VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NË NJË SHTET TË KORRUPTUAR JULIANI E ZËVENDËSON DREJTËSINË Nga MENTOR KIKIA E Hënë, 02.03.2014, 09:11am (GMT1) Kurioziteti dhe makthi i madh publik se kush e kishte porositur vrasjen e "një biznesmeni shumë të madh" në Durrës, u shuan. Ai ishte një tjetër biznesmen (sikundër pritej të ishte) dhe quhet Ilir Karçini. Në teorinë e gazetarisë ka një rregull universal, sipas të cilit, lajmi duhet t'u përgjigjet disa pyetjeve, që janë: Çfarë (ndodhi)? Kur? Ku? Si? dhe Pse? Natyrisht që, pasi mësuam se Çfarë, Si, Kush e Kur, mund edhe të pyesim se Pse? Natyrisht, "˜Pse'-ja e kësaj historie nuk është kurrsesi justifikimi i "˜Çfarë'-s, pra i asaj që ishte përgatitur të ndodhte. Për këtë shkak, që në fillim dua të sqaroj se askush, në radhët e mëposhtme, të mos mundohet të gjejë apo konkludojë se përmes këtij shkrimi po justifikohet një përpjekje për të kryer një krim. Jo, ai ishte një krim i rëndë edhe pse mbetur në tentativë, me pasojë të madhe jo vetëm për jetën e personit, por së pari për frymën e besimit në biznes, dhe meriton ndëshkimin maksimal që parashikon ligji. Por, përmes kësaj ngjarjeje, do të doja ta shikonim këtë histori përtej një aksioni policor dhe ngazëllimit të arrestimit të sponsorizuesit të një krimi dhe ekzekutorit të tij. Pra, dua të mbetemi tek "˜Pse'-ja, pasi pas çdo lajmi që ne japim për atë që ka ndodhur, pyetja më me shumë interes është se, përse ndodhi. Hamendësimi i parë i yni ishte se porositësi i krimit do të ketë qenë dikush që kërkon t'i marrë tregun dikujt, meqë autorët e "filmit action" ishin të dy biznesmenë. "Gazeta Shqiptare", e cila ka kontribuar mjaft në kthjellimin e dritëhijeve të kësaj historie Spilbergiane, dje ofroi një argument shumë të rëndësishëm. Jo për të justifikuar një krim të mbetur në tentativë, por për të hedhur dritë mbi një mekanizëm që e ka burimin tek mungesa e drejtësisë, korrupsioni dhe devijimi i tregut të lirë nga aktorë të lidhur me qeverinë dhe klientët e saj. Për ata që nuk e kanë lexuar, mes biznesmenit Karçini (që është në burg tashmë si porositës i vrasjes) dhe biznesmenit Piro Bare (personi që ishte piketuar për t'u vrarë) nuk ka pasur një konflikt për shkak të ndonjë krushqie të prishur, parkimin e makinës para lokalit pa leje, apo ndonjë arsye tjetër alla shqiptarçe. Ka qenë biznesi! Piro Bare është pronar i portit të hidrokarbureve në Porto Romano ("Romano Port"), një biznes që ka ekskluzivitetin, pra monopolin, e depozitimit të të gjitha hidrokarbureve që futen në Shqipëri, karburante dhe gaz. Ndërsa Karçini është një importues, nga më të fuqishmit në vend, i gazit, dhe para se ta hedhë atë në treg, duhet ta shkarkojë në Porto Romano. Në gusht të vitit 2011 kompania e Karçinit, "Prima Gaz", kishte sjellë një anije me gaz për ta shkarkuar, por "Romano Port" nuk e lejonte, për mungesë dokumentesh. Kompania e Karçinit ishte ankuar pranë Autoritetit të Konkurrencës, i cili pasi ka hetuar situatën i ka dhënë të drejtë atij, duke urdhëruar "Romano Port" të bëjë menjëherë shkarkimin e gazit, pasi kështu po rrezikon konkurrencën e lirë në treg. Dëmi që paguante "Prima Gaz" ishte 14 mijë USD në ditë (qira anijeje, kosto porti etj.) dhe deri në kohën e ankesës kishte paguar 140.000 dollarë, sipas kompanisë, si pasojë e një veprimi të qëllimshëm të terminalit të Porto Romanos. Në dokumentin e publikuar në "Gazeta Shqiptare", gjithashtu vërehet se me hyrjen në treg të terminalit të hidrokarbureve "Romano Port", tregu i kompanisë "Prima Gaz" në Shqipëri ishte tkurrur ndjeshëm. Që do të thotë se bllokimi nuk kishte qenë çështje dokumentesh, jo vetëm sepse këtë e vërtetoi edhe hetimi i Autoritetit të Konkurrencës. Pra ka qenë një luftë brenda llojit, në vazhdimësi, ku ai që zotëron monopolin me bekimin e qeverisë dhe shtetit, i vë shkelmin në fyt atij që nuk e ka këtë bekim. Se si rrodhën ngjarjet pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës për shkarkimin e gazit, nuk ka informacion. Por, derisa punët kishin shkuar tek bombat e Julianit, kuptohet si ka shkuar. Më herët, kur në Shqipëri kishte rimarrë frenat e pushtetit Sali Berisha, pas vitit 2005, ky biznesmen bridhte dyerve të medias pasi kërkonte të denonconte bllokimin e anijes së tij me gaz në portin e Vlorës. Ia kishin mbajtur një muaj pa e lejuar të futej në port, ndërsa në Durrës, një klient i qeverisë (sipas tij) po shkarkonte dhe po mbushte tregun me nxitim. Pas një muaji i kishin dhënë lejen, pasi klienti i qeverisë e kishte shpërndarë mallin e tij. Atëkohë nuk kishte "Romano Port". Ekskluzivitetin, dhe padyshim edhe kontrollin mbi biznesin, qeveria e Berishës e prodhoi më vonë. Në të njëjtën kohë, kryeministri Berisha akuzonte në parlament prokurorin e përgjithshëm të kohës, Theodhori Sollaku, se ishte mik i një biznesmeni të inkriminuar. Dhe ky ishte pikërisht Ilir Karçini. Më herët, sipas kronikave mediatike të kohës, Karçini, biznesin e tij e kishte ngritur duke bërë manovra ligjore në dëm të ish-ortakut të tij grek në biznesin e gazit. Në 27.01.2003, raportohet se Karçini kishte organizuar një mbledhje fiktive të bordit të aksionerëve të kompanisë "Viakel Gaz" (themeluar më 02.10.1996), ku Karçini dhe një bashkëpunëtor i tij kishin 30% të aksioneve, ndërsa pjesën tjetër e kishte një kompani greke dhe një shtetas grek. Në këtë mbledhje, sikurse shkruhej atë kohë, pa praninë as të ortakut grek që kishte 20% të aksioneve dhe as të përfaqësuesit të kompanisë greke që kishte 50% të aksioneve, ata vendosin që aksionet e grekëve t'u shiten atyre, duke falsifikuar edhe firmat. Ky akt "shitjeje", pasi ishte noterizuar, ishte ligjëruar në gjykatë, në 17.03.2003, nga një gjykatëse, që është bashkëshortja e ish-prokurorit të përgjithshëm Sollaku. Pala greke e kishte kontestuar dhe kishte nisur odisenë e padive në prokurori, si ndaj grabitjes - sipas tyre - të kompanisë, ashtu edhe të kërcënimeve që pasuan, ishin mbytur nga prokuroria e drejtuar nga Sollaku. Ditën e arrestimit të Karçinit, para tij, në Drejtorinë e Policisë kishte mbërritur pikërisht ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Ai njihet publikisht si mik i ngushtë i Karçinit. Duke iu besuar këtyre të dhënave kronologjive, tashmë zyrtare dhe publike, arrin në përfundimin se Karçini e ngriti kompaninë e tij bazuar në një grabitje, të ligjëruar nga drejtësia e korruptuar. Më pas ai iu nënshtrua një persekutimi ekonomik nga një kryeministër që e konsideronte të inkriminuar dhe nuk e penalizonte, por e përdorte si argument për të shkarkuar prokurorin e përgjithshëm. Më pas ai bëhet viktimë e sistemit-monopol që qeveria po instalonte në të gjitha tregjet e vendit, duke ua besuar ato klientëve të saj dhe ku, padyshim, do të favorizoheshin po klientët e saj. Këto monopole vazhdojnë të jenë ende në këmbë, të fuqishme dhe në kontroll të tregjeve, ndërsa qeveria vazhdon të bëjë të njëjtat deklarata si dje në opozitë, se do t'u japë fund atyre. E gjitha është një histori jo kriminale, jo banditeske, sikurse pretendohej edhe nga policia. Nga e gjithë historia e bandës së bombave dhe vrasjeve me pagesë, ky është thriller politiko-ekonomik. Është një histori e prodhuar kryekëput nga një sistem i korruptuar. Produkt i një drejtësie të korruptuar dhe njerëzve të saj të përfshirë direkt në këto marrëdhënie të pista. Është histori e një qeverie të korruptuar, që luftën ndaj informalitetit dhe kriminalitetit në ekonomi nuk e ka parë si veprim dhe ndëshkim ligjor, por si grabitje banditeske e asaj që ka menduar se është kriminale, për ta shpërndarë tek klientët e saj. Në fund zgjidhja ka qenë bomba. Një njeri që ishte mësuar ta ngrejë biznesin përmes grabitjes, nuk mund ta pranonte grabitjen. Dhe, meqë shteti kishte qenë pjesëmarrës si në grabitjen që ai u kishte bërë të tjerëve, ashtu edhe në grabitjen që po i bëhej atij, e kishte gjetur zgjidhjen tek bombat. Në një vend ku mungojnë drejtësia dhe shteti, apo ku akoma më keq, ku drejtësia dhe shteti janë vetë autorët e padrejtësisë dhe pjesë e krimit, atëherë përmbaruesin e drejtësisë e zëvendëson përmbaruesi i krimit. Policia sapo e mbylli agjencinë përmbarimore të Julian Sinanajt. Por, derisa vendi është i zhytur në korrupsion, padrejtësi e klientelizëm politik e qeveritar, do të ketë punë për të tjera "agjenci përmbarimore" si ajo e Julianit. Në këto kushte, do të kishte qenë greku i pari që do t'i ishte drejtuar "agjencisë përmbarimore" të Julianit për të kërkuar drejtësinë e tij. Por ai kishte zgjedhur të ikte, derisa i erdhi radha vetë autorit të bëhej viktimë. Kjo analizë është e mbështetur mbi fakte të bëra publike deri tani dhe të pakontestuara publikisht deri tani. MENTOR KIKIA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |