VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
PROTESTUESIT UKRAINAS - PO EUROPËS, JO RUSISË Nga FRANK SHKRELI E Mërkurë, 12.04.2013, 10:26pm (GMT1) Për disa javë tani me mijëra demonstrues në kryeqytetin Kiev të Ukrainës dhe në qytete të tjera të atij vendi, po protestojnë kundër vendimit të qeverisë së tyre për të mos nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme ekonomiko-tregtare me Bashkimin Europian (BE). Demonstruesit valvitin flamujt të Ukrainës dhe hedhin parulla pro-perëndimore, duke treguar haptas mbështetjen e tyre për një bashkim më të ngushtë të vedit të tyre me Europën. Ndonëse refuzimi i qeverisë ukrainase për të nënshkruar marrveshjen me BE-në është një goditje e rëndë ndaj shanseve të kësaj republike ish-sovjetike për të bërë anëtare e BE-së, protestuesit tani kërkojnë edhe dorëheqjen e qeverisë, sepse sipas tyre, ajo iu nënshtrua presionit politik dhe ekonomik të ushtruar nga Rusia, për të mos nënshkruar marrveshjen me Bashkimin Europian. Ndërkohë, qeveria e Kievit ka njoftuar se ka rifilluar bisedimet me Bjellorusinë dhe Kazakstanin për një marrveshje tregtare me to, vende këto që janë anëtare të një tregu ekonomik e tregtar që kryesohet nga Rusia, ashtu siç janë edhe disa vende të tjera ish-sovjetike. Ky bashkim tregtar, midis Moskës dhe ish-republikave sovjetike, në të vërtetë, i përngjanë deri diku një ''bashkimi europian'' të lindjes nën kontrollin e Moskës. Analistët thonë se presioni i Moskës ndaj Ukrainës për të mos nënshkruar marrveshjen me Bashkimin Europian, është një përpjekje e presidentit rus Vladimir Putin, për të rikrijuar ish-Bashkimin Sovjetik, gjeografikisht, politikisht dhe ekonomikisht -- gjë që mund të përfundonte në një luftë të ftohtë të re. Në mos në një luftë të ftohtë, atëherë një një luftë të re ekonomike, që mund të përfundonte në një ndarje të re të Europës, midis lindjes dhe perëndimit. Si ish-agjent i policisë së fshehtë sovjetike KGB, Putini e shikon Ukrainën si edhe të gjitha shtetet që dikur ishin pjesë e perandorisë komuniste sovjetike, si copa territoresh të perandorisë së vjetër ruse që i takojnë asaj dhe pa të cilat Kremlini nuk mund të vazhdojë së funksionuari. Është e qartë se Ukraina gjëndet në prak të vendimeve historike për të ardhmen e saj, por njëkohsisht mund të thuhet se edhe mund të ketë ndikim të dukshëm edhe për të ardhmen e Europës. Bashkimi Europian i ofron Ukrainës, e cila vuan nga një ekonomi e shkatërruar post-komuniste, tregje të pasura si dhe fonde financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që edhe Rusia i ofron asaj përfitime të njëjta. Putini i bën presion Kievit haptas për të mos iu bashkuar Europës, pasi Ukraina ka një popullësi të madhe ruse, në radhët e të cilëve Kremlini gëzon përkrahje dhe ushtron influence të konsiderueshme. Por analistët perëndimorë janë dakort se nëqoftse Ukraina nuk bëhet anëtare e Bashkimit Europian, ajo gradualisht do humbasë pavarësinë dhe sovranitetin e politik dhe ekonomik dhe do të jetë në mëshirën e regjimit të Vladimir Putinit. Republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, për më shumë se dy dekada tani, kanë gëzuar pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror duke zhvilluar marrëdhënje politike dhe ekonomike bazuar në interesat e tyre kombëtare me vende të ndryshme të botës, por Kremlini nën udhëheqjen e Putinit ka bërë ç'mos për t'i penguar këto vende që të integrohen në Europë, madje duke përdorur edhe kërcënime e shantazhe ekonomike dhe ushtarake, siç është kërcënimi për të prerë furnizimet ruse me gas për ngrohje gjatë stinës së dimërit. Ndërkohë që vihet re një intensifikim i protestave dhe si rrjedhim edhe i dhunës së egër policore kundër demonstruesve paqësorë, zyrtarët amerikanë dhe euorpianë i kanë bërë thirrje qeverisë së Ukrainës, që sipas Sekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kerri, të "dëgjojë zërat e popullit ukrainas, i cili dëshiron të jetojë në liri, me mundësi ekonomike dhe në begati". Por edhe në mbështetje të kërkesave të protestuesve anë e mbanë Ukrainës, kryediplomati amerikan u shpreh për gazetarët në Bruksel se, "ne qendrojmë pranë shumicës dërmuese të ukrainasve, të cilët e shohin të ardhmen e vendit të tyre në Bashkimin Europian". Në këtë ndërkohë ministrat e jashtëm të Natos nepërmjet një deklarate, dënuan përdorimin e forcës së tepruar nga forcat policore të Ukrainës. Ndërsa Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso tha në fillim të javës se Bashkimi Europian është gati të nënshkruajë marrveshjen me Ukrainën. I shpejtë ishte edhe reagimi i Kongresit amerikan ndaj dhunës së përdorur nga policia ukrainase kundër demonstruesve paqësorë. Nepërmjet një deklarate të Komisionit të Helsinkit të Kongresit të Mërkurën, kryetari i këtj Komisioni, Senatori Benjamin Cardin, i shtetit Mariland, u shpreh se ishte shumë i shqetësuar për dhunën e ditëve të fundit në rrugët dhe sheshet e Kievit. "Brutaliteti i përdorur nga policia për të shpërndarë protestuesit paqësorë dhe rrahja e dyzina gazetarëve, përbëjnë shkelje serioze nga Ukraina, të angazhimeve të saj në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të tubimeve paqësore." Senatori Cardin shprehu gjithashtu shqetësimin e tij në lidhje me lajmet që flasin për zhdukjen e më shumë se një dyzinë protestsuesish, fati i të cilëve nuk dihet. Cili do të jetë vendimi eventual i Ukrainës për antarësim dhe integrim në Europë, dhe sido që ta shikosh këtë vendim -- pro-ose kundër -- i një vendi prej 45-milionë banorësh do të jetë një pikëkëthesë për agjenën integruese të Bashkimit Europian, për marrëdhënjet e Europës dhe të Perëndimit në përgjithësi me Rusinë, si dhe për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendeve të rajonit, por edhe të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të tyre kombëtar. Ukraina, si dhe çdo shtet tjetër, përfshirë edhe ish-republikat e tjera sovjetike, kanë të drejtën e vet që të zgjedhin dhe të përacktojnë rrugën e vet të zhvillimit dhe të asociimit me cilindo shtet ose grup shtetesh, pa presion dhe ndërhyrje nga jashtë, të llojit të luftës së ftohtë të periudhës komuniste. Siç ka thënë para pak kohe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, "Lufta e Ftohtë duhej të kishte marrë fund për të gjithë", por jo siç duket për ish-agjentin e KGB-së sovjetike, presidentin rus, Vladimir Putin. FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |