmit më të tërbuar të Ballkanit, që gjeti terren ngaqë konfiguracioni i Ballkanit nuk ishte ky i sotmi. Largimi i Berishës nga pushteti me dhunë më 1997 ishte preludi i luftës që do të plaste në Kosovë në mars të 1998.
Më tutje askush nuk e mendonte apo përfytyronte rrjedhën që do të merrnin ngjarjet. Ishte një skenar që ndodhte për herë të parë në Ballkan. Milosheviçi besonte se çështja e Kosovës merrte fund me një fushatë disamuajshe. Askush nuk besonte përfshirjen e NATO-s në luftën e Kosovës. As vetë politikanët e dalë prej lufte të Kosovës. Ata nuk dinin asgjë si do të shkonte puna: a do të ktheheshin në mërgim nga kishin ardhur.
Shpallja e Berishës Person non grata më 14 Qershori të vitit 2000 kishte në sfond drejtpërdrejt marrëdhëniet tejet konfliktuale që ekzistonin midis krahut të Rugovës dhe krahut të UÇK-së në Kosovë, marrëdhënie të cilat ishin në gjendje de jure armëpushimi por de facto nuk gjenin paqe.
Ata që kërkuan shpalljen e Berishës Person non-grata më 14 Qershorin e vitit 2000, ishin tejesisht të ndikuar edhe nga presioni që kishin prej Tiranës zyrtare, e cila për ngjarjet e 1998, që arritën kulmin me vrasjen e deputetit Azem Hadari, bëri përgjegjës Sali Berishën, duke e akuzuar si shkaktar të trazirave dhe kaosit.
Dhe do të duheshin vite, që Sali Berisha, t'i ikte nga lëkura "Deles të Zezë", periudhë që përkon me tranzicionin e pasluftës në Kosovë, dhe tranzicionin e Shqipërisë, ku me hapat e breshkës, në Shqipëri e Kosovë, filloi të frymojë një klimë fraxhile bipartizanizmi, bashkëjetese dhe bashkëpunimi, e cila mbahet gjallë, kryesisht në sajë të ndikimit Amerikan, që është tej mase i domsdoshëm deri në konsolidimin e demokracisë dhe të demokratizimit të plotë të faktorit politik edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.
Kthimi i Sali Berishës si lideri i pozitës më 2005 ndodhte në një klimë shumë të favorshme për shqiptarët. Së pari, Kosova ishte e lirë dhe në prag të sendërtimit të pavarësisë, së dyti, kundërshtarët e tij politikë ishin diksredituar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, së treti, integrimi i Shqipërisë në NATO, ishte kthyer një prioritet për SHBA dhe Perëndimin.
Për Berishën dukej se kishte filluar ora e mbarë, që do të ishte 180 gradë përkundër vitit 1997. Kur u kthye në pushtet, thuhej se kjo kishte ngjarë sepse kishte ndryshuar Berisha. Në fakt, Berisha nuk kishte ndryshuar. Kishin ndryshuar faktorët në Ballkan, kishte ndryshuar qëndrim Amerika dhe Perëndimi ndaj Ballkanit dhe shqiptarëve, Amerika dhe Perëndimi i kishte faktorizuar Shqiptarët. Berisha kishte mbetur ai që kishte qenë. Tejet i përkushuar për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE dhe i dhënë me mish e shpirt për pavarësimin e Kosovës. Sot më 2009, Berisha është ai që kishte qenë më 1997, por faktori ndërkombëtar në atë vit, ishte një shekull mbrapa.
Berisha me background të shkëlqyer akademik, lexues i ethshëm i kollosëve të letërsisë, dashurues i zjarrtë i vlerave të Amerikës dhe Perëndimit, humanist nga profesioni dhe nga idealet, pragmatist deri në palcë kur është fjala për ambiciet e tij si politikan.
Ky është Sali Berisha, të cilin Kosova e do më tepër se e do Shqipëria. Por të të dojë Kosova, ka vlerë më shumë se të të dojë Shqipëria, pasi Kosova është djepi i kombit shqiptar, aty nga ku kanë nisur dhe jnaë fituar që të gjitha luftërat e shqiptarëve për liri dhe mbijetesë.
Të të dojë Kosova, do të thotë se e meriton këtë vlerësim dhe dashuri, pasi populli i Kosovës, është pjesa e kombit më antikonformiste, më e vuajtur, që vlerësimet nuk i ka për patetizëm apo folklorizëm, porse e kupton më mirë se askush cili politikan punon për të mirën dhe kush për të keqen. Populli i Kosovës ka pritur me padurim se kush po e ndërton rrugën Morinë-Durrës, dhe ai ia di për nder atij që e ndërtoi.
Sa për Kosovën, Kosova mbetet pika e dobët e Berishës, pasi ai e ka të qartë, se një Kosovë e integruar në NATO dhe BE kthehet në ekuilibër për kthimin në jetën normale të kombit shqiptar.
Berisha e do Kosovën jo nga pozitat e liderit pragmatist. Kosovën e do pa kushte dhe me çdo kusht. Sali Berisha nuk është nacionalist. Sepse nuk ekziston nacionalizmi shqiptar. Kosovën e do nga pozitat e një lideri humanist, që nuk i pranon padrejtësitë, dhe kërkon të përfitojë nga prerogativat e kohës. Fjalimet e tij në Kosovë, me Hashim Thaçin, në Parlamentin e Kosovës, në takimin solem të Universitetit të Prishtinës janë më të bukurat, më spontanet, që të kujtojnë fjalimet e viteve 1992, të përmbysjes së diktaturës dhe fjalimin që ka mbajtur në Tropojë, kur e vizitoi këtë vit gjatë fushatës.
Sali Berisha nuk ka ndryshuar. Ai është koherent me veten e tij si qytetar, si intelektual, si shqiptar, para se të jetë absolutisht koherent edhe me veten e tij si politikan. Ka mbetur me të njëjtat objektiva të qarta, 20 vjeçare, për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe BE, për bashkimin e kombit shqiptar në Europën e Bashkuar, për vitalizmin dhe faktorizimin e kombit shqiptar, për ndërtimin e urave lidhëse midis shqiptarëve, pas shekujve që kanë qenë në kundërthënei të plotë me shqiptarët.
Sali Berisha nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar gjeopolitika e Ballkanit, ka ndryshuar këndëvështrimi Perëndimor për t'i parë shqiptarët si pjesë integrale e Europës Juglindore.
Sali Berisha nuk ka ndryshuar. Kanë ndryshuar ata që më 14 Qershorin e vitit 2000 e kishin detyruar Kushnerin ta shpallte non-grata, kanë ndryshuar ata që dikur e shihnin Berishën si faktor kundër stabilitetit të Kosovës. Ata kanë ndryshuar.
Dikush mund të pyesë pse Thaçi e ftoi Sali Berishën tani, kur ka fituar mandatin e dytë qeverisë, dhe jo përpara. Gjithsesi Thaçi i ka bërë një pritje shumë dinjitoze, edhe institucionet e Kosovës, të cilat i ndiheshin borxhlinj.
Dikush mund të thotë se Thaçi e ftoi tani Berishën, meqë Kosova ka hyrë në zgjedhje, dhe pozita kërkon t'i forcojë pozitat, duke përfituar nga reputacioni i madh që Berisha ka në Kosovë. Sepse asnjë politikan i Kosovës aktualisht nuk e gëzon këtë popullaritet që ka Berisha në Kosovë. Por ata nuk kanë 20 vjet në politikë sa Berisha, do të thotë dikush tjetër. Jetojmë në kohën kur pragmatizmi është në modë më tepër se kurrë.
Sot gazetat e Prishtinës të ndikuara nga popullariteti që gëzon në Kosovë, e kanë quajtur Berishën - Babai i Kombit. Nuk do ta shikoja Berishën nga ky kënd. As atij s'besoj t'i pëlqejë një krahasim i tillë. Që do t'i dukej romantik. Unë do të thosha se Berisha është i domosdoshëm dhe faktor stabiliteti për periudhën delikate plot sfida e kundërsfida deri në integrimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe të Kosovës në NATO dhe BE. Ky cak, pas një maratone të mundimshme plot pengesa, do të ishte mbërritja e liderit tek finishi, si përmbushje e plotë edhe e ambicieve të Berishës si politikan, humanist dhe lider.